Mendime
Mustafa Nano: Gjakmarrja si ''veçori'' kombëtare
E enjte, 20.09.2012, 05:59 PM
Gjakmarrja
si "veçori' kombëtare dhe ngatërresa që i bëhet me hakmarrjen
Nga Mustafa Nano
Ka një dukuri
që na dallon më së pari e më së shumti në Europën e sotme; madje, edhe në Ballkanin
e sotëm. Është gjakmarrja. Ekzistenca e gjakmarrjes na turpëron si shoqëri, na
nxjerr në një dritë të keqe, e na bën të na tregojnë me gisht si shoqëri tepër
e prapambetur.
Shumica e
gazetarëve të huaj që e vizitojnë këtë vendin tonë e zgjedhin (ende pa u nisur “me
shërbim”) gjakmarrjen si çështjen më të parë, tek e cila do të fokusohen. Janë me
qindra shkrimet që janë bërë gjatë dy dekadave të fundit në gazetat e botës, në
të cilat autorët janë kapur pas këtij fenomeni, që neve të këtushmëve na mban
shumë larg nga moderniteti dhe atyre ua bën Shqipërinë tepër mesjetare.
Në Shqipërinë
e këtyre kohëve, ashtu si në Shqipërinë e 100 viteve të fundit, ka pasur
gjithmonë ngjarje e zhvillime, përballë të cilave të tjerët kanë mbetur të tronditur
e të pagojë. Por nuk besohet se mund të ketë shock më të madh sesa gjakmarrja në
vitin 2012. Ndërsa vetë ne tanimë jemi mësuar në një farë mënyre, e nuk dimë të
shock-ohemi më. Kemi ditur andej nga fillimi i viteve ‘90, kur gjakmarrja zuri
të rishfaqej pas një paranteze të shkurtër gjatë, dhe për shkak të, regjimit
komunist, por më pas, nën trysninë e krimeve të njëpasnjëshme me motiv
gjakmarrjen, na u bë si një gjë e zakontë. Sot, një vrasje për gjakmarrje nuk
ka ‘tërheqjen’ që kish një dekadë më parë. Nëse në vitin 2000 mund t’i shkonte
dikujt mendja për të bërë një protestë kundër gjakmarrjes (kam marrë pjesë vetë
në një protestë të tillë në Shkodër), sot duket sikur s’ka njeri motiv të organizojë
protesta të tilla.
Më ka çuditur
në këtë histori heshtja e politikës përballë kësaj dukurie. Gazetarët apo
intelektualë të tjerë publikë, kush më shumë e kush më pak, shkruajnë herë pas
here dhe e denoncojnë këtë dukuri (vetëm gjatë dy javëve të fundit kanë bërë shkrime
lidhur me gjakmarrjen Elsa Ballauri, veprimtare e shoqërisë civile, Gjergj
Meta, prift katolik, Fehmi Abdiu, jurist, Brizida Gjikondi, publiciste, etj.), por politikanët nuk kanë dhënë asnjë shenjë apo
provë se kanë qenë e janë të shqetësuar prej shtrirjes së gjakmarrjes. Merrni
Kryeministrin Berisha, i cili për çfarë nuk ka folur gjatë 22 viteve të fundit,
por një qëndrim lidhur me gjakmarrjen mezi ia ka nxënë goja në ndonjë rast. Dje
ka qenë hera e dytë a e tretë që ai ka folur mbi këtë çështje, dhe me siguri është
cytur nga presioni i Brukselit të skandalizuar nga shtrirja e fenomenit, që për
eurokratët është dëshmia më flagrante e mungesës së shtetit të së drejtës;
madje, edhe më keq se kaq, dëshmia flagrante e mungesës së shtetit (jo të së drejtës).
Ai u duk i cytur nga vrasja “për gjakmarrje” e Maries 16-vjeçare nga Dukagjini,
por nuk besohet se ka qenë ky krim medemek kanunor që e ka bërë atë të flasë për
gjakmarrjen. Në Shqipëri ka pasur vazhdimisht krime të tmerrshme me motive
kanunore, dhe ai nuk ka folur as si President, as si i pari i opozitës, e tani
as si Kryeministër.
Por dje bëri
një ngatërresë si të paqëllimshme. Nuk foli për gjakmarrje, por foli për
hakmarrje. Ja pasazhi që ka të bëjë me këtë argument: “Vrasja për hakmarrje do
marrë ndëshkimin maksimal. Nuk shkohet përpara me këtë trashëgimi thellësisht
negative. Sot, ata të cilët vrasin për hakmarrje, dëshmojnë se udhëhiqen nga
demonë të urrejtjes dhe egërsisë njerëzore”. Dhe vetëm në fund, ai e zëvendëson
termin ‘hakmarrje’ me termin ‘gjakmarrje’: “Ka një rënie drastike, shumë të madhe
të vrasjeve për gjakmarrje”.
Është një
ngatërresë që e bëjnë shumë vetë në Shqipëri, por është çudi që e bën Berisha. Hakmarrja
nuk është një ‘tabiat’ shqiptarësh. Vrasje për hakmarrje bëhen kudo. Janë të panumërt
filmat e Hollywood-it, që kanë për fabul hakmarrjen. Prandaj, fraza e Berishës
se “vrasja për hakmarrje do marrë ndëshkimin maksimal” është pa kuptim. Së pari,
ngaqë vrasjet për hakmarrje nuk janë një problem në Shqipëri; ose le të themi që
janë problem po aq sa janë edhe në një numër vendesh të tjera. Së dyti, ngaqë bëhet
ajo ngatërresa, për të cilën fola pak më sipër.
Jo çdo
hakmarrje është gjakmarrje. Një vrasje për gjakmarrje ndryshon cilësisht nga një
vrasje për hakmarrje. Ndryshon cilësisht për të paktën dy arsye. Së pari, një vrasje
për hakmarrje bëhet, dhe historia mbyllet aty. Historia mbyllet aty jo vetëm
ngaqë zgjidhjen e ‘konfliktit’ e bën shteti; shpesh, edhe kur shteti “nuk ia
thotë për të zgjidhur konfliktet ashtu si duhet”, historia mbyllet aty në pritje
që shteti të veprojë ashtu si duhet.
Ndërsa
vrasja për gjakmarrje është ndryshe; ajo nuk mbyllet aty; ajo apelon për gjak
tjetër, dhe asnjë konflikt nuk lihet për t’u zgjidhur nga shteti, edhe në rastin
kur shteti ekziston (shumë vetë janë të sigurt se një shtet i konsoliduar dhe
një sistem funksional drejtësie do bëjnë që gjakmarrja të mos ekzistojë, por unë
personalisht jam i idesë se kaq nuk mjafton; dhe kjo ka të bëjë me dallimin e
dytë midis hakmarrjes e gjakmarrjes).
Së dyti,
vrasja për hakmarrje është pasojë e një vendimi apo vullneti individual. Ndërsa
vrasja për gjakmarrje kryhet nga një individ, por nuk është tamam ky që vendos;
ky është thjesht këmbëza e një mekanizmi vrastar kulturor, që ngrihet kryesisht
mbi Kanunin (më saktë, Kanunet). Në këtë kuptim, individi që vret për
gjakmarrje është viktimë, gjithashtu. Është viktimë e një kulture të caktuar, e
mendësive të caktuara, e një morali të caktuar publik a kolektiv, e një ethosi
të caktuar, të cilët të shtyjnë të marrësh gjak, të justifikojnë në rastin kur
ti merr gjak, madje të nderojnë për vrasjen që ti bën, apo të bëjnë të ndihesh
me turp në rastin kur ti nuk e bën atë vrasje. Gjakmarrja është një fenomen
kulturor. Ndërsa hakmarrja është një pulsion i egër human.
Për këto dy arsye (ndoshta dhe të tjera), të bësh dallimin mes gjakmarrjes e hakmarrjes është punë e mundim fëmijësh, dhe është bajagi e pakuptimtë të dëgjosh Kryeministrin që, krejt pa u menduar (apo duke e menduar mirë?) merr njërën për tjetrën.