Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Armë kimike 3
E hene, 18.11.2013, 09:10 PM
Armë kimike
3
Nga Elvi Sidheri
Kaluan
protestat, kaloi sheshi i mbushur me të rinj, kaluan thirrjet shpesh edhe me
theks dhe përmbajtje apokaliptike në Facebook, kaloi fjalimi i gjatë demagogjik
i kryeministrit (“Laviret e bulevardit” u zëvendësuan me “Derra”) dhe qetësia
ra sërish në të bukurin vendin tonë të bekuar nga Perëndia me natyrë, male, fusha
e kodra, liqene e lumenj, detëra e maja të larta tërë pyje e gjelbërim, por të trajtuar
nga dora njerëzore, si kryekoshin e mbeturinave të këtij kontinenti ku banojmë edhe
ne shqiptarët.
Është kjo
pa as më të voglin dyshim, pyetja më retorike e mundshme, pasi të fituar ka
shumë, të gjithë praktikisht, bashkë me kryeministrin të cilit i ra barra e rëndë
(edhe po të qe ofruar vetë për këtë shërbim ndaj aleatit të madh, siç thonë gojët
e liga)...që të mbajë mbi supet e tij 2 mujore (foshnje praktikisht sa i përket
pushtetbërjes dhe pushtetmbajtjes, kur edhe pushtetmarrjen e siguroi falë aleatit
politik më të padashur dhe të luftuar me mish e me shpirt përgjatë viteve të tëra)...peshën
e një vendimi si ai që na deklamoi të premten e kaluar.
2 milionë
e tetëqindmijë banorët e Shqipërisë dhe 1 milionë e gjysëm të tjerët që aty kanë
lindur dhe që prej vitesh jetojnë jashtë mëmëdheut të tyre tashmë përfundimisht
të sigurt pa armë kimike të tjetërkujt, janë të gjithë pra papërjashtim, vetëm
fitues në këtë betejë të opinionit publik dhe shoqërisë civile, kundër importit
të armëve kimike siriane.
Import
dhe vendim që siç u pa qartazi, ishte fare i
padiskutuar me asnjë qytetar të këtij vendi më parë nga ana e qeverisë.
Të tjerat
janë veçse fjalë në erë, gojë që futen në punë, përpjekje për të nxjerrë përfitime
politike aty ku nuk del gjë, ngjyrë që tentohet partiakisht t’i kalohet përsipër
me shpejtësi dhe pa bindje apo argumenta qënësorë, murit tek i cili shqiptarët
pa dallim, shkruajtën të gjithë një refuzim të madh jo vetëm ndaj këtyre armëve
kimike të Asadit, por edhe ndaj kujtdo që do të vendoste për fatin e tyre dhe
brezave të ardhshëm, pa marrë as edhe mundimin më të vogël t’i pyesi njëherë sikur
edhe sa për të thënë!
NATO nuk
na e kishte kërkuar absolutisht dhe kjo u sqarua pa ekuivok.
Luftën në
Siri nuk jemi neve që e kemi shkaktuar ndërkohë, Asadin s’e ka vënë në pushtet
Shqipëria, kundërshtarët e tij s’i kemi shtyrë ne që t’a luftojnë diktatorin e
as që të kryejnë edhe më tepër krime lufte sesa ai vetë që kur ka nisur ky
konflikt që duket të ketë zënë mat një botë të tërë, duke përfshirë këtu edhe
dy fuqitë e mëdha, SHBA-në dhe Rusinë që tenton të ngrihet sërish në lartësinë e
BRSS-së së dikurshme.
Amerikanëve,
aleatëve dhe miqve tanë më të mirë, nuk u tha njeri JO, as qytetarët e lirë shqiptarë
që kishin ditë që e gdhinin para kryeministrisë dhe që ngrinin zërin e protestës
anembanë vendit...e as edhe vetë kryeministri ynë i zgjedhur siç vetë nuk
harron të na e kujtojë sa herë mundet, me 1 milionë vota “shqiptarësh të mirë”,
por që në atë post edhe vënë kushtetueshmërisht, edhe që të përfaqësojë po
ashtu ata 700 mijë derrkucët apo gicat që s’e patën dëshirën dhe zgjedhjen e
lirë që t’a votojnë, si dhe shumëqind mijë të tjerë, që nuk kanë votuar fare për
askënd.
Kryeministri
në logorenë e tij karakteristike (jo se ai paraardhësi, fliste më shkurt dhe me
më tepër kulturë komunikimi sidoqoftë)...na tha neve shqiptarëve dhe mbi të gjitha
miqve tanë amerikanë, se ai vetë dëshironte megjithë shpirt, që të thoshte një PO
aq të madhe sa brenda saj të hynin jo vetëm 1290 tonelatat e armëve kimike të Asadit
(se pale me to siç na sugjeroi një deputet gjatë protestave, mund të lanim edhe
duart pastaj, si të qe sapun)...por edhe uraniumi i pasuruar (për armë bërthamore)
i Iranit e pse jo, edhe bombat bërthamore të Koresë së Veriut!
Keni
ndonjë gjë shfarosëse (armë kimike, gaz vdekjeprurës të çdo lloji, pajisje bërthamore)
ore regjimër diktatorialë të këtij planeti?-Silleni tek ne se kemi vend stokimi
sa të duash (uzinat e kohës së monizmit, tunelet nëpër male e shkëmbinj
bregdetarë), opinion publik fare, njerëz që t’a çajnë kokën për atë që dikush
me sado pushtet të vendosë për fatet e tyre, edhe ashtu nuk kemi, prandaj
jepini se na keni gati!
Amerikanët
siç pamë dhe dëgjuam, pasi jetojmë për fat në një botë të globalizuar dhe të pranishme
po aq në rrjetin global të internetit, sa edhe në realitetin jo-virtual, këtë kërkesë
ua kishin bërë shumë vendeve, mes tyre edhe ne.
Të tërë deri
tani, janë përgjigjur si ne!
Mos u
armiqësuan edhe norvegjezët dhe belgët për shembull, me SHBA, për shkak të këtij
refuzimi nga ana e tyre?
Mos do
quhen tani ata shkaktarë të ngecjes së zgjidhjes së luftës në Siri, për shkak të
këtij vendimi sovran të qeverive të tyre demokratikisht të zgjedhura nga popujt
e atyre vendeve gjë?
Është e
thjeshtë të kuptohet, që si norvegjezët e si belgët, kanë qeveritarë që e dinë shumë
mirë se çfarë kapacitetesh kanë vendet e tyre për të marrë dhe stokuar në rastin
më të mirë, apo edhe më tepër, për të asgjësuar brenda territorit të tyre, armë
më një fuqi shfarosëse kaq të madhe.
Belgjika
ndër të tjera është një vend gati po aq i madh sa Shqipëria (30 mijë kilometra
katrorë) dhe me një popullsi dhjetë milionshe, pra me një densitet banorësh
shumë më të lartë se vendi jonë, ku do të ishte e pamundur të plotësohej edhe
një kriter i vetëm sa i përket stivosjes dhe procedurave të tjera që kanë të bëjnë
me armët kimike.
Norvegjia
mund t’i çonte armët e Asadit në arqipelagun e largët dhe të ngrirë Shpitzbergen,
të banuar shumë pak, me tepër borë dhe faunë polare, ashtu si edhe minerale të shumta,
por dyshoj që qytetarët tejet ambientalistë norvegjezë, do t’a kishin lejuar
ndonjëherë të ndodhte një gjë të tillë.
Çdo vend
sovran ka rregullat e tij, kriteret e detyrueshme mjedisore për të zbatuar dhe
mbi të gjitha, kur bëhet fjalë për vendime kardianale, që lidhen me të ardhmen,
mirëqënien dhe jetët e gjithë banorëve të vet, atëherë populli merret në konsideratë
dhe çështje të tilla, në rradhë të parë diskutohen gjerësisht, bëhet fushatë ndërgjegjësuese
lidhur me shkaqet dhe arsyet, të mirat apo të këqijat, ”Po”-në apo “Jo”-në, përfitimet
apo ato humbjet që burojnë nga diçka e tillë.
Kur
mbizotëron hutimi, terri, heshtja dhe fshehtësia apo mbyllja e qëllimshme e gojës
nga ana e atyre që duhet të flasin dhe të sqarojnë popullin e vet, atëherë nisin
legjendat urbane, zmadhohen gjërat, flitet për apokalips kimik, fillon frika e
përgjithshme nga ndonjë incident shfarosës me përmasa biblike, dalin njerëzit në
protesta, rrethohet paqësisht kryeministria, ka fushata mbarëpopullore në kërkim
të “JO”-së dhe transparencës e gjëra të ngjashme.
Të themi
dhe mendojmë, se katet e larta të pushtetit tek ne, kanë llogaritur gabim aftësinë
reaguese të popullit të tyre, të cilin deri para pak ditësh (sidomos para të premtes
15 nëntor) e dinin pa këllqe, pa shtyllë kurrizore dhe pa zë, pa opionion të vetin
e pa kurajo për të protestuar qytetarisht, masivisht, pa dallim moshe, arsimimi,
shtrese shoqërore, bindje politike, krahine apo përkatësie fetare, kundër një vendimi.
Vendim për
të cilin, popullit (masës, turmës, votuesve, sovranit)...s’ia kishte vlerësuar
kush opinionin e vet apo marrë qoftë edhe formalisht, mendimin apo aprovimin e
nevojshëm.
Demokracia,
sovraniteti i popullit që bën qeverinë dhe institucionet falë votës së tij të lirë...këto
pra, nuk janë dhe kurrësesi nuk duhet të mbeten vetëm fjalë të bukura për t’u
thënë nëpër konferenca para të huajve, apo për t’iu hedhur si hi syve GJINDJES (të
cilën, aty lart në “Olimpin” e politikës, e shohin përherë, tani ndoshta më pak
të detyruar nga ngjarjet e fundit...si të pagdhëndur, injorante, pa opinion të pavarur,
si të marrëshme për hunde në çdo situatë, të manovrueshme dhe të patru)...sa
herë ndonjë lider politik, kryeministër, kryetar opozite apo parlamentar që zakonisht
mezi lidh dy fjalë bashkë, mban fjalimin e rradhës para mikrofonave të medias.
Me 23
qershor, e majta e bashkuar fitoi, e bëri këtë ndryshim me një ortek votash
popullore, ndokund (apo shumëkund siç thonë të mirëinformuarit jo vetëm
djathtas), këto vota edhe u blenë për pak lekë (të varfër shqiptarët, edhe kërkesat
i kanë të ulta), por një fakt i tillë i njohur, sadoqë i lënë në cep të vëmendjes,
sërish nuk mohon dot të vërtetën e një triumfi të madh të ish-opozitës dhe një tkurrje
madhore të së djathtës së majmur dhe përgjumur nga pushteti i gjatë.
Por më e
rëndësishmja dhe themelorja e 23 qershorit, përveç “shuplakave” dhe 1 milionë folklorizmave
të tjera harbute që këndon sot politika jonë (si “Luga në brez”e 45-ës, ”Çeku i
bardhë” i 92-shit, premtimet e majta të 97-ës apo “Duart e pastra” të 2005-ës),
qëndron në faktin, se banorët e fisëm të Shkodrës, sa edhe ata malësorët ose
fshatarët e varfër të Veriut, nga Puka në Dibër, nuk pranuan më që të trajtohen
nga e Djathta, si numra, si votues të verbëruar nga bindja e tyre kundrejt urdhërave
të Partisë dhe Udhëheqjes (PD-së dhe ish-liderit të saj 23 vjeçar).
As “gogoli
komunist” nuk funksionoi më, qoftë edhe tek shumë të djathtë 24 karatësh.
Ky ishte
ndryshimi i madh dhe epokë-shenjues i 23 qershorit.
Ndryshimi
politik, rotacioni (me gjysmën e qeverisë së shkuar akoma në pushtet)...”Rilindja”
e supozuar e gjëra të tilla, janë me interes dhe impakt shumë më të vogël për
zhvillimet e ardhëshme të vendit tonë, sesa kjo sjellje e mençur e votuesve të djathtë,
që i treguan partisë së tyre, se duhet t’i trajtojë me respekt, t’ua dëgjojë zërin
dhe t’i llogarisë si njerëz dhe jo numra pushteti.
Ngjarjet
që na shpunë ne të tërëve si banorë të Shqipërisë, deri tek 15 nëntori, ishin
stacioni i dytë, i këtij ndryshimi të padëgjuar, të jashtëzakonshëm, që nesër
vendin tonë, do t’a transformojë në një shtet më të mirë (më të sigurt dhe pa
armë kimike të satrapëve orientalë, tashmë jemi)...më të jetueshëm, vend ku
qeveria dhe kryeministri, sado vota të kenë marrë në zgjedhje, sado deputetë të
kenë në kuvend, sado të tillë të mund të blejnë kur ua do nevoja, sërish, nuk
do të vendosin dot më për jetët tona, kur pesha dhe pasojat e vendim-marrjes së
tyre, do të jenë kaq vendimtare për të ardhmen tonë të përbashkët.
Ç’do të ndodhte
po të kishte referendum ndaj një PO-je?
Do t’a
fusnim “kafshërisht” (shprehjet përhapen)...vendin në një referendum, që nuk
kam dyshim, se shumëkush, nga çdo krah, do të shfrytëzonte rastin, t’a kthente
nga një “Po” dhe “Jo” normale ndaj armëve kimike, në një mbështjetje apo
refuzim kundrejt aleatëve dhe miqve tanë amerikanë!
Krim më të
madh ndaj këtij vendi nuk do të kishte pasur!
Për fat që
gjërat (falë demonstrimit popullor të forcës së opinionit publik të pjekur dhe
të pavarur)...nuk shkuan deri aty!
Tani të gjithë
marrim frymë më të lehtësuar, si ata që gjendeshin në sheshe apo kush i mbështeste
me zemër (afër 90 %), ashtu edhe të tjerët që sot na flasin për pseudo-thyerje
me aleatin tonë që aq shumë ka bërë për të ardhur dita, kur pikërisht këtë kulturë
demokratike të tregonim hapur, të tërë ia kemi dalë mbanë, në një kontest ku
ajo që fitoi ishte vetëm Shqipëria!