Kulturë
Blerim Rrecaj: Erërat zëvendësojnë puhitë
E hene, 04.11.2019, 09:53 PM
Erërat zëvendësojnë puhitë
Nga
Blerim Rrecaj
E
kaltërta dhe e hirta e qiellit po shtyhen brrylazi, paqësisht, siç po duket.
Një librashitës rruge heq librat nga vetura dhe i vë mbi barkun, kokë-çatinë e
shpinën e saj, dhe të nesërmen nuk e di se ku do të jetë. Erërat zëvendësuan
puhitë si lojtaret në arenat sportive. Për t'u hedhur në sulm rrufeshëm. Në një
dru të zveshur kanë mbetur sall tri gjethe të zverdhura pranë e varg
njëra-tjetrës në degën e poshtme të shtrirë vertikalisht që duken si rroba të
vëna në tel për t'u terur. I lëmë duke u përkundur, tundur e shkundur. Më diku
një gjethe është shndrruar në flutur dhe në lartësinë e dy-tri kateve të
ndërtesave vazhdon fluturimin horizontal njëzet a tridhjetë metra nëpër këtë
vijë ajrore, zbret në përrockën me dhe, e që ndajnë shiritët rrugorë, shtrihet
duke vënë duart nën kokën flokëbakërt, ngritet pip në këmbë si balerinë, por e
lëmë duke u hamendur se çfarë do të bëj, të shtrihet, të ecë në këmbë, a do u
jap flatrave për të bërë dhe ndonjë shëtitje tjetër fluturimi duke bërë lëvizje
të larmishme akrobatike. E si melodi hapësire vazhdojnë cërrcërritjet e
shtyllave të metalta, me 'vuu-vutë' e flamujve të ndryshëm, të ndonjë
kombëtari, të ndonjë shtetërori, s'mungon as okb-tari, eu-ropiani, shba-iani, e
as këta të firmave të ndryshme biznesore, që duket se e shohin vëngër, me drojë
e zili shoqi-shojin. Dy fëmijëve që kanë dalur nga dera e dajëve, ku kanë
ardhur për fundjavë, e po luajnë me top, u bashkohet dhe një bashkëmoshatar në
rrethhapësirën e betontë që për të zbritur a dalur prej saj nga rruga
automobilistike duhet të kalohen tri-katër-pesë shkallë. Ndërkohë vjeshta si
drejtoreshë ku me ndihmën e erës e ku pa pasur nevojë për të, vijon të shkëpusë
kontratat me gjethet e kacavarura nëpër degë drunjësh. E variantet e
shumëllojshme të itinerareve të tyre duken shumëku. Një gjeth rri me kokën
ngritur mbi një mur të gjallë gjelbërosh vështron se a po ka lëvizje miqsh a
armiqsh, një tjetër është kapur për xhamin e përparmë të një veture dhe duket
se mezi pret të niset për udhëtim, i varur si peshqir për festë. Një tjetër,
kushedi mund të bije mbi ndonjë filxhan makiatoje për të qëndruar si kapak
bunari. E kush ka nge të shoh e të numëroj e rinumëroj gjithë këtë lojë poetike
gjethesh, ndonëse ndonjëherë këto mund të na duken si monedha ari, argjendi e
bakri me të cilat do të mund të paguajmë drekat, kafetë, çajrat e pijet, aty ku
zëmë vend si klientë. Dhe filloi shiu. Fillimisht i lehtë. Pastaj pak më
kërcënues, e pas një armëpushimi të shkurtër sulmon sërish pa ndonjë
paralajmërim vetëtime a bubullime. Shenjat e gjurmët e shiut zënë vend
rrethepërqark siç ulen pleqnarët krye oxhaku. Një çadër telprishur, qëndron e
braktisur si strehë për ndonjë insekt, e rri aty ku është hedh pa farë
keqardhjeje e mëshire. Gjethet lagen, pikojnë, lotojnë të heshtura. Dy qe flenë
ëmbël nën çadrën e kësaj pishe gjelbëroshe, gjethedendur që hëpërhë me sukses
kryen detyrën si çati e mirëizoluar. Derisa ne vrapojmë për në punë a drejt
strehëzave mendja mund të na vejë edhe te kërmijtë e kërpudhat. Ja dhe kjo
biçikletë e lidhur për kësaj shtylle metalike ngjyrëbronzi që ka katër streha
toprrumbullake të bardha të fenerëve që ende rrijnë fjetur. Dikush s'e hap
çadrën, atë është duke e përdor si shkop magjik, a si shkop Gjeçovi, i mjafton
kapela që ka në kokë, dhe duket që po e vazhdon ngadalshëm ecjen ëmbëlake nën
këtë shi të sotëm që mbyll sytë dhe e zë gjumi. Muzgu vije si çarçaf i larë, me
ca re udhëtare të purpurta që shtegtojnë, për t'u dukur pak më vonë një karvan
resh të bardha që shkojnë në të njëjtin drejtim. Dhe del dhe hëna. Tash dhe re
të reja si petulla të sapohedhura në tiganin me vaj dhe yje të shëndritshëm si
xixëllonja duken kur mbulohen përkohësisht prej resh, i gëzohen kësaj nate që
shkëlqen trup-e-shpirt larë...