E diele, 28.04.2024, 01:52 PM (GMT+1)

Mendime

Besnik Myftari: "Provincializmi" dhe mbijetesa

E premte, 22.08.2008, 08:13 PM


"Provincializmi" dhe mbijetesa

Nga Besnik Myftari

Në shkrimin e djeshëm të mikut tim, Mustafa Nano, kishte një shqetësim të madh mbi mbarëvajtjen e gazetarisë dhe të medias së shkruar në përgjithësi në Shqipëri. Me të drejte, ai ngre disa pikëpyetje dhe problematikat se ku po shkon gazetaria, pse është bërë "sipërfaqësore", "Tabloid", ku rendja pas scoop-it rozë ose lajmit të "thatë" e të vogël, titullit të fortë dhe pa përmbajtje etj., është kthyer në një mani… Gishtin qortues, Nano e ngriti mbi gazetarët dhe ata që e bëjnë gazetën, dhe kjo nuk është hera e parë. Herë pas here dëgjohen klithmat e tij për gjendjen "mediokre të gazetave". Nano ka dalluar dhe konstaton fundin e një rruge qorre, që nuk të çon asgjëkund dhe të parat janë gazetat që rrezikojnë mbijetesën e tyre.

Pra, shkrimi është konstatues dhe shqetësimi, që të gjitha të përditshmet i kalon në 30 minuta pa lexuar asgjë, është real.

Po pse kemi arritur deri këtu? Pse jemi bërë kaq "provincialë"? Pse jemi kthyer në fletushka? Këto, kolegut tonë nuk i interesojnë edhe pse është një insider dhe jeton me shtypin dhe gazetarinë. Ai thjesht konstaton, prek dhe largohet. Nuk analizon, nuk shkon tej së dukshmes. Ai nuk është i kënaqur…

Gazetat në Shqipëri po kalojnë një krizë të madhe ekonomike. Ato po vuajnë konkurrencën e mediave elektronike dhe internetit. Gjendja e tyre në përgjithësi është mjerane. Tregu tashmë po i shtyn e po i largon, ndërsa transformimi e përshtatja po vonon. Për t‘u azhornuar me kohën, duhen investime dhe forca të reja, reforma, rregulla të reja loje. Duhet edhe një arbitër, që është shteti. Gazetat po "luftojnë" me njëra-tjetrën në një terren që tashmë nuk është i tyre. Luftën hera-herës e bëjnë edhe të "pistë" pa rregulla dhe pa ligje. Kjo situatë i ka dëmtuar ato më shumë. Gazetat në Shqipëri shiten nën kosto, çmimi i tyre sa vjen e ulet, ndërkohë që të gjitha produktet e tjera në treg rriten dita-ditës. Ulet cilësia, ulen shitjet, ulen të ardhurat. Financuesit dhe investitorët janë të lodhur. Çmimi i shitjes së gazetave historike në treg që kanë ndërruar pronarë ka qenë tragjik, ata janë shitur sa një apartament në Tiranë. Ata që shitën ishin të lumtur…. "Shitëm humbjet mujore, deklaronin me gëzim". Puna, përkushtimi dhe pasioni që hodhën mbi 10 vjet në krijesat e dashura, u kthye në një ngërdheshje çlirimi...

Të përditshmet në Shqipëri bëhen me 10-15 gazetarë të keq-paguar dhe ndonjëherë të papaguar fare. Ose në rastin më të mirë, i marrin rrogat, por nuk kanë marrë ndonjë rritje prej vitesh. Të jesh gazetar sot, nuk është privilegj. Prestigji i tyre është në minimumet e mundshme. Të rinjtë e kualifikuar nuk i preferojnë më. E ardhmja është e pasigurt. Më mirë të punosh në një bankë, shoqëri sigurimesh, institucione shtetërore, kompani ndërtimi etj.

Gazetarët sot duhet të shkruajnë përditë, të mbushin faqet, të bëjnë lëndën. Për të shkruar duhet qetësi dhe pasion. Qetësia iu prishet nga drejtuesit, që me ngulm kërkojnë të bëjnë produktin, të nxijnë faqet, të respektojnë oraret, sepse shtypshkronja nuk fal, duhet të jesh në radhë sa më parë për të mbaruar sa më parë e për të dalë në treg sa më shpejt. Shpërndarësi nuk pret, gazetashitësi po ashtu… Pasionin e prish e përditshmja. Përditë si në një konvejer të një fabrike duhet të mbushin faqet, t‘i nxijnë, t‘i faqosin. Rutina i pllakos, mungojnë kolegët për të bërë stafetën, për të marrë frymë, për të menduar, për t‘u rikarikuar… Sepse, nuk ka lekë për të punësuar të tjerë…

Shpërndarja e gazetave në Shqipëri, është një disaster. Jemi në shekullin e 21 dhe gazeta shitet nën diell e nën shi, mbi kartonë dhe arka të fruta-perimeve, ndërkohë që ka shumë pak pika shitjeje, kioska. Vetëm 1/3 e territorit të vendit mbulohet nga sistemi i shpërndarjes. Pra, shpërndahet më pak, shitet më pak, kështu mungojnë të ardhurat. Por çfarë duhet bërë? Pse nuk janë zgjidhur me parë këto probleme? Si i kanë zgjidhur vendet e tjera? Ne shtetet e formuara demokratike, roli i gazetave është primar. Mendimi ndryshe i shprehur në të, është në themel të sistemit demokratik. Janë tribunat ku të gjithë mund të shprehen dhe të ngrenë probleme të ndryshme. Të gjithë mund të ngrenë zërin dhe të dëgjohen. Pas partive politike, ato janë një pjesë shumë e rëndësishme e sistemit demokratik. Për këtë arsye, shtete të ndryshme e kanë zgjidhur në mënyra të ndryshme. Për t‘i dhënë të drejtën të gjithëve të marrin pjesë në debate publike, dhe natyrisht debatet dihet, bëhen në media... Shtete si Franca ose Italia, i subvencionojnë gazetat, i japin zë edhe atij që s‘ka fuqi për të mos funksionuar ligji i më të fortit. Italia për shembull, jep rreth 160 milionë euro ndihma për shtypin. Kanë unifikuar çmimin e shitjes në treg të gazetave dhe gazetat falas u lejohet të dalin në treg vetëm pas dreke. Në vende që janë më afër realitetit tonë, si Serbia, Maqedonia ose Mali i Zi, shteti ka krijuar shoqëri për shpërndarjen gazetave pa pagesë, i ka hequr taksat dhe subvencinon pikat e shitjes, ka unifikuar dhe çmimin e gazetave.

Pse nuk bëhet asgjë në Shqipëri? Nuk e dinë rëndësinë e shtypit? Të mirat që sjell media e shkruar në shoqërinë demokratike? E dinë shumë mirë forcën dhe rëndësinë e shtypit, por kam përshtypjen që e lënë kështu, me dëshirë në këtë gjendje. Klasa politike shqiptare është xheloze dhe nuk ka dëshirë, që të përballet me një opinion të fuqishëm publik. I pëlqen të na trajtojnë si fëmijët që duhet vetëm të dëgjojmë. Dëshira e madhe e shqiptarëve për të komunikuar (kjo duket nga numri i madh i të përditshmeve të hapura), për të diskutuar, është në rrezik nga lufta në heshtje që i bën klasa politike. Një ditë, do të zgjohemi në mëngjes dhe nuk do të gjejmë gazeta ne treg, shija që do të na lërë, do të jetë shumë e hidhur…

Kështu pra, i dashur Muçi, nuk bëhet më fjalë për "provincializëm" apo jo, por bëhet fjalë për mbijetesë të shtypit. Nesër, ndoshta nuk do të kemi ku mund të shkruajmë mendimet tona dhe do të na mbesin vetëm kafenetë, si "tribuna" për të diskutuar mendimin e lirë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora