E premte, 26.04.2024, 09:51 PM (GMT+1)

Mendime

Deni Hopes: Janusz Bugajski dhe falja e munguar

E merkure, 03.10.2012, 09:01 PM


Janusz Bugajski dhe falja e munguar.

Nga Deni Hopes

Pak kohë më parë duke folur në kujtim të viktimave të holokaustit gjatë nje ceremonie dekorimi me "Medaljen e Lirise" të njërit prej luftëtarëve polakë të rezistencës, Presidenti i Shteteve të Bashkuara shkaktoi një skandal diplomatik. Duke iu referuar kampeve naziste të përqëndrimit, Presidenti Obama i quajti ato ''…kampet polake të vdekjes…". Edhe pse gafa e presidentit ishte tërësisht genuine dhe nuk lidhej me asnjë gjë të qëllimshme përsëri populli polak u ndie i fyer.

Reagimet e shumta që prej Ministrit të Jashtëm Polak e deri tek Presidenti I vendit i dhanë të kuptojë Presidentit Obama se pavarësisht raporteve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve, reciprociteti duhet respektuar kryesisht duke qenë të kujdesshëm kur kujtohen momente të dhimbshme historike.

Për analogji dhe përsëri në qendër gafash të tilla një tjetër amerikan. Janusz Bugajski i njohur ne Shqipëri për emisionin e tij "Bugajski Hour", ish-punonjës I Departamentit Amerikan të Shtetit, i dekoruar nga ky institucion dhe analist për problemet e Europës Lindore sidomos në politikat post-komuniste, merr në intervistë figurën e fundit të urryer, simbolin e komunizmit makaber shqiptar, Nexhmije Hoxha dhe deklaron kur hap intervistën se ndjehet i nderuar që i është dhënë mundësia të intervistojë  këtë përbindësh.

Se si mund të ndjehet i nderuar Z.Bugajski me Nexhmije Hoxhën ende nuk e kam kuptuar pasi aspiratat dhe linja politike zyrtare amerikane, por edhe vetë shoqeria amerikane përcjell mesazhin e qartë të distancimit nga cdo element që shtyp demokracinë dhe simbolizon antivlerat dhe raprezaljet ndaj lirisë dhe qenieve njerëzore që kërkojnë drejtësi.

Fakti që më shqetëson shumë është se deri me sot Z.Bugajski ende nuk ka dalë përpara shoqerisë shqiptare dhe të kërkojë falje për gafën që ka bërë. Deri më sot asnjë drejtues institucionesh apo lider politik i periudhës post komuniste shqiptare nuk ka dalë dhe të kërkojë nga Z.Bugajski falje për qëndrimin e tij. Asnjë shoqatë të perndjekurish apo familjarë të qindra e mijra viktimave të Nexhmije Hoxhës nuk ka dalë dhe të kërkojë nga Janusz Bugajski falje publike. Asnjë koment nga autori I Librit "Zonja e Zeze, Nexhmije Hoxha" I cili është përkthyer edhe anglisht.

Indiferentizëm apo pajtim qëndrimesh?!

Z.Bugajski në kundërshtim me atë cfarë beson dhe ka punuar gjithë jetën e vet e ka për nder të intervistojë kucedrën Nexhmije Hoxha e cila duhej të kishte pësuar fatin e Elena Causheskut por që për fat të keq të shoqërisë shqiptare dhe turpin e saj, vazhdon të mbahet gjallë si një relike e vyer jo vetëm nga mediat shqiptare por tani edhe nga media Amerikane.

Një nga faktorët kryesorë të tranzicionit të tejzgjatur dhe rraskapitës është pikerisht pamundësia e shoqërisë shqiptare për tu shkëputur njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e vet e tmerrshme, dhe pamundesia për të hedhur dhë ndëshkuar publikisht shkaktaret e vërtetë të rrënimit si dhe zhdukjen e simboleve që mbahen ende gjallë dhe që kanë infektuar edhe brezin e ri të shoqërisë shqiptare prej nga I cili pritet shpresa dhe ndryshimi.

Nëse politika shqiptare me këtë mos reagim ndaj gafës "Bugajski" e tregoi edhe njëherë se rrënjët I ka në llumin komunist të gatue nga Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha dhe nuk denjon që për këtë rast kaq flagrant të kërkojë spjegime, mendoj se I takon Përfaqësuesit Zyrtar të Shteteve të Bashkuara në Tiranë të sqarojë në lidhje me këtë cështje dhe ti jape mesazhin e duhur dhe të drejtë shoqërisë shqiptare.

Të gjithë kujtojnë momentet historike aq edhe emocionuese të ardhjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit James Baker në Shqiperi. Ishte viti 1991 dhe vendi po përjetonte tranzicionin dramatik që kishte kapur gjithë Europen Lindore dhe së fundi kishte trokitur edhe në dyert e Shqipërisë. Ishte koha kur qindra mijëra shqiptarë, të përdhunuar nga rregjimi komunist Hoxhian, I paprecedent dhe I pamodel "ex suo genere", dolen ne rrugët e Tiranes të prisnin shpresën, të prisnin perëndimin dhe atë që e kishin ëndërruar dhe pëshpëritur fshehtaz për 50 vjet me rradhë, AMERIKEN.

Ish Shefi I kabinetit të Reganit dhe Sekretari I Shtetit të Administrates Bush nuk e kishte menduar kurrë se do te të gjente këtë pritje në Shqipëri. Në një artikull të New York Times publikuar në 23 Qershor të po atij viti pershkruhet kështu ky moment:

"A sea of Albanians greeted Mr. Baker as he drove into town for his one-day visit. Hands reached out from every direction to touch the Secretary of State or to pound on the windows of his car. Albanians kissed the hood and windows and showered the car with flower petals, and one man threw himself in front of the limousine and kissed the road -- anything to make a link with the representative of America. 'America Is With Us'"

" Një det me shqiptarë uruan mirëseardhjen Z.Baker gjatë kohës që ai i afrohej qytetit për vizitën e tij njëditore. Duar të panumërta zgjateshin nga cdo drejtim për të prekur Sekretarin e Shtetit qoftë edhe për të prekur dritaret e makines se tij. Shqiptaret puthnin cdo cep të makinës dhe e mbuluan me petale lulesh aq sa një burrë u shtri në rrotat e limuzinës dhe filloi të puthte rrugën - cdo gjë për të krijuar një lidhje me një përfaqësues Amerikan. Amerika është me Ne"

James Baker atë moment do të deklaronte se "Freedom Works" duke I uruar mirëseardhjen Shqipërisë dhe Shqiptarëve në "Botën e Lirë" pa censurë dhe simbole diktatorësh për tu adhuruar, dhe gjithashtu mirëseardhjen në shoqërinë e vlerave perendimore dhe prosperitetit.

Kanë kaluar plot 21 vjet nga ky moment historik dhe Shtetet e Bashkuara kanë justifikuar dashurinë e shqiptarëve. Me një mbështetje të rendesishme dhe duke luajtur kujdesshëm rolin e partnerit strategjik Amerika është bërë promotori kryesor I kujdesit ndaj evolimit të shoqërisë demokratike dhe pluralizmit në Shqipëri. Mbështetja në mentalitetin e reformimit të institucioneve por deri diku edhe të mendimit politik kombëtar është kurorëzuar me antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe marrjen e rolit të kontribuesit dhe jo konsumatorit të sigurisë në rajon.

Deri këtu mardhënia e respektit të ndërsjellë dhe e kuptimit reciprok midis dy vendeve ka funksionuar. Kjo, pasi shoqëria shqiptare ende beson në vlerat perendimore dhe simbolin e këtyre vlerave. Shoqëria shqiptare e cila po kalon momente dramatike dhe e tej sfilitur nga një tranzicion I pafund ende shpreson te Shtetet e Bashkuara.

E braktisur nga elita dhe politika, shoqëria shqiptare nuk mund të suportoje që qëndrimi I Shteteve të Bashkuara ndaj vlerave që vetë Amerika beson të alterohet dhe të propagandohet si rasti I Janusz Bugajskit dhe respektit dhe nderimit qe ai ndjen për Nexhmije Hoxhen.

Ndiqeni intervistën e plotë në internet dhe do të shokoheni!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora