Verorja e "Vesho" Agait
tregim
Nga Përparim Hysi
Nuk di
pse hyrja e asaj pranvere më gjeti me një infeksion. Mjeku që më vizitoi, jo
vetëm më dha ilaçe, po, kur mori vesh që qeshë konviktor, bëri shënim që kisha
nevojë për izolim nga shokët. Keq qe, domosdo, por kot nuk thonë që pas një të keqeje, ka diçka të mirë.
Drejtori vendosi që "izolimin" ta kaloja në shtëpi. Ky vendim qe si
një sihariq për mua. Kur më tha që do shkosh në shtëpi, sikur më iku infeksioni
dhe sikur u bëra me flatra. Me një frymë, heret në mëngjesin e së nesërmes, tek
stacioni i trenit. Kur mbrritëm në
Rrogozhinë ( unë vija nga Elbasani) mezi prita
të ndalonte treni dhe,sakaq, sikur të më ndiqte dikush me shkop, vrapin
tek agjensia e udhëtarëve për të zënë "Satën" (epo kështu thoshim për
autobuzin atë kohë). Preva biletën dhe, tek hipa në "Satë", ndiqja
nga xhami tërë mjedisin që,pak nga pak, po bëhej si një qilim me motive
laramëne: pemët ngarkuar lule,kurse bari sikur po buiste. Unë e kisha
humbur fare, aq sa gati po harroja që, krejt befas, po vija drejt shtëpisë.
Malli më kish marrë dhe, tek mendoja, që për një javë do
isha"lëmë, o Zot, të rroj", qeshë bërë çakërrqejf. As nuk do
ngrihesha në pesë të mëngjesit për fizkulturën e mëgjesit; as do vazdoja me
veprimet e tjera: stereotip! 45 minuta studim (për të rifreskuar mësimet çdo
mëngjes), mandej 6 orë të mira mësimi e të tjera e të tjera. Duke bluar në
mokrra këtë stereotip rutinë, befas pashë nga jashtë që kisha mbrritur në
Vajkan, mu tek çezma. Këtu zbrisja dhe, mandej, hyja në oborrin e kishës dhe,
përmjet një rrugedhishë, çaja përmjet pyllit të Vajkanit (ky aso kohe qe jo
vetëm shekullor,por dhjetra e dhjetra hektarësh). Kur them qe, se sot ky pyll
shekullor nuk ekziston. E shkulën për dy
ditë dhe e kthyen në hiç. E shkulën jo "hordhitë" e Atilës (për këtë
në histori ka mbetur postulati: "Ku shkelte Atila, nuk mbinte më bari"), por turmat e pas viteve
nëntëdhjetë në emër të "zhbërjes". Duke shkruar kështu, jo vetëm dua
të jem i drejtpërdrejtë, por jam i obsesuar dhe i mallëngjyer për atë pyll që qe si një mushkëri gjigande që filtronte ajër të pastër për gjithë atë
mjedis me gjelbërimin e përhershëm të tij. Pra, hyra në oborrin e kishës,
kalova pranë dyqanit ( ky dyqan me
reciprok u shërbente rreth 6 fshatrave të zonës) dhe, tek hyra në rrugën e
dhive mes pyllit (duhet të ecja rreth 1km përmes pyllit), qeshë i kalmendur.
Kur je në qejf, zë e shpreh dëshira të
bukura. Kështu ndodhi dhe me mua. Ah,- thosha unë, sikur ja të vijë ajo Verorja
e "Vesho" Agait për në dyqan dhe të takohemi këtu, mes pyllit. Mes
pyllit,- thosha unë, se nuk kish ditë që nga fshati im mos çanin
mes kësaj rruge dhishë bashkëfshatarë të mitë: çonin në dyqan mallra (sidomos vezë apo leshë) dhe
blinin o sheqer, kripë, vajguri. Vërtet që vinin, por më shumë gra të moshuara
apo burra. Se nuset e vajzat rrallë zbrisnin përmjet pyllit, se i "hante
ujku". Unë këtë e dija mirë, por qeshë në qejf, or tunjatjeta. Dhe, kur je
në qejf, hesapet i bënë pa pyetur hanxhinë. Tek prijsa atë Veroren,( moshatare
me mua kjo) dhe mend po ia thërrisja këngës, befas dha ballë Alimeja e
Shefitit. Kjo qe edhe më e moshuar nga ime ëmë dhe, kur më pa, më hodhi duarët
në qafë dhe pllaq-plluq më puthi në faqet. Epo qe zakon nga anët tona dhe, tek
ndjeja buzët e Alimesë, i zhdrroja me
ato që do shkëmbeja me Veroren. Po ku Alimeja dhe ku Verorja. Hane Sham, hane Bagdat! Teto
Alimeja zbriste drejt dyqanit dhe unë bëja
përpjetë. Sa lashë pyllin, dola
në breg. Që aty (bregu ka të njëjtën lartësi që ka ajo kodra dominuese ku është
vendosur manastiri historik i Ardenicës (për ta bërë pak më të prafërt mjedisin gjeografik të kohës). Pse
ka një lartësi të tillë, që nga bregu shikon si në pëllëmbë të dorës gjithë
fshatin. Kështu ndodhi dhe me mua. Dola
në breg dhe, si u mbusha mirë e mirë me frymë, i ndeza motorët e marshimit. Më
duhej që, mbasi të zbrisja njëmalore prej dy km, po aq për t'u ngjitur pjesës
tjetër të fshatit,se mu në një kodër të tillë e kisha shtëpinë. Ne kishim
ardhur nga Skrapari dhe na pëlqenin "lartësitë". Kështu, them unë,
instikti i maleve e ka bërë timatë që ta ngrejë shtëpinë në një kodër të lartë:
si pikë trigonemtrike nga ato të ushtrisë. Po me atë qejf që kisha, ku më hynin
në sy ato 4 km në atë terren aq të thyer. Nuk ecja, po sikur vrapoja. Putrat e
këmbëve sikur binin mbi supe.
* *
*
Kur sosa
tek "bregu im", së pari kalova tek kasollja e bagëtive (kjo qe nja
njëqind metra larg nga shtëpia) dhe, kur lashë kasollen, u përballa me mikun tim "Tukun". Ky lehu tërë
gëzim dhe gati më rrëzoi kur më hodhi
putrat e tij të ngrohta mbi supe. E kisha rritur vet dhe,sa vija me pushime, ai
nuk ndahej as ditës dhe as natës. Tërë
verës unë i kaloja netët me dhëntë. Pas"
Tukut", nëna dhe të tjerët më pas. U çuditën me ardhjen time të beftë, po
kur tregova ilaçet, atëherë filloi dhe kujdesi i posaçëm. Po ky "kujdes" as që
zgjati as dy ditë. Qumështi i ngrohtë dhe,ca më shumë ngrohtësia familjare,
qenë ilaçi mbi ilaç. Mbas dy ditësh,qeshë bërë qiqër dhe fillova të
"vërvisja pleshta". Kjo të "vërvisje pleshta", nuk është
shprehje ime, por e një miku tim të
ndjerë,tashmë, Lake Tafës nga Petova (unë kam thënë:-Jam
nga Petova e Fierit). Ky, miku im i ndjerë, kur shihte që nuk rrije urtë,
thoshte:- Po vërvit pleshta! Po. Kështu ndodhi.
* *
*
Ditën e
tretë të "iozolimit " tim, unë dola për "gjah". Do t'i bija
fshatit kryq e tërthor. Tek lashë shtëpinë ("Tuku" as që më ndahej), thashë një rrugë e dy punë. Po qëndroj tek mullarët. Atje, si
merakli që kam qenë pas dhënëve, po mbush dhe një thes me kashtë tërshëre. Për
ata që nuk e njohinkashtën, u them: kashta e tërshërës është më e butë se sa e
grurit. Dhe, kur këtë kashtë e përdor për shtroje për bagëtinë (unë merakun dhënëve kisha), është njësoj sikur po fle në dyshek të mbushur me leshë krahasuar me ata që flenë në
dyshek të mbushur me lecka. Do ta mbushja me kashtë tërshëre, por ne nuk kishim
mullar të tillë. Vetëm "Vesho"
Agai kish të tillë. Po hajde ta ndreqje me të. Ju do thoni se kush qe
ky"Vesho"Agai. Me pak fjalë, po ju tregoj. Ky qe një burrë kaba (unë
i thosha karabina), me ca veshë të gjatë (gjëkundi as kam parë të tillë), mu si
parafango makine. Pse i kishte kaq të gjatë veshët, pa i kish mbetur "Vesho". E sa
për atë "aga", kështu thirren gjithë burrat. Ky lloj
"agallëku" është si punë përkëdhelie,se as mos kujtoni se kishte
prona. Po kishe nuk kishe prona,aga më ishe
dhe të ma mbaje me shëndet. I kishe poturet me andra a ca më keq: të grisura,as që pyeste kush.
Agallëku nuk të hiqej. E sa për "Veshon" me veshë të mëdhenj, u them
që emrin e kishte Rexhep. Po Rexhepi sikur kish vdekur dhe njerëzia sikur çlodhej
me këtë paranomin" Vesho". Ky "Vesho" agai na qe dhe bekçi
i fshatit dhe zor se u shpëtoje syve të tij. Hall i madh. Thesi po më ngelte në
dorë. Tek po mendoja që të dalë ku të dalë, se, dhe po t'më zinte
"Vesho" agai tek mullari, mund të më falte se unë vija nga
"kasabaja e largët", kur ndjej lehjen e një qeni. Pashë
"Tukun" që zuri "pusinë" dhe, kur njohu "armikun"
që vinte duke lehur, u ngrit në këmbë dhe sulmoiga "armiku". Qenë
komshi dhe i kishin pjekur urat më parë. Unë hodha sytë dhe shoh që pas
qenit"armik" dha ballë Verorja. Verorja e "Vesho" agait.
Eh, sa e kisha ëndërruar për këtë, Veroren. E kërkoja në qiell dhe e gjeta në
tokë. Po kur thonë që nuk ka Perëndi? Po
Perëndia lart është dhe poshtë shikon. Mban shënime për dëshirat tona.
Pse ndodh kështu,pa erdhi Verorja.
Verorja qe moshatare me mua. Sa herë takoheshim, më puthte në dy faqet,
duke e shoqrëuar me fjalët.- Të keqen motra ty. Epo të keqen "motra"
ty, qe si fillim... se, pastaj, unë zura
"vërvisja pleshta". Epo motër nuk e kisha. Se unë kisha tri
motra dhe, kjo, Verorja, sado më thoshte "të keqen motra", si tjetër
motër më dukej. Ja, dhe tani, sa mbrriti pranë meje, pllaq-plluq dhe më puthi
në të dy faqet dhe, tek do shkëputej nga unë,siç kish ndodhur zakonisht, këtë radhë si
i "izoluar" që qeshë, sikur e mbajta dhe ca më shumë pranë vetes. Kur
e pa, që takimi u zgjat, e mbuloi të kuqtë dhe gati po dridhej. Unë aq harbut nuk qeshë, sa të mos e
lëshoja, por sikur i shtova ca si shumë "pleshtat". Si për të
shpëtuar nga ky gërç i madh, më pyeti:- Po kur ke ardhur dhe sa do rrishë.
Në vënd t'i përgjigjesha, duket dhe vet qeshë bërë si kungull i pjekur, i
them:- Verore, dua içikë kashtë tërshëre për t'u shtruar shqerrave ( i kishim
ndarë nga dhëntë). -Po
thesin ta mbush motra,-tha pa të keq. Ma mori thesin nga dora dhe shkoi nga
mullari. Unë mbeta si hu gradhi aty afër
dhe hamendësoja: të shkoj apo mos shkoj. Po dhe të shkoja,sos se do bëhej
kiameti. Se Verorja më kish vëlla. Vëlla,- thoshte ajo,- po
unë ama trapsija pak larg. Sos se qeshë ai Halili i atij ciklit të kreshnikëve që thoshte:"
tan çikat e Jutbinës ku janë/ bash si motra po më duken/. Jo, mor babaxhan,
Verorja nuk qe motra ime dhe pikë. Kështu mendoja, po , mbasi ma mbushi thesin
dhe do ndahesha me të, i them:- Verore, të faleminderit! Ua,- bëri ajo,- po të
vish prapë nesër se ta mbush motra dhe
prapë "pllaq-plluq", po në faqe ama. Iku, pa e kthyer kokën pas dhe
pa më parë që unë i kisha "lëshuar pleshtat" andej nga shkonte ajo.
* * *
Ditë e
re, nafakë e re. Unë thesin në dorë dhe, vjedhurazi syve të atyre të shtëpisë,
u fsheha pas mullarit. "Vesho" agai
e kapërceu atë rrugën ,sa hante syri, dhe tani prisja të vinte Verorja.
"Motra". Qeshë zotuar:do ta puth. Do t'i them: të dua! Në më thotë
dhe motra të do, do "vërvit pleshta":-Jo, nuk të dua si motër. Se unë
kisha "nxënë" kaq. Sos se kot nuk vija nga kasabaja. Dhe vërtet ja
tek po vinte. Hodhi sytë nga vëndi ku u takuam një ditë më parë dhe, mënd i
ngadalësoi çapat kur nuk më pa. Po unë dola ballas,sa të më shihte, dhe, kur më pa, u fsheha
pas mullarit. Kur erdhi aty, më hodhi uartë në qafë dhe, tek zgjatej të më
puthte faqet hasi në një befasi që nuk e
priste. Unë e rroka me të dy duarët, e tërhoqa nga vetja dhe e putha në buzë.
Ajo u mundua të çlirohej nga kulari i duarëve të mia, por, kur pa,që qeshë i
vendosur, tha:- Të keqen motra, do na shohin. Po unë tani nuk pyesja më. E putha sa u kënaqa. Ne u
takuam dhe tri ditët e tjera dhe ditën e fundti as që më kundërshtoi më.. Më
dha fjalën se do më priste (qysh do
bënte deri në qershor) dhe unë, i shëruar plotësisht, nga ai infeksion akut, i
çmallur paksa me të mitë dhe i mallur aq shumë me Veroren, u ktheva në konvikt. Kur u ktheva
për pushimet e verës (unë kisha marë maturën), sa u çmalla me të shtëpisë dhe
vrapin andej ku qenë mullarët se ndoshta
vinte "motra", Verorja. Prita më kot,se siç më tha, një vërsniku
im, "Vesho" Agai e kish martuar Veroren. Asi kohe ne ikëm
nga fshati dhe unë nuk e takova kurrë më . Po ja që vjen një kohë, vërshojnë kujtimet dhe, kapur
në rrjetën e këtyre asocioneve të
largëta, ndjen që emcionohesh sikur ndodhin tani.
Tiranë,
24 mars 2014