E hene, 09.12.2019, 01:54 AM (GMT)

Reportazh

Idriz Zeqiraj: Nëndega e LDK-së në NRW organizon "Darkën e Lamës"

E hene, 25.11.2019, 07:13 PM


NËNDEGA E LDK-SË NË NRW ORGANIZON "DARKËN E LAMËS"

Nga e djathta: Asllan Asllanaj, Sebastian Nuiçi, Anton Kolaj, Jakup Gërguri,

Haki Rugova, Binak Gashi, Arban Abrashi, Abaz Imeri, Ilir Makolli me lahutë

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

"Darka e Lamës", viteve të fundit , po organizohet në shumë mjedise të Mërgatës. Pjesëmarrja është familjare. Salla festive është një Kosovë në miniaturë. Organizatori bënë historikun e shkurtër të "Darkës së Lamës", që zë fill qysh në lashtësi. Shtrohet Darka ceremoniale, ku mbizotërojnë gatimet klasike të traditës, të përgaditura nga nuset e vyeshme. Gjithësesi, muzika, kënga, vallëzimi është masiv.

Në organizimin e "Darkës së Lamës", Kryesia e Degës së LDK-së në Gjerman, me kryetar Osman Ferizin, këtë vit, vuri një rregullë të ri, duke planifikuar, paraprakisht, Nëndegën organizuese, natyrisht, nën patronazhin e Degës. Dhe, ishte Kryesia e Nëndegës të LDK-së, në Nordheim Westfallen (NRW), në pajtim me komunitetin vendor shqiptar, që mori përsipër organizimin.

Intonimi i Hymnit Dardan, ngriti në këmbë të pranishmit, në sallën e Retorantit të Binak Gashit, anëtar i Kryesisë të Nëndegës, në Titz të Vestfalisë Veriore. Jehu i këngës arbëreshe "O e bukura More", ngjalli emocione malli e dhimbjeje, njëherësh, sepse të pranishmit, aty e gjejnë vetën, me fatin  e tyre kurbetçarë.

Nënkryetari i Nëndegës nikoqire, Enver Musa, njëherësh edhe nënkryetar i Degës, bëri hapjen, duke përshëndetur mysafirët e ardhur nga Kosova, nënkryetarin e LDK-së, Haki Rugova, njëherit, kryetar i komunës të Istogut; sekretarin organizativ të LDK-së, Arban Abrashin; kryetarin e LDK-së në Gjermani, Osman Ferizin; kryetarin e Nëndegës të NRW, Jakup Gërgurin; Kryesinë e Degës të LDK-së; Shoqatat dhe Organizatat e ndryshme, që veprojnë në Gjermani, si dhe të gjithë të pranishmit në këtë mbremje festive të traditës.

Nënkryetari Musa tha se "Darka e Lamës" na vjen si trashëgimi e lashtësisë ilire, të cilën e kishte shumë për zemër edhe Presidenti Rugova. Dhe, sa herë shënojmë këtë festë, në mendje na vie , shprehja, tashmë, proverbiale: "Rugova na mungon".

Pamje nga salla e "Darkës së Lamës"

Në mes duartrokitjesh, në skenë ngjitet nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, i cili i përshëndeti organizatorët dhe të pranishmit. "Kemi ardhur së bashku me sekretarin e LDK-së, Arban Abrashin, me ftesën e kryetarit të Degës Osman Ferizi. Sot kishim një takim pune të suksesshme, me Kryesinë e Degës të LDK-së. Ju falemnderit për ftesën Tuaj në "Darkën e Lamës" dhe pritjen kaq të ngrohtë dhe thellësisht vëllazërore. Ndjehemi të nderuar dhe fort të emocionuar, që kësaj mbremje festojmë së bashku me mërgimtarët tanë. Ju keni qenë dhe mbeteni të vlerësuar maksimalisht, për kontributin e dhënë dhe që vazhdoni ta jipni për Atdheun, në vite e dekada.

"Darka e Lamës", si trashëgimi e hershme, dikur ka qenë shumë masive në familjet shqiptare, në veçanti në Kosovë. "Darka e Lamës", ka përmbyllur një vit pune, duke siguruar ushqimin familjar. Por, për disa dekada, ky rit domëthënës, u zvetnua, deri në harresë. Ishte Presidenti Rugova, shumë i përkushtuar për ruajtjen e traditave shqiptare, Ai që e ringjalli "Darkën Lamës", duke i dhënë rëndësinë që i takon. Dhe, si një porosi-amanet e Dr. Rugovës, ky rit i lashtësisë ilire, po praktikohet gjithnjë e më shumë.

Po shoh këtu kuadro themelues të LDK-së si Anton Kolaj, Idriz Zeqiraj dhe anëtarë tjerë themelues të LDK-ë në Mërgatë. Edhe një herë ju përshëndes përzemërsisht dhe uroj shëndet e mbarësi në familjet e juaja. Vazhdoni të punoni dhe të ruani traditat shqiptare, duke i përçuar edhe tek fëmijtë tuaj, të lindur, të rritur dhe të shkolluar në mërgim. Ju lumtë, për organizimin kaq të bukur, që keni bërë për "Darkën e Lamës" - tha, në mes tjerash, zotëri Haki Rugova".

Kuadrot Haki Rugova e Arban Abrashi me Sofije Dumnicën dhe

Alush Bytyçin (i dyti nga e djathta)

Kryetari i Nëndegës të LDK-së në Nordheim Westfallen, Jakup Gërguri, u dëshiroi mirëseardhje "zyrtarëve të lartë nga Kosova, Haki Rugovës, nënkryetar i LDK-së dhe Arban Abrashit, sekretar Organizativ i LDK-së dhe deputet i Kosovës; Kryesisë së Degës për Gjermani, me kryetar Osman Ferizin; Qazim Bajgoraliut, ish-kryetarit të Degës të LDK-së në Gjermani; Anton Kolajt, ish-nënkryetar i LDK-së; Sebastian Nuiçit, kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë, dega në Gjermani; Shoqatës "Familja Shqiptare" nga Koblenz-i, me kryetar Halil Çitakun dhe të gjithë të pranishmëve tjerë.

E hapëm këtë mbremje festive me këngën "O E BUKURA MORE", si emblemë e muzikës shqiptare për mërgimtarë. Është hera e tretë me radhë, që kjo këngë arbreshe, e cila i ka mbijetuar shekujt, prej 600 vjetësh, që hapë programin e "Darkës së Lamës". Riaktualizimin e "Darkës së Lamës" e bëri Presidenti Rugova më 2002, për ta vazhduar edhe presidentët Fatmir Sejdiu e dhe Atifete Jahjaga, si një traditë e bartur nga koha e paraardhësve tanë, Dardanëve të Ilirisë, që daton nga shekulli i V-të para Kishtit.

"Darka e Lamës", zakonisht është mbajtur në fund të tetorit, kur janë vjelë të mirat e punës verore. Quhet e "Lamës", sepse Lama  ka qenë vendi i rrafshët, ku është "fshirë", shtypur kallinjtë e grurit, thekrës, elbit, për të vjelur kokrrat. Kashta e mbetur, është përdorur për bagëti. Lama po ashtu ka qenë vend gravitues i solidaritetit dhe reciprocitetit, në mes fshatarëve shqiptarë, duke ndihmuar njëri- tjetrin me fuqi punëtore. Duke qenë se te shqiptarët sfera bukësore, ka qenë pjesë e rëndësishme e jeteses, “dhënia e bukës” ka qenë aspekt esencial i marrëdhënieve sociale tradicionale. Ne, si Nëndegë, vazhdojmë ta festojmë "Darkën e Lamës" që shtatë vjetë radhazi",- tha kryetari Jakup Gërguri, në referimin e tij.

Kryetar Gërguri ftoi në skenë Veprimtarën e Nëndegës, Sofije Dumnica, veterane e arsimit dhe, së bashku, lexuan lutjen për "Darken e Lames", të njëjtin tekst- lutje, që e bënte vet President Rugova në Kosovë. Teksti në fjalë është gjithnjë aktual, përmbajtësor dhe shumë domëthënës.

Mysafirët Rugova e Abrashi nuk u lënë të qetë në pozicionin ulur. Herëpashere mërgimtarët kërkonin të pozonin me mysafirët e nderuar. Mësuesja Sofije Dumnica, veterane e arsimit dhe veprimtare e shquar e LDK-së; Anton Kolaj, bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Rugova; veprimtari i hershëm i LDK-së, i Fondit të 3%-it, kryesues i Shoqatës "Nëna Tereze", bashkëpunëtor i Vëllezërve Kuzhnini, Sebastian Nuiçi, pronari i Restorantit, ku mbahej "Darka e Lamës", Binak Gashi dhe veprimtarë të tjerë, nga Republikat gjermane, u fotografuan me kuadrot e LDK-së, Haki Rugova dhe Arban Abrashi.

R e t r o s p e k t i v ë

Pinjollët e Familjes Institucion Rugova, nuk harrojnë donatorët fisnikë, të cilët e mbështetën materialisht Presidentin Rugova, në kohë zezone. Vitet `90-a. Dr. Rugova në nismë të konsolidimit të Lëvizjes kombëtare masive LDK-e. Xhepat bosh. Familja në skamje. Ishte Inxhinieri Smajl Hajdaraj, tani Hero i Kombit, që ndante bukën me Familjen Rugova. Një porosi për Smajl Hajdaraj, për të vëllanë Fazliun, në Gjermani: "Jeta e Presidentit në rrezik. Nevojitet një veturë e blinduar". Kaq mjaftoi dhe Fazliu me shokë realizuan porosinë. Kjo ishte arsye shtesë, që përshpejtoi ekzekutimin e Heroit Smajl Hajdaraj, nga "komandantët" vrastarë. " (Kësaj mbremje festive nikoqirët i kishin rezervuar vend Fazliut, pranë mysafirëve nga Kosova).

Rrëfen kuadri i hershëm i LDK-së, në Kosovë dhe Mërgatë, Qazim Bajgoraliu: "Ishte viti 1999, kur Familja Rugova, pas pengut të Kryefamiljarit, nga krimineli Millosheviç, u bashkua në Evropë. I them Alush Bytyçit, një bisnismen fillestar, në Gjermani: Presidenti ka nevojë të ngutshme për mbështetje financiare. Alushi u gjegj pa hamendje: "Po, 10.000 marka i kam të gatshme". (Zotëri Rugova me Abrashin me ngrohtësi e mirënjohje, u përshëndetën me Alushin, duke bërë edhe fotografi, përgjatë "Darkës së Lamës").

Kësaj mbremjeje, për arsye shëndetësore, i mungonte poeti dhe piktori i talentuar, Dan Gashi, një donator fisnik i LDK-së dhe Presidentit Rugova. Mungonte edhe kryetari i parë i Degës të LDK-së në Gjermani, Hafiz Gagica, që bëri shumë për sigurimin e mjeteve, për akomodimin, sistemimin e Presidentit Rugova, me familjen e gjerë, përgjatë qendrimit në Evropë.

Nëndega e LDK-së në Nordheim Westfallen, ka një mobilizim të shtuar, sidomos, pas Kuvendit Zgjedhor. Kryesia e vyeshme, e përgjegjshme dhe mjaft e përkushtuar, në përbërje: Jakup Gërguri-kryetar, Enver Musa-nënkryetar, Arben Gashi-sekretar, Ilir Makolli-arkatar, Enver Shala, Qazim Bajgoraliu, Asllan Asllanaj, Muharrem Xhafolli, Binak Gashi, Behxhet Krasniqi, Qazim Thaçi, Alush Bytyçi, Afrim Salihu - anëtarë, vepron në harmoni dhe respektim të hierarkisë drejtuese. Përgaditja e "Darkës së Lamës", ishte dëshmi e një fryme pozitive. Organizatorët, që nga kryetari Jakup Gërguri, nënkryetari Enver Musa, sekretari Arben Gashi, arkatari Ilir Makolli, pronari i lokalit, Binak Gashi, me shokë, ishin në nivelin e duhur, në menaxhimin e mbremjes festive të "Darkës së Lamës". Pa xhelozi, malësori i Marevcit, Ilir Makolli, shkëlqeu në pritje-përcjelljet e mysafirëve të shumtë.

Ndonëse në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së, në Gjermani, kësaj Kryesie simpatike i sugjëroj hapjen e Nëndegëve të reja të LDK-së, në qytetet e shumëta që ka Republika e Nordheim Westfallen, madje, me bollshmëri të mërgimtarëve tanë.

Në mbremjen festive të" Darkës së Lamës", të pranishmit i argëtuan, me muzikë të përzgjedhur, dueti Fatime e Adnan Ruhani.

U larguam nga kjo festë e ëmbël e traditës shqiptare, me plot mbresa, nga takimi përmallës e çmallës, njëherësh, me miq e shokë bashkëpunëtorë, prej tri dekadash radhazi, për ta rrugëtuar kthimin në Mynih, prej 700 km, duke arritur ditën e nesërme.

Qofshi faqebardhë, motra dhe vëllezër, për pritjen admiruese dhe sofrën e begatë të traditës!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT