E premte, 26.04.2024, 10:00 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Idriz Zeqiraj: Stërvitjet me marrëveshjen Rugova - Alia

E marte, 19.05.2015, 08:18 PM


Pamje nga Akademia Përkujtimore

STËRVITJET E NJËSIVE TË PARA LUFTARAKE U BËNË ME MARRËVESHJEN RUGOVA - ALIA

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Oficeri i karrierës, Ylli Mici, falenderoi organizatorët e kësaj Akademie Përkujtimore dhe, në veçanti, ushtarin e tij luftëtar, Osman Ferizin, "për ftesën dhe mundësinë që më dhanë, për të kujtuar dhe nderuar, së bashku, në këtë përvjetor të rënies, jetën dhe veprën e Heroit të Kosovës, Sali Çekaj. Si dhe, që, pas 24 vjetesh, të takohemi këtu, përsëri, me një pjesë të shokëve të Saliut, për t`u çmallur dhe kuajtuar Atë dhe kohën e paharruar të përgaditjes ushtarake në Tiranë, në vitin 1991".

Oficeri shqiptar, Ylli Mici përshëndeti në emër të gjithë grupit të oficerëve të Shqipërisë, që kanë stërvitur ushtarakisht grupet me të rinjtë, nga të gjitha viset e Kosovës, në vitin 1991. "Kjo është edhe koha kur e kam njohur dhe kam kujtimet e mia për Sali Çekaj. Kjo përgaditje u arrit pas marrëveshjes të Presidentit Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia. Qeveria shqiptare i mori të gjitha masat dhe vuri në dispozicion të asaj stërvitjeje gjithçka, që ajo të kryhej me sukses. Për drejtimin e saj u zgjodhën pedagogët më të mirë nga Akademia Ushtarake në Tiranë, të cilët bënë çfarë ishte e mundur, që brenda afatit një mujor të stërvitjes se çdo grupi, të arrihej një përgaditje luftarake maksimale për secilin nga pjesëmarrësit.

Për të ilustruar këtë, po përmend vetm një fakt: Secili nga pjesëmarrësit, gjatë një muaji të ushtrimeve, në poligonin e qitjeve me mua, në mënyrë konçize, ka njohur dhe përdorur të gjitha llojet e armëve të Këmbësorisë të programit katërvjeçar të studentëve tanë ushtarakë, që dilnin oficerë dhe kanë harxhuar po atë sasi municioni, që studentët tanë harxhonin në programin mësimor katërvjeçar.

Këto ushtrime patën një efekt shumë pozitiv tek pjesëmarrësit, duke u i bërë ata mjeshtër të qitjes me armë, njohës të taktikave të luftës guerile, dhe shumë  të vlefshëm për realitetin luftarak, që po trokiste në Kosovë.

Më 2 dhjetor 1991, Sali Çekaj me 33 veta hyri në Kosovë

Heroi i Kosovës Sali Çekaj ka pasur një rol të rëndësishëm që në ideimin, e, më pas, në organizimin dhe realizimin e këtyre stërvitjeve ushtarake. Ai vet u ushtrua me grupin e parë të të rinjve, në tetor të vitit 1991 dhe ishte përgjegjësi i këtij grupi. Para përfundimit të grupit të dytë, në muajin nëntor 1991, një pjesë e të rinjve kërkuan që në përfundim të stërvitjes, të ktheheshin në Kosovë, me armatim luftarak. Kjo kërkesë e tyre u realizua dhe Sali Çekaj u caktua për organizimin dhe udhëheqjen e grupit prej 33 vetesh, për kalimin e kufirit dhe hyrjen në Kosovë, detyrë që pas shumë vështirësish, e realizuan me sukses. Kjo shënoi thyerjen e parë të kufirit me armatim dhe në mënyrë të organizuar, por, fsherhurazi, më 2 dhjetor 1991.

Për Sali Çekaj dhe gjithë pjesëmarrësit në këto ushtrime, dua të përmend se:

E para, edhepse më 1991, represioni serb në Kosovë ishte shumë i egër, ata e sfiduan atë dhe zgjodhën rrugën e sakrificave, duke u përgaditur për luftë.

E dyta, këta të rinj ishin pjesëtarët e veprimtarisë së parë ushtarake të organizuar në këto përmasa.

E treta, se për herë të parë u thye kufiri me armatim dhe në mënyrë të organizuar.

E karërta, me këto grupe u hodhën themelet e lëvizjes guerile në Kosovë, që vit pas viti, u organizuan dhe u shumëfishuan me pjesëmarrjen e mijëra luftëtarëve të tjerë, deri në çlirimin e Kosovës.

E pesta, që është shumë domëthënëse, se nga rradhët e këtyre grupeve dolën edhe heronjtë e lavdishëm të Kosovës: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe shumë dëshmorë, që ranë për lirinë e Atdheut si dhe luftëtarë që luftuan deri në çlirimin e Kosovës.

Unë i kam kujtuar gjithmonë, me admirim dhe respekt, të gjithë ata, për guximin, vendosmërinë, sakrificën dhe patriotizmin, që treguan dhe do të doja t`i rikujtoja edhe sot, para jush, të gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari ushtarake." Oficer Ylli Mici i lexoi të gjithë emrat pjesëmarrës në ushtrimet ushtarake, në fshatin Surel të Tiranës, nga fletorja origjinale e poligonit të qitjes.

Komandanti i Kosharës - banor i barakës, madje familjarisht

Oficeri i karrierës, nënkolonel Feriz Trezhnjeva, i lindur në Tropojë, Shqipëri, më 1962, ka qenë oficer i Artilerisë, në Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Zemra dhe mendja e kanë nxitur atë t`ia bëjë një argat Kosovës, një shërbim Atdheut, qoftë edhe me çmimin e jetës. Më 6 shtator 1998 i bashkohet Grupit Operativ-3, të udhëhequr nga Rrustem Berisha, me Sali Çekaj, Agim Ramadanin, Anton Qunin e tjerë, në Papaj të Tropojës. Është pjesë e përgaditjes të planit operativ luftarak, për heqjen me luftë të kufirit në Koshare.

Pas luftës kyçet në TMK-e, shef i Qendrës të Stërvitjes dhe Doktrinës. Me kalimin e TMK-së në FSK-e, pranohet komandant i Qendrës të Stërvitjeve Specialistike, në Forcën e Sigurisë të Kosovës. Përveç Akademisë Ushtarake, ai ka vazhduar të studjojë dhe, në vitin 2013, përfundon edhe Fakultetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Aktualisht është në mbarim të magjistraturës në Shkencat Juridike - Civile. Punon në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, në Ferizaj. Është i martuar, ka tre fëmijë shkollarë: Agimin 14 vjeç, Angjelën 10 vjeçe dhe Agonin 7 vjeç. Jeton me nënën, bashkëshortën dhe tre fëmijtë me një barake në Ferizaj.

Komandant Feriz Trezhnjeva e bëri luftën dhe tani është në rrugëtim për ta bërë Ushtrinë e Republikës të Kosovës. Praktikisht, ai e bëri edhe bashkimin kombëtar: thyerjen e kufirit dhe vendosi për të punuar dhe jetuar në Ferizaj, duke e llogaritur Kosovën pjesë integrale të Shqipërisë. Po çfarë bëri Kosova e lirë për komandant Trezhnjevën?! Asgjë, të paktën, deri më tani. Dhe, megjithatë, vazhdon të jetojë në barake. Lë të provojmë ta bëjmë një krahasin me "komandantët", me pasuritë përrallore dhe pallatet - vila, pa e shkrep asnjë plumb! Dikush duhet të mendojë, që, edhe komandant Feriz Trezhnjeva të këtë një strehë, shtëpi normale, për veten dhe familjen. Inshallah, ky zë dëgjohet deri në vesh të Perëndisë!!!

Eprori ushtarak i Kosharës, Feriz Trezhnjeva nga Tropoja

URDHRI: KUFIRI MES SHQIPTARËVE DUHET TË HIQET ME LUFTË,

PAVARËSISHT ÇMIMIT

Shoku i armëve të Sali Çekaj dhe Agim Ramadanit, oficer Feriz Trezhnjeva, për herë të dytë, na nderon me pjesëmarrje në Akademinë Përkujtimore, për bashkëluftëtarët e tij, heronj të Kosovës. Ai foli për shumëçka, për luftën dhe paqen. Ne po sjellim vetëm disa fragmente nga fjala e komandant Feriz Trezhnjevës. Ai falenderoi organizatorët e këtij përkujtimi, për ftesën e bërë si dhe përshëndeti të pranishmit, në emër të veteranëve dhe stafit udhëheqës të Brigadës 138, "Agin Ranadani".

 

"Për të hequr këtë kufi, duhej të përgaditej nje plan i operativ i specifikuar mirë, duke analizuar çdo rrethanë të armikut: misionin, objektivat, forcat ushtarake në kazermën e Kosharës, mbështetjen logjistike, llojet e armëve , fortifikimet, korridoret lidhëse, mbështetjen nga ajri, fushat e minuara, njësitë speciale, njësitë e mjeteve te blinduara, konfiguracioni i terrenit, hapsirën dhe pikat kyçe, që kontrollonin kufirin, mbështetja me artileri të rëndë nga largësia, armët e dëmtimit në masë, e shumë e shumë elementë të tjerë.

 

  plan  duhej të analizohej edhe misioni dhe objektivi ynë, forcat tona, mjetet , llojet e armëve, mbështetja logjistike, përkrahja dhe mbështetja nga faktorë të ndryshëm:  kofnfiguracioni i terrernit, kushtet atmosferike, ndihmën mjekësore, mbrojtjen kundra helemeve, fortifikimet, rrugët e lëvizjes, paisjet, fazat e sulmit sipas situatave etj.

 

Duhej një studim dhe analizë, me profesionalizëm më të lartë, duke koordinuar eksperincën dhe profesionin, strategjinë me vizionin, objektivin me misionin.

 

Por, nuk ishte asgjë e paarritshme , sepse GO3( Brigada 138, “Agim Ramadani”), kishte në stafin e saj oficerë dhe ekspertë të të gjitha fushave ushtarake si: oficerë diversanto vëzhgues, artilerisë,  mbrojtjes  kimike, logjistikës, këmbësorisë, policisë, komunikimit, shërbimit intelegjent, kundra ajrore, tankistë, të mjekësisë dhe, mbi të gjitha, qëndronte Sali Çekaj  - VETERANI. Ai kishte filluar rrugëtimin e tij të gjatë patriotik dhe atdhetar, që nga vitet  ` 90-a, ku me  përvojen dhe eksperiencën profesionale, pjekurinë dhe maturinë, qëndrimin dhe vendosmërinë, guximin  dhe trimërinë e tij ishin katalizatorët kryesorë, së bashku me Agim Ramadanin –KATANA, për përgaditjen  e planit operativo-luftarak, për heqjen me luftë të kufirit mes shqiptarëve.

Finalizimi i planit operativo - luftarak

Ai  njihte çdo rrethanë, çdo rrugë, çdo shteg apo hapësirë, çdo terren apo infrastrukturë, çdo resurs ushtarak apo njerëzorë, çdo pikë apo patrullë, çdo pozicionim apo fortifikim, çdo kalibër apo arsenal armatimi, sepse ai kishte bagazh të pasur, duke qenë gjithmonë aktiv në studimin, hulumtimin, përvehtësimin e artit ushtarak modern dhe strategjik të doktrinave të NATO-s, në aspektin e komandimit, drejtimit, udhëheqjes dhe koordinimit të veprimeve luftarake në fushën e betejës, gjë, të cilën ai e sinkronizon në mënyrë perfekte dhe profesionale në Betejen e Kosharës.

Data 9 prill është një datë historike dhe ka vendin e vet në historinë e re të popullit shqiptar. Është data më e vecantë në kujtesen e të gjithë veteranëve të Brigades 138 "Agim Ramadani”, prandaj, më lejoni të prezantoj një nga shumë kujtimet e mia me të madhin Sali Çekaj.

Pas shumë vezhgimesh, hulumtimesh, studimesh, takimesh, tani ishte finalizuar plani operativo-luftarak, ku ishte përcaktuar misioni, qellimi, objektivat, angazhimi dhe komandimi. Kishte ardhë dita - D - për të kthyer këtë plan në urdhër dhe për të filluar ekzekutimin e tij, për heqjen me luftë të kufirit, nga stafi udhëhqës GO-3. Më datë 8 prill 1999, u takuam, në  ora 23.oo, në shtëpinë e Hazir Ramës, në Padesh, ku ishte komanda e GO-3, i gjithë stafi udhëheqës si: Sali Çekaj, Agim Ramadani, Anton Quni, Skënder Hasangjekaj (Mali i Zi), Hyesen Berisha, Adem Dahri( Tirana), Afrim Beka, Skënder Rexhahmetaj, Xhafer Gashi, Musa Gjakova, Farush Thaci, Naser Vllasi, Agron Isufi, Afrim Sylejmani, Gani Gjuka, Isuf Haklaj, Sabahate Tolaj,  Feriz Trezhnjeva( Tropoja) e tjerë, ku nën komandën e Komandantit të GO-3, Rrustem Berishës do të vepronim më darë 9 Prill 1999.

Nga të gjithë udhëheqësit kërkohet  të raportojmë për situatën dhe gadishmërinë luftarake të njësive. Të gjithë rapotojmë: Jemi gati.

Kufiri mes shqiptarëve duhet të hiqet me luftë, pavarësisht nga çmimi. Ky ishte urdhër dhe urdhëri duhet të zbatohej.

"Mos harro se edhe këtu është Shqipëri"

Ishte hera e parë që fillonte një luftë frontale, që nga padrejtësia e vitit 1913, aty, nga piramidat e kufirit, ku në mbishkrimin e tyre ishin disa shkarravina, me një gjuhë të huaj, të pakuptushme, aty do fillonte sulmi, duke hapur korridore dhe duke u ardhë në ndihmë të gjitha zonave operative në Kosovë.

Ora 01.20 minuta e  datës 9 prill 1999. Sapo kishim marr urdhërin për lëvizje të njësive në pozicionet e zjarrit, filluam të shrëngonim duart me njëri- tjetrin, të përshëndetemi dhe të përqafohemi, si vëllezër, si shokë, si pjesëtarë të një familjeje, me besueshmërinë për fitore. U përqafova me Saliun, Agimin dhe gjithë të tjerët, si gjithë shokët e tjerë dhe u nisa për të shkuar tek njësia që udhëhiqja. Saliu mu drejtua:

-"Komandant Ferizi, falemnderit shumë për kontributin që je duke dhënë për Kosovën. Zoti ta shpërbleftë, por mos harro se edhe këtu është Shqipëri". Dhe, filloi të qesh në mënyrën e tij modeste. Qeshëm të dy dhe filluam të shtrëngonim duart edhe njëherë, të përqafohemi, duke shikuar njëri-tjetrin në sy, si dy vëllezër, që kufiri na kishte ndarë prej dekadash. Sytë na u mbushën me lot. Ishin momente prekëse, ishte luftë, nuk dihej a do të shihemi më për së gjalli.

Thyerja e kufirit - vepër ekskluzive e oficerëve institucionalë

Ishte kohë e ftohët, binte një shi i përzier me borë. Ishte një heshtje e thellë. Dëgjoheshin vetëm hapat e shpejtë të luftëtarëve, që lëviznin drejt pozicioneve të zjarrit.

I vendosëm armët dhe njësitë në pozicione zjarri, i maskuam ato sipas terrenit dhe prisnim urdhërin për veprim.

Sali Çekaj, krahas detyrave të tjera, ishte edhe koordinatori kryesor i zjarrit të artilerisë, ku ishte vendosur tek piramida C2/10, e cila ishte vendosur në veri të postës kufitare në Koshare dhe Saliu, nga aty, udhëhiqte 16 gryka zjarri dhe armëve kundërajrore, në pika te ndryshme, për të goditur pikat më nevralgjike të armikut.

Kishim emocione. Pritej urdhëri për zjarr. Nuk ishte lehtë, sepse nuk ishte pritë apo një skemë e luftës gurile, por ishte një plan për  luftë frontale, me të gjithë elementet e luftës moderne. Dhe, që t`i heqësh një shteti aq të fuqishëm kufirin me luftë,  duhej llogaritur gjërat mirë, ndryshe do kishte probleme edhe me sovranitetin e Repuplikës së Shqipërisë. Por, VETERANI nuk ishte i ri në këto aktivitete dhe, ai, me përvojën dhe eksperiencën tij, na kishte motivuar dhe kishte futë një ndjenjë sigurie dhe besueshmërie shumë të madhe të çdo luftëtar.

Ora 06.18 minuta. Në kanalet e radiolidhjeve tona urdhërohet: Për të gjithë vlen -Zjarr!

Zjarri i artilerisë ishte i efektshëm

Ne veprojmë, armët e artilerisë dhe këmbësorisë vepronin me efikasitet të plotë. Zjarri i artilerisë ishte i efektshëm, preciz, i befasishëm dhe koordinohej, në mënyrë profesionale, nga Veterani.

Nga focat e armikut dëgjoheshin klithma, rënkime, kërkohej ndihmë, kishte të vrarë, të plagosur, ishte një kaos i vërtetë.

Tashmë, kishte filluar të binte edhe dëborë, por, kjo nuk i pengonte luftëtarët e lirisë, morali ishte i lartë. Filluan, së bashku me trupat e pajetë të forcave paramilitare serbe, rrokulliseshin edhe piramidat e kufirit, që, tashmë, kishte ardhur koha të largoheshin nga ai kufi.

Ora 07.45 minuta, e datës 9 prill 1999. Rrasa e Koshares ishte pika më nevralgjike e armikut, e cila ra në duart tona.

Saliu gjithmonë thoshte: "Nuk dua asnjë post apo funksion. Kënaqësia më e madhe e imja është kur t`i shoh shkitë duke ikur". Dhe, kjo ndodhi.

Kudo shiheshin lot gëzimi. E shembëm këtë mur të mallkuar, që mori shumë jetë të shqiptarëve. Mes shqiptarëve nuk ka më kufi.

Saliu u drejtohej luftëtarëve: "Ju lumtë! Ju jeni të mëdhenj! "Kur pushkët bashkohen, edhe krismën e kanë më të mirë", - thoshin Saliu dhe Agimi.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora