Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Homazh për Leka Dostin
E hene, 26.12.2011, 08:02 PM
Homazh për Leka Dostin
Nga Reshat Kripa
Ike Lekë i dashur! Ike dhe na le vetëm në rrugën tonë. Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të shkruaja këto dy fjalë të përmortëshme për përcjelljen tënde në banesën e përjetëshme. Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për fjalën tënde. Por ti ike. Zoti kishte vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.
Çfarë të të kujtoj më parë i dashur vëlla, Tepelenën e tmershme apo baltën e Gradishtës, Burrelin e zi apo kampet e punës së detyruar. Ishe pothuajse fëmi kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Nuk të thyen as internimet, as burgosjet dhe as endjet nga një krahinë e vendit në tjetrën, nga jugu në veri dhe përsëri nga veriu në jug.
Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, Lekë i dashur, ti i mbijetove asaj kohe barbare, i mbijetove sepse në venat e tua rridhte gjak Dosti, gjak fisniku dhe në këto çaste më kujtohet një frazë e filozofit të shquar Niçe:
Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere? Gjaku…
Dhe ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.
Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Për këtë arsye ata të vendosën në krye të lëvizjes së tyre. Dhe nuk u gabuan. Ti e justifikove plotësisht besimin që të dhanë. Ti ishe i gatshëm gjithmonë për të ndihmuar ata që kishin nevojë. Këtë ne nuk do ta harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar.
E nderuara zonja Hyri! Të nderuara Suta dhe Bardha! Të dashur Tomor dhe Neçi! Mos derdhni lot. Në krahinën tonë nuk e kanë zakon të derdhin lot për burrat e shquar. Atyre u thurrin vargje, u këndojnë këngë. Leka ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun që e kishim në krahun tonë. Ne sot i falëm tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e tij e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes tonë Lekën tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.
I dashur Lekë! Të kujtohet kur më deklamove vargjet e mrekullueshme në shtratin ku kaloje çastet e fundit të jetës tënde:
Lamtumirë vendet e mia
Që po zhduken dalëngadalë,
Gjëmon deti, ushton duhija,
Lëkundet varka përmbi valë.
Ishte lamtumira jote e fundit
Faleminderit Lekë! Qoftë i lehtë dheu që të mbuloi!