E premte, 26.04.2024, 12:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: As që e kishim menduar pulëbardhën

E enjte, 13.08.2020, 08:44 PM


AS QË E KISHIM MENDUAR PULËBARDHËN

POEZI NGA QAZIM SHEHU

As që e kishim menduar pulëbardhën

Ajo klithte mbi det  me një skaj intim,

Detit i shihnim vetëm dallgën

Ç`kënaqësi jep dallga me gjëmim...

Dikur letrat e dashurisë i quanim pulëbardha

Veç me një pullë i nisnim për fluturim,

Ky zog i bënte me flatra,

Zëri i tij saj na jepte ngazëllim…

Ka kohë, i harruam pulëbardhat

Pa i përshëndetur me dorë,

Se  për të tjerë fluturojnë e vijnë kaq afër

Si shkëndija gëzimi madhështor…

KY MAL

Dashuria më sjell pranë këtij mali

Në gji të mbrëmjes pyllin sodit

Kërkoj me sy një ujëvarë

Që lumit poshtë i jep shpirt.

Po këtë mal s`do ta doja aq

Për një shkas trilli romantik

Sikur mos ishte poshtë tij një fshat

Dhe gra që lindin çdo vit…

Sikur mos ndizeshin dritat mbrëmjeve

Bori mos binin kthesave

Dhe hëna me lopatë të saj

Mos hidhte xhevahire  nëpër dhembje…

Këtë mal nuk do e doja aq

Për ca përralla-legjenda mitike

Po të mos nxiteshin fjalët

Nga të fshehtat që ndrydh një mike…

NDODH

Ndodh që ne u takuam në rrugë

Njëri-tjetrit udhë nuk i hapëm

Ndodh ,dy re na duket sikur takohen

E nga takimi shkrihen, por nuk përplasen…

Sikur të ishim dy re ,sa mirë,

Duke u shkrirë me njëri -tjetrin

Do hidhnim mbi të kaluarën shi

Dhe së ardhmes do i hapnim diellin…

Po ne nuk jemi dy re,

Se fort jemi barrëtuar

Brenga e mërisë pa fre

Në shkëmb   na ka gurëzuar

VERË

Filloi dhe vera me vapë të nxehtë

Me ajër që s`lëviz , i bllokuar,

Aty këtu, shfaqen të rralla retë

Në skaje qielli si të hutuara.

Nuk mund të rrihet jashtë

Ajri përcëllon ,dielli djeg,

Ditën e shan, i thua e mbrapshtë

Gjinkallen merr inat vërtet…

Me syze dielli kalon një bionde

Më e verdhë se dielli,si në film,

Asgjë s`të tërheq vëmendje

Mendimi thua s`është mendim…

Ç`ndodh vallë  dhe ndihem si guak

Përse marr inat  ajrin e mpirë

E di,vera asnjë faj s`më  ka aspak

Sikur mos takoja një njeri të vështirë…

STREHIMI

Pashë një njeri në rrugë

Ishte ftohtë ,binte shi,

M`u dhimbs dhe si fugë

Vërtitej i gjori njeri…

I lagur i tëri m`u duk

Fërgëllonte e ligështohej,

Një zjarr të ndizja apo nuk

Ka më dashuri njerëzore…

Për një çast m`u duk si im vëlla

Ai ishte biond, flokëkaçurrel

Shiu derdhej në pikla të mëdha

I egër,mosmirënjohës,rebel…

Iu afrova,krahun i hodha

Dridhej i tëri nga rrebeshi,

Më pa me fytyrë të lodhur

Mezi buzëqeshi…

Nuk e pyeta pse rrinte në shi

Mund të qe udhëtar i vonuar

Ose i braktisur nga një dashuri

Zemrën e ndjente të pastrehuar….

VIJAT

Ndriçohet nata nga dashuria

Me brengë të  poetit,

Nga vija e pëllëmbëve të mia

Shoh një udhë anës detit…

Të sjell sonte në mendje ty

Atë vragë ku desha të ec,

Natë, ngrohtë,pak vetmi,

Një rreze te dritarja ngec.

Kështu u thye vështrimi jot

Para çasteve  të vështira,

Nga vijat  e duarve të tua

Zgjatet rruga gjer te kinkaleria…

Çfarë mund të dhuroja unë ty

Dashuri e poetit është veç dhuratë

Guxim i dashurisë së vështirë

S`e bind dot këtë natë….

PUNËTORI

Mos e shpërdoro djersën time

Mos ma përvetëso qesharakërisht

I thua kohës jetime

Që ty të lë në bisht…

Hesht për thashethemen e sëmurë

I thua pronarit mediokër

Fjala është fjalë ,në bëhet gur

S`e bluan dot asnjë mokër…

Kupto sekretin e dashurisë së madhe

I thua vajzës së pronarit

Ndershmëria është lule e livadhit

Ruhet ajo edhe në pikë të hallit…

Të ardhmen, vetëm ti e afron

Me lumin e djersës së madhe

Dje  një urë ,sot një stacion

Dhe nesër një bllok me pallate…

Të ardhmen veç ti e afron

Pa ty si mund të jetë pronari,

Por dreqi atë e ndihmon

Për të thatin i njomë digjet bari….

RRUGËT E JETËS

Takova një shok me të cilin dikur

Pata miqësi të ngushtë…

Ne rrinim bashkë si dy lule mbi mur

Që nuk i sheh kush…

Të dy  studionim në një bankë

Ai nga një fshat, unë nga një fshat

Më i zgjuar se unë qe  në çdo lëndë

Veç në dashuri nuk pati fat…

Atëherë shkruaja poezi

Ai poezinë e kishte inat

Ndoshta pse me një varg të ri

E hidhja grepin dhe më jepte fat…

Ikën vitet dhe më s`u pamë

Koha na vërtiti skaj  në terr

Po dikur, për të më thanë

Se  qe  ngjitur në karrierë…

Më erdh mirë natyrisht

Mbetur  në udhën time të jetës

Dhe dashurinë e përmenda sigurisht

Si pjesë    gënjeshtrës…

TREGTARË HERONJSH

Ata menduan,bustin e heroit

Mbi një kodër ta vinin, sipër shpatit

Këtu dëgjon ligjërimet e kroit

Sheh yjet këputur monopatit…

Dhe pyll është aty pranë

Lëndina me lule përmbi,

Dielli lind më mirë nga ajo anë

Hëna po ashtu lind andej…

Është e natyrshme ,tha drejtori

Busti të vihet këtu

Natyrë e bukur, kodra bleroshe

Turistë  gjithashtu…

E të tjera  fjalë u thanë

Jo ra për larvdinë e për këtë pyll

Jo t`i heqim kapën, se si flakë

E djeg atë një yll…

Askush nuk u kujtua për moshën

Për germat që shkroi me gjak,

Pa e ditur se për natyrën

Heroi nuk vritet aspak…

Ai vritet për lirinë

Për njeriun i lirë në të…

Më tepër se piedestali  që ngrenë

Jeta i duhet,të frymojë me zë…

Po ata nuk mendonin këtë

Nxituan dhe e shpërndanë një  link lirik,

Ish vendi më i përshtatshëm thanë

Edhe për atraksion turistik…

KUNDËR VETMISË

Jam i vetmuar e pres të më vijë dikush

Të paktën një zog i vogël

Askush s`vjen ,në muzg

Dielli rrëshqet pas malit si gogël…

Me duar në xhepa eci nëpër dhomë

Thërras në ndihmë dy -tri melodi,

Dritaren   hap për pak aromë

Shkopsitur për pak freski…

S`kuptoj shkak e pasojë

Nga vjen shurdhëri e tmerrshme

Dhe nata nuk kursen asnjë bojë

Mbi sqepë malesh në heshtje…

Befas një dritë ndizet në mal

Zë i një fëmije u ndie,

Diku thirri ngutshëm një vajzë

Dashuria zërin e saj bie…

Nga gjilpëra të padukshme hapësira

Shpohej  dhe rroben e vet shpaloste

Nga aroma zërash të lirë

Pa rend si drejt një sosje…

I isha lutur gjithë ditën fantazisë

Të gjente një shkas,të më lidhte me jetën

A thua kisha mbaruar prej mërzisë

Mjaftuan ato zëra që të ndiznin heshtjen…

LIBRAZHDI NATËN

Unë rri mbi një kodër,dhe Librazhdi mbi një govatë rri.

Lahet me Shkumbinin tij.

Lumë që e përvetësojnë disa rrethe

Vetëm kur kalon në Librazhd ndien më shumë ethe…

S`janë ethe sëmundjesh,por ethe malli

Pa të, do kisha mbaruar për së gjalli…

Dhe të jesh i marrosur kaq shumë për një lumë

Por,në kurriz të valës së tij, mendjen shëtita unë…

Me ledhatime, e herë me furi ma mori

Brodhi gjithandej  dhe veten e lodhi

Dhe erdh e u kthye po te  ky Shkumbin

Në govatë të tij, Librazhdi lahet e i pastër ndrin…

TI MË MËSOVE GJUHËN E ZOGJVE

Nuk e dija gjuhën e zogjve

Nuk e dija që hapi hidhet në tokë më shpejt,

Atëherë dhe tani nuk e mendoj që në mendje

Më strehohet ndonjë varg i ardhshëm.

Eca në rrugë dhe takova një ëndërr

Që priste të vishej me shpirtin tim

Mos më braktis, thoshte kodra në të majtë

S`të lejohet,thoshte pylli në fëshfërimë…

U nisa të përktheja erën në nota

Më shumë qiell në dëshirë,

S`ish faji jot që  nuk ishin aq të plota

Gjërat që nuk mbushen veç me natyrë…

Por, për të gjitha,në çdo gjë dhe për çdo gjë

Të falemnderit Kostenjë…

PËR TY QË SONTE NUK JE

Për ty që sonte nuk je

Pylli blerimin kthen në qumësht

Nata kërkon më shpejt  të ecë drejt ditës,

Dhe përroi aty  ka mbetur,nanuritës

Ku vjen ,çepkat  e ik zogu më zërin klithës;

Dhe ti ndihesh i gjithështrirë

Në kujtesën përvëluese të mallit,

Jeta që mbushet me dhimbje paprerë

Të afron më shumë te të gjallët…

Dhe mali thotë:S`kam qenë më i lartë se ti

Fusha,më e gjerë se ti, s`kam qenë,

Dhe gjelat që këndojnë pa gdhirë

Më herët se ti nuk janë çuar….

Po edhe vargjet e mia kaq shumë nuk janë barrëtuar

Kaq të dobët me qenë, si një  vishkull i hollë që trupin e drurit të prerë mba,

Baba…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora