E premte, 26.04.2024, 03:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Skenë e përgjakjes

E enjte, 24.10.2013, 08:12 PM


AJO NATË ISHTE SKENË E PËRGJAKJES

Nga: Ryzhdi Baloku

.... U dëgjuan ca rrapëllima, u duk sikur të ishte çarë dega e pemës në kopshtin e shtëpisë. Pas pak u dëgjua edhe një tjetër rrapëllimë, më afër, diku në oborr. Sokoli u ngrit nga krevati e u nis kah dritarja, hapi perden duke e larguar anash vetëm aq sa t’ia zinte fytyrën për ta afruar te xhami. Nuk iu besonte syve. Mos vallë jam në ëndërr ? ! - mendoi më vete. Pasi i fërkoi sytë me pëllëmbët e duarve, u afrua përsëri të shikojë jashtë. Çfarë me pa ! Tërë oborri ishte mbushur me milicë të armatosur me pushkë e automatikë. Në mesin e tyre ishin edhe disa të tjerë me veshje civile, e që dihej se ishin udbashë, ngase secili prej tyre e kishte revolen në brez e cila iu shihej prej së largu.

- Po këta bijë bushtrash çka lypin këndej ? ! – foli Sokoli me një zë pëshpëritës.

- Çfarë ke or njeri që po flet vetë më vete ? – e pyeti e shoqja Zoja.

- Na u ka mbushur oborri me milicë e udbashë! - iu përgjigj ai me zë brengosës.

-  Çfarë po thua or njeri ? - ia ktheu ajo.

Ai nuk foli më, por menjëherë nisi të vishej. Doli nga dhoma e mësyu shkallëve teposhtë. Me të dalë në oborr, iu afrua njërit prej milicëve që ishte më afër dhe e pyeti:

- Shoku milic, kënd po e kërkoni ?

- Po e kërkojmë Trimin, - ia priti ai me një ton kërcënues.

Sokol Malësorit i regëtiu zemra kur milici ia përmendi emrin e të birit. Nga sikleti nuk diti çfarë të bëjë, pos ta alarmonte prezencën e tyre, prandaj bërtiti me të madhe:

- O Zojë-o jemi rrethuar ! Këtë e bëri me qëllim që ta zgjonte Trimin, që mos ta befasonin fjetur.

Me të dëgjuar këtë britmë, Trimit i doli gjumi dhe aty për aty me shtrirje të dorës pa u ngritur nga shtrati e largoi perden e dritares vetëm aq sa duhej që të shikonte andej kah kishte dëgjuar zërin e babait. Ai vërejti se milicia e kishte rrethuar shtëpinë. Filloi të vishej menjëherë. Po në atë çast, me një veprim të shpejtë e të koordinuar, milicët e udbashët ia mësynë shtëpisë. Shumica e tyre u drejtua kah shkallët për në katin e epërm, ndërsa disa të tjerë që ishin më pak u futen në katin përdhes. Trimi arriti t’i veshë pantallonat dhe këmishën pa e kapërthyer dhe asgjë më tepër, ngase në atë çast ata thyen derën me shkelma, u futën në dhomën e tij të gjumit. Njëri ndër udbashët ia vuri prangat në duar. Të tjerët me shkelma i hapen dyert e dhomave të shtëpisë, i përmbysën orenditë dhe gjerat tjera brenda shtëpisë, për të  shkaktuar sa më shumë dëme materiale. Qëllimi kryesor i tyre ishte që të krijonin frikë e panik në këtë familje.

Posa e zbresin Trimin në oborr fillojnë ta godasin me kondak pushke. Dikush i binte në shpinë e dikush në kokë, derisa ai u alivanos e ra i përgjakur në kalldrëm. Kur Sokoli e pa këtë skenë mizore që e kishte para syve, ia mësyu kah i biri që t’i dilte në mbrojtje, por dy milicë që ishin afër tij e kapën për llërat e duarve, ndërsa tjetri që ishte pakëz mëtanë iu afrua shpejt dhe i ra fuqishëm me shkop gome në kokë. Nga goditja e fortë Sokoli u trullos, saqë s’mundi të mbahej në këmbë, por milicët që i kishte anash nuk e lëshuan që të binte përtokë, ndoshta me qëllim që ta përjetonte vuajtjen duke e parë të birin në gjendjen që ishte.

Kur udbashët e morën Trimin për krahësh për ta futur në automjetin e tyre që e quanin “Marica”, nëna e tij Zoja ndodhej në çardak, duke u përpjekur që ta qetësonte nipin me mbajtje e luhatje para duarsh, ngase qante me dënesë. Prej aty, kjo arriti ta shohë birin e saj. Kur e pa të përgjakur, iu duk sikur ia shpuan zemrën me thikë, lotët iu lëshuan rrokullimë si ortek mbi faqe. E kaploi një mundim shpirtërorë që vetes s’ia gjente çaren. Nga pikëllimi, nisi t’i mallkojë:

- O Zoti ju vraftë o more shpirt katilë, o iu thafshin duart o more të pashpirt, o kurrë mos pafshi dritë o more shpirt xhahilë.

Këtë skenë mizore të përgjakjes së Trimit e pa edhe bashkëshortja e tij Tringa, e cila gjatë kësaj kohe qëndronte e stepur si një meit pranë vjehrrës se saj.

Në anë tjetër, milicët dhe udbashët tjerë të cilët ndodheshin brenda shtëpisë kishin filluar me bastisje, pasi që në ndërkohë e kishin marrë një banor të lagjes në cilësi të dëshmitarit, kinse për t’iu përmbajtur dispozitave ligjore që kërkohej sipas procedurave në fuqi.

Gjatë kësaj kohe, udbashët s’lanë pa lëvizur e rrotulluar asgjë që iu shihte syri. Shqyen e thyen pothuajse të gjitha sendet që iu kalonin nëpër duart e tyre gjakatare, nën pretekst se po i kërkonin provat materiale që mund të gjendeshin eventualisht brenda shtëpisë përkitazi me aktivitetin e Trimit si i dyshuar për pjesëmarrje në veprimtarinë ilegale kundër Jugosllavisë, e që disa pjesëtarë të këtyre organizatave i kishin arrestuar disa ditë më herët.

Bastisja e shtëpisë zgjati deri në orët e vona të pasdites. Fotografuan shumëçka, dhe me përfundimin e punës morën me veti një grumbull me libra e disa fletore të Trimit në formë ditarësh, madje edhe shumë fotografi nga albumi familjar, me pretekst se iu nevojiteshin si  prova dhe dëshmi për denoncim.

Përkundër lodhjes së krijuar nga presioni psikik që pati kjo familje gjatë tërë kësaj dite, dikur kah mbrëmja pasi e përmblodhën veten, re e vjehërr morën për t’i pastruar dhomat. Kur Sokoli i pa ato se ia kishin filluar punës, atëherë edhe ky e kapi çekanin dhe një grusht gozhda, që t’i meremetonte dërrasat e dyshemesë të cilat gjatë kontrollit i kishin çkapur hetuesit, e që në atë gjendje që ishte nuk mund t’i kthenin në vendet e veta orenditë dhe shtrojën.

Duke pasur përvojë nga e kaluara, këta e dinin se dikush mund t’u vinte për vizitë. Përpiqeshin që sa më parë ta rregullonin ambientin e shtëpisë, për t’i pritur miqtë dhe dashamirët që do t’iu vinin për t’iu shprehur mbështetje morale, ndërsa armiqtë për t’u kënaqur, apo ndoshta edhe për ta nxjerrë ndonjë informatë që do t’i duhej hetuesve. Për raste të tilla Sokoli ishte në dijeni qysh herët. E shoqja Zoja i kishte treguar se pas burgosjes së tij, iu kishin ardhur në vizitë të njohshëm e të panjohshëm, dikush për t’i ngushëlluar dhe përkrahur, e disa ndoshta me porosi nga UDB-a për ta nxjerrë ndonjë të dhënë për ta.



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora