E premte, 26.04.2024, 11:58 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Cikël poetik nga Reshat Kripa

E premte, 03.08.2012, 07:54 PM


RESHAT KRIPA
    

BISEDË  ME  VETEN  TIME

Ulur  një ditë  dhjetori,
Nën një shelg po qëndroja,
Degët e tij po lotonin,
Unë rrija dhe mendoja.

Po mendoja  timen jetë,
Iku shpejt duke lotuar,
Porsi deg’e shelgut shkretë,
Plot me dhimbje e mbuluar.

Tek qëndroja i menduar,
Bisedoj me veten time,
Jetën si e kam kaluar,
Plot me dhimbje dhe gëzime.

Pse s’ kujton timen rini,
I them vetes me ngadalë,
Kur më mbyllën që fëmi,
Brenda në kafaz të gjallë?

Nuk  më lanë t’ ëndërroja,
Botën e lirisë hyjnore,
Nuk më lanë të gëzoja,
Botën e bukur rinore.

Pse, or mik, e mundon  veten,
Sot çdo gjë ka  lulëzuar?
Prapa teje le të mbeten,
Brengat e rinisë kaluar.

Kështu foli vetja ime,
Unë rrija dhe dëgjoja,
Porse prap me mendjen time,
Ndër mendime po lundroja.

E harrove fëmininë,
I drejtohem vetes time,
E harrove burrërinë,
Zemrën copë dhe thërrime?

I harrove vajzat  djalin,
Të përbuzur lënë mënjanë,
Si ta zgjidhja s’dija hallin,
Për t’ia dalë jetës mbanë?

Hape zemrën dhe harro,
Shiko jetën me besim,
Atë kohë mos e kujto,
Hidhe poshtë  atë trishtim!

Ku i ke fëmijtë  e tu?
Nëpër botë  fluturuar.
Mjaft mos rri ti më ashtu,
Bot’ e sotme ka ndryshuar.

E dëgjova veten time,
Shihja botën e vërtetë,
Zemra plot me ngazëllime,
Bot’ e vjetër mos u ktheftë!

Vlorë, dhjetor 1993


FOLEJA   E   VJETËR

Shtrirë në shtratin pleqëror,
Kujtoj kohën e kaluar,
Nëpër shi, baltë e borë
Brenda telave rrethuar.

Falmëni, o mëmë e atë,
Veç telashe kam shkaktuar,
Zgjodha rrugën nëpër natë,
Kurrë s’ju kam turpëruar!

Edhe ju , motra të mira,
Që më ndenjët gjithmonë pranë,
Në të ngrysur, në të gdhirë,
Dhe në fllad, dhe në tufan.

Ju, vëllezrit, tretur thellë,
Brenda telash, a kanale
Nëpër mendje po ju sjellë,
Tok  kemi kaluar halle.

Vjollcën, shoqen e  rinisë,
Nerin, zjarrin tim të parë
N’atë shtrat të pleqërisë,
I kujtoj mbushur me mall!

Tiranë, maj 2000


NUK  KUPTOJ  PSE MUA VALLË

Nuk  kuptoj  pse mua vallë,
Dot nga mendja nuk më shqitet?
Atë çast kujtoj me mall,
Shpirti vuan e sfilitet.

Kujtoj çastin tonë të parë,
Atë çast kur the të dua,
Ndieja veten si përrallë,
Ti më kishe gllabëruar.

Puthja jote, puthje  artë,
Çoroditi zemrën time,
Buza jote, buzë e zjarrtë,
Më gremisi në mendime.

Vallë si ka mundësi.
Fola unë me veten time,
Mund të kem sot lumturi,
Mund të mbushem me gëzime?

Gjer ahere s’kisha parë,
Ditë të bardha ndonjëherë,
Veç syrgjyn hidhërimtarë,
Më kujtohen kurdoherë.

Erdhe ti si një yll drite,
Ida, yll i mirësisë,
Ndaj nga zemra nuk më shqite,
O simbol i dashurisë!

Vlorë, maj  1996


NINA   NANA

Nina nana shkruaj, në moshë të shkuar
Zogjtë e mi të shtrenjtë, oh, sa fort i dua!
S’janë më vocërrakë, janë të martuar,
Rreth e rreth fëmijë, plot gëzim për mua.

Nina nana Tani, djali im i parë,
Zbrite si një engjëll për të na gëzuar,
Ishe dritë e syve me këmbë të mbarë,
Bashkë me Dorinën jetë lumturuar!

Nina nana Dina, ty po të këndoj,
Fëminia jote shumë e trazuar,
Atje larg ku ndodhesh ty po të kujtoj,
Unë këtu ku gjendem zemër copëtuar.

Nina nana Cela, ylli im i artë,
Imja trimëreshë si vullkan shpërtheve,
Fluturon krenare në qiellin e lartë,
Majat më të larta me vrrull i rrëmbeve.

Nina nana sot unë do të thërras,
Sa të tundet mali, sa të dridhet toka,
Sa të çmenden valët thërras e bërtas,
Bashkë me fëmijtë imja është bota!

Tiranë, gusht 2006


NIKIT   DHE    NOELIT

Kushtuar  mbesave të mia të bukura

Lindët ju  si rreze dielli, rreze drite plot shkëlqim,
Për çdo ditë vezulloni, porsi yje në shpirtin tim.
Oh, sa herë ju shikoj, oh sa herë ju përgëzoj,
Zemra më gufon përpjetë, lart në qiell fluturoj.

Niki, yll i bukurisë,  perëndesh e lumturisë,
Me atë zërin e ëmbël, cicërim e ëmbëlsisë.
Zëri yt zë kanarine, rrjedh në vargje ngazëllim,
Lumturove jetën time,  zemrën mbushe me gëzim.

O Noel, vashëz e bukur, eja bashkë të lodrojmë,
Dhe me ty në krah o flutur,  brengat tona t’i harrojmë.
Ti je drita  jetës sime, je simbol i pastërtisë,
Ti je yll zbritur nga qielli,  je gëzimi i shtëpisë.

Rrituni zemrat e mia, rrituni si burrëreshë,
Cicëroni si zogj mali,  gjersa zëri juaj të ndeshë,
Të përplaset nëpër male, nëpër dete oqeane,
Të shpërthejë botën mbarë, të buçasë si zë zane!

Tiranë, shtator 2008


RAFIT  DHE  GABIT

Kushtuar nipërve të mi që i kam larg

Jeni larg  të dy , në një tjetër  botë,
Botë e re e madhe, shumë  e  ëndërruar,
Unë  rri këtu, zemra pikon lotë,
zemra ime lodhur, zemër dëshpëruar.

Vështroj lart në mur, dy portrete pranë,
Si dy zogj parajse, me fytyrë gëzuar,
Rafi edhe Gabi, të dy aty janë,
I kundroj me ëndje, mall e brengë trazuar.

Rrinë e më vështrojnë, sytë xixa plot,
Duket sikur thonë: Eja gjysh i mirë,
Që të luajmë bashkë, ne të duam fort,
Por unë  rri i heshtur, duke psherëtirë.

Ju vështroj nga larg, vocrakët e mi,
Duket  sikur rrini, m’u në prehrin tim,
Lumturia juaj, gaz dhe dashuri,
Atëherë dhe unë, mbushem me gëzim!

Tiranë,  shtator 2008


FOTOGRAFIA

Si kujtim një miku im ,
Me qëllimin mirëdashës,
Më tregoi fotografinë,
Kishin dalë shokët e klasës.

Bashkë me shoqet e mira,
Që u ndriste i bukuri sy,
U shkëlqente mirësia,
Vetëm unë s’isha aty.

Isha hedhur dhe degdisur,
Brenda rrathëve të ferrit,
Nga Minosi çakërdisur,
Ngado mbuluar prej territ.

Rri shikoj fotografinë,
Po dëgjoj rrahjet e zemrës.
Kush ma shkatërroi rininë?
Kush ma preu rrugën e jetës?

Doja dhe unë të jetoja,
Tok  me shoqe edhe shokë,
Doja dhe unë të gëzoja,
Por më ndanë nga kjo  botë.

Ndaj tani  këtu  qëndroj,
Thellë zhytur në mendime,
Si t’ia bëjë e të veproj,
Që t’i  heq  nga mendja ime?

Tiranë, tetor  2008


ERËZA   MALORE

Kushtuar shokut tim Myrteza Baboçit.

Kur të vegjël ishim, kur ishim fëmi,
Kur nuk kishim brenga, nuk ndjenim mërzi,
Zëri yt i bukur, zëri prej bilbili,
Zemrën na gëzonte, aromë trëndafili

Dhe ky zë i ëmbël plot me forcë ushtonte,
Qetësonte shpirtrat, zemrat i gëzonte,
“ Erëzën Malore “  bukur e  këndoje,
Edhe shpirtrat tanë na i ekzaltoje.

Por një ditë së bashku, mbyllur në kafaz,
Trupat plot me plagë, mbushur me maraz,
S’donim salltanete, kishim derte plot,
Donim veç lirinë, për të derdhnim lot.

Kampeve u endëm, duke ëndërruar,
Bashkë me dashurinë, lirinë shenjtëruar,
“ Erëza Malore “ prapë na mbajti gjallë,
I harronim brengat, s’ishim më në hall.

Tani që u plakëm, zëri përsëri,
Po ushton fuqishëm, si zë në rini,.
Zëri prej bilbili, zë prej kanarine,
“ Erëza Malore “, aromë trëndeline!

Tiranë, korrik  2009



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora