E diele, 09.02.2025, 05:58 PM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: “Kush janë vrasësit?...”

E diele, 31.07.2011, 07:00 PM


“Kush janë vrasësit?...”

 

Replikë
Në përgjigje të një shkrimi të zotit Nebil Çika

 

Nga Reshat Kripa

 

Në fillim të kësaj replike, i nderuar zoti Nebil, dua t’ju bëjë me dije se historia nuk është një shkencë ekzakte, siç shkruani juve, pasi po të ishte e tillë, nuk do të kishim shtrembërim të saj sipas oreksit të atyre që e shkruajnë. Shkenca ekzakte janë matematika, fizika, kimia e të tjera që nuk ndryshojnë sido që të jenë ata që kanë pushtetin. Nuk e di nëse ju keni dijeni për këtë klasifikim të shkencave.

Në shkrimin tuaj “Ku(sh) janë vrasësit?...”, botuar në gazetën “Metropol” të datës 28 korrik 2011, ngrini, me të drejtë, pyetjen se kush janë vrasësit e të ndjerit Bujar Kaloshi.  Këtë pyetje e shtjelloni dhe e stërshtjelloni në një faqe të tërë gazete. Por si përfundim nuk nxirrni në dritë as një emër apo institucion përgjegjës për këtë vonesë. Kush duhet ta bëjë një gjë të tillë? Unë mendoj se mbi të gjithë jeni ju që duhet të kishit përmendur emrat e vrasësve. Kjo për faktin se njiheni si një gazetar investigativ, detyrë parësore e të cilit është të gërmojë dhe zbulojë ato që drejtësia ende nuk i ka zbuluar. Madje jeni edhe antar i Bordit të Komisionit Hetimor për Zbulimin e Krimeve të Komunizmit, detyrë kryesore e të cilit është të zbulojë të gjitha krimet e kryera nga ai regjim dhe pasardhësit e tij. Një nga këto krime është edhe vrasja e të ndjerit Bujar Kaloshi. Siç duket ju nuk e paskeni ditur një gjë të tillë. Ju harroni se Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë ju dërgoj si përfaqësues të saj në atë bord pikërisht për këtë qëllim. Madje, pikërisht për këtë qëllim, ju zgjodhi edhe antar të Kryesisë Kombëtare të saj.

Na vjen shumë keq kur lexojmë në shkrimin tuaj dizinformacione në lidhje me kremtimin e pesëmbëdhjetëvjetorit të vrasjes së Bujar Kaloshit. Atje ju përpiqeni të errësoni të vërtetën e kumtesave të mbajtura nga dy ish të përndjekur politik, Kryetarit të Shoqatës Kombëtare dhe Kryetarit të Degës së Tiranës të shoqatës në të cilën, siç e theksuam edhe më lart, ju jeni antar i kryesisë së saj kombëtare. Më lejoni të citoj një fragment nga shkrimi juaj:

 

“Akademia në fjalë ishte ndërtuar me një dokumentar të përgatitur nga TVSH-ja dhe disa fjalime, që duhet thënë që në fillim se jo vetëm nuk përkonin me nivelin e historisë dhe personit që po nderohej, por provokuan hapur të pranishmit , shumica njohës të saktë të historisë së vrasjes të Kaloshit. Dua të theksoj se personalisht u ndjeva shumë i fyer dhe u largova në mënyrë demostrative nga kjo akademi përkujtimore  e mikut tim, mikut të shumicës së të pranishmëve, që besoj se janë ndier ashtu si unë.”

 

Dua të më shpjegoni se ku jeni mbështetur që keni nxjerrë këto përfundime për kumtesën time ku, për të nxjerrë të vërtetën, po ju citoj gjithashtu disa fragmente:

 

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Kemi pesëmbëdhjetë vjet që atë nuk e kemi më  midis  nesh.  Kemi  pesëmbëdhjetë

vjet që presim të ndëshkohen kriminelët që qëlluan mbi të. Dhe ky nuk është rasti i vetëm. Më lejoni të përmend këtu emrat e ndritur të antarëve të tjerë të shoqatës tone që kanë rënë nën breshërinë e plumbave të barbarëve, emrat e Lekë Çokut e Besnik Hidrit, Besim Manolit e Valter Harizajt, Viron Rrapajt e Gëzim Shabanit, Bashkim Shkurtit e Fredi Shehut si dhe plot të tjerëve. Të gjithë këta prehen në varr pa gjetur qetësi, pasi fajtorët nuk janë ndëshkuar ende.

“ Gjaku kërkon gjakun thonë! U ngritën gurët nga varret dhe folën! U ngritën malet dhe thanë dhe më i mbrapmi vrasës u zbulua! “

Kështu shkruante Shekspiri i madh disa shekuj më parë. Kurse në vendin tonë, në shekullin e XXI-të, ky ligj nuk funksionon. Kriminelët enden lirisht rrugëve të Brukselit apo Zyrihut, ndoshta edhe atyre të Tiranës, duke kryer krime    tjera  dhe  prokuroria  e  jonë  nuk është e zonja t’ia kthejë drejtësisë. Nuk e dimë, nuk është e zonja, apo mos vallë nuk do që t’i kthejë? Kjo pyetje kërkon përgjigje prej tyre.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Ndëshkimin e fajtorëve e kërkon zemra e babajt të tij krenar, zemra e nënës së tij të përvuajtur, zemra e gruas së tij të re dhe e vajzave që u rritën pa prindin e tyre pranë, zemra e vëllajt dhe motrave të tij. Ndëshkimin e fajtorëve e kërkojmë edhe ne, shokët e tij të vuajtjeve dhe halleve. Së fundi e kërkon edhe shpirti i tij që nuk mund të prehet në paqe deri sa të vendoset drejtësia.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!”

Siç duket, o lum gazetari, paskeni qenë i përgjumur që nuk i keni dëgjuar këto thirrje alarmi për zbulimin e së vërtetës. Apo ndoshta bëni sikur keni qenë i përgjumur. Përndryshe nuk do të kishit bërë atë shkrim, niveli i të cilit nuk ju nderon aspak.

Akademia përkujtimore ishte një ceremoni dinjitoze ashtu siç i takonte kujtimit të një martiri, e cila u mbyll në mënyrë solemne me dhënien e titullit “Dëshmor i Atdheut” familjarëve të tij nga ana e Ministrit të Drejtësisë, deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, zotit Eduard Halimi.

Në shkrimin tuaj pretendoni se paskeni qenë një mik i të ndjerit Bujar Kaloshi. Unë nuk e di nëse atëherë ju banonit në Tiranë apo jo por sidoqofte dua t’ju pyes: A jeni kujtuar ndonjëherë për të vizituar familjen e tij? Po me këtë rastin e fundit a u kujtuat të shkoni? Nuk e besoj. Ndërsa unë isha. U takova me ta dhe biseduam gjerë e gjatë. Madje ata më falënderuan edhe për fjalën e mbajtur prej meje. Nuk besoj ta kenë bërë një gjë të tillë për shkrimin tuaj diskriminues.

I nderuar gazetar! Këtë shkrim, përveçse në gazetë, do ta publikoj edhe në mediat elektronike “Fjala e lirë” dhe “Zemra shqiptare”. Këtë gjë ju ftoj ta bëni edhe ju. Le të presim komentet që do të bëjnë lexuesit dhe atëherë do të shikoni se kush ka të drejtë.

 

Botuar në gazetën “Metropol” datë 30 korrik 2011



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora