E shtune, 27.04.2024, 04:53 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Dosjet dhe “të përndjekurit politik”

E premte, 04.11.2011, 09:05 PM


Dosjet dhe “të përndjekurit politik”

 

Nga Reshat Kripa

 

Një zhurmë e madhe ka mbuluar faqet e një pjese të shtypit të shkruar dhe atij viziv kohët e fundit. Per çdo ditë lexojmë për “zbulime” të reja të kryera nga disa gazetarë. Një hymnizim i paparë i disa individëve që koha i ka vendosur në krye të elitës së vendit. Çuditem se si nuk u velën këta zotërinj me adhurimin e idhujve, si nuk mundën të shkëputen nga mentaliteti komunist i brohoritjeve për liderët.

Për çdo ditë lexojmë për disa ”ish të përndjekur politik” që paskan shpëtuar për mrekulli nga shpata e Damokleut, që iu paska qëndruar mbi kokë në kohën e sistemit totalitar. Jo pak herë, në faqet e këtyre mediave dalin figura të diskredituara “të përndjekurish” që predikojnë moral. Kjo ka bërë që të përndjekurit e vërtetë, të neveritur nga këto veprime, të mos e quajnë veten të tillë. Kryesisht në këto dy çështje do të përqëndrohem në shkrimin tim.

 

Një propagandë e theksuar po bëhet rreth botimit (ndonjëri ende i pabotuar) të kujtimeve, hulumtimeve, mbresave të disa autorëve që i përkasin elitës së politikës. medias, letërsisë, a thua se janë krerët e letërsisë botërore. Flasin gazetarë, analistë, përfaqësues të shtëpive të botimit, redaktorë gazetash e televizionesh e të tjerë. Pothuajse të gjithë ngrenë në piedestal këto vepra  dhe këtë e  vërtetojnë me numrin e shitjes së tyre. Për të thënë të vërtetën, nuk kam lexuar asnjë, ndaj nuk mund të flas nëse kanë vlerë apo jo. Ndoshta komentatorët mund të kenë të drejtë, por unë do të doja t’i pyesja:

- Sa vlen për lexuesit mësimi i krimeve të diktatorit, kur ai ende nuk është dënuar, qoftë edhe moralisht, për ato krime? Kur ai ende mban titujt e “Heroit të Popullit” apo “Heroit të Punës Socialiste” dhe dekorata të tjera të panumërta? Sa vlejnë për lexuesit bëmat e ish udhëheqësve të tjerë të regjimit, kur familjarët, për krimet e kryera prej tyre, sot marrin në formë dëmshpërblimi miljona? A mund të pranohet një absurditet i tillë?

E pra në këto kushte ky diskutim mua më duket si një publicitet që i bëhet një malli që duhet tregtuar. Por jo gjithmonë publiciteti rezulton me sukses.  Përse një reklamë e tillë nuk i është bërë, fjala vjen, një ish të përndjekuri politik, kur ka botuar një roman apo libër me poezi? Mos vallë nuk paska vepra dinjitoze midis tyre? Përse bëhet dallim ndërmjet autorëve? Apo, mos vallë, pse këta i përkasin kreut të politikës dhe medias  shqiptare dhe ata jo? Më falni, por mua më duket se kjo është një shprehje e një servilizmi apo hipokrizie të theksuar. Një publicitet i tillë, ndoshta mund të të sjellë një grusht të ardhura monetare por kurrë nuk mund të vlerësojë një libër. Për më tepër unë habitem me autorët e tyre se si i pranojnë këto hosanara. Apo, mos vallë, lavdia ua ka errësuar sytë.

Unë mendoj se të drejtën e vlerësimit të një libri e kanë kryesisht kritikët letrarë, ata që janë specializuar për këtë temë. Vetëm ata mund të flasin për vlerat dhe antivlerat e nje vepre. Këtë të drejtë e ka edhe koha. Koha është ajo që do t’i verë vulën veprës letrare. Le t’ia lëmë asaj vlerësimin. Nuk e di se sa do të çmohen disa nga këto vepra, fjala vjen, pas pesëdhjetë  vjetësh. Vetëm pas këtyre viteve do të dalin në skenë se kush vlen dhe kush jo. Historia e letërsisë botërore e vërteton këtë. Le të marrim për shembull Danten, Servantesin, Shekspirin, Hygon, Balzakun, Dikensin, Tolstoin, Dostojevskin, Kafkën, Londonin e të tjerë. Kanë kaluar shekuj që nga koha e tyre. Megjithatë veprat  na lanë çmohen më shumë  sot se sa në kohën kur  jetonin? Dhe kjo për meritë të  vlerave  tyre të pavdekshme.

Para disa ditësh lexova në një gazetë një  shkrim  mbi  një  ish  kuadro   lartë  regjimit të përmbysur, që nuk ia vlen t’ia përmend emrin dhe që, mrekullisht, paska shpëtuar pa iu hedhur prangat nga ish sigurimi i shtetit dhe që, me urdhër të peshkut, paska shpëtuar nga ndëshkimi, madje, pas kësaj, qenka ngritur më tepër në detyrë. Nuk e di, të nderuar lexues, nëse keni hasur, në ato vite, ndonjërin që, nga kandidat për në burg të bëhet anëtar i komitetit qëndror të partisë që kishte pushtetin.  Kanë kaluar njëzet vjet nga përmbysja e pushtetit totalitar dhe nga goja e personit për të cilin bëhet fjalë  nuk është deklaruar një gjë e tillë. Përse gazetari e nxori pikërisht sot këtë “fakt”, mos vallë për të krijuar sensacion për shitjen e gazetës?

Zotëria i përkiste institucionit që mbulonte shkrimtarët dhe artistët e vendit. Kjo gjë më solli para syve listën e gjatë të shkrimtarve dhe poetve të ndëshkuar rëndë sipas relacioneve të bëra nga “ekspertët” e këtij institucioni. M’u kujtuan Havzi Nela, i varur në litar, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Trifon Xhagjika, të pushkatuar, Visar Zhiti, Pirro Kuqi, Frederik Reshpja, Pano Taçi, Bedri Myftari e plot të tjerë të dënuar rëndë nëpër burgjet e tmershme të diktaturës. Madje ishin “ekspertët” e këtij institucioni që kishin ndikuar në dënimin e disave prej tyre.

E pra gazetarin nuk e shoh të predispozuar për të shkruar për këta pishtarë të demokracisë. Ai preferon, më mirë, të intervistojë një anëtar të ish Byrosë Politike, që e ka ndërgjegjen të  ngarkuar me krimet e sistemit të përmbysur dhe që nuk është ndëshkuar ende për ato krime. Ky monstër llomotit për zotërinë në fjalë se gjoja paskësh shpëtuar nga burgu nga ndërhyrja e një të “madhi”. Zoti na ruajtë se po na dalin të “përndjekur politik” edhe figura të tilla!

 

Dihen inisiativat absurde që merrte pushtetit komunist herë pas here. Një nga këto ishte edhe ajo e dërgimit të kuadrove në fshat me motivin për ta bërë atë “më të bukur se qytetin”. Pikërisht në këtë valë, u erdhi radha edhe shumë profesionistëve të ndryshëm si mjek, agronomë, veterinerë, arsimtarë (madje këta kishin disa vjet që e bënin atë rrugë). Por kjo valë përfshiu edhe  shkrimtarët, poetët, artistët, e të tjerë me pretekstin se atje do të gjenin  frymëzimin e vërtetë për të krijuar vepra dinjitoze. Sot, këtë inisiativë të sistemit, një pjesë e mirë e gazetave e paraqesin si dënim për motive politike  dhe si rrjedhojë këta individë na i paraqesin si  “të përndjekur politik”.

Mua më dalin para sysh ngjarjet e atyre ditëve “revolucionare” kur turmat e hipokritëve të drejtuar nga komunistët më të zjarrtë derdheshin rrugëve të qyteteve duke klithur me sa kishin fuqi:

- Lini zyrat burokrat, merrni rrugën për në fshat!

A thua se fshati ishte parajsa e këtij vendi! Megjithatë, në të vërtetë, disa edhe shkuan atje, por shkuan me detyra te zgjedhura si kryetar kooperativash, shefash apo kuadrosh drejtues dhe sot këtë kohë ata e quajnë si periudhë dënimi për motive politike të tyre. Mos harroni, shumica shkoi vullnetarisht duke iu përgjigjur thirrjes që i kishte bërë partia.

Së bashku me ta në fshat ishin edhe   tjerë,  ata   ishin  internuar  si  armiq  

popullit dhe që punonin në punët më të rënda që mund të ekzistonin. Për këta sot nuk kujtohet askush, me përjashtim të ndonjë rasti të rallë, të shkruajë dy radhë në faqet e shtypit, pasi  zërat e çakejve  nuk e lënë

 

Kjo është Shqipëria jonë sot.  Një vend ku nuk merret vesh se kush ishte paditësi dhe kush i padituri, kush ishte krimineli dhe kush viktima. Pothuajse të gjithë hiqen “të paditur” dhe “viktima”. Në këto çaste më kujtohet shprehja e zotit Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:

 

- Unë nuk kam frikë nga komunizmi, por nga lakejtë e tij që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

 

E pra, janë lakejtë e komunizmit që sjellin këtë kaos ku ndodhet vendi në këtë drejtim.

Si mund të dalim nga kjo gjendje. Unë mendoj se duhet filluar nga hapja e dosjeve të së kaluarës. Jemi i vetmi vend i Europës Lindore që nuk i kemi hapur. Jemi me shumë vonesë, por një fjalë e urtë thotë: Më mirë vonë, se kurrë!

Të hapen dosjet që të mos kemi më deputetë, ministra, këshilltarë bashkiak, gjykatës, prokurorë të përlyer me krimet e komunizmit.

Të hapen dosjet që të kemi një administratë të pastër, në mënyrë që kur të shkojmë atje të mos gjejmë ish hetuesit tanë apo të tjerë të ngjashëm me ta.

Të hapen dosjet që të mos kemi më në krye të partive politike apo shoqatave njerëz që ruajnë në ndërgjegje gjynahet e kohës së përmbysur.

Të hapen dosjet që të mos kemi më gazetarë, analistë, komentatorë e të tjerë që me artikujt, analizat dhe komentet e tyre shtrembërojnë në mënyrë flagrante të vërtetat e këtij kombi..

Të hapen dosjet që të mos kemi më “të përndjekur politik” që natë e ditë i dëgjon të dërdëllisin për heroizmat e tyre.

Të hapen dosjet që të mos kemi më mësues e këshilltarë gjynahqarë që helmojnë ndërgjegjen e fëmijve tanë apo të mbarë popullit.

Të hapen dosjet të gjitha dhe të përlyerit të hiqen nga detyrat shtetërore që mbajnë. Për sa i përket institucioneve private është në ndërgjegjen e drejtuesve të tyre nëse do t’i mbajnë apo jo. Këtu nuk bëhet më fjalë për ndëshkimin, pasi tani është shumë vonë për këtë. Një gjë e tillë duhej të ishte bërë shumë vite më parë, kur ishin gjallë një pjesë e mirë e fajtorëve të katastrofës së kaluar. Le të merren me tregti apo çfardo aktiviteti tjetër privat, por të mos kërkojnë të bëjnë karrierë duke spekulluar me detyrat që mbajnë.

Vetëm atëherë do të kemi një Shqipëri të pastër, një Shqipëri dinjitoze. Vetëm atëherë do ta meritojmë të jemi vend anëtar i Bashkimit Europian, të jemi të barabartë me kombet e tjerë.

Në të kundërt mjerë vendi! Shqipëria do të mbetet në një kaos të paparë. Në këtë rast do të doja t’ju kujtoja vargjet e poetit të njohur Ali Asllani, i cili shkruante:

 

Ja, ja, grushti do të bjerë përmbi krye të zuzarve,

Koha është e maskarenjve, po Shqipëria e shqiptarve!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora