E marte, 30.04.2024, 11:18 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Kangët e pakëndueme të Eden Babanit

E shtune, 05.03.2011, 08:58 PM


Kangët e pakëndueme të Eden Babanit

 

Nga Reshat Kripa

 

Ata kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por për fatin e tyre të keq, jetonin në një kohë kur nuk mund të shprehnin atë që u buronte nga zemra e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në një kohë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj, ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit, për t’ia kundërvënë mendimit të lirë formulën e të ashtuquajturit “ realizëm socialist “, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.

            Talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre. Këtu ia vlen të përmendim emrat e paharruar të martirëve Trifon Xhagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nela e të tjerë.

  Të tjerë provuan prangat e hekurta në vend të nënshtrimit apo lirisë së dhunuar. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Në rradhën e këtyre më lejoni të përmend Visar Zhitin, Pjetër Arbnorin,  Pirro Kuqin, Frederik Reshpen, Pano Taçin, Kasem Trebeshinen, Astrit Delvinen e të tjerë.

Por kishte edhe një kategori tjetër që shkruanin. Dora e tyre i hidhte këto në  letër.

Autori i lexonte dhe rilexonte me vete, pa guxuar t’ia trgonte njeriu, me përjashtim ndoshta ndonjë miku shunë besnik. Kishte edhe nga ata që shkruanin nëpër  kasollet ku jetonin të izoluar nga bota e madhe. Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë.

Këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Ato u shndruan në “Kangë të pakëndueme“, me të cilat kënaqej vetëm autori i tyre dhe që prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori“. Autorët e këtyre shkrimeve nuk u bënë kurrë servile dhe hipokritë, nuk u bënë lakej oborri.

Fundi i viteve 80-të do të tregonte se forca e mendimit të lirë do të fitonte  betejën

me diktaturën. Perdet e hekurta që ndanin të dy botët do fillonin të  shembeshin.  I  fundit

nga vendet totalitare të Europës do të ishte vendi ynë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990,

do të ishte konkretizimi logjik i fitores së ideve demokratike mbi ato diktatoriale. Lufta për këtë fitore kishte filluar qysh më 28 nëntor 1944 dhe për të ishte derdhur shumë gjak dhe ishin bërë shumë sakrifica, për gati 50 vjet me rradhë.

            Midis plejadës së madhe të atyre të përndjekurve politikë, që kanë shkruar fshehurazi në kohën e diktaturës, pa gjetur rrugën e botimit, në këto vite do të dilnin në dritë, si një buqetë e bukur lulesh, veprat e publiçistit të njohur, kryeredaktorit të shquar të gazetave Liria, Liria A dhe Për mëmëdhenë , librat  Era e ringjalljes, Nekrologji, Një birrë më pak dhe Qoshku i rrëfenjave   të mikut tonë Eden Babani.

            Duke lexuar këto vepra të këtij autori mbi shtatëdhjetëvjeçar, nuk ka se si të mos prekesh nga ndjenjat e shprehura në to. Të duket sikur ke të bësh me një autor të afirmuar. Në veprat e tij secili nga ne do të gjejë diçka nga jeta e vet. Duke i lexuar secili prej nesh do të bashkëjetojë me autorin për ato që shkruan. Dhe kjo për arsyen e vetme se ai ato që shkruan i ka mbijetuar vetë mbi shpatullat e tij.

            Në përmbledhjen  Era e ringjalljes kemi një tufë tregimesh të shkruara me ndjenjë. Në to dallojmë një stil të sigurtë dhe një gjuhë të pastër. Me gjithë vështirësitë që paraqet tregimi në vetvete, Edeni ka arritur që personazhet t’i skalisë për bukuri duke na dhënë tipa realë njerëzish të epokës në të cilën jetonin. Një vend të veçantë këtu do t’i jepja tregimit Hartim në fillim të marsit 1953.

Duke lexuar romanin Nekrologji para syve na dalin ato ngjarje që i kemi përjetuar vetë. Merita e autorit është, për mendimin tim, se ai nuk i përshkruan ngjarjet nën këndvështrimin e  sotëm, por sipas realitetit të atyre ditëve të errëta të së kaluarës, të atyre ditëve kur shumica e  njerëzve ishin zhveshur nga personaliteti, kur ishin të detyruar të vepronin sipas shkopit të dirigjentit. Njëkohësisht, paralelisht me këto, autori na paraqet edhe një tabllo të ditëve të sotme, me difektet dhe përplasjet e saja. Kështu që kemi, siç thotë edhe redaktori i veprës, zoti Pandeli Koçi, një roman në dy epoka.        

Çdo periudhë ka mentalitetin e saj.  Këto mentalitete pasqyrohen në roman plotësisht. Personazhi kryesor i tij, kryetari i këshillit të fshatit Kryekuq, Drini, na jepet me të gjitha ngjyrat e kohës. Ai është komunist. Është i vendosur në bindjen e tij.  Por, në ndryshim me shokët,  karakteri i tij burrëror e bënë që komunistllëkun të mos e përdorë si një maskë që e ndërron sipas situatave ose si një mjet për përfitime vetiake. Një gjë e tillë mund të duket kontradiktore, si një sajesë e autorit. Por, në realitet, të gjithë e dimë se në morinë e personazheve thellësisht negative të atyre ditëve, të hipokritëve dhe servilëve, gjendeshin edhe persona të ndershëm, pavarësisht nëse ishin ose jo komunistë,  tek të cilët ne gjenim mbështetje dhe përkrahje. Dhe ishte pikërisht kjo përkrahje  që na bëri të mbijetonim në atë periudhë aq të vështirë.

            Paralelisht me ndodhitë e kohës së kaluar, autori na jep edhe atë të kohës së sotme. Kjo duket në bisedat e tij me kryeredaktorin. Në këto biseda bie në sy mentaliteti i ngurtë që zotëronte mendjet e të përndjekurve politikë të viteve të para të demokracisë. Të lodhur nga periudha e gjatë e mohimit të të drejtave të tyre dhe deri diku edhe nga ndikimi virusal i mentalitetit komunist, bënin që ata të mbanin një qëndrim refraktar ndaj kujtdo prej atyre që kishin patur lidhje  me komunizmin, pavarësisht se një pjesë e tyre e kishin paguar, siç ishte rasti i Drinit.  Një gjë e tillë bie në sy në figurën e kryeredaktorit, që kishte provuar burgimin prej dhjetë vjetësh.

            Pas dy librave të mësipërm autori na jep  ndër duar romanin Një birrë më pak, i cili fillimet e tij i ka qysh në vitet gjashtëdhjetë. Madje ai ruan ende shënimet e brejtura nga miu.  Ngjarjet e romanit zhvillohen në Vlorën e atyre viteve. Personazhet e tij janë persona të njohur dhe të panjohur që ngërthehen me njeri-tjetrin në atë botë absurde  dhe totalitare. 

            Heronjtë kryesorë të veprës janë persona realë, tre miq të ngushtë që shiheshin shpesh të shëtisnin së bashku në bulevardin e qytetit dhe të hidhnin ndonjë gotë në birrarinë e mbushur nga tymi i duhanit. Miqtë e autorit ishin dy të rinj nacionalistë, që kishin provuar mbi shpatullat e tyre peshën e rëndë të burgut komunist. Papritmas njëri prej tyre arrestohet s sërish dhe miqve u ngeli një birrë më pak. Sot këta miq nuk jetojnë më, por në zemrën e autorit ata kanë mbetur siç ishin gati gjashtëdhjetë vjet më parë. Ai nuk mund të harrojë kurrë kujtimin e Burim Kokoshit dhe Klito Lamajt, të cilëve ua kushton romanin.

            Libri i fundit Qoshku i rrëfenjave është një përmbledhje tregimesh të treguara nga

një grup miqsh që hedhin nga një gotë së bashku dhe tregojnë ngjarje nga jeta e tyre. Në të gjitha këto ndihet një satirë e hollë, e cila fshikullon sistemin diktatorial. Mënyra e konceptimit që i ka bërë këtyre tregimeve autori, i japin librit pamjen e një romani të vërtetë.

            E pra, këto ishin kangët e pakëndueme të Eden Babanit, të cilat diktatura i la në harresë, por që epoka e re e ndryshimeve demokratike bëri që ato të shpërthenin dhe të këndoheshin pa frikë e pa zori.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora