E premte, 26.04.2024, 12:32 PM (GMT+1)

Mendime

Yamamoto: “Prilli i thyer” i Kadaresë më nxiti të merrem me Kanunin

E premte, 22.08.2008, 05:57 PM


Nga Blerim Kola

Intervistë me Kazuhiko Yamamoto, profesorin e shkencës së antropologjisë nga Universiteti Kyushu, Fukuoka/ Japoni. Prof. Yamamoto është një antropolog i njohur për studimet e tij në fushën e kulturës shqiptare, veçanërisht mbi strukturën etike të kanunit dhë nënkuptimet e saj kulturore

Është paksa e e çuditshme që një profesor japonez ka treguar interes në Kanunin shqiptar. Çfarë ju ka shtyrë ta bëni këtë gjë?

Në momentin që po lexoja librin “Prilli i thyer” të shkruar nga Ismail Kadare u ndesha me Kanunin. Vura re se Kanuni kishte një sfond të fuqishëm etik. Që të jemi të saktë zanafilla e këtij kërkimi nis në vitin 1990 kur unë po bëja një udhëtim në Europën Lindore. Gjatë udhëtimit më ra në dorë një guidë udhëtimi publikuar nga Shtëpia Botuese “Lonely Planet”. Në këtë guidë u ndesha me emrin e Xhek Shulmanit, i cili banonte në New York dhe shiste libra dhe periodikë nga Shqipëria. Bleva mjaft libra prej tij, mes të cilave dhe romanin “Prilli i Thyer” i Ismail Kadaresë. Është pikërisht ndikimi i këtij libri, të cilin e lexova më 1991 që më bëri kurioz e më nxiti të nis itinerarin tim në kërkim të Kanunit. Kur e lexova këtë vepër u binda se Kanuni kishte një sfond të fuqishëm etik; se struktura e tij etike duhej sqaruar pasi mund të përfaqësonte bazën e njerëzimit dhe origjinën e qytetërimit. Nisa të bëj një studim krahasues, pasi vura re që kishte ngjashmëri në koncepte mes Kanunit dhe kulturës antike japoneze.

Mund të na tregoni ju lutem disa ngjashmëri ndërmjet Kanunit dhe zakoneve të shoqërisë së lashtë japoneze?

Unë zbulova që një nga konceptet më të rëndësishme në kanun ishte “miku”. Nëse një i panjohur viziton shtëpinë tënde, sipas Kanunit njerëzit do ta presin atë shumë përzemërsisht dhe do t’i ofrojnë atij strehë dhe ushqim për atë natë dhe në këmbim të kësaj, mysafiri do t’i falënderonte dhe do t’u jepte bekime atyre. E pikërisht në këtë pikë jam përpjekur të sqaroj strukturën etike të Kanunit duke studiuar kulturën e lashtë japoneze, sipas interpretimit të folkloristit japonez Shinoku Orikuchi. Një nga konceptet më të rëndësishme për japonezët e lashtë që jetonin në një botë pagane plot me perëndi, pra një një botë mitologjike, ishte koncepti i “mikut”. Ata besonin se Perënditë vinin për vizitë në fshatrat e tyre 2 herë në vit, të maskuar si miq me qëllim që të bashkoheshin me fshatarët, të bisedonin dhe t’u përcillnin bekime. Kur një mik vinte për vizitë në shtëpinë e fshatarit, ky i fundit e priste atë me respekt dhe i shtronte për të ngrënë e për të pirë. Në shkëmbim të kësaj mikpritje, miku jepte bekime, citimi gojor i të cilave besohej se kishte fuqi magjike, që siguronte mbarësi e lumturi për familjen e mikut gjatë gjithë vitit. Meqë s’mund të ketë mikpritje pa sofër, pra pa ushqim koncepti i “mikut” duhet çiftuar me konceptin e “bukës” apo ushqimit. Japonezët e lashtë besonin se orizi kishte një shpirt apo fuqi magjike që i gjallëronte njerëzit. Për këtë arsye ngrënia e orizit në të njëjtën tavolinë me të tjerët i bashkonte ata të gjithë për të ndarë së bashku shpirtin e orizit, duke forcuar kështu marrëdhëniet mes gjithë atyre. Kështu pra, shprehja e mikpritjes nëpërmjet mikut në shtëpi dhe sofrës së shtruar ishte mjaft e rëndësishme për japonezët e lashtë. Ajo përsëriste ritualin e shenjtë të shkëmbimit me Perënditë. Për mua janë dy linja faktesh të cilat tregojnë qartë se mikpritja përbënte esencën e kulturës së lashtë japoneze. E para ka të bëjë me ritualin perandorak që është ndjekur nga të gjithë perandorët që nga kohët e lashta. Rituali njihet me termin Daijosai pra Rituali i Servirjes së Ushqimit të Madh dhe ndërmerret nga Perandori vetëm një herë, kur ai ngjitet në fron. Posaçërisht për këtë ritual ka qenë ndërtuar edhe një vend i shenjtë me dy salla të mëdha. Në këtë vend të shenjtë Perandori i ri prêt Perëndinë e quajtur Amaterasu, që njihet si pasardhësja mitologjike e familjes perandorake, i ofron ushqim dhe ha së bashku me të. Vendi i shenjtë i përdorur për këtë ritual menjëherë shkatërrohet dhe digjet, pas përfundimit të tij. Me kryerjen e këtij rituali mikpritjeje, besohej se Perandori shndërrohej në një Perëndi për së gjalli. Perandori aktual Akihito e kreu këtë ritual mikpritje më 22 dhe 23 nëntor 1990 duke ndjekur kështu traditën e paraardhësve. Linja e dytë e fakteve ka të bëjë me vendin e shenjtë të quajtur Izumo, një nga më të vjetrit e vendeve të shenjtë Shinto në Japoni. Ky vend i shenjtë është ndërtuar sipas stilit më të vjetër arkitekturor në Japoni, i quajtur Taisha-Zukuri. Ai përmban një hapësirë të gjerë, me tipare të caktuara, siç është ekzistenca e çerekut të kësaj sipërfaqeje për të pritur miqtë dhe për të ngrënë ushqim bashkë me ta, çka gjendet gjithashtu në arkitekturën rezidenciale të kohëve të lashta. Si rituali i kryer nga Perandori që nga kohët e lashta, ashtu edhe struktura apo arkitektura e vendit të shenjtë Shinto ndër më të vjetrit në Japoni, na bëjnë të besojmë se konceptet e “mikut” dhe të “ushqimit” kanë qenë themeltare në qytetërimin e lashtë japonez. Shqiptarët duket se kanë të njëjtin koncept të “mikut” dhe të njejtën traditë të mikpritjes me japonezët e lashtë. Kanuni thotë: “Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe Mikut. Miku duhet të nderohet me bukë e kripë e zemër. Miku zë vendin e nderit në tavolinë dhe përgjatë gjithë kohës është nën mbrojtjen e të zotit të shtëpisë.

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare në romanin e tij “Prilli i thyer” shkruan “…miku brenda dyerve të konakut është i shenjtë për shqiptarin dhe i pakrahasueshëm me asgjë tjetër… Miku në jetën e një shqiptari përfaqëson kategorinë më të lartë etike, më të rëndësishme se edhe marrëdhëniet e gjakut… Miku është në të vërtetë gjysmë perëndi”.

Këto nene dhe fraza tregojnë se shqiptarët i mbeten besnik konceptit se miku është njeri i nderuar, i cili duhet të trajtohet me gjithë mikpritjen e duhur, njësoj si të ishte një entitet i shenjtë. Studimi krahasues midis kulturës japoneze dhe shqiptare që evidenton ngjashmëritë e koncepteve të “mikut” dhe “ushqimit” si edhe traditën e mikpritjes mes japonezëve dhe shqiptarëve të lashtë më ka ndihmuar dhe më ka dhënë çelësin për të zgjidhur nyjen gordiane të Kanunit.

Profesor, sipas studimit tuaj a ka ndonjë element të Kanunit që mund të përdoret në kushtetutën shqiptare. Bëhet fjalë për një kushtetutë demokratike?

Sigurisht… mikpritja e cila nënkupton që t’i pret njerëz nga vende apo komunitete të tjera shumë përzemërsisht, pra i ofron ushqim, strehë dhe mbrojtje. Unë mendoj se ky duhet të jetë princip në një shoqëri demokratike. Unë kam evidentuar e nxjerrë gjashtë koncepte bazë nga Kanuni, “besa”, “nderi”, “miku”, “gjaku”, “buka” dhe “hakmarrja”. Mbi bazën e tyre kam përpunuar e zhvilluar strukturën etike të këtij kodi. Këto koncepte mund të jenë të aplikueshme në shoqërinë moderne, natyrisht duke i bërë modifikimet e duhura. P.sh nëse një person dëmton nderin tuaj ju mund të ngrini padi ndaj këtij fyesi. Gjykata do të neutralizojë fyerjen duke dhënë një ndëshkim apo gjobë ndaj tij me mjete legale. Nëse një person vret me qëllim një anëtar të familjes suaj, vrasësi arrestohet nga policia e sillet para drejtësisë. Në këtë rast gjaku i derdhur kompensohet me ndëshkimin e vrasësit, të administruar nga shteti. Nuk besoj se sistemi juridik në shoqërinë e sotme mund të qëndrojë pa këto koncepte të modifikuara për t’iu përshtatur një shoqërie me autoritet shtetëror.

Pra me pak fjalë të pranosh mikun dhe t’i ofrosh atij mikpritje, pra të duash njerëzit e tjerë. Ky duhet të jetë principi i një kushtetute demokratike…

Shumë vite duke studiuar kanunin… A keni hasur vështirësi në gjetjen dhe konsultimin e literaturës së nevojshme lidhur me ketë çështje?

Sigurisht… siç e dini Japonia ndodhet shumë larg Shqipërisë. Dhe njerëzit atje kanë shumë pak informacion në lidhje me Shqipërinë. Kur lexova “Prillin e thyer” në janar 1991, m’u duk se kisha arritur kulmin më verior të njerëzimit dhe se s’më kishte mbetur më asgjë misterioze lidhur me këtë. Edhe sot e kësaj dite ruaj të njëjtën ndjesi. Ky ndikim më shtyu të nis kërkimet e mia mbi Kanunin. Natyrisht nuk e pata të lehtë, pasi në Japoni kishte fare pak literaturë mbi Shqipërinë dhe Kanunin dhe unë vetë nuk kisha fare njohje me studies të Kanunit. Arrita të bëhem më familjar me këtë vepër pasi lexova librin e Margaret Hasluck “Ligji i pashkruar në Shqipëri”, të cilin arrita ta gje në dy biblioteka universitare në Japoni në vitin 1992. Sidoqoftë, më duhej të gjeja vetë Kanunin përpara se të shkruaja një artikull shkencor për të. U përpoqa të marr dhe të lexoj një mikrofilm mbi Kanunin të prodhuar në Itali më 1941. Në atë moment mendova se do të më hajë shumë kohë të lexoja versionin italian të Kanunit dhe kjo më shqetësoi mjaft pasi s’po mund të kryeja asnjë kërkim në lidhje me të. Sidoqoftë fati i mirë nuk më braktisi. Mësova se një version anglisht i Kanunit ishte botuar më 1989 në Nju Jork nga shtëpia botuese “Gjolekaj”. Më së fundi, në qershor të vitit 1993, arrita ta marr “Kanunin e Lekë Dukagjinit”. Menjëherë fillova të analizoj konceptet etike të tij dhe të përpunoj strukturën e tij etike. Në këtë kontekst më 1994, shkrova artikullin e shkurtër “Kodi Fisnor Zakonor në Shqipërinë e Veriut: analizë strukturore e Etikës” dhe i dërgova një kopje z. Xhek Shulman, i cili pati mirësinë t’ia shpërndajë atë Kadaresë, Antonia Yong, Leonard Fox dhe individë të tjerë. Kjo ishte edhe pika e kthesës, e cila më bëri të mundur ta zgjeroj spektrin e kërkimit tim mbi Kanunin. Pra këtu nisi udhën kërkimin im…

Ju keni studiuar në thellësi Kanunin. Keni hasur në pika pozitive ashtu edhe negative. Cilat janë anët e errëta të Kanunit?

Sipas meje Kanuni është një kod zakonor, i cili duhet të funksionojë në ato shoqëri pa shtet. Pra nëse Kanuni po funksionon në një shoqëri pa shtet, nuk ka asgjë të keqe tek Kanuni. Por siç e dini tashmë ne jetojmë në një shoqëri me shtet dhe në këtë rast ne kemi pikat pozitive dhe pikat e errëta të Kanunit….

Një nga pikat e errëta të Kanunit në Shqipëri është gjakmarrja. Cili është opinioni i juaj në lidhje me këtë?

…Është vërtet fatkeqësi që ka ende gjakmarrje në Shqipëri, ndonëse fuqia shtetërore është mjaft e madhe. Dikur shteti nuk e kontrollonte këtë zonë, por sot që forcat policore mund të shkojnë kudo, gjakmarrja është e pavend…

A ekziston fenomeni i gjakmarrjes në Japoni?

Tani? Jo tani nuk ekziston…

…Po në të kaluarën ka ekzistuar?

Po sigurisht që ka ekzistuar. Japonezët hakmerreshin nëse babai i tyre vritej dhe kjo ka ekzistuar deri në vitin 1867. Por në vitin 1869, qeveria japoneze nxori një urdhër për ndalimin e hakmarrjes dhe kështu populli japonez nuk u hakmor më. Që që nga ajo kohë nuk ka patur asnjëherë hakmarrje apo siç mund ta quajmë gjakmarrje që nga ajo kohë…

Sipas jush edhe sa vite duhen që fenomeni i gjakmarrjes në Shqipëri të marrë fund?

… Nuk e di, por nëse keni një shtet efiçent, mendoj se do të zhduket në një të ardhme të afërt. Por nëse shteti nuk funksionon ashtu siç duhet, do të vazhdojë për një kohë të gjatë, pra është në varësi të shtetit se si ai funksionon në këtë shoqëri…

Në librin tuaj ju keni shkruar për Kanunin dhe fenë. Thoni se Kanuni është i parakrishterë. Do të doja të dija nëse shihni ndonjë lidhje lidhje mes tolerancës fetare në Shqipëri dhe Kanunit?

…Toleranca fetare… në fakt shqiptarët dinë shumë gjëra në lidhje me Kanunin.. pra kemi një ndikim të madh të Kanunit në traditat kulturore të shqiptarëve. Le t’i hyjmë analizës pak më në thellësi. Kanuni është një kod antik dhe si i tillë u krijua në mënyrë spontane, askush nuk e krijoi, u krijua nga vetë qytetarët. Pra Kanuni tregon natyrën më të thellë të njeriut, sidomos emocionet. Në periudhën antike nuk ka patur fe, ka pasur shumë zota, atë që ne e quajmë politeizëm ose paganizëm. Vlerat morale dhe etike të Kanunit janë të kësaj periudhe. Unë kam analizuar Kanunin dhe kam gjetur gjashtë vlera kryesore kryesore të cilat e përshkojnë atë nga fillimi deri në fund. Ato janë fjala e dhënë, nderi, mikpritja, afërsia fisnore, mëshira dhe hakmarrja. Të gjitha këto pika kanë të bëjnë me një fe pagane, pasi ata i japin rëndësi natyrës së thellë njerëzore, pemëve, liqeneve etj, pra çdo gjëje jetike. Për sa i përket tolerancës, e thashë që më parë që Kanuni nuk mbështet luftën, por tolerancën, kështu që ai padyshim ka të bëjë me tolerancën fetare në Shqipëri…

Të flasim hapur shqiptarët nuk janë të interesuar tek feja, ashtu siç nuk janë të interesuar edhe japonezët, pra me një fjalë çdo gjë është në rregull… Japonezët nuk i japin shumë rëndësi fesë ashtu siç nuk i japin edhe shqiptarët. Sipas meje shqiptarët dhe japonezet kanë të njëjtat pikëpamje ndaj feve të tjera…

Mendoni se Kanuni ka luajtur një rol të rëndësishëm në dëshirën e madhe të shqiptarëve për të qenë të pavarur gjatë gjatë pushtimeve të huaja, e kam fjalën veçanërisht për pushtim osman të Shqipërisë?

Me aq sa di unë, turqit otomanë erdhën në Ballkan rreth shekullit 14- 15, ku pushtuan edhe Shqipërinë. Sidoqoftë pushtuesit osmanë nuk mundët të hynin në disa zona veriore të Shqipërisë për shkak të terrenit malor… ishte shumë e vështirë për të penetruar në këto zona… pra njerëzit e këtyre zonave kishin kodin e tyre, pra Kanunin. Pra atë qeverisnin veten e tyre me këtë Kanun. Dhe kjo traditë vazhdoi nga kohët antike deri në shekullin e 20-të në zonat veriore të Shqipërisë. Dhe mendoj se Kanuni ishte një nga pikat themelore në të cilat u ndërtua identiteti kombëtar… kështu që mendoj se Kanuni ka kontribuar shumë në pavarësinë e shqiptarëve.

Ju keni studiuar Kanunin dhe jetesën e shqiptarëve të 6 apo 7 shekujve më parë. Ndërkohë që sot keni lidhje me shqiptarët e sotëm. A shihni ndonjë lidhje tek shqiptarët e ditëve të sotme me shqiptarët e qindra viteve më parë?

Sigurisht shqiptarët kanë vlera etike të cilat janë shumë të ngjashme me ato të shqiptarëve të 6 apo 7 shekujve më parë si për shembull besa. Shqiptarët e vlerësojnë shumë besën. Është diçka e shenjtë për ta…

Pra ju nënkuptoni se ka një vazhdimësi?

Po mendoj se ka një vazhdimësi dhe mendoj se kjo është një gjë e mirë…

Shumë shqiptarë sot e quanë tabu apo si një pjesë e prapambetjes së kohës Kanunin, dhe mendoj se e njëjta gjë ndodh edhe në Japoni. Ndëkohë që ju shkruani në librin tuaj se se kanuni është vlerë…

Po. Besoj se keni dëgjuar për samurajt japonezë. Një nga detyrat themelore për samurajt është që të hakmerren nëse babai i tyre vritet. Ishte një çështje nderi. Kështu që ata duhet të vrisnin. Por siç përmenda edhe më parë pas urdhrit nga shteti japonezët e ndalën e hakmarrjen. Por koncepte të tilla si trimëria, nderi, besa, mikpritja arritën të mbijetonin në shoqërinë japoneze dhe si të thuash janë shkrirë në mentalitetin tonë. Por në Japoni, flas për shoqërinë moderne, ne nuk hakmerremi kurrë. Ne e kemi lënë pas këtë gjë, por sistemi i vlerave është ende në mendjet tona, në shoqëritë tona.

Duke kaluar paksa në diçka tjetër. Ju u takuat me kryeministrin Berisha. Për çfarë biseduat?

Kisha mësuar se kryeministri Berisha e ka origjinën nga Tropoja, një nga zonat ku Kanuni është mjaft i përdorur, kështu që folëm për Kanunin. Berisha tha se kur ishte në SHBA, amerikanët i thanë se Kanuni ishte një ndër ligjet më të mira në botë, sepse nëse dikush të dërgon një lajmëtar, nuk mund ta vrasësh, nuk mund ta prekësh. Ndërkohë që unë i thashë se 800 vjet më parë, mongolët dërguan një lajmëtar te ne në Japoni, me anë të të cilit na informonin, se duhet të dorëzoheshin përndryshe do të niste lufta. Por perandori i Japonisë e vrau këtë lajmëtar, duke detyruar Mongolinë të dërgonte një ushtri gjigande për të pushtuar vendin. Por era e fortë i theu dy herë forcat mongole, pra era e fortë shërbeu si kamikaze në këtë rast. Në Shqipëri nuk do të ndodhte diçka e tillë për shkak të kësaj vlere. Kryeministri ishte mjaft i informuar mbi Kanunin. I kisha dërguar librin tim me ministrin e jashtëm, kur vizitoi Japoninë. Besoj se e ka lexuar këtë libër pasi më dha shumë informacione.

Cili është opinioni apo përshtypjet tuaja mbi njerëzit, atmosferën dhe mjedisin e Shqipërisë?

Kur flas me shqiptarët më duket sikur flas me japonezët. Nuk e di pse, por mentaliteti shqiptar është shumë i ngjashëm me atë japonez…

Mos ndoshta kjo vjen nga Kanuni?

Nuk e di. Por ka diçka të ngjashme. Kam një lidhje të fortë me shqiptarët dhe siç e dimë dy shtetet tona kanë marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora