Mendime
Bekim Rexhepi: Bubuleshët politik
E marte, 25.09.2012, 05:11 PM
Bubuleshët politik
Nga Bekim Rexhepi
Të gjithë
qytetaret e Kosovës e ndjejnë burokracinë në vendin e tyre. Për këtë ata janë të
shqetësuar, por se shqetësimi i tyre mbetet një konditë e revoltës. E asaj
revolte qe herë mbase të duket të jetë e heshtur, e herës mbase të duket të jetë
me ngarkesa të një shpërthimi!...
Po të pyesim
ç’po bënë burokracia e sotme në Kosovë?... Përgjegjësja është se ajo tashmë hapur
po praktikon edhe sistematikisht vjedhjen dhe zhvatjen në vend.
E vërteta
dhe drejtësia është e vështirë të vihet para, me burokrat të tillë, ato tashmë janë
kapur shumë keq nga burokracia, e cila para të vërtetës dhe të drejtës ka
zgjedhur përfundimisht të vjedhë dhe të zhvatet.
Po,
Kosova politike dhe krekosjet e politikanëve, ku mbetën? Ku Kosova! çdo ditë e
më pak për të po mbetet interes primar.
Zhvleftësimi
i figurave të krekosjeve të UÇK-urëve,
po bëhet seriozë dhe me argumenta të mjaftueshëm rrezikshmërie, për të ardhmen
për vendin.
UÇK-urët,
po na dalin nga patriot të djeshëm në kapadai të sotëm dhe akoma më keq nga
kapadai’t në hajna të pangopshëm.
Populli
banë seri-shikon, e shikon se si hynë e si dalin këta individ në skenën
politike, këto fytyra me plotë rropamë, qe shumë shpejtë janë shndërrua veçse në
bubuleshë. Dikush mbase do të mund të shtronte pyetje; po kë guxo ta quash bubuleshë
ti? Do të guxojmë dhe s’do ndalem guximi, ti quajmë të gjithë ata, që abuzojnë me
shtetin, më të vërtetën dhe të drejtën.
Shteti po
bëhet i dobët qartësisht, vërtitet në një rreth viciozë, pa garantuar siguri
dhe shërbime të tjera të domosdoshme edhe jetësore. Improvizimet dhe krekosjet
politike kanë krijuar praktika dhe skema të frikshme për shoqërinë, ata mbajnë mëdyshje
të mëdha sa i përket të ardhmes së tyre dhe të shtetit. Problemet politike në veri,
orvatet ti zgjedhë me horoskopi dite, e në të vërtet kjo qartëson pafuqinë e
vendimeve, frikën e aksionit dhe dobësinë e shtetit. Këto sjellje shpërfillëse,
gjithsesi se atakojnë edhe udhëheqjet e ndershme e me qëllime të mira.
Në Kosovë
nuk kemi akoma të provuar udhëheqje të ndershme e me qëllime të mira,
Sepse të gjitha
udhëheqjet me përjashtime, gati në të gjitha rastet kanë krijuar skema të mëdha
punësimi të financuara nga fondet publike dhe në të gjitha rastet e mundura po
ashtu kanë sistemuar një organizim qiramarrjeje, që në esencë jetën e qytetarëve
veçse e kanë mjeruar.
Të gjithë
e kemi shikuar më shpresë dhe më gjasa, aktin e ardhjes në pushtet të asaj pjese të UÇK-urëve politik që pretendonte me
ngulm, se ishte e vetmja bartëse dhe se ishte e vetmja forcë e luftës qe kishte
“çliruar” vendin, dhe sipas kësaj i “takonte” vetëm asaj pushteti, po çka se
kishte ndodhur edhe akti i pavarësisë së vendit në mandatin e saj. Gjithsesi se
shteti do të nxirrte nga këta dy faktorë, pretendimet se do të udhëhiqet në rrugën
e zhvillimit dhe se gjendja e mjerë e qytetarëve do të normalizohet. A ka
ndodhur kjo?. E vërteta e të dy akteve; marrja e pushtetit dhe pavarësia e
vendit, këtyre burokratëve të ri ua mundësoi, veçse t’u shtoheshin radhët me
shpejtësi dhe veçse t’u bëheshin çifligje personale.
Nga një pagë
e vogël ditore që do të mund ti përgjigjej standardit normal në vend ata u shndërruan
në milioner nate. Dhe, nga kasollet e vjetra të baballarëve të tyre ata u ngritën
në pallate të reja dhe moderne. Paga e një punëtori të zakonshëm sillet deri në
200 - 300 euro, ndërsa paga e një burokrati të Kosovës sotme sillet në 3 000 - 7
000 euro, aty maksimalisht.
Në shumicën
e burokracive njihet një e vërtetë e hidhur, se ka më shumë njerëz se që ka punë
dhe kjo është një mënyrë manipulimi, thjeshtë qe burokracia tenton të thithi sa
më shumë mbështetës të mundshëm në emër të shtetit dhe për shtetin.
Ndërsa,
qytetari kot shpreson dhe kot beson në gjasa, duke e lënë burokracinë të lirë në
pushtet dhe duke e lënë të lirë të bëjë çfarë të dojë vetëm për veten e saj. Janë
ditore lajmet, për akuza të ndryshme, të burokratëve që përditë, e paturp
korruptojnë në emër të shtetit, dhe janë të pakta ose fare-fare ndihma për
qytetarët nga e drejta që do të mund të përfitonin apo të shpërblehet nga
shtetit i “tij”. Konkluzioni - Shteti i burokratëve, mjerimi i qytetarëve.
Variantet
janë ose të futesh në këtë sistem, ose të rezistosh, ose të tërhiqesh. Ndërsa,
dalja nga kjo gjendje është veçse të rezistohet, të rezistohet qe shteti të mos
manipulohet pafundësisht nga gupe të caktuara, të vetëquajtura politike, nga
formacione të krimit apo të logjikës
politike “krejt çka ka, më takon vetëm mua”.
Mbase,
kam të drejtë, të mbajmë shqetësimin tim se rezistencat aktive në vendin tim,
kanë dilema të mëdha në forcimin e shtetit, ndërsa ato po mbajnë heshtje dhe po
ndryshkun motorët e ndërgjegjes...