Mendime
Rexhep Shahu: Artan Fuga kërkon shumë
E diele, 30.09.2012, 09:35 AM
Profesor
Artan Fuga kërkon shumë
Nga Rexhep Shahu
Profesor
Artan Fuga shkruan bukur e saktë si askush tjetër rreth vendimit të autoriteteve
të fesë katolike për shkishërimin e atyre që vrasin dhe shpifin se vrasin gjoja
në emër të Kanunit.
Vrasjet që
kanë ndodhë në këto dy dekada në Shqipëri janë në masën mbi 90 përqind vrasje
mafioze dhe jo vrasje në bazë të rregullave të arta të kanunit.
Krahas
vrasjes së njerëzve, krahas privimit të lirisë për gratë e fëmijët e ngujuar,
krejt antikanunore, ata që kanë bërë vrasje në këto dy dekada kanë therë me
thikë me helm edhe vetë Kanunin e Lekë Dukagjinit, këtë vlerë të pallogaritshme
të trashëgimisë sonë kombëtare. Sa here është vrarë një njeri gjoja në emër të kanunit,
aq plumba i janë ngulë edhe Kanunit.
Po aq herë
sa plumba janë derdhë mbi njerëzit në emër të Kanunit, aq plumba janë derdhë në
fytyrën e në zemrën e Kishës katolike, urës që lidh shqiptarët me qytetërimin
perëndimor.
Mendoj se
këto vrasje në këto dy dekada, siç kanë ndodhë, përveçse kanë marrë jetë njerëzish,
janë ngujuar fëmijë e gra, kanë pasuruar biznes-negociatorët dhe biznes-shoqatat
e pajtimit-nxitjes-pajtimit-nxitjes së gjakmarrjes, kanë shëmtuar jo pa qëllim
dy gjera thelbësore të qenies së shqiptareve: Kanunin e lashtë shqiptar dhe
Kishën katolike.
Ky shëmtim,
nuk me bind dot askush ndryshe, ka qenë krejt i qëllimshëm, krejt i financuar,
krejt antishqiptar, krejt i studiuar e programuar me platformë antishqiptare.
Sepse
Kanuni shqiptar është themel i trashëgimisë sonë, kushtetutë që bind edhe
dreqin se shqiptarët kanë jetuar me ligje, rregulla e kode perfekt që shumëkush
nga kombet e mëdhenj ua kanë zili. Dhe sepse Kisha katolike ka qenë urë e
pashembshme që ka lidhë shqiptarët me qytetërimin perëndimor. Ndaj duhen përdhosur
e shkërmoqur si Kanuni ashtu edhe Kisha katolike. E sidomos Kisha katolike, kjo
urë që lidh shqiptarët me perëndimin. Ndaj shumica e vrasjeve, shumica e shëmtive
në emër të Kanunit të Lekë Dukagjinit kanë ndodhë në pjesën katolike të Shqipërisë.
Ky
konstatim që po bëj, ose që po artikuloj, pasi s’është vetëm i imi, nuk është thirrje
apo nxitje që sponsorizuesit e gjakmarrjes e biznesi i gjakmarrjes të shtrijnë aktivitetin
e tyre të biznesit kriminal edhe në zonat myslimane apo ortodokse shqiptare. Jo,
por është vetëm kujtesë dhe argument. Kujtesë për Kishën katolike që duhet ta
mendojë thellë se pse vetëm në trevat ku ajo vepron bëhen vrasje, dhe argument
për të pohuar se duke goditur zonat katolike me vrasje të shëmtuara, duan të godasin
e të shembin urën e shqiptarëve me perëndimin.
Profesor
Artan Fuga apelon për gazetarët që nuk arritën të informojnë e të ndriçojnë në thellësi
aktin madhështor apo vendimin që morën autoritetet kishtare për shkishërimin e
atij që vret.
Profesor
Fuga po kërkon ca si shumë. Gazetarëve tanë u pjell lopa dy herë në vit
profesor. Jam pjesë e atij komuniteti, por më duhet ta pranoj se gazetarëve tanë
ju pjell lopa dy herë në vit.
Veç pyetjeve
të shumta që duhet të bënin gazetarët, siç ua tregon profesor Artan Fuga, unë po
shtoj edhe një tjetër.
Gazetarët
shqiptarë duhet tua bënin në vijim autoriteteve kishtare edhe këtë pyetje : Pse
kaq vonë, pas kaq humbje jetësh njerëzore, u mor ky vendim nga Kisha.
Shteti
tani gjeti aleat Kishën më në fund. Kisha të shkishëron. Lum kush nuk e provon
këtë ndëshkim. Flasim gjithmonë për njerëzit. Shteti duhet të ndryshoje ligjin :
kush vret të dënohet me burgim të përjetshëm, pa alternativë tjetër, pa asnjë nen,
paragraf apo nënparagraf tjetër, pa i dhënë
mundësi asnjë gjyqtari apo prokurori të bëjë interpretime, pa i dhënë mundësi
asnjë institucioni të bëje falje apo amnisti asnjëherë për të paktën 100 vjet,
deri në 200 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë. Dhe të harrohet e ndalohet me
ligj për avokatët, prokurorët e gjyqtarët e të gjitha niveleve deri në Strasburg
apo në hënë po deshe, shprehja se edhe krimineli ka të drejtë…
Jam thellësisht
i bindur tani që u aktivizua Kisha, se po të ndryshohet urgjent kodi penal,
duke vënë taksativisht nenin se kush vret në emër të gjakmarrjes, siç e cilësojnë
gazetarët kur ndodh vrasja në Veri, apo të hakmarrjes kur ajo ndodh në Jug, dënohet
me burgim të përjetshëm, të padiskutueshëm, të paapelueshëm, të pafalshëm, të paamnistueshëm
nga asnjë individ, institucion apo gjykatë, vrasjet në Shqipëri do të ndalen.
Se
shqiptarët qe vrasin nuk janë as aq trima e as aq budallenj sa duken.