Mendime
Ahmet Selmani: Retorika e papagallit
E marte, 25.09.2012, 07:56 PM
Në shënjestër
Retorika e papagallit
Gazetarët e papërgjegjshëm vazhdojnë me një intensitet të pazvogëluar ta shqiptojnë pa asnjë kompleks fjalën maqedonase branitel, madje si një gjë tepër të zakonshme dhe normale për gjuhën shqipe. Teksa e dëgjojmë dhe e lexojmë këtë refren të imponuar prej tyre, gjithnjë e më tepër bindemi se për fat të keq ende po ballafaqohemi me logjikën e robit. Ata nuk vramenden fare për qenien e tyre etnike, për gjuhën amtare, për faktin se si do të perceptohet nga popullata shqiptare, prandaj fjalën branitel e shqiptojnë me një inerci të pashtershme
Shkruan: Ahmet Selmani
Kohëve të
fundit është shumë aktual debati lidhur me çështjen që ka të bëjë me Ligjin e ish
pjesëtarëve të policisë dhe ushtrisë maqedonase, të vrarë gjatë konfliktit të
vitit 2001. Në gjithë këtë atmosferë të tendosur të cilën na e paraqesin mediat
elektronike dhe ato të shkruara, ajo që na bie në sy është formulimi ose
paraqitja e tij në gjuhën shqipe. Pothuajse pa përjashtim, të gjithë e quajnë Ligji i branitellave ose Ligji për branitellat (Zakon za
braniteli), si një kalk tipik i përkthyer fjalë për fjalë nga gjuha maqedonase.
Sigurisht
është mjaft e habitshme kjo që ndodh me vetë shqiptarët. E themi këtë ngase,
sikundër mund të shihet, gati janë pajtuar si në kor me këtë formulim të bërë
nga vetë maqedonasit, ose më saktësisht, vetë partia maqedonase në pushtet.
Natyrisht, është tepër e dhimbshme kur i dëgjon gazetarët shqiptarë që raportojnë
gjithandej për këtë ligj aq të kontestuar, të cilët me një gjakftohtësi të
paparë e përdorin fjalën maqedonase branitel
– mbrojtës, domethënë ata që kanë rënë duke u mbrojtur nga sulmi ose agresioni
i shqiptarëve.
Patjetër
duhet ta themi faktin se një sjellje e këtillë është shumë e shëmtuar dhe
fyese. Në radhë të parë, duke i quajtur branitella
ata që ndërmorën fushata vrastare kundër shqiptarëve, në mënyrë të
pavetëdijshme ose krejt naive relativizohet ose bastardohet roli i pjesëtarëve
të UÇK-së. Në këtë kontekst logjika është shumë e thjeshtë; nëse maqedonasit e
rënë konsiderohen si mbrojtës
(braniteli), atëherë vetvetiu po na del se shqiptarët qenkan sulmuesit,
armiqtë. Në këtë mënyrë, deshëm apo s’deshëm, vetë gazetarët tanë e pohojnë atë
që e dëshirojnë maqedonasit.
Së dyti,
futja kaq spektakolare dhe kaq e lehtë e kësaj fjale në përdorim të përditshëm,
qoftë edhe përkohësisht siç po ndodh tani, mbase është një fyerje tepër e rëndë
për gjuhën shqipe. A nuk është akt i shëmtuar kur dëgjon në mediat elektronike
ose kur lexon në gazetat në gjuhën shqipe sesi fjala branitel përdoret më shpesh edhe sesa vetë maqedonasit? Për çudi,
askujt nuk i shkon mendja që ta mënjanojë këtë, ose të paktën ta relativizojë
me një formulim më ironik, ta zëmë Ligji
i të ashtuquajturve branitella, ose në mënyrë më diplomatike Ligji i ish pjesëtarëve të policisë dhe
ushtrisë, të vrarë në konfliktin e vitit 2001 etj.
Në këtë paradoks të turpshëm sigurisht përgjegjësia më e madhe u bie atyre gazetarëve të cilët as që e çajnë kokën për mënyrën se si raportojnë, e lëre më të vihen në mbrojtje të shqiptarëve dhe gjuhës së tyre. Po ashtu, në anën tjetër, është tepër e habitshme, madje edhe shqetësuese, heshtja e gjuhëtarëve tanë. Po t’i marrësh si numër, del se të paktën janë disa dhjetëra, në mos edhe qindra, që mbajnë titullin magjistër apo doktor i shkencave të gjuhësisë, por aspak nuk u çarraveshet truri për ta mbrojtur dinjitetin e gjuhës shqipe. Në vend se të reagojnë me kompetencë dhe në mënyrë parimore, ata s’bëhen të gjallë fare. Prandaj, meqë nuk i qorton askush, gazetarët e papërgjegjshëm vazhdojnë me një intensitet të pazvogëluar ta shqiptojnë pa asnjë kompleks fjalën branitel, madje si një gjë tepër të zakonshme dhe normale për gjuhën shqipe. Teksa e dëgjojmë dhe e lexojmë këtë refren të imponuar prej tyre, gjithnjë e më tepër bindemi se për fat të keq ende po ballafaqohemi me logjikën e robit. Ata nuk vramenden fare për qenien e tyre etnike, për gjuhën amtare, për faktin se si do të perceptohet nga popullata shqiptare, prandaj fjalën maqedonase branitel e shqiptojnë me një inerci të pashtershme, me retorikën e papagallit duke e përsëritur e stërpërsëritur me zhurmë atë që e dëgjojnë çdo ditë. Dhashtë Zoti që sado pak të ndërgjegjësohen e të mos e përdorin ashtu siç e kanë konceptuar maqedonasit, por vetëm ashtu siç është e vërteta dhe siç e do gjuha shqipe.