E shtune, 27.04.2024, 12:17 AM (GMT+1)

Mendime

Mero Baze: Joseph Biden, fati i minutës së fundit për shqiptarët

E shtune, 23.08.2008, 04:07 AM


Joseph Biden, fati i minutës së fundit për shqiptarët

Nga Mero Baze

- Natën e 24 marsit 1999 pas mesnate, ndërsa isha duke fjetur, më telefonoi presidenti Clinton: “Z. senator Biden, të thirra të të lajmëroj se forcat ajrore amerikane i kam urdhëruar që të nisen në sulme bombarduese ndaj pozicioneve ushtarake në Jugosllavi. Tani forcat tona janë në veprim”. Ishte një lajm që e prisja, por dhe që më kapi në befasi. Pyetja ime e parë për presidentin Clinton ishte:

- Z. president, si thua, francezët si do të reagojnë?

- Kush është duke i pyetur francezët! Ne kemi filluar sulmet kundër Jugosllavisë dhe francezët e të tjerë do të na bashkëngjiten!

Ky ishte një nga paragrafët më entuziastë nga rrëfimi i Joseph Biden, më 28 prill 2002, në hotel “Sheraton” në Manhattan, në një takim organizuar nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e drejtuar nga ish-kongresmeni Diogard.

Me një oratori mahnitëse, me një njohje deri në detaje të çështjes shqiptare, me një përgjegjshmëri prej burri shteti dhe thjeshtësi të paarritshme nga askush, Joseph Biden ka folur për rreth një orë mbi përvojat e tij si kryetar i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat rreth konfliktit në Kosovë dhe rrugës së Kosovës drejt pavarësisë. Takimi, i cili provonte themelimin 12 vjet më parë të organizimit të Lobit shqiptar në SHBA, kishte bashkuar përfaqësues të politikës shqiptare dhe shoqërisë civile nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi. Isha ftuar aty bashkë me të ndjerin Pjetër Arbnori, të cilin e ulën në krah të senatorit Biden dhe Ramush Haradinajt, i cili ishte përfshirë ndërkohë në politikën e Kosovës si kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Biden ishte i ftuari kryesor i atij takimi prej politikanëve amerikanë. Ishin ndërkohë dhe Tom Lantos dhe Ben Gilman, si dhe kryetari i ri i Bashkisë së qytetit të Nju-Jorkut, Michael Blumberg.

Fjalimi i Biden mposhti sallën dhe padurimin shqiptar për të heshtur. Duke ditur se çfarë auditori kishte përpara dhe çfarë mesazhi duhet të përcillte, Biden nisi të tregojë disa detaje mbresëlënëse nga misioni i tij sekret në Kosovë. Tregoi se si javën e parë të lirisë së Kosovës shkoi në një mision jopublik në Beograd dhe pastaj në Kosovë. Kishte takuar për herë të fundit udhëheqësin serb, Millosheviç, me të cilin normal që nuk ishte marrë vesh dhe pastaj kishte zbritur në Kosovë.

- Aty takova një njeri me rroba ushtarake, - tha, - tepër energjik dhe nervoz, që dukej se e përjetonte si arritje të lirisë çlirimin e Kosovës. I thashë, duhet t’i heqësh këto rroba dhe duhet të rrish civil. Ky vend, i thashë, ka nevojë për demokraci dhe jo për luftë.

- Unë nuk di të bëj politikë. Mbledhjet më mërzisin dhe nuk i duroj dot.

- Përpiqu ta bësh, i thashë. - Ndryshe SHBA nuk do t’ju mbështesë.

Ika nga Kosova në pritje të lajmeve të mira atje. Dhe lajmi i parë i mirë erdhi shpejt. Njeriu me rroba ushtarake ishte veshur civil dhe kishte themeluar një parti. Ai është zoti Haradinaj, ky që kam këtu në krah, - tha duke qeshur.

Ky ishte dhe stili i tij për të komunikuar me të ftuarit dhe sallën. I drejtpërdrejtë, shpesh ironik me banalitetin dhe shumë i informuar për çdo detaj që përshkruante nga problemet shqiptare.

Haradinaj u skuq i gjithi dhe nuk reagoi. Tundi kokën për të inkurajuar entuziazmin e sallës. Pas kësaj salla u bë rob i fjalëve të senatorit. Ai nisi të tregojë detaje të tjera nga debatet e tij me Shtëpinë e Bardhë, gjeneralët dhe median për Kosovën.

“Kosovës, popullit të Kosovës, politikanëve të saj e institucioneve të sapongritura iu duhet patjetër në radhë të parë të respektojnë të drejtat e të gjithë etniteteve, pa patur qëllime të mbrapshta e emocionale ndaj minoriteteve të tjera. Kosova, - tha ai, - duke ndërtuar institucionet e veta, i ka hapur rrugën e drejtë Pavarësisë. Por, kur Kosova të japë prova ndaj komunitetit ndërkombëtar, se e meriton atë.. Kosova, - tha, - Biden, kaloi njërën prej periudhave më të vështira nën sundim e Millosheviçit, prandaj ajo kurrë nuk duhet të bjerë viktimë e ekstremizmave të çfarëdo lloji e të çdo ane qofshin ato, shqiptare apo kushdo qoftë. Unë mendoj se për Kosovën është e rëndësishme mënyra se si do ta arrijë Pavarësinë. Nga kjo do të varen më pas dhe raportet e saj me komunitetin ndërkombëtar, ndihmat dhe mbështetja politike-ekonomike që ajo do të marrë në të ardhmen. Ky është një mesazh i qartë për ju shqiptarët. Ju duhet të njihni dhe respektoni vetëm format demokratike të zgjidhjes së problemeve, dhe asnjëherë atë të armëve e konflikteve të armatosura”.

I qartë dhe urdhërues në tonin e tij ai tha: “Ndërtoni demokracinë! Ndërtojeni Kosovën! Ne do të qëndrojmë në Kosovë, deri atëherë kur me të vërtetë Kosova do të jetë demokratike dhe e parrezikuar nga fqinjët. Edhe në takimet me presidentin Bush kam kërkuar dhe do të kërkoj që trupat amerikane mos të reduktohen në Kosovë. Pa komandën dhe prezencën amerikane, Evropa nuk është në gjendje të mbajë paqen në Kosovë”.

Më pas erdhi radha të fliste për Shqipërinë. Iu drejtua zotit Arbnori dhe iu referua vuajtjeve të tij në burgje.

“Shqipëria nuk ka ndryshuar shumë dhe asaj, si shumë vende në rajon, të cilat janë nga më problematiket në Evropë, i mbetet shumë për të bërë. Edhe ato duhet të futen në gjirin e familjes evropiane. Shqipëria duhet që të zhvillojë pikësëpari zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat janë në rrugë dhe duhet të japë prova për një demokraci të vërtetë. Të krijojë kushtet në rrugën e asocimit të saj në Evropë. Qeveria shqiptare duhet të sjellë në Shqipëri demokracinë, për të dëshmuar kështu para komunitetit ndërkombëtar se edhe ajo dëshiron me të vërtetë t’i bashkëngjitet institucioneve demokratike evropiane. Vetëm demokracia, vetëm demokracia, demokracia e vërtetë, respektimi i të drejtave të njeriut, lufta kundër korrupsionit, kriminalitetit do të jenë e ardhmja e Ballkanit, Ballkanit, i cili në fjalorin amerikan ka hyrë si fjala “problem”. Prandaj, dhe kur flasim për Ballkanin, çmojmë edhe prezencën tonë në Ballkan, rolin dhe punën që kemi bërë. Ajo për mendimin tim, - tha ai, - duhet të jetë afatgjatë, duke e konkretizuar me atë se çfarë rreziku vjen pas saj. Megjithatë, edhe disa vende evropiane nuk duhet ta lëshojnë Ballkanin, dhe ato duhet të marrin më shumë përgjegjësi në Ballkan. Unë personalisht kam insistuar, deri te presidenti, që ne nuk duhet të largohemi nga Ballkani.”

Pas takimit Biden u takua me secilin prej të ftuarve. Organizatorët kishin përgatitur nga dy rreshta për t’u prezantuar me secilin. Diogard më prezantoi me të, duke i theksuar se “është një gazetar që qeveria do të ishte e lumtur të mos ishte”. Senatori qeshi dhe më ftoi të bënim një foto. Pastaj iu drejtua kamerave që u fokusuan. Dhe përsëriti shqetësimin për deformimet e demokracisë në Shqipëri, nevojën për zgjedhje të lira dhe lirinë e shtypit. Kështu bëri thuajse me të gjithë të ftuarit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mal i Zi.

Lajmi se Joseph Biden është emëruar kandidat për zëvendëspresident, është ndoshta lajmi më i mirë për shqiptarët në këto momente, kur problemi i Kosovës po ballafaqohet me një krizë të raporteve ndërkombëtare dhe frikës se kandidati favorit për president, Barack Obama, është një politikan shumë larg njohjes së problemit shqiptar. Tani shqiptarët kanë qetësinë e duhur nga Uashingtoni, edhe pse Hillary Clinton ka ikur nga gara. Secili kandidat fitues ka garantin e vet për çështjen shqiptare. Joseph Biden, por dhe McCain janë tërësisht të qartë dhe të vendosur për ta çuar deri në fund misionin amerikan në Ballkan dhe veçanërisht të jenë avokatët e mëdhenj të Kosovës në Uashington. Ai i jep shumë motive shqiptare entuziazmit që ka ngjallur karizma e senatorit Obama te brezi i ri shqiptar për ta mbështetur. Hezitimi se Obama në Shtëpinë e Bardhë do të harronte Kosovën, merr fund tani që aty do të hyjë një njohës i madh i çështjes shqiptare. Ai është fati i minutës së fundit për shqiptarët në këtë garë presidenciale në SHBA.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora