| E merkure, 13.05.2020, 01:43 PM |
Predikuesit ideologjikë dhe pushteti që duan ata
Nga
Ndue Ukaj
Politika
si aktivitet i vjetër në shërbim të Res Publica-s dhe politika si manifestim i
shtytjeve dhe interesave të pastra ideologjike nuk janë e njëjta gjë, siç nuk
janë e njëjta gjë liria politike dhe liria ideologjike.
Dallimet
mes pushteteve ideologjike dhe atyre të lira, që bazohen te dashuria për
lirinë, janë preokupim i shumë dijeve humane dhe me këto tema janë marrë autorë
të shumtë. Në këtë drejtim, studiuesi dhe autori i mirënjohur Kenneth Minogue,
te libri monumental “Pushtet e huaja - Teori e pastër ideologjike”, dallimin
mes këtyre dy formave të pushteteve e përkufizon kështu: "përderisa
doktrina e ideologjisë pretendon se qenia njerëzore është e skllavëruar,
politika është një aktivitet i të lirëve".
Duke
u nisur nga kjo premisë, studiues i sipërpërmendur thotë se predikuesit
ideologjikë dhe ithtarët e këtyre soj pushteteve, të vërtetat e tyre i
prezantojnë si shkencë, ngaqë: “ideologët e këtyre pushteteve i shohin të
gjitha idetë (përveç idetë e tyre) si instrumente të mendimit të huaj. Nuk mund
të mendojmë se jemi të lirë, por jetët tona orkestrohen nga një sistem i
fshehur. Zbulues i kësaj teori është Karl Marx-i.”
Dihet
mirëfilli tashmë se teoritë ideologjike radikale, shekullin e fundit kanë
gjetur mjaft besimtarë, të gatshëm me shpata e shkopinj të kryqëzojnë të
tjerët, dhe pasojat nga sundimet e tilla në kurrizin e shoqërisë njerëzore janë
të mëdha: miliona viktima, diferencime shoqërore, prapambeturi, luftë klasash.
Kurse te ne shqiptarët, pushtetet ideologjike kanë lënë pasoja të tmerrshme dhe
gjurmë të këqija: diferencime, vrasje, burgosje, shfarosje dhe shkatërrim të
elitës së shëndoshë e autoktone dhe zëvendësim të saj me një të stisur nëpër
oborret e partisë - pushtet.
Pushtetet
politike që janë pjella ideologjike duan që të vërtetat e tyre të jenë
aksiomatike dhe mundësisht të mos diskutohen shumë, por ta pranohen, siç
pranohen dogmat religjioze. Dhe siç tregon historia politike, trualli ku
ngjizen këso soj pushtetesh është përplot drama shoqërore, varfëri, kriza
identitare dhe sociale.
E
zakonisht këtyre pushteteve u paraprijnë lëvizje radikale të propagandës.
Veprimet
politike të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të ithtarëve të tij janë
krejtësisht ideologjike dhe pushteti që ai predikon dhe kërkon është pushtet i
mbështjellë me petk ideologjik, ndaj flet shumë për pastërti, për diferencime
“ne” dhe “ata”, për qenie të robëruara dhe të lira, duke shenjuar dhe
shenjëzuar kështu aspiratën politike drejt betejës për të “pastruar” shoqërinë
e zhytur në mëkate, drejt një shoqëri të dëgjueshëm e ku të gjithë ecin në një
drejtim.
Vërtet,
Kurti nuk ka pasur pushtet të gjatë në Kosovë, por tash e dy dekada, ai ka
zhvilluar një veprimtari politike radikale, duke e mbarsur ideologjinë e tij në
shumë pore të jetës dhe duke i manifestuar idetë e tij me veprime radikale
politike. Për të përfituar vëmendje dhe interes publik, ai është endur në një
terren të madh, prej nacionalistet të tërbuar deri universalisti liberal, nga
ku ka përthithë gjithçka për të ardhur deri në pushtet.
Ndërkaq,
prej se ka ardhur në pushtet, ajo çfarë kemi parë dhe kemi dëgjuar prej tij
është një qeverisje me koncepte dhe ide të pastra ideologjike, duke e
projektuar vetveten si profet - i thirrur për t’i drejtuar të gjitha
prapështitë e botës shqiptare dhe me ambicie për të dhënë kontribut edhe në
rrjedhat globale.
Ai
- si të gjithë ideologët - gjatë gjithë kësaj kohe shtirej sikur i dinte të
gjitha, duke vepruar si ideolog dhe besimtar i ideologjisë, me pretendimin se
ideologjia është barasvlershme me shkencën. Ndaj, në fjalimet dhe frazat e tij,
mund të dëgjosh gjithfarë anomalish ligjërimore, por të cilat ithtarët e tij i
gëlltitin si manifestime të forta intelektuale.
Në
këtë drejtim, ligjërimi i tij moralizues shkon deri në atë shkallë sa ai flet
për Kosovën në baltë, të cilën, për ta nxjerrë nga aty, atij i duhet t'i fut
duart, por jo shpirtin dhe mendjen.
Duke
u nisur nga kjo, prapë na shërben Minogue, i cili, kur e portretizon ideologun
thotë se “ideologu e dallon veten nga qeniet njerëzore me rolin e tij si kritik
i shoqërisë, si kritik ndaj rregullave dhe konventave”.
A
s’e ka bërë një gjë të tillë Kurti gjatë gjithë rrugëtimit të tij politik dhe
gjatë këtyre ditëve të qeverisjes?
Po,
ai e ka ndjekur në përpikëri këtë shkollë.
Ka
kritikuar shoqërinë, madje edhe rregullat ndërkombëtare, vazhdon të kritikojë
Amerikën dhe mendon se është i thirrur për t’i zgjedhur problemet
gjeostrategjike të botës, ndërkohë që ne, për shkak edhe të trashëgimisë së
keqe shekullore, nuk jemi të zotët që asnjë problem ta zgjedhim pa përkrahje
amerikano-europiane. Dhe këtë gjë e di gjithsecili që është në politikë dhe
besoj se e di edhe vetë Kurti.
Kurti
duke shfrytëzuar zjarrin e ndezur të euforisë për ndryshime, fitoi zgjedhjet
dhe kjo fitore i dha mundësi të qeverisë me vendin për të cilin ka folur shumë,
të cilit i është blatuar shumë, duke qenë një opozitar radikal e nacionalist i
rreptë, madje edhe në momente të vështira, kur më së paku i duhej Kosovës një
opozitarizëm i tillë, siç ishte koha e intervenimit të NATO-s dhe e Pavarësisë
së Kosovës, në dy çështje madhore, në të cilat ia ka huqë. Mirëpo, gjatë këtyre
ditëve të qeverisjes, përkundër pritjeve të mëdha që mund të kenë pasur
besimtarët dhe opinioni në përgjithësi, ai u tregua i pazoti që të krijojë
bashkëpunëtorë të brendshëm dhe të jashtëm. U tregua i pazoti që të qeverisë
but. Ai shfaqi tendenca të hapura për të krijuar një partner qeverisës sipas
ambicieve personale, të nënshtruar dhe të kontrolluar.
...
Shoqëria
njerëzore - dhe kjo e jona - kanë nevojë për ndjenja solidare, për udhëheqës që
tregohen të matur, bashkëpunues, të urtë e të përkorë, që dinë të ndërtojnë
ura, që peshojnë veprimet dhe fjalët dhe që nuk kanë ambicie hakmarrëse. Sepse,
fundja, askush nuk përfiton nga mendësia hakmarrëse dhe nga kapacitet që dikush
mund të tregojë duke iu hakmarrë dikujt. Shoqëria njerëzore, përfiton vetëm nga
ata që dinë të duan, që kanë aftësi politike kreative dhe solidare.
Qytetarët
e Kosovës, kanë nevojë për një qeverisje të butë, për trajtim të dinjitetshem
dhe të përkorë dhe jo për udhëheqës megalomanë e ideologë, që mendojnë se mund
t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e botës, por që nuk janë të zotët të gjejnë një
partner të brendshëm.
Fundja,
të gjitha partitë politike, janë përfaqësim dhe pjellë e popullit të Kosovës
dhe t’i përbuzësh dhe t’i anatemosh të gjitha, është njësoj si të përbuzësh
gjithë popullin që i ka votuar ato.
Ndaj,
nuk duhet të gëlltit ky ligjërimin e stërkequr, sikur paskemi dy kategori
njerëzish në Kosovë, të mirët që e duan VV-në dhe të këqijtë që s’e duan atë.
Ky ligjërim qartësisht i ngjan luftës së klasave, mbi bazë të cilës komunizmi
shkaktoi tmerre të pafund botërore.
Në
këto kohë furtunash globale, shqiptarët duhet të jenë syçelë, të tregohen të
mençur dhe të kuptojnë se nuk është koha që të presin Mesian që t’i shpëtojë.
Fundja, ne nuk kemi nevojë të shpëtojmë, sepse njëherë kemi shpëtuar prej
Serbisë dhe atë në saje të mençurisë së Ibrahim Rugovës, dashurisë së madhe për
liri të popullit të Kosovës, luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes ushtarake e
diplomatike perëndimore.
Populli
i Kosovës përpara vetes ka sfida të shumta, por ai duhet të jetë syçelë
përballë rrezikut nga kthetrat ideologjike, sepse kur të mbërthejnë ato,
pasojat mund të jenë të tmerrshme.