Mendime
Shaban Peraj: Fundi pa rezultate!?
E premte, 21.09.2012, 07:04 PM
Fundi pa
rezultate!?
Shkruan: Shaban Peraj
Konstatimet
tona se shqiptarët në Mal të Zi nuk do të dalin të bashkuar, edhe kësaj radhe në
zgjedhjet e parakohshme parlamentare u bënë realitet. Kjo është shqetësuese dhe
alarm i fundit për komunitetin shqiptar, ku duket qartë se prijësit politikë të
subjekteve shqiptare në Mal të Zi, çështjen shqiptare nuk e shohin si çështje kombëtare dhe politike, thjeshtë e
shohin si lakmi të pozitave dhe pazareve të fëlliqura në dëm të popullit. Këtyre
duhet thënë troç se kauza shqiptare është çështje e popullit të ndarë e të rindarë,
dhe kjo çështje e dhimbshme nuk zgjidhet me ato segmente të shoqërisë shqiptare
që për vëlla konsiderojnë të tjerët, ata
që nuk i lidhë asgjë me gjakun tonë. Çështja shqiptare nuk zgjidhet prej atyre
që nuk janë të vetëdijshëm se gjuha, historia dhe prejardhja e përbashkët janë faktorët
që e bashkojnë një popull. Sot, shqiptarët janë ndoshta populli i vetëm në botë,
që akoma nuk e kanë plotësisht të qartë se cilin shteg duhet të zgjedhin në udhëkryqin
e të ardhmes së tyre. Populli shqiptarë në Mal të Zi, nuk duhet të lejojë përsëritjen
e cikleve historike të skllavërimit dhe shkatërrimit të tij, falë politikës
shkatërruese që po ushtrojnë të zgjedhurit e popullit. Është derdhur shumë mund
për një të ardhme më të mirë, dhe jo për një të ardhme të mbuluar nga pluhuri i
politikës aktuale. Ky pluhur e ka
helmatisur thellësinë e qenies tonë si komb, duke na ka lënë vendnumëro në këto
22 vjet, siç ka mbetur vendnumëro çdo vend tjetër që ka kaluar një stuhi të tillë
historike. Nuk mund të ketë harmoni shpirti i shqiptarëve në Mal të Zi kur një pjesë
e këtij shpirti vlon nga dëshira për t’iu bashkuar botës së qytetëruar ndërsa
një pjesë tjetër zhgërryhet në nostalgjinë e atyre që pikësynim kanë karrierën
e tyre politike me pazare nga më të fëlliqtat, pa një platformë politike kombëtare.
Në gjendjen
ku ndodhen sot shqiptarët në Mal të Zi, çfarë kuptimi ka të festojnë festën e
pavarësisë kur kjo pjesë e kombit nuk e ka fituar akoma lirinë e të drejtat që i
takojnë? Ç’kuptim ka të festosh festën e flamurit kur ngado që të hedhësh sytë,
simbolet e skllavërisë osmano-sllave janë të dukshme, dhe shpesh ndihesh sikur
nuk je në tokën tënde por në ndonjë shkretëtirë të humbur, ku çuditërisht njerëzit
flasin shqip? Ndaj, nga të gjithë ne kërkohet vetëdijësim kombëtar, ndryshe e
humbëm rastin për zgjidhje reale të kauzës tone,e me këtë do të shenojmë ngecje
historike e me pasoja dramatike.Ky fat i ka ndjekur shqiptarët në trojet e veta
etnike në Mal të Zi, ndaj ndien keqardhje kur shikon se si është katandisur
komuniteti ynë dhe nga kush drejtohet, kur shikon se sa jemi mbrapa me popujt
tjerë ketu, si në kulturë, arsim, kur shikon prapambeturinë ekonomike, çështjen
sociale tonën, kur shikon të drejtat dhe liritë kombëtare tonat në raport me
popujt tjerë në Mal të Zi. Me ardhjen e
pluralizmit politik për ne shqiptarët në trojet tona etnike në Mal të Zi, u
mendua se gjërat do të rrjedhin në drejtim të duhur, megjithatë duhet pranuar
se të gjitha këto vite na shkuan huq, gjërat jo se nuk u përmirësuan, përkundrazi
erdhën duke u keqësuar gjithnjë e më shumë dhe pasojat e tyre shihen tashmë. Kësaj
të keqeje i kemi kontribuar të gjithë, prej nga duhet të pranojmë se nuk ishim
në nivelin e duhur në momente të duhura. Me dorën tonë ndikuam në themelimin e
shumë partive politike, për çka nuk patëm nevojë, dhe tani kjo klasë politike
nuk ka qenë kurrë më e përçarë dhe e dezintegruar. Krejt reklamë ishin
premtimet e liderëve tonë gjatë zgjedhjeve të kaluara, e reklamë do jenë edhe këto
fundit, si ata të parat, se gjoja do t'na sjellin suksese të reja dhe unitet në
qasjen e problemeve të shumta që kemi. Përpara ekraneve televizive dhe faqeve të
të vetmes gazette në gjuhën shqipe këtu në Mal të Zi- Koha javore- të parët tanë,
na mbushën plot optimizëm se korpusi politik shqiptar do të jetë i njësuar,
kuptohet përmes bashkimit e formimit të koalicionit shqiptarë. Kjo nuk ndodhi,
ndaj duket se këtë do ta presim njëherë tjetër, kësaj radhe e gjithë lufta u bë
kush do jetë I pari që do të zëjnë vend në parlamentin malazias. Subjektet tona
politike, të cilat lëre që nuk arritën kurrë të bashkohen mirëfillshëm, por
edhe sot vuajnë nga inatet politike, ndërskamcat dhe pragjet politike, të cilat
prodhuan mosunitet, huti dhe nepotizëm. Shqiptarët në Mal të Zi,si gjithherë gjatë
historisë u gjetën të hamendur para dy ofertave shumë serioze që paten para vetës:
Forumin Demokratik (1992) dhe formimin e Këshillit Kombëtar. Në mes këtyre dy
ofertave, përsëri shqiptarët të ndarë dhe të katandisur, dikush u lavdërua se çështja
e simboleve kombëtare është çështje e kryer, çka në fakt nuk doli ashtu, dikush
pati ndikim në themelimin e Këshillit Kombëtar, nga ku është e qartë se nuk u
arritë ajo për të cilën menduam se çështja kombëtare po avancohet në raport me
kohën e monizmit. Në takimet maratone dhe pa rezultate që kanë pasur në të kaluarën
prijësit politik, po edhe tash, u dëshmua se nuk mund të merren vesh. Më lehtë e
ke t'i fusësh tri miza në grusht, se sa ti bësh bashkë tre shqiptarë. Dëshmi për
këtë është formimi I katër kolonave për të garuar në zgjedhje të parakohshme
parlamentare:1. Koalicioni për bashkim: Forca e Re Demokratike-Forca-Lëvizja
Perspektiva- Iniciativa qytetare, 2.Koalicioni shqiptar: Lidhja Demoratike në Mal
të Zi- Partia Demokratike-Alternativa shqiptare. 3.Aleanca rinore shqiptare. 4.Unioni
Demokratik i shqiptarëve- Partia e prosperitetit demokratik. Shqiptarët nuk
mund të merren vesh në një kuvend komunal, në të cilin edhe kanë koalicion
bashkëqeverisës, e lëre më nivele më të larta republikane e rajonale. Njerëzit
e zakonshëm pyesin arsyeshëm: "Pse, po ndodh kështu?", Kush janë ata
që mbjellin përçarje, smirë dhe nxisin mospajtime brendashqiptare, në trojet e
veta etnike në Mal të Zi, pikërisht, në kohën kur shqiptarët e këtij rajoni,
duhet të flasin me një gjuhë, të mendojnë bashkërisht dhe të ecin vërtikalisht,
drejt realizimit të aspiratave qytetare dhe kombëtare.
Pse atëherë
nuk mbledhim mend e t'u themi "NDAL!"
këtyre dukurive, të cilat, mjerisht, na kanë kushtuar dhe na kushtojnë vazhdimisht.
Shtrohet pyetja: A kanë forcë shqiptarët e këtij rajoni t'i kapërcejnë këto
probleme shtesë, që vijnë pas aq shumë problemeve të tjera politike dhe
ekonomike? Natyrisht se po. Por duhet koncenzusi dhe kompromisi të mbizotërojnë
për t'i konkretizuar iniciativat shumë të rëndësishme për fatin e komunitetit
tone. Nëse shqiptarët në Mal të Zi, gjatë historisë, kanë ditur bukur t'i
tejkalojnë sfidat dhe barrierat që u kanë dalur përpara edhe sot kanë potencial
intelektualësh për të gjetur forma dhe metoda veprimi në të mirë të ruajtjes
dhe kultivimit të tolerancës, kompromisit dhe unitetit brendashqiptar. Këtë duhet
ta bëjnë forca të reja, me individë të rinj nga radhët e rinisë, por si duket
ata kanë rënë në gjum dhe çdo gjë presin t’ua servojnë të tjerët! Të gjitha këto
do të kalohen lehtë me shokë, miq e dashamirë që ia duan të mirën këtij
komuniteteti, i cili deri dje, e vazhdon edhe sot të përballet me papunësi,
emigrim, vështirësi sociale, moszbatim të kulturës kombëtare, ngecje të arsimit,
të lirive dhe të drejtave qytetare. Ne nuk duhet ti lejojmë më këta prijës të vazhdojnë
me përçarje, nesër do të mbetemi përgjegjës. Shqiptarët në Mal të Zi duhet t’u
kthehen zgjidhjes së problemeve me mjete politike, kanë shumë gjëra për të bërë,
e jo të merren me vetveten. Në lëvizjen tonë për sendërtimin e aspiratave
qytetare e kombëtare, ka vend për të gjithë ata që janë në gjendje të kontribuojnë
për të mirën e çështjes sonë. Me këtë rrugë do të përmbushet amaneti i djemve
dhe vashave më të mira të kombit tonë, të cilët sakrifikuan për të mirën dhe të
ardhmen tonë.