Mendime
Gjergj Meta: Our lady of Shkodra
E hene, 01.10.2012, 05:14 PM
Our lady of Shkodra
Nga
Gjergj
Fjalët e
titullit janë të gdhendura në krye të një tatëpjete në nr. 361 të West
Harstdale Avenue në New York. Kjo e tatëpjetë të çon në një kodrinë të vogël që
kur e mbaron së ngjituri të shfaqet përpara Kisha Katolike e shqiptarëve të New
Yorku-ut, Zoja e Shkodrës. E diela aty është një festë e vërtetë. Shqiptarët
mblidhen për t’u lutur, por edhe për t’u takuar me njëri-tjetrin. Mbushet Kisha
plot në të dyja shërbesat e së dielës. Është mbresëlënëse që mijëra kilometra
larg vendlindjes sheh aq shumë njerëz që takohen e përshëndeten: “Mirmëngjes;
Nadja e mirë; Si jeni more burra?” E më pas, kur takojnë meshtarin, i thonë në gjuhën
e bukur shqipe atë shprehjen e gjallë shqiptare “Kjoftë lëvdu Krishti”.
Dom
Pjetri është nga Shën Gjergji i Ulqinit, pak përtej kufirit zyrtar shqiptar,
por brenda kufijve të një populli që ka ditur gjithmonë të jetojë e mbijetojë edhe
në situatat më absurde të historisë së tij. Ai sot drejton famullinë katolike të
Zojës së Shkodrës në New York. Ai tregon se në New York e ka filluar vite më parë
Dom Zef Oroshi, pikërisht në Bronx, me capak shqiptarë prej të cilëve sot janë shumë
pak, por janë bijtë e bijat e tyre që janë lindur këtu. Ishin ata që në vitet ’50-‘60
ikën prej komunizmit. Si përsëritet historia, e sidomos ndër ne shqiptarët…Kush
e njeh historinë e Zojës së Shkodrës e din se ikona e saj u mor e u çua në një Kishë
tjetër në Itali, sepse në Shqipëri po vinte hija e zezë e një pushtimi 500-vjeçar
e për të nuk kishte më vend në Shqipëri. Po ashtu më duket sikur ata burra dhe
gra të cilët vendi i tyre i përzuri, sepse nuk ishte i lirë, e morën me vete
Zojën e Shkodrës drejt botës së re, ku ishte më e lirë. Ose më mirë ku ata
ishin të lirë të luteshin. Dom Zefi punoi me përkushtim të jashtëzakonshëm, i
dashur e pothuajse i veneruar prej shqiptarëve këtu në New York ia dorëzoi
shpirtin Atij që i kishte falë jetën vetëm dy vjet para se muri i ndarjes të binte.
Një Moisi që kurrë nuk mbërriti në tokën e shenjtë, një Uliks që kurrë nuk u
kthye në Itakën e tij. E kujtimet këtu më vijnë nëpërmjet dom Pjetrit e nëpërmjet
Gjergjit, i lindur e rritur këtu, por që edhe ai në vitin 1991, gjëja e parë që
bëri ishte të vizitonte Pukën e tij ku kishin lindur baba, gjyshi e stërgjyshi.
Ata tregojnë që Dom Zefi ia la stafetën dom Rrokut, i cili me mund e sakrifica
bashkoi shqiptarët dhe blenë atë kodrinë që iu ngjan shumë bjeshkëve tona plot
gjelbërim e freski për të ndërtuar një Kishë të re. Vite punë, mund, bujari që pak
si shqiptarët dinë ta bëjnë. Ajo qendër e shqiptarëve u kthye në lidership edhe
për shumë shqiptarë që katolikë nuk ishin, madje disa prej tyre kontribuuan
edhe në ndërtimin e Kishës. Më pas dom Rroku ia lë stafetën dom Pjetrit, i cili
i vuri themelet Kishës dhe e çoi atë deri në çati.
Por mbi të
gjitha këtu përditë ndërtohet një komunitet. Një komunitet që sa vjen e rritet
me shqiptarë të rinj, sikurse quhen emigrantët e pas ‘90. Ata kanë një pikë referimi
sapo të vijnë e ajo është qendra Our Lady of Shkodra. E kështu brezat vijnë e
kalojnë, por Zoja mbetet mbi kodrinën e Harstdale.
Mbrëmë ishte
e premte! U bënë provat e përgjithshme për festën e Pavarësisë. Grupi i valleve
‘Rozafati’ me djem dhe çika Shqipnie këndej e andej kufirit, kërcen vallen e
flamurit me një koreografi të veçantë të Angjelina Nikës, e shoqja e Gëzim Nikës.
Është emocionuese. Shumica e tyre kanë lindur në New York, por ndjekin një ritëm,
çojnë kryet e krahët lart sikur shqipja, pikërisht sikur të kishin lindur në Shqipëri.
Ata do të vijnë në Tiranë për festën e flamurit, të ftuar nga Bashkia e Tiranës,
e aty do t’u bashkohen miliona të tjerëve për një festë të përbashkët, për festën
e Shqipërisë së lirë që Zoti na e ka dhënë.
Kisha e
Zojës së Shkodrës sot ngrihet mbi një kodrinë, e rrethuar me freskinë e pemëve
dhe e mbushur me zërat e shqiptarëve. Sot është e shtunë e ajo gumëzhin nga
klasat e fëmijëve që mësojnë për Zotin. Këtu ata gjejnë atë çka duhet, mësimin
për Zotin dhe fjalën shqip. Qendra ‘Nënë Tereza’ është mbushur plot. Në muret e
saj janë të varura portrete e fotografi të një historie te kaluar: Gjergj
Kastrioti, Nënë Tereza, Pjetër Bogdani, Fishta, Koliqi, Asdreni, që duken sikur
u mësojnë këtyre fëmijëve ligjërimin shqip dhe dashurinë e Zotit.