E diele, 09.02.2025, 06:14 PM (GMT)

Mendime

Fiqri Shahinllari: Fituar dollarët - humbur florinjtë

E diele, 23.09.2012, 10:24 AM


“KEMI  FITUAR  DOLLARËT PO KEMI  HUMBUR  FLORINJTË"

NGA FIQRI SHAHINLLARI

Më katër shkurt 2010 mbeska ime, Eliza, dyvjeçare, mbushi plot motin që u ngrit   në këmbë. Ajo tani nuk ecën   zvarrë, me doçka dhe këmbka, por fluturon drejt qafës së "xhyçit" duke e gushur atë. Për një çast rri e mendoj nëse kjo vogëlushe do ta mbajë mënd  këtë përqafim  kur  të jetë e rritur? A do të mbeten këto përqafime në gjurmët e kohës së saj? Pse jo? Mëndja, truri  i saj ndodhet vetëm  disa milimetra prapa ballit të vet! Mirëpo nga që truri i të vegjëlve është akoma “ujë” siç thotë populli, si zor të gdhëndet në memorie ky përqafim sepse fëmija rritet e ndryshon fizikisht po edhe mëndërisht nga ora në orë, nga dita në ditë, nga viti në vit. Duhet të kalojë një periudhë tre vjecare- thonë disa- pa të mbeten gjurmë kujtimi të perceptimit të botës prej të  vegjëlve.Mirëpo, në një nga librat që po lexoj këto ditë me tiullin: “Dianetics” krijova përshtypjen se gjithsecili mund të rijetojë moshën dy vjeçare. Që në këtë moshë shfaqen dëshirat specifike të njeriut dhe, zakonisht, jeta e tij e mëvonëshme  ndjek modelin e përcaktuar që në moshën dy vjeçare. Talenti dhe personaliteti i lindur po edhe i krijuar gjatë jetës janë pjesë e modelit gjenetik. Që në moshën dy vjeçare, për të mos thënë që në barkun e nënës, krijohen emocionet e forta, të gëzueshme apo të hidhta, të cilat me ndonjë “gërvishtje”të qëllimshme ose jo, gjatë jetës së mëvonëshme e bëjnë njeriun të ketë “kontakt” me çastin e moshës së “ujëshme” kur ka përjetuar emocionin.

Kështu edhe unë shkoj me ymyz se mbeska ime  kur të rritet do t’i kujtojë këto përqafime të “xhyçit” sepse e shikoj se sa herë qëndron me mua ka edhe ajo emocione të gëzueshme. Më vonë, gjatë jetës, kush e di, mbase këto emocione do t’i  “trokasin” në tru si jehonë e një bubullime të largët dhe kujtimi do t’i  vijë në cepin e vetëdijes me imazh nën një dritë të zbehtë, të vakët, të turbullt e të mjegulluar, të verdhë në gri. Kjo pamje e stampuar në kujtesë do të jetë aq e fortë sa ç’kanë qënë emocionet në moshën dy vjeçare apo edhe në moshën e mëvonëshme. Emocioni është forcë, është jetë, është aleat me mbijetesën. Kur jam në Shqipëri mbeska ime nuk më ndahet. Ajo më ndjek lëvizjet e mija duke më parë nga fotografia që e kam vendosur në kornizën e praruar. Sidoqoftë, gjyshit të saj emigrant i bëhet zemra mal për çdo veprim që bën mbeska ashtu siç lumturohen të gjithë gjyshërit dhe gjyshet e botës për mbesat dhe nipat e tyre. Ku ta gjej, as më thoni të dashur lexues të këtyre radhëve, një libër të Viktor Hygoit që, siç kam dëgjuar, e paska titullin "Gjyshërit" a diçka të tillë ?

Kisha dëgjuar më parë se fëmijët e fëmijëve janë si mjalti i mjaltit. Tani që e provoj vetë, kjo sentencë më duket arritje e përkryer që të "shpartallon" me vërtetësinë e saj.  Fjalët e mija janë shumë të vakta për të përshkruar ndjenjën që përjetoj kur jam pranë saj, kur ajo mundohet të flasë shqipen e mësuar nga ne, dhe unë shkrihem e dalldis kur ajo mezi i shqipton fjalët shqip, ashtu edhe ato anglisht, doemos, dhe ja këput tjetër për tjetër aq sa duket se i bie në të kuptimit të fjalës që thotë. Më kujtohet një bisede që kam bërë këtu e 40 vjet te shkuara , mbase, me mikun tim Murat Gecaj. Ai kishte atëhere fëmijët e vegjël fare dhe një ditë duke biseduar më tha:  "Fiqiri, a e di se ndonjë herë fëmijët janë të çuditshëm? Se mundohen të flasin dhe, frap, thonë ndonjë fjalë që tingëllon shumë bukur shqip. Të duket sikur "shpikin" fjalë të reja, të bukura shqipe" Tani e kujtoj sa herë Muratin.

Vogëlushët, vec të tjerave, janë edhe të ciltër prandaj, mbase, edhe për këtë shkak, dashuria për ta i përket dlirësisë së tyre. Sapo m’u kujtua një rrast sinqeriteti fëminor i vajzës sime, nënës së kësaj mbeskës me të cilën e nisa këtë shkrim, kur ajo ishte në moshën e kopshtit, pra rreth 5-6 vjec. Ishte zënë dorë për dore me një shoqen e saj të kopshtit dhe vajza ime e pyet:

-Cilin ke gjysh ti…?

- Gjyshi im është Manush Myftiu-tha vogëlushja tjetër. Shoqja e saj kishte përmëndur emrin e gjyshit të vet, një emër shumë i njohur për të gjithë shqiptarët atëhere pasi ai ishte anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe zëvëndës Kryeministër por vajzës sime aq i bënte , e dëgjoi me paraqende.

-Po ti cilin ke gjysh-pyeti tjetra vajzën time.

-Gjyshi im e ka emrin Xhelo(Xheladin)-ishte përgjigja e sime bije për emrin e gjyshit të vet, marangozin e Ndërmarrjes Shtetërore të Ndërtimit në Korcë.

Kaq ishte dialogu. Ato vazhduan të  luanin me njëra tjetrën. Për ato pak rëndësi kishte statusi social i gjyshërve, për ato ata ishin gjyshër të dashur dhe kaq.

Dashuria për fëmijët, për brezin e ri, kujdesi për rritjen dhe edukimin e tyre mer vlerë  të jashtëzakonëshme për shoqërine e për familjen kudo por, ma mer mendja se, kjo vlerë s'ka të paguar kur është fjala për njerzit dhe familjet që janë jashtë Atdheut. Kam vënë re, kam lexuar, kam ndjerë se emigrantët politikë ashtu sikurse emigrantët ekonomikë shqiptarë, kudo që ndodhen mundohen me të gjitha mënyrat të ruajnë zakonet e traditat aq të vyera të fshatit, qytetit dhe te kombit shqiptar. Dhe jo vetëm kaq. E rëndësishme është se këto virtyte ata synojnë t’ua transmetojnë fëmijëve të tyre, brezit më të ri. Dhe shqiptarët , doemos, janë me fat, si në Shqipëri, si jashtë Atdheut. Perëndia u ka falur atyre fëmijë të mbarë. Tek lexonja para ca kohësh një mesazh, që dërgonte shkrimtarja e talentuar Rozi Theohari, për disa shkolla në gjuhën shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Massachusets, m'u bë zemra mal, fakti më impulsoi ndjenjën e krenarisë kombëtare. Se kur e mëson gjuhën amtare që në vogëli është e zorshme të harrohet. Këtë e kam vënë re edhe unë në vitin 2004 kur u ndodha në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, kishë të cilën e ka themeluar Fan Noli, i përkryer edhe si njohës i thellë i shqipes, ai që ka bërë të "flasin" shqip Shekspiri, Bllasko Ibanjezi, Servantesi e shumë kollosë të tjerë të letërsisë botërore.  Në këtë kishë, pra,takova një grua të moshuar 82 vjeçare. Eftali Petro e quanin, ndërsa shoqet e saj amerikane e thërrisnin me emrin Ester Piters. Më tha atëhere Eftalia se me origjinë ishte nga fshatrat e  Vakëfit të Korçës, s'më kujtohet mirë, o nga Treska o nga Trebicka. Kishte ardhur në Amerikë në moshën 6 vjeçare. Ka tre djem e katër nipa. Nipave të saj mundohet t'u mësojë shqipen. “U flas shqip edhe gjatë kohës kur ata më ndihmojnë në punët e rregullimit e të pastrimit të shtëpisë-më tregoi Eftalia. Ata vijnë shpesh për ndihmë te unë. Më mbajnë karrekllën kur unë dua të heq perdet se kanë frike se mos bie që andej. E shikojnë që mundohem shumë pasi sapo vë njërën këmbë mbi karrekëll, tjetra këmbe s'më urdhërohet. Ata qeshin dhe çoç flasin në anglisht. Unë i ngas e u thom:Këtu te unë llafosni shqip, ë bijtë e gjyshes!"

Preokupimi i emigrantëve shqiptarë për t’iu  mësuar fëmijëve të tyre gjuhën shqipe dhe meraku që kanë ata për të edukuar brezin e ri rritur jashtë trojeve shqiptare me traditat dhe virtytet më të mira shqiptare, vihet re edhe në vende të tjera të botës. Unë kam parë një video me filmime nga pritja që i kanë bërë një floqari, Enver Ogrenit, bashkëkombasit e tij në Australi në vitin 1989 kur ai kishte shkuar si turist. Enveri nuk kishte patur nevojë për përkthyes kur bisedonte me fëmije 7-8 vjeçare shqiptarë të Melburnit. Më kujtohen këto fakte tani sa herë mundohem të "bisedoj" shqip me mbesken time 2 vjeçare këtu në Amerikë.

Vërsnikut tim, mësuesit Zyfkë Dikollit, i kishte bërë përshtypje edhe një fakt tjetër kur kishte shkuar edhe ky si turist në Australi pas nëntëdhjetës. Një nga bashkëfshatarët e tij, pas bisedës lidhur me fëmijët dhe brezin e ri të emigrantëve kishte konkluduar: “Nëse nuk përpiqemi për t’i edukuar fëmijët me virtytet tona të mira, atëhere vërtet “kemi fituar dollarët po kemi humbur florinjtë.”

Kjo shprehje mjaft e goditur nuk ka nevojë për koment. Dikush në Shqipëri për mungesën e punës për edukimin e fëmijëve do të ishte shprehur ndryshe, duke thënë: “Kemi bërë një vrimë në ujë!” Paraja është diçka, por jo gjithçka. Fëmija është fryt i dashurisë midis prindëve. Gëzohen prindërit po është edhe gëzim i familjes, i fisit. Që kur lind e derisa bëhet goxha, fëmija është i rrethuar me kujdesin e jashtëzakonshëm të prindërve dhe pjestarve të tjerë të familjes. Jeta është dhuratë e natyrës po dashuria midis njerzve është dhuratë e jetës. Unë mendoj se shprehja "bëmë baba të të ngjaj, më afër të vërtetës mund të jetë : " Bëmëni prindër që t'u ngjaj" Sepse që të dy prindërit, si nëna dhe babai edhe pas lindjes nuk pushojnë duke u kujdesur në maksimum për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre.

Pse vallë është gatuar kështu njeriu? Si shpjegohet që prindët kujdesen dhe shqetësohen kaq shumë për pasardhësit e tyre për t’i rritur e për t’i bërë ata të mbarë? Mos ndoshta kjo shpjegohet me faktin se në damarët e tyre do të vazhdojë vlimi i gjakut të prindëvet? Apo këtë shpjegim e jep më mirë ligji natyror i vetmohimit? Arrihet deri aty sa prindi jeton vetëm me gëzimet dhe sukseset e fëmijëve të tij. Ai bën njërën për ta ushqyer sa më mirë fëmijën duke lënë mangët edhe ushqimin e trupit të vet. Janë kail me bukë thatë ta mbajnë frymën dhe fëmijës t’ia plotësojnë dëshirat. Siç thonë  malësorët në veri të Shqipërisë, “fëmija të çon në lugun(govatën) e qenit”.Prindi harron veten para fëmijëve. Nuk ka dalë kot në anët tona shprehja: “Që kur polla m’u tha zorra” Njeriu që kur bëhet prind e deri sa vdes është vazhdimisht nën trysninë e dashurisë ndaj fëmijës së vet. Kur fëmijët janë fare të vegjël, kolopuçë, prindin e lenë pa gjumë se qajnë shpesh gjatë natës. Kur ata rriten prindin përsëri nuk e ze gjumi. Ku ka shkuar, pse u vonua,me cilin/ën do të martohet, si do të shkojë në shkollë? Prindërit janë heronj për ç’ka bëjnë për fëmijët e tyre. Por nga ana tjetër prindërit duhen adhuruar nga ana e fëmijëve jo vetëm se ata i kanë sjellë në jetë, por edhe në emër të sakrificës që ata bëjnë për t’u siguruar një të ardhme sa më të lumtur.

Ka raste kur dashurija për fëmijët kalon në absurditet. Këtu e 37 vjet më parë shkuam për vizitë te shtëpia e Z., një shoqe e ngushtë e gruas sime. Ajo kish dy fëmijë, djalë e vajzë, si drita të mirë e të bukur. A nuk janë të mirë e të bukur të gjithë fëmijët e botës? E gjetëm duke qarë. Ç’të ka ndodhur moj Z.?-e pyeti e alarmuar bashkëshortja ime. “Lere, lere, unë jam fare, jam budallaçkë. Qaj për fëmijët. Them pse i linda, ata një ditë do të vdesin! Po si mund të vdesin ata?!” Dhe filloi t’i dridhej përsëri buza si purtekë. E kuptuam që ajo duhej ndihmuar për të kaluar pragun e momentit depresiv.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora