| E enjte, 24.10.2013, 08:12 PM |
AJO NATË ISHTE SKENË E
PËRGJAKJES
Nga: Ryzhdi
Baloku
.... U dëgjuan
ca rrapëllima, u duk sikur të ishte çarë dega e pemës në kopshtin e shtëpisë.
Pas pak u dëgjua edhe një tjetër rrapëllimë, më afër, diku në oborr. Sokoli u
ngrit nga krevati e u nis kah dritarja, hapi perden duke e larguar anash vetëm
aq sa t’ia zinte fytyrën për ta afruar te xhami. Nuk iu besonte syve. Mos vallë
jam në ëndërr ? ! - mendoi më vete. Pasi i fërkoi sytë me pëllëmbët e duarve, u
afrua përsëri të shikojë jashtë. Çfarë me pa ! Tërë oborri ishte mbushur me
milicë të armatosur me pushkë e automatikë. Në mesin e tyre ishin edhe disa të
tjerë me veshje civile, e që dihej se ishin udbashë, ngase secili prej tyre e
kishte revolen në brez e cila iu shihej prej së largu.
- Po këta bijë
bushtrash çka lypin këndej ? ! – foli Sokoli me një zë pëshpëritës.
- Çfarë ke or
njeri që po flet vetë më vete ? – e pyeti e shoqja Zoja.
- Na u ka
mbushur oborri me milicë e udbashë! - iu përgjigj ai me zë brengosës.
- Çfarë po thua or njeri ? - ia ktheu ajo.
Ai nuk foli më,
por menjëherë nisi të vishej. Doli nga dhoma e mësyu shkallëve teposhtë. Me të
dalë në oborr, iu afrua njërit prej milicëve që ishte më afër dhe e pyeti:
- Shoku milic,
kënd po e kërkoni ?
- Po e kërkojmë
Trimin, - ia priti ai me një ton kërcënues.
Sokol Malësorit
i regëtiu zemra kur milici ia përmendi emrin e të birit. Nga sikleti nuk diti
çfarë të bëjë, pos ta alarmonte prezencën e tyre, prandaj bërtiti me të madhe:
- O Zojë-o jemi
rrethuar ! Këtë e bëri me qëllim që ta zgjonte Trimin, që mos ta befasonin
fjetur.
Me të dëgjuar
këtë britmë, Trimit i doli gjumi dhe aty për aty me shtrirje të dorës pa u
ngritur nga shtrati e largoi perden e dritares vetëm aq sa duhej që të shikonte
andej kah kishte dëgjuar zërin e babait. Ai vërejti se milicia e kishte
rrethuar shtëpinë. Filloi të vishej menjëherë. Po në atë çast, me një veprim të
shpejtë e të koordinuar, milicët e udbashët ia mësynë shtëpisë. Shumica e tyre
u drejtua kah shkallët për në katin e epërm, ndërsa disa të tjerë që ishin më
pak u futen në katin përdhes. Trimi arriti t’i veshë pantallonat dhe këmishën
pa e kapërthyer dhe asgjë më tepër, ngase në atë çast ata thyen derën me
shkelma, u futën në dhomën e tij të gjumit. Njëri ndër udbashët ia vuri prangat
në duar. Të tjerët me shkelma i hapen dyert e dhomave të shtëpisë, i përmbysën
orenditë dhe gjerat tjera brenda shtëpisë, për të shkaktuar sa më shumë dëme materiale. Qëllimi
kryesor i tyre ishte që të krijonin frikë e panik në këtë familje.
Posa e zbresin
Trimin në oborr fillojnë ta godasin me kondak pushke. Dikush i binte në shpinë
e dikush në kokë, derisa ai u alivanos e ra i përgjakur në kalldrëm. Kur Sokoli
e pa këtë skenë mizore që e kishte para syve, ia mësyu kah i biri që t’i dilte
në mbrojtje, por dy milicë që ishin afër tij e kapën për llërat e duarve,
ndërsa tjetri që ishte pakëz mëtanë iu afrua shpejt dhe i ra fuqishëm me shkop
gome në kokë. Nga goditja e fortë Sokoli u trullos, saqë s’mundi të mbahej në
këmbë, por milicët që i kishte anash nuk e lëshuan që të binte përtokë, ndoshta
me qëllim që ta përjetonte vuajtjen duke e parë të birin në gjendjen që ishte.
Kur udbashët e
morën Trimin për krahësh për ta futur në automjetin e tyre që e quanin
“Marica”, nëna e tij Zoja ndodhej në çardak, duke u përpjekur që ta qetësonte
nipin me mbajtje e luhatje para duarsh, ngase qante me dënesë. Prej aty, kjo
arriti ta shohë birin e saj. Kur e pa të përgjakur, iu duk sikur ia shpuan
zemrën me thikë, lotët iu lëshuan rrokullimë si ortek mbi faqe. E kaploi një
mundim shpirtërorë që vetes s’ia gjente çaren. Nga pikëllimi, nisi t’i
mallkojë:
- O Zoti ju
vraftë o more shpirt katilë, o iu thafshin duart o more të pashpirt, o kurrë
mos pafshi dritë o more shpirt xhahilë.
Këtë skenë
mizore të përgjakjes së Trimit e pa edhe bashkëshortja e tij Tringa, e cila
gjatë kësaj kohe qëndronte e stepur si një meit pranë vjehrrës se saj.
Në anë tjetër,
milicët dhe udbashët tjerë të cilët ndodheshin brenda shtëpisë kishin filluar
me bastisje, pasi që në ndërkohë e kishin marrë një banor të lagjes në cilësi
të dëshmitarit, kinse për t’iu përmbajtur dispozitave ligjore që kërkohej sipas
procedurave në fuqi.
Gjatë kësaj
kohe, udbashët s’lanë pa lëvizur e rrotulluar asgjë që iu shihte syri. Shqyen e
thyen pothuajse të gjitha sendet që iu kalonin nëpër duart e tyre gjakatare,
nën pretekst se po i kërkonin provat materiale që mund të gjendeshin
eventualisht brenda shtëpisë përkitazi me aktivitetin e Trimit si i dyshuar për
pjesëmarrje në veprimtarinë ilegale kundër Jugosllavisë, e që disa pjesëtarë të
këtyre organizatave i kishin arrestuar disa ditë më herët.
Bastisja e
shtëpisë zgjati deri në orët e vona të pasdites. Fotografuan shumëçka, dhe me
përfundimin e punës morën me veti një grumbull me libra e disa fletore të
Trimit në formë ditarësh, madje edhe shumë fotografi nga albumi familjar, me
pretekst se iu nevojiteshin si prova dhe
dëshmi për denoncim.
Përkundër
lodhjes së krijuar nga presioni psikik që pati kjo familje gjatë tërë kësaj
dite, dikur kah mbrëmja pasi e përmblodhën veten, re e vjehërr morën për t’i
pastruar dhomat. Kur Sokoli i pa ato se ia kishin filluar punës, atëherë edhe
ky e kapi çekanin dhe një grusht gozhda, që t’i meremetonte dërrasat e
dyshemesë të cilat gjatë kontrollit i kishin çkapur hetuesit, e që në atë
gjendje që ishte nuk mund t’i kthenin në vendet e veta orenditë dhe shtrojën.
Duke pasur përvojë nga e kaluara, këta e dinin se dikush mund t’u vinte për vizitë. Përpiqeshin që sa më parë ta rregullonin ambientin e shtëpisë, për t’i pritur miqtë dhe dashamirët që do t’iu vinin për t’iu shprehur mbështetje morale, ndërsa armiqtë për t’u kënaqur, apo ndoshta edhe për ta nxjerrë ndonjë informatë që do t’i duhej hetuesve. Për raste të tilla Sokoli ishte në dijeni qysh herët. E shoqja Zoja i kishte treguar se pas burgosjes së tij, iu kishin ardhur në vizitë të njohshëm e të panjohshëm, dikush për t’i ngushëlluar dhe përkrahur, e disa ndoshta me porosi nga UDB-a për ta nxjerrë ndonjë të dhënë për ta.