Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Meditim para mozaikut
E premte, 25.05.2012, 04:00 PM
Në kuadrin e 100 vjetorit të
pavarësisë
Meditim para mozaikut
Nga Reshat Kripa*
Një ditë isha ulur në lulishten para Muzeut Historik Kombëtar. Vështroja përqark. Këmbësorë, makina, motoçikleta dhe tek e tuk ndonjë biçikletë qarkullonin rreth e rrotull. Vështroja dy simbolet e vjetra të Tiranës, orën dhe xhaminë dhe më kujtohej fëminia ime në rrugët e këtij qyteti.. Vështroja monumentin e heroit tonë kombëtar dhe ndjeja një krenari brenda vetes. Ndjeja krenari pasi më kujtoheshin vargjet e Naimit të madh:
“Lumë ti, moj Shqipëri, thashë
Armët e tij
kur i pashë,
Në Belvedere
në Vjenë
Sikur pashë Skënderbenë!”
Vështroj lulishtet që janë ndërtuar kohët e fundit në këtë
shesh, madje një e tillë është fare pranë vendit ku unë isha ulur. Vështroj dhe
meditoj:
“Këtu dikur ishte shtatorja e diktatorit. Ajo
dukej sikur i bënte karshillëk heroit kombëtar, sikur i thoshte: “E kush je ti? Tani jam unë zot i këtij
vendi, paçka se sheshi mban ende emrin tënd!” Por kohët ndryshuan. Populli
e hodhi poshtë diktaturën dhe bashkë me të edhe shtatoren. U mendua që në vend
të tij të ngrihej memoriali i viktimave të të përndjekurve politikë. E pse jo?
Kur një i tillë është ngritur në Ëashington, ku diktatura komuniste nuk ka
sunduar për asnjë çast, përse të mos ngrihej tek ne? Madje për ngritjen e një të
tille është miratuar, para gjashtë vjetësh, një rezoluitë e Kuvendit të Shqipërisë
por që, çuditërisht, ka mbetur në heshtje. Lulishtja e ndërtuar në vendin e tij
është shprehja më e qartë e kësaj heshtjeje.”
Vështrimi rrotullohet dhe qëndron në fasadën e muzeut. Në
ballin e tij mozaiku, “një vepër e madhe
artistike” siç thonë krijuesit e tij. Vështroj dhe përsëri meditoj:
“Pamja e këtij mozaiku më kujton Guliverin e famshën në ishujt e liliputëve dhe të gjigandëve. Më kujton këtë personazh të njohur pasi më duket sikur liliputët dhe gjigandët i shoh edhe në mozaikun. Liliputët janë katër luftëtarët ilirë me shigjeta, shpata, shtiza dhe mburoja dhe dy përfaqësuesit e Rilindjes Kombëtare, një intelektual me libër dhe një luftëtar i lirisë me pushkë. Ndërsa gjigandët përfaqësohen nga pesë partizanët e partizanet “legjendare” që mposhtin një “armik të egër”, me nga një yll të kuq në kapelet e tyre. Madje edhe flamurin gjigand e mban një partizan (dikur edhe ky flamur kishte një yll). Mua më kujtohet një këngë që partizanët e kishin si himn të tyre”
“Bijt e
Stalinit jemi ne,
Që derdhim
gjakun an e mbanë,
Sa të valojë
përmbi dhe,
Flamuri drapër e çekan!
Atëherë, a mos duhej të ishte në ballë të mozaikut
flamuri drapër e çekan për të cilin paskan luftuar dhe dhënë jetën parizanët
trima dhe që do të valonte përmbi dhe?
Në qendër të mozaikut dy përfaqësuesit e Shqipërisë socialiste, punëtori dhe kooperativistja me gjokset përpara dhe me kazmë e pushkë në dorë. Parasysh më del përsëri një këngë e atyre viteve:
“Në njerën dorë kazmën
Atdheun ndërtojmë.
Në tjetrën
dorë pushkën
Fitoret mbrojmë!”
Harronin ditëzinjtë se kazma është simbol i shkatërrimit,
ndërsa pushka simbol i dhunës. A nuk shkatërroi sistemi totalitar çdo gjë të shëndoshë
që kishte ndërtuar ky popull ndër vite? A nuk ngriti në vend të tij të
ashtuquajturin “Njeriu i ri” që nuk ishte gjë tjetër veçse hajduti, përdhunuesi,
gënjeshtari, mashtruesi, trafikanti që do të trafikonte edhe shpirtin e tij për
hir të idealit utopist komunist? A nuk, ishte pushka ajo që hapi kaq e kaq
varre të pafajshmish”
Bëj edhe një krahasim tjetër. Ndërsa liliputët e një
epoke disa dhjetra shekullore zenë një të
tretën e sipërfaqes së mozaikut, dy të tretat e tjera të saj i zenë gjigandët e
një periudhe jo më shumë se një gjysmë shekullore. Dhjetra shekuj histori të
barazuara me një gjysmë shekulli. Krahasimin bëjeni vetë.”
Këto meditoja duke vështruar mozaikun para Muzeut
Historik Kombëtar. Meditoja dhe do të doja të pyesja:
Ku është periudha historike, do të thosha më e ndritura në
historinë e kombit tonë, e Gjergj Kastriotit Skënderbeut? 25 vjet lufte të pandërprerë
dhe fitoresh të vazhdueshme kundër një armiku që përfaqësonte perandorinë më të
madhe të botës. Një epope e vërtetë e një kombi. Por në mozaikun simbol të
Shqipërisë kjo periudhë mungon. A duhet korigjuar?
Ku është periudha e pashallëqeve të mëdha shqiptare, periudha e katër vilajeteve ku nuk rreshtnin përpjekjet për një shqipëri të pavarur, periudha për të cilën kënga thotë:
“Sos u përpoqe
për vete,
Po për katër vilajete!”
Po kjo a duhet korigjuar?
Ku është periudha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ku
shqiptarët e katër vilajeteve u bashkuan për të luftuar për trojet e tyre dhe
kur udhëheqësi i saj, Abdyl Frashëri, shiti pasurinë e tij për të udhëtuar në
Europë në mbrojtje të interesave të vendit. A duhet pasqyruar edhe kjo?
Ku është periudha e pavarësisë kur burrat më të zgjedhur
të kombit u mblodhën për të shpallur Shqipërinë “ më vehte dhe të mosvarme”,
duke realizuar kështu ëndrrën për të cilën ishte derdhur aq dhe aq gjak. Në
mozaik kjo mungon. A duhet pasqyruar?
Ku është kontributi i nacionalizmit shqiptar gjatë Luftës
së Dytë Botërore? Përtse lihet në heshtje kjo çështje? Ku është shtypja dhe
diskriminimi i paparë i ushtruar nga sistemi totalitar kundër nacionalistëve
dhe gjithë atyre që mendonin ndryshe nga ai. Po këto a duhen pasqyruar?
Së fundi dhe kjo jo nga rëndësia, por pasi e lashë qëllimisht për tani. Ku janë Kosova
dhe Çamëria. Përse nuk përfshihen në mozaik. Mos nuk i quani truaje shqiptare.
A e dini se në historinë e pavarësisë shqiptare betejat më të mëdha për liri
janë zhvilluar në Kososvë. A e dini genocidin grek kundër çamërve, genocid që përfundoi
me shpërnguljen forcërisht nga vatanet e
tyre? Atëherë përse nuk janë pasqyruar në mozaik? A duhen pasqyruar?
Këto pyetje më erdhën ndër mend duke kundruar mozaikun.
Ndaj pyes: A duhet të qëndrojë më ai mozaik? Në këto ditë të njëqindvjetorit të
pavarësisë, a e nderon apo e fyen qëndrimi i atij mozaiku këtë ditë historike?
Unë mendoj se e fyen. Ndaj duhen marrë menjëherë masat për shpërnguljen e tij
dhe ndërtimin e një vepre tjetër memoriale për të përkujtuar të gjitha periudhat e historisë së vendit.
Kohë për një gjë të tillë ka. Deri tani ka munguar vetëm vullneti.
Jo shumë kohë më parë, ish-drejtori i Muzeut Historik
Kombëtar, i nderuari Beqir Meta e ngriti këtë problem, por zëri i tij u shua
nga klithmat e zërave të korbave të zinj. Historinë e Shqipërisë nuk mund ta përfaqësojnë
dy vjet me më tepër luftë civile se kundër armikut dhe dyzetegjashtë vjet
diktaturë të tmerrshme. Shqipëria ka një histori të shkëlqyer që do t’ia kenë
zili shumë nga popujt e tjerë të botës.
Nuk jam as arkitekt dhe as piktor, as arkeolog dhe as
historian. Jam një qytetar i zakonshëm që më dhëmbin sytë kur shoh atë mozaik që
përdhunon historinë tonë dhe bashkë me të edhe kombin. Për këtë i drejtohem
drejtorit të muzeut, zotit Luan Malltezi. Iu drejtohem historianëve të vërtetë
shqiptar dhe jo sharlatanëve të historisë. Iu drejtohem të gjithë politikanëve,
të djathtë dhe të majtë. Por, më tepër, iu drejtohem politikanëve që i përkasin
shtresës sonë dhe u them:
- Hiqeni atë turp nga faqja e Muzeut Historik Kombëtar. Ngriheni zërin deri në kupë të qiellit për arritjen e këtij qëllimi fisnik, në mënyrë që të arrijmë në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare krenarë dhe me kokën lart. Në të kundërt ajo do të mbetet një njollë e zezë e historisë së këtij kombi. Ky do të jetë turpi ynë!
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë