Mendime
Rudina Xhunga: Takimi me Salman Rushdie
E hene, 01.10.2012, 05:32 PM
Takimi me Salman Rushdie
Nga Rudina Xhunga
Nisi më 14
shkurt 1989. Ditën kur Ayatollah Khomeini shpalli FATWA-n kundër
shkrimtarit të “Vargjeve Satanike”. Irani dënoi me vdekje një shtetas britanik
dhe vuri shpërblim për kë e vriste. Bota u përfshi nga zhurma e vargjeve. Në emër
të tyre u vra, u dogj, u rebelua. “Vargjet” ndanë Qytetërimet. Salman Rushdie u vu nën mbrojtjen e Shërbimeve
Sekrete angleze. Për 10 vjet jetoi si një hije. Ndërroi emrin. U quajt Jozeph
Anton. Duke kombinuar emrat e parë të dy shkrimtarëve të tij të dashur, Joseph
Conrad dhe Anton Çehov. Me këtë emër jetoi 10 vjet të rrallë. Të cilat i tregon
në një libër. I tregon, sepse një shkrimtar, edhe në zemër të ferrit, e gjen një
zanë që i pëshpërit te veshi: Shkruaje! Është histori e bukur!
“Joseph
Anton” doli në treg më 18 shtator, njëkohësisht në të gjitha gjuhët e botës. Edhe
në shqip, nga “Dudaj”. Libri tregon realitetet herë të zymta, herë komike të të
jetuarit i bashkëshoqëruar me policë të armatosur, lidhjen e ngushtë me mbrojtësit,
luftën e Rushdie për mbështetje dhe mirëkuptim nga qeveritë, shefat e
inteligjencës, botuesit, gazetarët dhe kolegët e tij. Dhe mënyrën sesi rezistoi,
derisa arriti të rifitojë lirinë. Libri tregon si ia del një shkrimtar dhe
familja e tij të jetojnë me kërcënimin e vdekjes. Si ia bën një njeri i tillë të
dashurojë, të ndahet dhe prapë të dashurojë?
Si ia bën të vazhdojë të punojë? Si i jep dëshpërimi formë mendimeve dhe
veprimeve të tij? Si ia bën të mësojë për të luftuar përsëri? Si ia del një njeri
i dënuar me vdekje të sfidojë dhe frymëzojë?
Sepse ajo
që i ndodhi Salman Rushdisë ishte vetëm akti i parë i një drame, që shpaloset çdo
ditë, diku në botë. Një dramë që ca i mposht dhe ca e mundin. Ai ia doli.
Kur e
shtynin të tërhiqej, të kërkonte ndjesë për provokimin, nuk e bëri kurrë. Sepse
nuk donte të pranonte që punoi pesë vjet me një libër, vetëm për të fyer
muslimanët, njëri prej të cilëve ishte edhe vetë. Nuk pranoi asnjë kompromis,
nuk gënjeu, nuk u lut, nuk ndryshoi
mendje, as rrugë, për një gjë që s’e kishte bërë. Dhe kjo e shpëtoi. Pendimi do
ta kishte vrarë, edhe nëse nuk do ta kishin vrarë.
Ja çfarë shkruan
te “Joseph Anton”: “Për një kohë, kishte hequr dorë nga gjuha e tij, i detyruar
të fliste me shumë ngecje e shtrembërime, një gjuhë që nuk ishte e vetja. Kompromisi
e shkatërron atë që e bën, por nuk e zbut armikun e paepur të tij. Njeriu nuk bëhet
mënjellë, se vendos të lyejë krahët me bojë të zezë. Ai vetëm mund të humbasë fuqinë
për të fluturuar, si një pulëbardhë me flatra të ngjitura nga nafta. Rreziku më
i madh i një kërcënimi në rritje është se njerëzit e mirë mund t’i bëjë të vetëvriten
intelektualisht dhe ta konsiderojnë këtë paqe. Njerëzit e mirë mund t’i dorëzohen
frikës dhe ta konsiderojnë këtë respekt.”
Në vitin 1998
presidenti i Iranit, Mohmmed Khatami, e shpalli të pavlefshëm FATWA-n, 10 vjet
pas atij 14 shkurti fatal. Rushdie tani ngul këmbë se rreziku ka kaluar. Për të.
Jo, edhe për botën, Kasandra e së cilës ai u bë. Unë e intervistova Salman Rushdie në Londër, një javë para shpërthimit
të protestave kundër filmit “Pafajësia e muslimanëve”. (Një provokim aspak
artistik ky, regjisori i të cilit nuk ia doli të krahasohej me Rushdie.)
Si një burrë
që i ka dhënë shkas një shpërthimi të ngjashëm, si një shkrimtar i lartësuar
prej lëvdatave, i fajësuar, kërcënuar, i nderuar si simbol i shprehjes së lirë,
Rushdie është çuditërisht ndryshe nga ç’e pret.
Ngjan
babaxhan dhe i sinqertë, as si viktimë e torturuar, as si njeri që ngjall frikë.
Përkundrazi,
është një njeri i cili ta ushqen dëshirën
të flasësh gjatë.
Por nuk
ke mundësi. Salman Rushdie është kryelajmi i medias ndërkombëtare dhe për çdo
gazetar që ka caktuar para një viti orarin e intervistës, është lënë një orë kohë.
Një orë, në zyrën londineze të agjentit
më të famshëm në botën e letrave, Andreë Wylie. Një orë për t’iu
drejtuar shqiptarëve nga “Shqip” në Top Channel.
Një orë për
ta kuptuar se ç’sekret ka ky njeri. Një sekret
nga ato që shesin libra, mbledhin frymëzim dhe mbarsin turma.
Ky njeri
di të të flasë thjesht. Si gjithë njerëzit që kanë ç’të tregojnë….