Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Rini e copëtuar (XVI)
E diele, 27.03.2011, 07:58 PM
RESHAT KRIPA
RINI E COPËTUAR
Kujtime
KANGËT E PAKËNDUEME
Në fundin e muajit gusht 1956 shkova të regjistrohesha në shkollën e mbrëmjes. Profesor Harilla ishte shkarkuar si drejtor. Drejtori i ri, Pullumb Çeli më kërkoi dëftesën e lirimit të shkollës shtatëvjeçare. I thashë se e kishin aty, pasi e kisha ndërprerë klasën e parë që në vitin 1951. Më sorollati disa muaj pa më pranuar. Herë thoshte se dëftesa nuk gjendej dhe herë shpikte ndonjë gjë tjetër. Kuptova se motivi kryesor ishte burgu im Kështu që atë vit mbeta pa shkuar në shkollë.
Në tetor ndodhën trazirat në Hungari.. Revolucioni hungarez ngjalli shpresat edhe tek ne. Por çdo gjë u shua shpejt. Ndërhyrja e trupave sovjetike mbuloi me gjak rrugët e Budapestit. Këto ngjarje më frymëzuan të shkruaja diçka.
Ishte një tregim prej rreth tridhjetë faqe fletoreje me shkrim dore. Në qendër të tij ishin dy të rinj që dashuroheshin, Giula dhe Klara. Ishin lidhur me lëvizjen e studentëve. Në kohën e revolucionit u hodhën me të. Pas shtypjes së tij ai pushkatohet, ndërsa ajo dënohet me dhjetë vjet burg. Pas lirimit, në kujtim të të dashurit të saj, qëndron e pa martuar për tërë jetën. Si titull i tregimit ishte shprehja e famëshme e Petëfit “Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë!“.
Tregimin ia tregova vetëm Fatushes. Ajo e pëlqeu shumë. Më porositi ta ruaja në një vend të fshehtë që të mos binte në duart e sigurimit në rast bastisje të shtëpisë. Në atë kohë të gjitha mund të ndodhnin. E vendosa në fund të një kutie me libra të vjetra, gjysëm të grisura, që i ruaja si relike të
çmuara.
Në majin e vitit 1957 shkruajta një tregim tjetër të shkurtër, që e dërgova për botim në gazetën “Zëri i Rinisë“. Ngjarjen e kisha spostuar në të kaluarën e vendit. Në të përshkruhej vuajtja e një nëne përballë birit të vetëm të sëmurë që po i vdiste dhe nuk ishte në gjëndje ta ndihmonte. Tregimin e titullova “Brengat e një nëne“. Pas dy javësh më erdhi përgjigja e gazetës. Tregimi im nuk mund të botohej sepse, sipas tyre, heronjt e tij ishin njerëz të zbehtë dhe të pa fuqishëm.
Në fillim të gushtit, ish drejtori i gjimnazit, Harilla Koçuli, i tha tim eti në konfidencë se duhej t’i shkruaja një letër Ministrit të Arsimit, për të më pranuar në shkollë. E shkruajta dhe e nisa letrën. Përgjigja u vonua gati dy muaj. Miratohej kërkesa e ime. U paraqita në shkollë. Më rregjistruan dhe fillova mësimet. Ishte fillimi i tetorit.
Ishte kënaqësia e vetme e atij çasti. Shkolla ishte ëndrra ime. E kisha të qartë se hapi im atje do të ishte deri në mbarimin e gjimnazit. Për më lart dyert do të ishin të mbyllura. Megjithatë vendosa t’i përkushtohesha. Duhej të dilja me doemos i pari i klasës dhe mundësisht më i miri i shkollës. Sedra më ngacmonte vazhdimisht në këtë drejtim.. Kështu munda të fitojë simpatinë e shumicës së mësuesve dhe nxënësve të klasës.
Dita e parë e shkollës. Ora e matematikës. Mësuese Bubulina Arapi urdhëroj të nxirrnim nga një letër. Do bënim provim me shkrim. Shkroi tre ushtrime në dërrasën e zezë dhe tha të fillojmë. Ato kishin lidhje me kapitullin e faktorizimeve, katrori i shumës dhe diferencës së binomit dhe diferenca e katrorëve të tij.
Me sa mbaja mend nga klasa e parë që kisha zhvilluar para gjashtë vjetësh, m’u dukën shumë të lehta. Nxora një letër dhe fillova të shkruaj. Mësuesja më pa dhe pyeti:
- Do të marësh pjesë në provim? Ti sot erdhe.
- Po, do të mundohem. - iu përgjigja.
Kur u ktheva në shtëpi dhe i krahasova rezultatet me librin, doli se kisha katranosur një djallë e gjysmë. Orën tjetër u ndanë fletët e provimit. Në timen pashë notën dysh. Ishte e vetmja notë negative në jetën time. Por s’ma kishte askush fajin, veçse vetja, që u futa në provim në tym dhe pa u menduar. Ndërkohë në dërrasë të zezë ishte ngritur Durim Lulja. Mësuese Bubulina i jepte ushtrimin dhe ai mundohej ta zgjidhte. Për ato që ai nuk i dinte ajo pyeste:
- Kush e di?
Unë ngrija dorën dhe përgjigjesha menjëherë. Kjo gjë vazhdoi edhe me nxënësit e tjerë. Kur mbaruan, mësuesja foli:
- Ju tresh, kurse Kripa pesë.
Ndjeva një kënaqësi të veçantë. E harrova dyshin që kisha marrë.
Ora e hartimit. Mësues Milo Duni dha temën. Ishte mbi fillimin e vitit të ri shkollor. E shtjellova sipas mënyrës time, me fjali të shkurtëra. Ishte një prozë poetike. Në qendër ishte një nxënës shembullor. E quanin Petrit. Hartimi fillonte me shprehjen “Dalç faqebardhë!“. Ishte një prozë e shkurtër e përmbledhur në dy faqe.
Pas dy javësh bëhej korigjimi i hartimeve. Mësuesi pruri fletoret e korigjuara dhe filloi të komentojë mbi to. Në fund filloi t’i shpërndajë. Hartimin tim nuk e zuri në gojë. Mua nuk m’u durua dhe e pyeta:
- Po hartimi im, zoti mësues!
Ai vuri buzën në gaz dhe iu drejtua klasës:
- Tani dëgjoni si bëhet një hartim.
Filloi të lexojë me ngadalë. Pjesët më të goditura i përsëriste. Së fundi, më dorëzoi fletoren duke më thënë:
- Ju lumtë! Një hartim i tillë nuk vlerësohet me notë.
Mora fletoren dhe e hapa. Nuk kishte notë, vetëm një shënim në fund të tij. Lexova:
- Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime “ po të kesh kohë të lirë “
Ishte shkruar me laps blu me përjashtim të pjesës në thonjëza që e kishte shkruar me të kuq. Vrisja mendjen të gjeja përse e kishte bërë një gjë të tillë. Arrita në përfundimin se kuptimi i asaj fraze ishte alegorik. Mësuesi e dinte të kaluarën time. Me të donte të thoshte se çdo gjë varej nga vullneti im, në se do të shkruaja apo jo. Disa vite më vonë edhe mësues Milua do të provonte robërinë e burgut.
Vendosa të tentoj edhe një herë. Shkruajta tregimin e tretë dhe e dërgova për botim kësaj here në gazetën “Letrari i ri“. Bëhej fjalë për një jetim, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në Tiranë në kohën e luftës. Fundi i tij ishte tragjik. Djaloshi gjëndet i vdekur nga uria në mes të një pylli. Tregimin e titullova “Fëmija pa nënë si nata pa hënë“ Pas disa ditësh erdhi përgjigja:
Tregimi nuk mund të botohet, pasi atij i mungon personazhi pozitiv dhe paraqitja reale e jetës në vendin tonë.
Krijova bindjen se për mua do të mbetej gjithmonë e hapur drita e kuqe që ndalonte botimin e tyre. Tashti e kuptova shënimin e mësues Milos.
Përgjigja më shkaktoi një ndjenjë pesimizmi. Ndjeva
një boshllëk në ndërgjegjen time. Ishte rasti i parë i dobësisë që më mposhti. Në këtë gjendje mora tre tregimet e shkruara dhe i grisa. Ishte një çast i hidhur për mua. Ndoshta veprova gabim. Ndoshta duhej t’i kisha ruajtur dhe të vazhdoja të shkruaja paçka se nuk botoheshin. Por nuk e bëra.
- Çfarë bëre ashtu? Përse i grise? Do të vijë një ditë që ato do të botohen - tha Fatushja kur e mori vesh.
Që nga ajo ditë dhe deri në ndryshimet demokratike nuk e mora më penën për të shkruar. Vetëm pas vitit 1991 fillova të shkruaj përsëri. Ato pak poezi që i kisha të rregjistruara në trurin tim, i ripunova dhe i hodha në letër. Kështu fillova botimet në shtypin e kohës.
Fundi i vitit shkollor. Provimi i parë ishte algjebra me shkrim. Si zakonisht, një problem dhe dy ushtrime. I zgjidha në më pak se një orë. Pas tre ditësh kishim hartimin. Ndërsa po punoja me temën afrohet mësuese Bubulina dhe me buzë në gaz më thotë:
- Algjebrën e zgjidhe për më pak se një orë. Po tashti pse po vonohe?
E vështrova duke qeshur dhe iu përgjigja:
- Algjebra është dije, ndërsa hartimi frymëzim dhe frymëzimi do më shumë kohë.
Rezultatet afishoheshin në hyrje të shkollës. Pas emrit tim ishin tre pesa. Ishin dhe dy provime të tjera. Shoku im, Teki Gjonzeneli, duke lexuar rezultatet, m’u drejtua në sy të nxënësve dhe mësuesve:
- Dëgjo Reshat! Kështu dua të m’i rreshtosh
të gjitha notat.
Ndjeva një krenari për veten time.
JORGUA
Në verën e vitit 1957, Jorgua u lirua nga ushtria. E kishte kryer në repartin e punës. Vura re një ndryshim në karakterin e tij. Ai djali i qeshur që këndonte aq bukur këngët labe, ishte kthyer në një njeri të heshtur. Pothuajse nuk të bënte muhabet fare. Përgjigjej vetëm kur e pyesje. Herë-herë shkëputej nga bota që e rrethonte dhe zhytej në vetminë e tij.
Kjo gjendje më shqetësoi. Ai që bisedonte me mua plot pasion për probleme të ndryshme, tashti ishte kthyer në një njeri pasiv. Diçka duhej të kishte ndodhur. Dhe këtë gjë unë duhej ta zbuloja
- Jorgo, bashkë kemi ndarë shumë halle. Tregomë çfarë të mundon?
Nuk u përgjigj menjëherë. U mendua për disa çaste, pastaj foli:
- Kur pështyn lart, të bie në fytyrë, kur pështyn poshtë, të bie në këmbë. Kështu më ndodhi edhe mua. Më është bërë shtëpia varr. Im atë më nxiu jetën Gjithmonë më quan fajtor të gjendjes së familjes. Tre vjet burg që bëra, nuk u dëgjua i gjallë. U lirova nga ushtria dhe ai më trajton si djalin e njerkës. Nuk di si të veproj. Më vjen keq për nënën. Ajo vuan, por nuk ka kurajo t’i flasë se ai e mbyt.
Këtë gjë e kisha kuptuar që në burg, ku për gati tre vjet nuk i erdhi njeri për takim. Megjithatë, duhej t’i flisja, t’i jepja kurajo që të krijonte besim në të ardhshmen e tij.
- Dëgjo, Jorgo, unë e kuptoj hallin tënd. Martohu dhe ndau mënjanë. Krijo familjen tënde. Nuk je rasti i vetëm që vepron kështu
Në atë çast m’u duk sikur më kuptoi. Për disa
ditë e pashë më të qeshur dhe më të afruar. Bisedonte më hapur. Ditët kalonin dhe trishtimi e mbuloi përsëri.
- Kam marrë një vendim, - më tha.
- Çfarë vendimi?
- Do të arratisem. Këtu nuk ka më vend për mua.
- A i ke menduar pasojat?
- Le të dalë ku të dalë. Ose të shpëtojë ose të vritem. Do të vish edhe ti? Shkojmë në Çatistër gjoja për të parë gjyshen dhe prej andej arratisemi kollaj.
Tundimi ishte i madh. Që kur ishim në burg e kishim biseduar variantin e arratisjes. Por rrethanat kishin ndryshuar. E kisha të qartë se arratisja e ime do të thoshte internim për gjithë pjesëtarët e familjes. Kurse familjen e Jorgos nuk e gjente gjë. Sjelljen e të atit karshi të birit e kishin marrë vesh të gjithë. Unë nuk mund të bëhesha shkaktar i katastrofës për familjen.
- Jorgo, më vjen keq që po hedh poshtë kërkesën tënde. Tashti unë kam një familje karshi së cilës kam detyrime. Të këshilloj edhe ty të heqësh dorë nga ky mendim.
Kaloi më shumë se një muaj. Kujtova se Jorgua kishte hequr dorë. Një ditë pa pritur e kujtuar u zhduk nga qarkullimi. Prita dy ditë se mos e takoja. Të tretën i shkova në shtëpi. Te porta pashë të ëmën që po rrinte. Sytë i kishte të përlotur. Sa më pa, më bëri shenjë të hyja brenda. Me një zë që i dridhej më foli:
- Jorgo zu Miço. Mori luga, pirunja iku.
Shqipen mezi e fliste. Në këtë kohë mbërriti djali tjetër që më sqaroi:
- U zu me babanë. Ai e qëlloi me pëllëmbë. Mori dy tre lugë dhe pirunj dhe iku duke thënë se nuk do ta shihnin më me sy. Do banonte më vete.
- Po a mendoni se ku mund të ketë shkuar?
- Nuk dimë asgjë. Sot do të shkonte babai të lajmëronte në degë.
Kuptova gjithçka. Jorgua duhej të ishte arratisur. Lugët dhe pirunjtë i kishte marrë për të humbur gjurmët dhe për të fituar kohë. U interesova në mënyrë indirekte për të, mos ishte vendosur diku, por asnjë lajm.
Isha në ankth. Prisja të më thërrisnin edhe mua për të më pyetur. Pas dy ditësh një polic u shfaq te porta e shtëpisë.
- Merr letërnjoftimin dhe eja me mua. Të kërkojnë në zyrën e pasaportizimit për një verifikim.
Mendova se ky ishte fundi. Sidoqoftë, vendosa të sillesha sikur nuk dija gjë. Zyra e pasaportizimeve ndodhej aty afër, në një godinë tre katshe prapa tregut fshatar. Më futën në një dhomë në katin përdhes. Një oficer që rrinte pas një tavoline më mori letërnjoftimin dhe filloi ta vështrojë. Pas pak i bëri një shënjë policit që më mbylli në dhomën ngjitur.
Dhoma ishte bosh fare. Më kujtoi qelitë e sigurimit. Nuk e di sa qëndrova aty por, me siguri, më shumë se dy orë. Nga çasti në çast prisja të vinte makina e burgut që të më çonte në qelitë e sigurimit të shtetit.
Së fundi hyri përsëri polici dhe tha:
- Eja me mua!
I shkova nga prapa. Më shpuri në dhomën e
mëparëshme. Oficeri vazhdonte të qëndronte në tavolinë duke mbajtur në duar letërnjoftimin. Në një tavolinë tjetër ishte ulur një vajzë që shtypte diçka në makinë shkrimi.
- Me siguri, po shtyp urdhër arrestin tim, - mendova me vete.
Oficeri më hodhi një vështrim sikur do të më psikollogjiste dhe tha:
- Ku punon?
- Në kooperativën e drupunuesve.
- Pse nuk e ke shënuar në letërnjoftimi? A nuk e shikon që ka një faqe të veçantë për këtë?
- Nuk ma ka kërkuar njeri.
- Po ti pse nuk je interesuar vetë?
- Nuk e dija.
Oficeri u mendua një kohë të gjatë. Në dhomë mbretëronte heshtja. Nuk dëgjohej asgjë, përveç trokëllimës së gishtave të vajzës në makinën e shkrimit. Së fundi, foli:
- Merre letërnjoftimin dhe nesër që me mëngjes të shkosh te shefi i kuadrit për të bërë shënimin përkatës.
Mora frymë i lehtësuar. Kisha shpëtuar nga arrestimi. Ika gati me vrap për në shtëpi. Atje më prisnin me zemër të ngrirë. U shpjegova çfarë kishte ngjarë. Për Jorgon nuk u thashë gjë se nuk doja t’i shqetësoja. E kisha të qartë se e gjithë kjo lojë u bë për shkak të arratisjes së tij. Ndoshta dyshonin se mos kisha ikur edhe unë me të.
Të nesërmen u paraqita në zyrën e kuadrit. Shef Shameti, sa më pa, tha me mospërfillje:
- Çfarë do?
- Më ka dërguar zyra e pasaportizimeve të më shënoni qendrën e punës në letërnjoftimi.
- Ik, se nuk ta kam ngenë! - m’u përgjigj me një zë të ashpër
- Më ka dërguar zyra e pasaportizimeve, - përsërita unë
- Le ta vënë ata vulën, po të duan.
U largova pa u ndierë më. E mora vesh kuptimin e kësaj loje. Pas disa ditësh në tërë Vlorën u hap lajmi i arratisjes së Jorgos. Kishte ikur së bashku me Ismail Mustafarajn nga Çeprati. Nëpërmjet fshatit të tij, Çatistrës, kishin mundur të kalonin në Greqi. Aty qëndruan dy vjet. Pastaj mundën të shkonin në Amerikë. Vazhdoi studimet. Mbaroi për kimist. Por fati nuk i eci. Sëmundja e kancerit e mposhti. I mbylli sytë në dhe të huaj pa marrë asnjë lajm nga të dashurit e tij. I ati nuk derdhi asnjë pikë lot. Ndërsa e ëma nuk duroi dot, por i mbylli sytë pas disa vitesh.