E premte, 26.04.2024, 08:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Ndodhin në kohë pandemie

E marte, 11.08.2020, 06:51 PM


Ndodhin në kohë pandemie

Nga Shyqyri Fejzo

Për lexuesin e dashur po sjellim bisedën , pa krunde e hime, pa gjeth e dushk,  të dy grave të fshatit tim, ashtu si e bënë ato midis tyre në kohën kur hanko korona budit ngado per rreth.

Xhezmia atë ditë të nxehtë korriku ujitëte fasulet. Kur afroi ora që transmetohej telenovela turke në televizor, nuk po e mbante vendi. Hodhi shatën pranë një kumbulle dhe i thirri komshijes që punonte në arën pranë.

-Hajde, Sulltane. Lere tani të flamosurën se vajti ora e telenovelës-. Të dyja shplanë duar e këmbë  në një vijë uji dhe u nisën nga shtëpitë.

-Sot a e përmbyte arën si para një jave?-pyeti gruaja me emrin Sulltana.

-A,a,a! Sot nuk e mora telefonin me vete të angarisesha me të në ndonjë hije dhe ta lija ujin të ikte hergjele, si javën e parë që bëra namin. E lashë vërtet në palën e rrobave, po mendjen atje e kisha-ja ktheu Xhezmia.

-Unë ja kam lënë çupes dhe ja kam merakun mos katranos ndonjë gjë që të mbahet mend në fshat.-Pastaj  duke prekur kuptim plotë rrylin e shoqes vazhdoi.

-Moj korba, moj qyqja si më ndodhi mua dje. Mblodha bamje në kopshtin tim.I përgatita të bëj një turli të mirë, se kisha dhe mish viçi. E di ti, nga ai mishi atij viçit që theri Veseli se ishte fryrë e bërë kacek se kishte ngrënë shumë jonxhë të njomë. Telefonin nuk e hoqa nga dora, se po lexoja në fecbuk një mesazh interesant që më vinte mua. Lexo e kthe përgjigje,shokut të fecbukut. Po aty ndodhi ajo që nuk e prisja. I kisha shtirë tri herë kripë gjellës. Turlia  ishte bërë helm. I hodha disa herë ujë e ta zieja përsëri, po jo. Kripa po hyri nuk del më. Sherr me burrin, sherr dhe thumba nga vjehrra. Gjellën ja hodha këlyshit pasatj. Po edhe ai nuk e hëngri.

-E,e.e! Ti nuk e di ç’më ndodhi mua para tri ditësh. Burri dhe djali kërkuan të mbledh fasule të reja dhe të ziej për herë të parë nga ato të rejat sivjet. Shkova, i mblodha, mbusha mësallën. Erdha i shkoqa kokërr më kokërr. Puno dhe shiko fecbukun. I futa në tenxhere pasi i hodha ujin, vaj ulliri.

-Dhe ti i dënde dy tre herë në kripë si unë?

Jo, moj jo. Pastaj duhej qepa. E griva dhe atë, me sytë nga fecbuku. Më erdhi pak çudi se qepa nuk më dogji. E vura në tenxheren me presion. Burii, vjehrra dhe djali fërkonin duart kur po hapja tenxheren. Apo nuk do e shoqëronim me lakër të regjur! Kur hapa tenxheren, fasulet skuqnin si gjak e flamur. Çfarë të shikoje. Kisha grirë një kokërr panxhar të kuq në vend të qepës. Ec e dëgjo vjehrrën e burrin pastaj. Vetëm djali nuk bëri zë se kishte ulur kokën në fecbuk.

-Ti nuk e di çfarë i ndodhi Sadijes aty një ditzaj. Kishte frugulluar një goxha tenxhere me pilaf. Tenxherja ishte skuqur e bërë zjarr.Mirë që nuk mori zjarr guzhina. Ajo e la telefonin vetëm kur guzhina u mbush me tym. Orizi ishte nxirë e bërë qymyr. As pulat nuk ja hëngërn. Sadija ndiqte fecbukun e po jetonte me të. Pilafi u bë allasojçe atë ditë. Ajo ka dhe burrin sherret të madh. E fshehu telefonin në palën e jorganëve se ta kishte gjetur i shoqi, e sikterrisi në tenxheren e pilafit dhe telefonin.

-Po çupes Esmasë, komshijes time, e di si i ndodhi?-Tha Sulltana.

-Jo, nuk e di. Ma trego.

Veç lopës tç lidhur për brirësh me një litar të gjatë, që e kulloste në livadh, ajo kishte marrë dhe telefonin dhe ndiqte me shumë pasion nje telenovele turke. Kur hodhi syte pas ndonjë ore të shikonte çfarë bën lopa,  pa se kishte mbetur vetëm litari dhe huri ku ishte lidhur. Xegali, ky insekt i vogël dhe bezdisës, ishte bërë sevda  vendit poshtë bishtit të lopës, ku kishte ngulur thumbin e tij zeherr, dhe ajo ja kishte dhënë vrapit, me keq e më fort se ata demat në Spanjë që kishte parë në internet një ditë më parë. Duke kërkuar lopën vajza dëgjonte në apartin e saj të çmuar  refrenin e këngës “më dërgoj babaj me shqerra”...

-Kot nuk thonë: “Më mirë dy të shqitura këmbësh se një e shqitur e gjuhës”.Mirëpo pozicionet, që kur ka ardhur kjo pandemia, kanë ndryshuar. Edhe në qoftë se do vërtet të të shqasin këmbët, nuk e ke mundësinë. Se hanko korona po na bën burg pa vendim gjykate. Ksisoj nga këmbët po zihemi ulok, ama gjuha. Unë shpëtova dhe nga burri- ja pati Sulltana krenare e me supa të ngritura lart, e syrin e djathtë mbyllur paq.

-Po si ja bëre moj ditë zezë?-pyet Xhezmija tërë sy e veshë.

-E shtiva dhe atë në brazdë. Një ditë, si me lezet, kur i kishin hipur keq kacabunjtë se unë nuk shkëputesha nga telenovela “Lotë në detin e Zi”, ju luta që pas një ore të shikojë një seri interesante të filmit “Lugina e Ujqërve”.Nga që është dhe gjahtar, i pëlqeu titulli. Prit e prit të dilte ndonjë ujk, derr apo ari dhe personazhi të qëllonte, por nuk lëvizte gjë. Kur e pa gjer në fund serinë, i pëlqeu ai Polat Almendari. Natën e dytë drejt e tek seria tjetër. Shikonte a nuk shikonte Polatin. Unë nuk bëja zë. Vetëm shikoja serinë e filmit “Lot në detin e Zi”. Kështu tani ai nuk ndahet nga telenovela, nga Polati. I poqi ylli me të. Dhe ti moj motër, kështu gjeja anën. Po u futën në ato filma ata nuk shkëputen më. Bëhen më keq se ne gratë.-

-E,e,e! Me fecbukun në fillim unë desh e bera hatanë. Mu qep një djalë i ri dhe dergonte ne mesenxher gjithnjë fjalë të ëmbla. Mirpo nga fjalët e ëmbla dalkan dhe punë të tharta. Burri ishte emigrant në Greqi. Ai ma pati sjellë telefonin, kur erdhi ne vjeshtë. Unë vazhdoja të merrja mesazhe të ëmbla nga ai i panjohuri. Më në fund për “gallatë” i ktheva një përgjigjë të butë si kadife dhe shpresëdhënse për të. Por mesazhin gabimisht ja kisha çuar tim shoqi.Hajde moj e keqe, hajde! Çfarë nuk sajova për atë “trimin” që më gostitëte me mesazhe, të cilat mua mi donte buza. Më në fund, burri besoi se ai është djali i një halloje që ka ikur në Stamboll. I premtova se do e njoh me të. Aty burrit i ra vala e xhelozisë. Bën, ç’bën dhe pyet për atë “djalin e hallos” që banon në Stamboll.

-Eh! Moj motër çfarë kohe ka ardhur! Më duket se po ja marrim bulmetin, po është bylmet hudhrash ama- ja kthen shoqja, kur kishin arritur afër avllive të shtëpive. Dëgjohet një zë.Ishte vajza e Sulltanës që hap kanatat e portës dhe bërtet e tmerruar.

-“Shpejt mama.Të gjejmë ca batanije e përkovaçë se në ashef ra zjarri.” Sulltana hapi sytë si të kaut.

-Çfarë zjarri moj tu mbulltë me ferra.?”

-Ah! Mama po skuqja speca po në vend të vajit përdora shishen me raki që babai kishte lënë aty afër.

- Të ngrëntë mortja. Ai nuk kishte vend tjetër po e la shishen e rakisë afër petrogazit!  E shplaftë mortja. Po sytë moj ku i kishe? Apo në telefon? –i hakërrohet e ëma.

-Në dorë e kisha mama. Mos u bëj merak për të se nuk e lëshoj unë.- përgjigjet e bija.

-E di, të ka mami xhan, e di. Në këtë shtëpi nuk është një, epo nuk ka gjë se një është. Këtu u bënë të tërë...tu këllasësh flamën...-

Hamburg, Korrik 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora