E premte, 19.04.2024, 10:11 PM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Predikuesit ideologjikë dhe pushteti që duan ata

E merkure, 13.05.2020, 02:43 PM


Predikuesit ideologjikë dhe pushteti që duan ata

Nga Ndue Ukaj

Politika si aktivitet i vjetër në shërbim të Res Publica-s dhe politika si manifestim i shtytjeve dhe interesave të pastra ideologjike nuk janë e njëjta gjë, siç nuk janë e njëjta gjë liria politike dhe liria ideologjike.

Dallimet mes pushteteve ideologjike dhe atyre të lira, që bazohen te dashuria për lirinë, janë preokupim i shumë dijeve humane dhe me këto tema janë marrë autorë të shumtë. Në këtë drejtim, studiuesi dhe autori i mirënjohur Kenneth Minogue, te libri monumental “Pushtet e huaja - Teori e pastër ideologjike”, dallimin mes këtyre dy formave të pushteteve e përkufizon kështu: "përderisa doktrina e ideologjisë pretendon se qenia njerëzore është e skllavëruar, politika është një aktivitet i të lirëve".

Duke u nisur nga kjo premisë, studiues i sipërpërmendur thotë se predikuesit ideologjikë dhe ithtarët e këtyre soj pushteteve, të vërtetat e tyre i prezantojnë si shkencë, ngaqë: “ideologët e këtyre pushteteve i shohin të gjitha idetë (përveç idetë e tyre) si instrumente të mendimit të huaj. Nuk mund të mendojmë se jemi të lirë, por jetët tona orkestrohen nga një sistem i fshehur. Zbulues i kësaj teori është Karl Marx-i.”

Dihet mirëfilli tashmë se teoritë ideologjike radikale, shekullin e fundit kanë gjetur mjaft besimtarë, të gatshëm me shpata e shkopinj të kryqëzojnë të tjerët, dhe pasojat nga sundimet e tilla në kurrizin e shoqërisë njerëzore janë të mëdha: miliona viktima, diferencime shoqërore, prapambeturi, luftë klasash. Kurse te ne shqiptarët, pushtetet ideologjike kanë lënë pasoja të tmerrshme dhe gjurmë të këqija: diferencime, vrasje, burgosje, shfarosje dhe shkatërrim të elitës së shëndoshë e autoktone dhe zëvendësim të saj me një të stisur nëpër oborret e partisë - pushtet.

Pushtetet politike që janë pjella ideologjike duan që të vërtetat e tyre të jenë aksiomatike dhe mundësisht të mos diskutohen shumë, por ta pranohen, siç pranohen dogmat religjioze. Dhe siç tregon historia politike, trualli ku ngjizen këso soj pushtetesh është përplot drama shoqërore, varfëri, kriza identitare dhe sociale.

E zakonisht këtyre pushteteve u paraprijnë lëvizje radikale të propagandës.

Veprimet politike të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të ithtarëve të tij janë krejtësisht ideologjike dhe pushteti që ai predikon dhe kërkon është pushtet i mbështjellë me petk ideologjik, ndaj flet shumë për pastërti, për diferencime “ne” dhe “ata”, për qenie të robëruara dhe të lira, duke shenjuar dhe shenjëzuar kështu aspiratën politike drejt betejës për të “pastruar” shoqërinë e zhytur në mëkate, drejt një shoqëri të dëgjueshëm e ku të gjithë ecin në një drejtim.

Vërtet, Kurti nuk ka pasur pushtet të gjatë në Kosovë, por tash e dy dekada, ai ka zhvilluar një veprimtari politike radikale, duke e mbarsur ideologjinë e tij në shumë pore të jetës dhe duke i manifestuar idetë e tij me veprime radikale politike. Për të përfituar vëmendje dhe interes publik, ai është endur në një terren të madh, prej nacionalistet të tërbuar deri universalisti liberal, nga ku ka përthithë gjithçka për të ardhur deri në pushtet.

Ndërkaq, prej se ka ardhur në pushtet, ajo çfarë kemi parë dhe kemi dëgjuar prej tij është një qeverisje me koncepte dhe ide të pastra ideologjike, duke e projektuar vetveten si profet - i thirrur për t’i drejtuar të gjitha prapështitë e botës shqiptare dhe me ambicie për të dhënë kontribut edhe në rrjedhat globale.

Ai - si të gjithë ideologët - gjatë gjithë kësaj kohe shtirej sikur i dinte të gjitha, duke vepruar si ideolog dhe besimtar i ideologjisë, me pretendimin se ideologjia është barasvlershme me shkencën. Ndaj, në fjalimet dhe frazat e tij, mund të dëgjosh gjithfarë anomalish ligjërimore, por të cilat ithtarët e tij i gëlltitin si manifestime të forta intelektuale.

Në këtë drejtim, ligjërimi i tij moralizues shkon deri në atë shkallë sa ai flet për Kosovën në baltë, të cilën, për ta nxjerrë nga aty, atij i duhet t'i fut duart, por jo shpirtin dhe mendjen.

Duke u nisur nga kjo, prapë na shërben Minogue, i cili, kur e portretizon ideologun thotë se “ideologu e dallon veten nga qeniet njerëzore me rolin e tij si kritik i shoqërisë, si kritik ndaj rregullave dhe konventave”.

A s’e ka bërë një gjë të tillë Kurti gjatë gjithë rrugëtimit të tij politik dhe gjatë këtyre ditëve të qeverisjes?

Po, ai e ka ndjekur në përpikëri këtë shkollë.

Ka kritikuar shoqërinë, madje edhe rregullat ndërkombëtare, vazhdon të kritikojë Amerikën dhe mendon se është i thirrur për t’i zgjedhur problemet gjeostrategjike të botës, ndërkohë që ne, për shkak edhe të trashëgimisë së keqe shekullore, nuk jemi të zotët që asnjë problem ta zgjedhim pa përkrahje amerikano-europiane. Dhe këtë gjë e di gjithsecili që është në politikë dhe besoj se e di edhe vetë Kurti.

Kurti duke shfrytëzuar zjarrin e ndezur të euforisë për ndryshime, fitoi zgjedhjet dhe kjo fitore i dha mundësi të qeverisë me vendin për të cilin ka folur shumë, të cilit i është blatuar shumë, duke qenë një opozitar radikal e nacionalist i rreptë, madje edhe në momente të vështira, kur më së paku i duhej Kosovës një opozitarizëm i tillë, siç ishte koha e intervenimit të NATO-s dhe e Pavarësisë së Kosovës, në dy çështje madhore, në të cilat ia ka huqë. Mirëpo, gjatë këtyre ditëve të qeverisjes, përkundër pritjeve të mëdha që mund të kenë pasur besimtarët dhe opinioni në përgjithësi, ai u tregua i pazoti që të krijojë bashkëpunëtorë të brendshëm dhe të jashtëm. U tregua i pazoti që të qeverisë but. Ai shfaqi tendenca të hapura për të krijuar një partner qeverisës sipas ambicieve personale, të nënshtruar dhe të kontrolluar.

...

Shoqëria njerëzore - dhe kjo e jona - kanë nevojë për ndjenja solidare, për udhëheqës që tregohen të matur, bashkëpunues, të urtë e të përkorë, që dinë të ndërtojnë ura, që peshojnë veprimet dhe fjalët dhe që nuk kanë ambicie hakmarrëse. Sepse, fundja, askush nuk përfiton nga mendësia hakmarrëse dhe nga kapacitet që dikush mund të tregojë duke iu hakmarrë dikujt. Shoqëria njerëzore, përfiton vetëm nga ata që dinë të duan, që kanë aftësi politike kreative dhe solidare.

Qytetarët e Kosovës, kanë nevojë për një qeverisje të butë, për trajtim të dinjitetshem dhe të përkorë dhe jo për udhëheqës megalomanë e ideologë, që mendojnë se mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e botës, por që nuk janë të zotët të gjejnë një partner të brendshëm.

Fundja, të gjitha partitë politike, janë përfaqësim dhe pjellë e popullit të Kosovës dhe t’i përbuzësh dhe t’i anatemosh të gjitha, është njësoj si të përbuzësh gjithë popullin që i ka votuar ato.

Ndaj, nuk duhet të gëlltit ky ligjërimin e stërkequr, sikur paskemi dy kategori njerëzish në Kosovë, të mirët që e duan VV-në dhe të këqijtë që s’e duan atë. Ky ligjërim qartësisht i ngjan luftës së klasave, mbi bazë të cilës komunizmi shkaktoi tmerre të pafund botërore.

Në këto kohë furtunash globale, shqiptarët duhet të jenë syçelë, të tregohen të mençur dhe të kuptojnë se nuk është koha që të presin Mesian që t’i shpëtojë. Fundja, ne nuk kemi nevojë të shpëtojmë, sepse njëherë kemi shpëtuar prej Serbisë dhe atë në saje të mençurisë së Ibrahim Rugovës, dashurisë së madhe për liri të popullit të Kosovës, luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes ushtarake e diplomatike perëndimore.

Populli i Kosovës përpara vetes ka sfida të shumta, por ai duhet të jetë syçelë përballë rrezikut nga kthetrat ideologjike, sepse kur të mbërthejnë ato, pasojat mund të jenë të tmerrshme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora