Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Brejtja e ndërgjegjes
E hene, 12.09.2011, 06:59 PM
Brejtja e ndërgjegjes
Nga Reshat Kripa
Zilja vazhdonte të binte. Fatosi hapi portën dhe para saj pa Luanin.
- Urdhëroni brenda! – i tha duke i treguar drejtimin e dhomes së pritjes.
- Falemnderit, - u përgjigj ai. – Kam ardhur t’ju ftoj të shkojmë të pimë diku një kafe. Dua të bisedoj diçka.
Fatosi e vështroi i habitur. Kjo ftesë e papritur e futi në mendime. Çfarë halli kishte? Për një çast qëndroi në mëdyshje, por shpejt e mblodhi veten. Duhej patjetër që t’i kthente një përgjigje.
- Nuk do të ishte më mirë që të bisedonim këtu? – i tha.
- Do të doja të bisedonim për një çështje të rëndësishme në një ambjent më të veçantë. – ishte përgjigja e shokut të tij.
U nisën. Luani mori drejtimin rreth një bari që ndodhej në godinën e atij që dikur quhej “Hotel Turizmi”. U futën në një dhomë të veçantë. Fatosi kishte dëgjuar se dikur në këto dhoma rekrutoheshin agjentët e sigurimit të shtetit komunist.
U ulën në kolltuqet e rehatshëm që ishin rreth një tavoline në mes të dhomës. Nuk kishin kaluar as dy minuta kur erdhi kamarierja, një vajzë e re, e bukur si pranvera.
- Ç’urdhëroni zotërinj? – pyeti ajo.
- Dy dopio konjak, - porositi Luani.
- Nuk janë pak si tepër? – ndërhyri Fatosi.
- Sot dua të dehem, - ishte përgjigja e shkurtër e porositësit.
Fatosi nuk foli. Kamarierja doli dhe pas pak u kthye me gotat e konjakut, shoqëruar me një kupë me kikirika.
Themelimi i shoqatës ishte fillimi i bisedës së tyre. Flisnin për rëndësinë e krijimit të saj, në këto çaste vendimtare kur komunistët ishin ende në udheheqje të shtetit. Flisnin për mënyrën se si duhej organizuar ajo dhe kush duhej të ishte piksynimi i saj. Të dy ishin në një mendje që ajo duhej të ishte zëdhënëse e çështjes kombëtare shqiptare, për të cilën propaganda komuniste, për gati pesëdhjetë vjet, kishte hedhur male me baltë. Biseda vazhdonte duke shfaqur secili mendimet e veta. Papritur Fatosi pyeti:
- Përse qëndron i vetmuar? Çfarë të mundon?
Luani heshti. Një psherëtimë doli nga gjoksi i tij. Fatosi rrinte në pritje të përgjigjes.
- Plagë zemre, - u përgjigj më në fund.
Fatosi kuptoi që miku i tij fshihte diçka. Patjetër që duhej të ishte diçka mjaft e rëndë, të cilën ai nuk guxonte ta shprehte.
- Loni, - iu drejtua mikut të tij, - tregomë! Çfarë të mundon? Fol dhe do të shohësh se do të lehtësohesh.
- Të flas? Por, a mundet të tregohet dobësia e karakterit?
- Patjetër.
Fjalët e mikut e ngrohën Luanin.
- A e di pse të solla në këtë dhomë? – foli. – Pikërisht këtu filloi tragjedia ime.
Filloi të fliste. Në fillim pak i drojtur dhe me një zë që mezi dëgjohej. Me kalimin e kohës sikur u çlirua nga ankthi dhe fjalët shqiptoheshin më rrjedhshëm. Çuditërisht, kur përfundoi, e ndjente veten krejt të çliruar. Kishte hequr nga zemra një brengë të madhe.
Luani rridhte nga një familje që gjatë periudhës së luftës nuk qe përzierë me
asnjë krah. Kishte vështruar punën e saj. I ati kishte qenë një nëpunës i zakonshëm në kadastrën e qytetit. Kishte lindur në vitin e fundit të luftës. Ishte djalë i vetëm. Zoti nuk u kishte falur prindërve fëmijë të tjerë.
Pas lufte i ati kish vazhduar të njëjtën punë, ndërsa e ëma mësuese filloreje. Biografinë ua prishte një kushëri i largët i babajt, pjestar i çetave nacionaliste që, me mbarimin e luftës, ishte arratisur si shumë të tjerë. Kjo gjë bënte që peshorja, kur vinte puna për ndonjë vlerësim, të anonte nga i arratisuri. Megjithse rridhte nga një familje fisnike, që nuk i ishte dëgjuar zëri ndonjëherë për keq, ata shikoheshin pak shtrembër nga qeveritarët dhe kjo vetëm për faj të atij kushëririt.
Me gjithë këto i ati, bëri si bëri, duke ndërhyrë sa te njeri aq dhe te tjetri, mundi t’i nxirrte të drejtën e studimit për në universitet, ne degën letërsi.
Para Luanit ishin hapur rrugë të reja. Ishte një nga studentët më të shkëlqyer të fakultetit, një as i vërtetë që i kishte mbaruarstudimet me rezultatet të larta. Bënte pjesë në dy apo tre studentët më të mirë të universitetit dhe kishte të drejtë të krenohej.
Mendonte se do të emërohej në ndonjë vend me rëndësi në kryeqytet. Ndoshta mund ta mbanin edhe në universitet si pedagog. Këtë mendim ia kishin shprehur edhe nja dy pedagogë që ia njihnin aftësitë. E ëndërronte veten ndoshta edhe në postin e ndonjë drejtori drejtorie apo zëvendësministri që me kalimin e kohës mund të arinte edhe atë të ministrit. Ishte në moshën e rinisë, në moshën e iluzioneve.
Por hija e zezë e kushëririt të largët e ndiqte hap pas hapi. Ajo hije çuditërisht afrohej aq shumë dhe zmadhohej pambarimisht, sa e tmerronte kur mendonte pasojat. I duhej patjetër të gjente mënyrën për të shpëtuar prej saj
Dikush i kishte thënë se paskësh dëgjuar diku se do të emërohej mësues në një shkollë fshati të largët. U mendua dhe u mendua gjatë për këtë çështje. Vendosi të kërkonte ndihmën e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendëshme të qytetit. Kishin qenë shokë bange në shkollën shtatëvjeçare. Kur Luani kishte filluar gjimnazin, shoku i tij kishte kaluar në shkollën e sigurimit të shtetit. Megjithatë shoqërinë e kishin ruajtur midis tyre. Në pushimet e verës luanin vazhdimisht së bashku.
Shkoi tek ai. Donte të bisedonte hapur. Besonte se do ta kuptonte. Ai i kishte të gjitha mundësitë për ta ndihmuar.
Kryetari sa mori vesh kush e kërkonte, urdhëroi ta fusnin brenda.
- Ç’ e mirë të solli sot këtu? – e pyeti.
Luani i shpjegoi hollësisht hallin e tij. I tha se për shkak të kushëririt të largët, me të cilin nuk kishin patur lidhje fare, rrezikohej të emërohej në një fshat të largët, në një kohë që kishte përfunduar studimet me rezultate të shkëlqyera. I tregoi edhe diplomën me notat për t’ia vërtetuar thëniet e tij. I foli gjithashtu edhe për ëndërrimet e tij për poste më të larta.
Kryetari e dëgjonte me vëmendje dhe e la të fliste pa e ndërprerë. Hera-herës vinte buzën në gaz, sidomos kur pa diplomën. Kur mbaroi, i tha me një zë të qetë:
- Ik tani dhe do të lajmëroj unë!
Luani u largua me shpresë se puna u rregullua. Këtë ia tha edhe të atit. Ai e shikoi ndër sy dhe i tha:
- A e mendove mirë?
Nuk e kuptoi se çfarë donte të thoshte ai me këto fjalë. Megjithatë nuk e zgjati..
Pas dy javësh një polic u paraqit në shtëpi.
- Ju kërkon kryetari në turizmin e qytetit – i tha.
U nis. Sapo mbërriti atje gjeti shokun e tij, i cili e shpuri pikërisht në dhomën e barit ku tani ndodheshin të dy miqtë. Porositi edhe nga një dopio konjak. Nuk e kishin mbaruar ende kur kryetari foli:
- Dëgjo Loni, e bisedova çështjen tënde me shokët dhe ata janë dakord. Do të emërohesh në një punë të rëndësishme këtu në qytet. Pas disa vitesh mund të shkosh edhe më lart. Varet nga puna jote.
Fantazia e Luanit filloi të fluturonte. Ëndrra e tij po realizohej. Po i hapeshin horizonte të pafund ku do të shpërthente talenti i tij prej gjeniu.
- Por edhe ti duhet të na i shpërblesh në të njëjtën mënyrë, - vazhdoi kryetari.
- Në cilën mënyrë?- pyeti pa vetëdije Luani.
- Të bashkëpunosh me ne.
Një mjegull e rrethoi. Sytë filluan t’i errësohen. Veshët filluan t’i buçasin. Shoku i kishte kërkuar të bëhej bashkëpuntor i sigurimit të shtetit.
- Po unë jam mësues, - mundi t’i thoshte kryetarit.
- Kjo s’do të thotë gjë, - iu përgjigj ai. – Ju mund të punoni në profesionin tuaj dhe kjo nuk ju pengon që të punoni edhe për partinë dhe pushtetin popullor. Shpejt do t’ia shihni hairin kësaj pune.
Luani nuk dinte çfarë t’i përgjigjej. Kryetari e vuri re një gjë të tillë dhe nuk e zgjati më tej, por iu drejtua:
- Mirë, për sot e lemë me kaq. Do të takohemi përsëri. Mendohuni për çfarë ju propozova dhe mos bëni gabim ta bisedoni me njeri, as edhe me prindërit tuaj.
U ndanë.
Kaluan dy javë. Një korrier tjetër e lajmëroi se duhej të paraqitej në të njejtin vend të nesërmen ora 22.oo. Shkoi. E priste një fytyrë e panjohur që iu prezantua me emrin Filip. Në dhomën e barit ishin edhe dy operativ sigurimi të tjerë. Kësaj here nuk kishte më biseda midis miqsh. Zotëronte gjuha e kërcënimeve. Emërim në ndonjë zonë të humbur të vendit, internim, ndoshta edhe burgim.
Para syve i qëndronte një letër e shkruar me makinë shkrimi. Sytë i ishin veshur. Nuk lexonte dot. Truri i rrihte si çekan. Megjithatë, me vështirësi, mundi të dalloj një fjalë, në krye të letrës, të shkruar me shkronja të mëdha:
DEKLARATË
E kuptoi se çfarë ishte ajo letër. Ishte ndëshkimi i tij në këmbim të karierës. Kërcënuesit ndërroheshin me njëri-tjetrin. Dilnin, hynin në bar, pinin ndonjë konjak apo fërnet dhe ktheheshin më shumë të egërsuar. Ai ishte i detyruar të qëndronte në këmbë dhe të dëgjonte ligjëratat e tyre. Nuk e linin të ulej. Pëshpërimat e tyre ogurzeza gjëmonin në veshët e tij.
Po agonte. Luani ishte i kapitur. Filipi i zgjati letrën.
- Nënshkruaje! – i pëshpëriti.
Operativi këmbëngulte. Luani hezitonte. Por edhe hezitimi ka një fund. Nuk mundi më të rezistonte. Vetëdija kishte fluturuar. Me duart që i dridheshin, mori penën dhe nënshkroi.
Filipi mori shkresën, e futi në çantë dhe i tha:
- Tani shkoni qetësohuni në shtëpi!
U nis. Rrugën e përshkoi si një i dehur, apo më mirë, si një somnambul. Të njohurit e përshëndesnin por ai as që i shikonte.
- Mirmëngjes! – dëgjoi disa zëra.
Ai as që u ktheu përshëndetjen. Kishte fluturuar. Nuk jetonte më në këtë botë.
Së fundi arriti në shtëpi. Familjarët ishin alarmuar.
- Isha te një miku im, - u tha dhe u mbyll në dhomën e tij.
Gruaja iu lut të bisedonin por ai nuk pranoi pasi, sipas tij donte të flinte.
- Lere të qetë, - tha i vjehri, - është i dehur.
Luani u shtri në shtrat dhe filloi të qante. Lotët rridhnin, por zëri nuk dëgjohej. Nuk donte ta dëgjonin. Mbuloi kokën me jorgan. Çfarë t’u thoshte? Që kishte nënshkruar atë deklaratë të turpshme? Pasi kaloi vala e parë e zuri gjumi, një gjumë i rëndë i mbushur me ëndrra të llahtarshme.
Pas një jave erdhi emërimi. E kishin caktuar drejtor në njerën nga shkollat e mesme të qytetit. Por atij tashmë nuk i hynte në sy asgjë. Ëndërrimet e dikurshme kishin perënduar një herë e mirë.
Gjatë gjithë kohës që Luani tregonte, Fatosi qëndronte në heshtje. Rasti i tij i kujtoi edhe të tjera të ndodhura në atë kohë. Ishin një nga metodat kryesore që përdorte sigurimi i shtetit për të rekrutuar agjentët e tij.
- Po pastaj? – e pyeti.
- Pastaj? – vazhdoi Luani. - Mendoja ta kaloja këtë pengesë me dredhira të ndryshme. Mendoja të rrija i veçuar. Po të më pyesnin do t’u thoja se me mua nuk bisedonte njeri, pasi druheshin nga detyra që kisha.
Pasi nxorri një psherëtimë vazhdoi:
- Në shkollë vinte vazhdimisht Filipi Ai ishte caktuar operativ i sigurimit për shkollën. Lidhjet i mbante me Sekretarin e Rinisë por, kur kalonte pranë meje, më pyeste gjoja me mospërfillje:
- E, ç’na thua, a kemi ndonjë gjë të re?
Unë bëja sikur nuk kuptoja ku e hidhte fjalën dhe thosha:
- Çfarë do të kemi veç punës së përditëshme.
Një ditë arrestuan tre djem të rinj, Dritanin, Shezaiun dhe Nikollën. Ishin maturant. I akuzuan për krijimin e një grupi antipushtet që bënte agjitacion dhe propagandë. Arrestimi i tyre bëri bujë të madhe në të gjithë qytetin.
Kishin kaluar disa muaj qysh atëherë. Të arrestuarit mbaheshin në Degën e Punëve të Brendëshme. Nuk ishin dënuar ende. Një ditë, rastësisht, takova Kryetarin e Degës. Ai më përqafoi me një buzëqeshje, që m’u duk e shtirur.
- Nesër, nga dreka, dil nga zyra ime. Dua të bisedojmë diçka të rëndësishme, - më tha.
Qetësia ime ishte prishur përsëri. E dija që shkuarja ime atje, me siguri, do të kishte pasoja të tjera. Ai vend ishte foleja e prapaskenave. Çfarë kishte përgatitur që donte të më fuste edhe mua në atë valle?
Megjithatë nuk kisha nga t’ia mbaja. U detyrova të shkojë. Më futën drejt e në zyrën e tij. Ai nuk e zgjati shumë me përshëndetjen, por u fut drejt e në temë.
- Kemi një denoncim të disa mësuesve për ata nxënësit e arrestuar. Lexojeni
dhe është e mira ta firmosni edhe juve.
Më zgjati një letër të shtypur. E lexova. Më erdhi të pështirë. Ata mësues që deri në atë çast, i kisha konsideruar si njerës të mirë dhe të ndershëm, kishin rënë aq poshtë sa të nënshkruanin një gjë të tillë kaq të ulët, aspak dinjitoze për nivelin që kishin? U vura veshin firmave, se mos ishte vallë ndonjë nga lojrat e sigurimit. Por jo, ishin tamam firmat e tyre. I kisha parë disa herë në rregjistrat e shkollës. Ishin po ato.
- Hë, çfarë mendohe? – pyeti me padurim kryetari.
- Po unë nuk di asgjë nga ato që kanë deklaruar ata, - iu përgjigja.
- I marrë qenke! Se mos ata kanë dëgjuar me të vërtetë? Hajde tani, shkruaj poshtë firmave të tyre: - Vërtetoj deklaratën e kolegëve të mi - dhe nënshkruaje.
Më zgjati penën. Mua më dridheshin duart. Nuk guxoja.
- Ju kam premtuar, së shpejti ju pret kryeqyteti, lavdia. Mos e shkelmoni!
Në sytë e tij dallova edhe një shenjë kërcënimi.
Ai nuk foli, por unë e kuptova. Prapa atyre premtimeve të bukura fshihej kërcënimi. U theva. Mora penën, shkrova ato që më diktoi dhe nënshkrova. Ishte firma e dytë e turpit tim.
Pas dy muajsh mora vesh një lajm të kobshëm. Dritani kishte ndërruar jetë. Në çfarë rrethana? Asgjë nuk dihej. Qarkullonte vetëm një lajm, i përhapur me siguri nga sigurimi i shteti,. Dritani na paskësh vdekur gjoja nga një hemoragji cerebrale.
U trondita së tepërmi. Ndjeva vetëdijen të më padiste. Kisha qenë edhe unë një nga shkaktarët e asaj vdekjeje. Ajo firma ime e mallkuar e kishte shpënë atë djalë të ri në qiell. Po, po në qiell, sepse në tokë nuk kishte më vend për njerës si ai.
Tronditja shpejt u kthye në revoltë. Brenda meje ziente një vullkan që, deri atëherë, kishte qenë i fshehur. Mendova t’ia përplas në fytyrë shokut të fëminisë time. Ishte më e pakta gjë që mund të bëja.
U drejtova për në degën e Punëve të Brendëshme ku kërkova kryetarin. Meqënëse më kishin parë edhe herë të tjera të takohesha me të, më përcollën në zyrën e tij. Nuk prita të fliste ai. Fola unë:
- Përse i morët jetën?
Më shikoi i habitur se ku e kisha gjetur kurajon të flisja ashtu para tij. Nuk i kishte ndodhur kurrë një rast i tillë. U përgjigj me një zë të akullt:
- Harruat deklaratën tuaj?
- Atë deklaratë ma nxorrët ju me kërcënimet tuaja. Ju e dinit që nuk kishte asnjë të vërtetë në të.
Një e qeshur histerike mbuloi dhomën. Unë ngriva. Si ishte e mundur të qeshte para një ngjarje të tillë? Fillova të vjell prej goje shprehje të tilla që në asnjë çast tjetër nuk do të guxoja. E kisha humbur arsyen. Kujtoja se kisha para meje një shokë të shkollës. Harrova se ai ishte kryetari i degës, njeriu më i fuqishëm i qytetit. Kur e pa se kalova çdo kufi, thërriti dy policë, të cilët më kapën për krahu dhe më flakën përjashta.
Të nesërmen i drejtova një letër Seksionit të Arsimit në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, ku i komunikoja dorëheqjen time nga detyra e drejtorit dhe nga arsimi. Nuk isha i denjë të punoja në atë sektor.
Fillova punë si punëtor në ndërmarrjen e ndërtimit. Nuk kaloi më shumë se një muaj dhe më arrestuan. Më dënuan për agjitacion dhe propagandë.
- Përse përfundova në këtë gjendje? – vazhdoi Luani. - Edhe ti e përfundove
shkollën me rezultate të shkëlqyera, por nuk re në grackën që rashë unë. Kërkoja lavdinë. Por për të arritur këtë duhej të paguaje një çmim. Ky ishte kushti i ish sigurimit të shtetit. Ai e kishte si parim gjurmimin e atyre që kërkonin të arrinin majat. Në mënyrë të veçantë të atyre që kishin ndonjë kleçkë në biografi. Një nga këta isha dhe unë. Një gjë të tillë e pagova shumë shtrenjtë. Po ty a të ka ndodhur kjo?
Fatosi u mendua para se të përgjigjej. Asnjëherë në jetën e tij nuk e kishin thirrur për ta bërë bashkëpuntor. Ai i ishte nënshtruar fatit. E dinte gjendjen e tij dhe nuk kishte kërkuar kurrë të ngrihej më lart se një murator i thjeshtë.
- Jo! – iu përgjigj mikut të tij, - asnjëherë!
- E shikon, të thashë? Sigurimi ndiqte gjithmonë ata që kërkonin të ngjisnin shkallët e karrierës.
Heshti. E kishte përfunduar historinë e tij. Edhe Fatosi nuk fliste. Historia e bashkëbiseduesit e kishte tronditur sepse sinqeriteti me të cilin e kishte treguar ai e kishte befasuar. Ishte hera e parë që dëgjonte një reflektim të tillë të ndërgjegjes. Në atë kohë ishte e modës që njerëzit të hiqeshin të gjithë heronj, të viheshin në garë se kush mund të tregonte më shumë heroizmat që paskish kryer në kohën e diktaturës.