E merkure, 19.06.2019, 02:03 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Një (Car) Dushan mbi Vardar...

E hene, 09.12.2013, 08:05 PM


Një (Car) Dushan mbi Vardar...sa një gic që zhgërryhet në llucë e ugar!

Nga Elvi Sidheri

-“E ç’na bëri ai Dushani i ngratë se ia vunë një palo statujë në mes të Shkupit, tek ajo ura skizofrenike e dhjetëra “personaliteteve” të monumentizuar si përfaqësues të denjë të maqedonizmës “sllavo-antike” përmbi ujërat e Vardarit të bukur që ndan në dysh etnikisht, botëkuptimisht, gjuhësisht dhe fetarisht një kryeqytet të tërë”!

...Asgjë prej gjëje në fakt nuk na bëri, se tjetri ka 600 vjet që i ka ngarkuar mushkat për botën tjetër, por statuja e tij aty mes një qyteti ku banojnë 100 e ca mijë shqiptarë, duhet të shqetësojë dhe revoltojë (besoj unë) seriozisht ndokënd, se ndryshe, pikëpyetje të forta dhe shumë të thella do të lindnin dhe ngriheshin lidhur me arsyen e pranisë së elementit të shumtë numerik shqiptar në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Për të thënë të drejtën pushteti tashmë 7 vjeçar nacionalisto-megalloman statujë-ndërtues, histori-fallsifikues dhe personalitet e identitet-vjedhës i VMRO-DPMNE-së së atij që e kam pagëzuar prej kohësh si “Vojvoda kryeministër”, më kishte mësuar me lëvizje të papritura.

Lëvizje që shpesh e më shpesh, po arrinin kufij të paimagjinuar lajthitjeje historike dhe shkencore.

Një këndvështrim i tyre, që synonte dhe synon, që këdo njeri të njohur, të lindur apo i cili të kishte shkelur sikur edhe kalimthi disa orë, në ndonjë vit apo shekull të shkuar nëpër territorin e IRJM-së aktuale, t’a shpallë menjëherë, katërcipërisht si “figurë e lartësuar përfaqësuese e MAQEDONIZMËS”, me gjasa të forta për t’u transformuar në monument, diku në ndonjë kënd a cep të qendrës së tejngarkuar (nga statujat)...të Shkupit.

Por sido që të jetë, kur dëgjova se edhe Car Dushanin, këtë serb vrastar, shtypës dhe përgjakës të popujve të tjerë ballkanas (jo vetëm të arbërve që ranë me shumicë nën zgjedhën e zotërimeve të tij, por edhe të bullgarëve, vllehëve dhe grekëve)...e patën sjellë “tinzash”, natën për hënë, si me “urdhër të peshkut”, pa njoftuar, pa ceremonira dhe prerje shiritash të zakonshme për këto lloj evenimentesh solemne (ku do pritej të shihnim Vojvodën kryeministër të IRJM-së teksa do na zgërdhihej krah homologut të tij fytyrë-kungull...Daçiç)...sinqerisht u habita!

Na lanë sërish pa fjalë qeveria “largpamëse” e IRJM-së dhe “mendimtarët” e mëdhenj që e shtyjnë atë përpara drejt statujave dhe monumenteve të rinj, falë delirit të tyre të cilin  e përhapin përditë sa në katet e larta qeveritare të Shkupit, aq edhe në popullin sllavisht-folës që qëndron me votat e tij besnike pas saj!

Shprehja e njohur shkodrane, e përdorur rëndom në këto raste idiotësie dhe grotesku të pashërueshëm...:”A je i marrë...a shtihesh”?...brenda kësaj situate, duket të jetë si kurrë më parë me vend.

Po Vojvoda dhe partia e tij, siç duket edhe ata njerëz që e votojnë rregullisht prej 7 vjetësh, nuk është se shtihen, apo bëjnë sikur, por të marrë janë me të vërtetë, hamendësimet e tjera, janë të tepërta!

Shprehja tjetër e njohur italiane...:”Ci e o ci fa”?...(kështu gomar është me të vërtetë, apo bën sikur?)...po aq trupësohet më së miri në kornizën e psikologjisë kleptomane dhe ordinerisht mashtruese të filozofisë jetësore, të motorit lëvizës ose të “modus operandi” që praktikon rregullisht qeveria e IRJM-së dhe Vojvoda i cili e drejton atë prej kohësh.

Vend për t’u ndjerë shumë të surprizuar, nga kjo “dhurata” e rradhës e Vojvodës, nuk ka pra!

Ç’të bëjmë më tej se?

Se pashë në lajme, që një grumbull i acaruar shqiptarësh (duan të thonë edhe Ministri i Ekonomisë në qeverinë e Vojvodës, një deputete simpatike shqiptare, kryetari i Komunës së Çairit dhe të tjerë burra e gra), morën çekiçër e varé në duar dhe me t’u shfaqur hëna në qiellin mbi-Shkupas, me të rënë errësira që fsheh trajtat trupore dhe ndez pasionet mendore, ia behën së toku para Car Dushanit të statujëzuar e t’ia nisën pastaj me vrull të madh “bam e bum”...bjeri...t’i biem apo siç thotë populli “fut e bjer” mbi trupin prej gipsi (ose bronzi se nuk e di mirë materialin me të cilin e kanë bërë) të Carit mesjetar serb.

U thye gjë statuja e Dushan Carit...do thoni ju?

Jo ore, material i fortë paska qenë!

Ose siç thotë edhe njëherë ky populli që na ka lënë thesare të vërteta përsa i përket këtyre shprehjeve ilustronjëse të rasteve të tilla...”Nuk bie rrufeja në HALE”!

Dhe nuk ra prapë!

Dushani nuk pyeti për çekiçët dhe varetë e shqiptarëve të irrituar, iu thyen disa pjesë, por shtatorja i rezistoi me sukses sulmit të (ç)organizuar të bashkëatdhetarëve tanë nga Shkupi.

O ç’do jenë duke fërkuar duart në Beograd tani!

-“Këta albanacët, as si statujë s’e thyen dot këtë Carin tonë”!

Si thoni juve lexues, lihet me kaq dot kjo punë?

Atë kokërr e rrotë Cari (Dushani...mos të mendojë njeri për keq please!)...sipas meje, shqiptarët e atyshëm, mund t’a lajnë në vezë të prishura dhe gëlboqe, po të mblidhen e të bëhen bashkë!

Pra zgjidhje ka!

Po të jetë se sllavët e IRJM-së, pasi ose janë velur, ose nuk gjejnë më çfarë të vjedhin nga personalitetet dhe historia e fqinjëve...kanë vendosur që të kërkojnë edhe njëherë “azil” ose pse jo...edhe “birësim” tek njerku serb në Beograd dhe për një shkak të tillë, kanë pranuar “udhëtimin” e Car Dushanit për në qendër të Shkupit, atëherë ky është një problem ekzistencial i tyri dhe i qënësisë së brishtë nacionale që ata ende nuk kanë ditur të ndërtojnë.

Çështja qëndron diku tjetër.

Po sikur një ditë prej ditësh, po tek ajo urë mbi Vardar, t’ia dojë truri Vojvodës dhe akademikëve trumbytur maqedonas, që të vendosin edhe statujën e Millosheviçit?

Edhe atë mund t’a sjellin “papritur e papandehur”, t’a bëjnë po njëlloj fakt të kryer.

Në mos përmbahen me Millosheviçin (i dënuar ndërkombëtarisht tjetri)...fare mirë mund të “importojnë” ndonjë monument Karagjorgjeviçi mbret Jugosllavie, sipas të njëjtës vijë mendimi (Dushani pati shpallur Shkupin kryeqytet  të tij pasi e kishte pushtuar nja 600 vjet më parë, Karagjorgjeviçët dhe Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve që ata drejtonin, po ashtu e patën pushtuar Shkupin pas shpërbërjes së pjesës së mbetur ballkanike të Perandorisë Osmane në fillimshekullin e kaluar).

Si do të tingëllonte për shqiptarët në ndërkohë një gjest tjetër i këtillë?

Mirë nuk besoj!

Kur nis e bëhet udhë diçka, ec t’a ndalësh pastaj, për këtë nevojitet që disa provokime të frenohen që në gjenezë të tyre.

Kur sllavët që vetëquhen maqedonas, çuan delegacion të tyrin pranë Papës në Vatikan në vitin 2003, me rastin e ceremonisë për lumturimin e Nënë Terezës, sikur të qe duke u bërë fjalë për ndonjë bashkëpatriote të tyre, shqiptarët rrudhën turinjtë, u bënë pak me nerva, por e lanë të kalonte pa ndonjë zëngritje të veçantë.

Pak vite më tej, anës Bulevardit “Makedonija” dhe pak metra nga stacioni i rrënuar i vjetër i trenit në Shkup (aty ku ende na gjëmojnë fjalët e Titos...”Скопје ќє го градиме...”Shkupin do t’a ndërtojmë”...dhe atë bënë vërtetë pas tërmetit të viteve 60-të, e ndërtuan mbi rrënojat e një qyteti predominueshëm shqiptar...duke e mbushur përdhunshëm më sllavë nga çdo anë, më qëllim të ndryshimit të strukturës demografike)...pak hapa të tjerë nga godina e parlamentit të IRJM-së, u shpik nga asgjëja, një “Shtëpi e Nënë Terezës”.

Shtëpi pa formë, pa kuptim, pa përmbajtje, pa shpirt, pa kurrëfarë gjëje që mund të të lidhi realisht me figurën dhe ndritësinë e dhimbshurinë e kësaj shqiptareje të lindur në Shkup.

Shtëpia e ashtëquajtur e Nënë Terezës, mua më është dukur si pjesë e fantazisë fëminore të ndokujt (arkitektit) që ka lexuar me ëndje në vegjëli (dhe vazhdon t’a bëjë akoma, pasi në atë farë stadi zhvillimor për nga intelekti ka mbetur)...”Lizën në botën e Çudirave”!

Si shtëpi përrallash më ka ngjarë.

Ja që Nënë Tereza nuk ka qenë aspak ndonjë personazh përrallash se!

Kështu që me jetën dhe mbi të gjitha origjinën, gjakun dhe gjuhën e saj të nënës, nuk mund të shpifet e spekullohet sikur të flitej për ndonjë përrallë popullore, të Andersenit  apo Vëllezërve Grim.

Nënë Tereza nuk është as Hirushja, Borëbardha apo Rapunzeli majë kullës me flokët e gjata.

Përrallat pikësëpari janë pikërisht tregime të krijuara dhe të treguara brez pas brezi nga gjindja, derisa dikush merr mundimin t’i mbledhi dhe t’i hedhi në kartë e me to të bëjë një libër.

Mbi përrallat mund të supozohet, të flitet, të diskutohet, të pikpyetet, të ngrihen edhe dyshime dhe të ndryshojnë personazhet, emrat dhe origjina e tyre, se prapë përralla (për fëmijë) mbeten.

Mbi njerëz të vërtetë, që ndër të tjera, pak vjet më parë kanë ndërruar jetë, nuk mund të përhapen dezinformata pafund, të mashtrohet dhe të krijohen legjenda pa asnjë lloj themeli, siç është bërë dhe vazhdon të bëhet qëllimisht nga qarqet pseudo akademike dhe nacionaliste maqedono-sllave.

E duan aq “shumë” Nënë Terezën, sa vendit ku ka qenë shtëpia e saj reale, aty ku ajo grua e madhe ka lindur, i kanë lënë përsipër vetëm një pllakë shkel e shko e sa për të thënë.

Ndërkohë që tjetërkund, përveç shtëpisë fantomatike të “Lady Gaga-s” (Kyќata na Majka Tereзa...Shtëpia e Nënë Terezës që ju thashë më lart)...se si veshjet dhe trukimi i këngëtares në fjalë më duket konstrukti dhe stili i asaj ndërtese, po thuhet se sllavët maqedonas do ngrenë edhe një super-statujë qiell-synuese 30 metërshe po të Nënë Terezës diku tjetër në qytet.

Spitalit i kanë vënë (duke kopjuar Tiranën) emrin e saj...në formën sllave gjithmonë dhe neve si shqiptarë, kudo që të jetojmë, me cilëndo qeveri, të majtë apo të djathtë të qeverisemi, i biem legenit e kështu sllavët e Maqedonisë duket sikur na thonë me të drejtë, duke vërejtur me symprehtësi ngathtësinë dhe mosndjerjen tonë...”Bjerini se i bini bukur”!

Të mos ishte se ajo grua e shenjtë me gjak shqiptar, është shprehur personalisht sa herë ka mundur për përkatësinë e vet kombëtare dhe gjuhën e saj mëmë (shqipen), të mos qe për origjinën e saj shqiptare katolike nga Prizreni...e të mos ishte edhe për Vatikanin që nuk mashtrohet aq lehtë nga sajesat injorante të Shkupit dhe qeverisë së tij, atëherë sllavët maqedonas, do kishin krijuar tashmë një terren të mirë për pretendimin e tyre jetëgjatë, lidhur me Nënë Terezën.

Siç për shembull ia kanë dalë që në krye të kishës katolike të Maqedonisë, të vendosin një klerik sllav (nga një seksion i papërfillshëm maqedono sllavësh nga IRJM-ja lindore, që duke praktikuar ritin oriental ortodoks, njohin për të parë të kishës, sidoqoftë Papën në Romë) dhe duke i detyruar në këtë mënyrë qindra familjet katolike shqiptare të Shkupit, të drejtohen dhe meshohen nga një sllav në sllavisht.

Pjetër Bogdani, peshkopi heroik, lideri shpirtëror, fetar dhe kryengritës i shqiptarëve të Shkupit e Kosovës qindra vjet më parë, dyshoj fort ndihet mirë aty në parajsë ku me siguri i prehet shpirti në përjetësi.

Po e mbyll tani me një shprehje të njohur, por të cilën do e kthej mbrapsh për t’ia dhënë më mirë kuptimin asaj që shtjellova më sipër...pra që në Shkup “qimja nuk po bëhet tra”...por “vetë ky trau, po na bëhet qime”.

Ngjarje e ndodhi të cilat do duhej të trondisnin thellë opinionin mbarëshqiptar dhe jo vetëm atë lokal të banorëve shqiptarë të IRJM-së dhe kryeqytetit të saj, po relativizohen dhe zvogëlohen e kalohen në heshtje si të ishin gjëra normale...



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT