E marte, 30.04.2024, 11:43 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Rini e copëtuar (XII)

E hene, 07.02.2011, 08:58 PM


RESHAT KRIPA

 

RINI E COPËTUAR

 

Kujtime

 

VLASHUKU

 

Atë ditë moti bëri shumë keq. Që me mëngjes filloi një shi i rrëmbyer. Gjëmonte dhe vetëtinte sikur do të përmbysej gjithçka. Si u qetësua pak,  na hipën nëpër makina dhe u nisëm. Dengjet tona i ngarkuan në një makinë tjetër. Makinat morën drejtimin e Kuçovës. Kaluam qytetin dhe një urë që ishte mbi lumin Devoll dhe  u ndalëm. Na zbritën dhe na urdhëruan që sejcili të merrte dengun e tij në krah. Më tutje nuk kishte rrugë automobilistike, kështu që duhej ta bënim në këmbë. .

Vlashuku, drejt të cilit   po  shkonim,  ndodhej në majë të një kodre të lartë. Shiu vazhdonte  të binte, ndonëse jo me intesitetin e mëparshëm. Policët që na shoqëronin kishin veshur pelerina të mëdha dhe çizme, kështu që nuk lageshin. Ne ishim bërë ujë. Megjithatë, ishim të detyruar  të ecnim nëpër një rrugë gjithë baltë me dengun në krah, ku shpesh herë rrëshkisnim dhe duhej të ngriheshim menjëherë, sepse përndryshe të vinte roja me një kamzhik në dorë dhe të qëllonte ku të mundte duke thënë::

- Çohu se pengove shokët!

Autokollona  e  skllevërve  vazhdonte rrugën.

Pas  gati  dy  orësh   mbërritëm  në kamp. U futëm si mundëm nëpër kapanone. Hapa dengun  e plaçkave. Kishin shpëtuar pa u lagur një palë ndërresa që ishin në mes të tij  si  dhe një batanie. U gëzova pa masë.  U ndërrova shpejt e shpejt dhe u mbështolla me batanien. Atë natë e kaluam ashtu të mbështjellë  mbi dërrasat e shtretërve të kapanonit duke u dridhur nga të ftohtit.

Të nesërmen koha çeli dhe doli dielli.  Ishte fati i ynë për të tharë teshat. Atë ditë u bë edhe organizimi ynë nëpër brigada dhe kapanone. Unë rashë në një brigadë me Myrtezanë dhe Jorgon.

Në Vlashuk kryheshin  punime  për  tharjen  e  kënetës së Thanës. Për këtë duhej hapur një kanal i gjatë rreth gjashtë kilometra. Kilometri i parë i tij, për shkak të relievit malor, duhej të gërmohej deri në tridhjetë metra thellësi, ku vendoseshin tuba të mëdha betoni për të kaluar uji.  Deri në dhjetë metrat e para të thellësisë gërmimi bëhej me krah dhe trasportohej dheu me karro dore nëpër një rrugë në forme zigzake. Pastaj  nxjerrja e tij bëhej me vinxha dhe trasportohej me karro dore.

Në kamp nuk kishim ujë të pijshëm. Bile edhe fshati që ishte ndonjë kilometër larg, mbushte te një pus i vetëm    ndodhej      dalë    tij.  Ne  përdornim  si  ujë  të pijshëm  atë që ishte grumbulluar në një gropë të hapur nga  eskavatori. Në muajt e pranverës atje dëgjohej kuakërima e bretkosave që më kujtonte këngën që na kishte mësuar Tish Daija në shkollë:

 

Ardhi prandvera dhe të ftohtit iku, gjithshkafja lulzoi,

Edhe bretkosat n’ kënetat e veta plot andje këndojnë.

.

Kur e këndonim në shkollë këtë këngë, nuk e merrja dot me mend se do të vinte një ditë që do të  pija ujë bretkosash. Kënaqësia e dikurshme e asaj kënge ishte shndëruar në trishtim. Romantika e vargjeve të saj ishte shuar.

 

 

*     *     *

 

Puna ishte e vështirë dhe me pasoja të rënda. Aksidentet ishin të shumta.  Porsa kishte mbaruar platforma e vinxhit prej traresh dhe drrasash. Vinxhier ishte një djalë i ri E quanin Qemal. Mbiemrin nuk ia mbaj mend. Ishte një djalë i qeshur dhe me humor. Për katër muaj do të lirohej. Montoi vinxhin, i vuri kondrapeshat dhe filloi ta rrotullojë për ta provuar. Kur ato arritën nga ana e jashtme e platformës, dy dërrasa që nuk ishin mbërthyer si duhet u ngritën nga pesha e vinxhit. Qemali fluturoi dhe ra në kanal nga një lartësi më shumë se dhjetë metra. Menjëherë pas tij ra edhe vinxhi, i cili e fundosi rreth një metër në tokë.  Vdekja ishte e llahtarëshme. Ajo kishte ngrirë buzëqeshjen e tij. Zbritëm poshtë, çmontuam vinxhin dhe nxorrëm trupin e sakatosur. Në pasdite e varrosëm në vëndin e caktuar për të vdekurit, disa hapa jashtë rrethimit, në anën e sipërme të kampit. Askush nuk dha llogari për këtë aksident.

Punonim në gërmim në fund të kanalit. Thellësia kishte arritur mbi njëzet metra. Zakonisht në mes të kanalit linim një bllok dheu me dimensione 80 X 40 pa gërmuar për të llogaritur volumin e dheut. Llogaritjet bëheshin  çdo mbrëmje. Ishe i detyruar të realizoje normën, përndryshe mbeteshe pa racionin e bukës dhe çajit të darkës.  Këta blloqe  dheu ne i quanim piramida. Lartësia e saj kishte arritur gati dy metra.

Skënder   Dinia,   biri   i   Fiqiri   Dines,   një personalitet i njohur i krahinëa së Dibrës, punonte në fund të kanalit. U ul pranë një piramide të tillë dhe ndezi një cigare. Por lodhja dhe dobësia, bënë që t’i shpëtonte ajo nga duart dhe ta zinte gjumi. U mbështet pas piramidës. Roja që kontrollonte të burgosurit po afrohej. Shoku i tij e pa dhe i thirri:

- Skënder, çohu se po vjen roja.

Në tentativë për  t’u ngritur, i përgjumshëm siç ishte, nga nxitimi u mbështet më me forcë. Piramida u rrëzua. Një klithmë e tmerrshme u dëgjua.  Dheu kishte rënë mbi të. Shokët u munduan ta ngrinin, por ai nuk lëvizte dot. Kishte dhimbje të mëdha në shpinë Kishte mbetur i kërrusur. Shokët e morën me vështirësi dhe e vendosën në një tezgë që sajuan aty për aty.  E transportuan në infermierinë e kampit.

Doktor  Isufi, që kishte vetëm disa ditë që kishte ardhur në Vlashuk, e vizitoi dhe konstatoj se mund të kishte thyer unaza të shtyllës kurrizore. I gjori Skënder nga mesi e poshtë ishte i  paralizuar. Në mes të dhimbjeve ai pyeste doktorin:

- Doktor, a do të mund të shpëtoj  për me pa edhe nji herë nanën?

Të ëmën bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes i kishte të internuar në Savër të Lushnjes. Doktori e dinte se për të nuk kishte më shpresë. Megjithatë i jepte vazhdimisht kurajo:

- Sa     kalojnë  disa  ditë  dhe  do    bëhesh

më mirë. Do    shkosh     spital   dhe  do të shërohesh.

Në spitalin e Beratit e çuan  vetëm  pas  tre  ditësh.  Rrojti  edhe  disa  ditë  dhe mbylli sytë. Trupin e tij nuk e dimë se ku e hodhën.

Ishte fillimi i Marsit 1953.   Atë  ditë  Xhavit Çesma nga Mokra, me   cilin  hanim  bukë  bashkë,

afrohet dhe  thotë:

-  Dëgjoni, këto ditë do të ndodhë një ngjarje e madhe. Kam një parandjenjë për këtë.

-  Goja të  buroftë  mjaltë! -  i  tha  Myrtezai, - Ndoshta thyen qafën ky yni!.

Na ishte bërë zakon që çdo ditë të prisnim ndonjë ngjarje të tillë.  Mirë   thonë   se shpresa vdes e fundit. Ajo na mbante gjallë. Pas disa ditësh morëm lajmin e vdekjes së Stalinit dhe një javë më vonë atë të diktatorit çek Klement Gotvald. Gëzimi në rradhët e të burgosurve ishte i madh.

- Kush e ka rradhën tani, mos vallë ky  yni? - pyeti Xhaviti me qesëndi. - A nuk ju thashë unë që e parandjeva?

Toger Ademi e kuptoi nga fytyrat tona mendimin që kishim.

- Kot gëzoheni se, në rast se imperialistët amerikanë do të guxojnë të shkelin në tokën tonë, juve do jeni të parët që  do të zhdukeni.

- Të gjithëve nuk na zhdukni dot, - u dëgjua një zë nga turma.

-  Kush foli? - pyeti togeri i tërbuar.

Turma heshti. Sado që u mundua, asnjë nuk foli. Së fundi, një spiun ordiner i tregoi për Xhavitin. E mori dhe, pasi e lidhi, e dënoi një javë në birucë. Ai muaj ishte një skenë terrori për kampin.

Disa vite më vonë, Xhaviti u lirua dhe u internua në Savër të Lushnjes. Prej andej tentoi të arratisej në Greqi, por u kap nga forcat e kufirit dhe u dënua me vdekje me pushkatim. U ekzekutua një natë dhjetori.

 

 

*     *     *

 

Në muajin maj më erdhën për takim babai me nënën. Së bashku me ta ishte edhe Liria. Në atë kohë ajo banonte në Peqin. Zakonisht takimet bëheshin në dy anët e rrethimit me tela me gjëmba. Atë ditë shërbimin e kishte rreshter Lutfiu, një nga rojet e pakta me zemër të mirë. I erdhi keq për mua dhe më nxorri përjashta. U përqafova me mall  me    tre. Babai  m’u  duk  shumë  i  plakur.  Ishte   gjashtëdhjetenjë  vjeç.   Edhe  nëna ishte shumë e lodhur. Më treguan për Fatushen që e kishin transferuar në Bishan, një fshat në derdhjen e Vjosës dhe për Agimin që punonte si topograf në Levan. Kur u ndamë, i shoqërova me sy deri sa u zhdukën te kthesa.

Një të dielë ndërsa po rrinim duke   biseduar, afrohet Gjon Shllaku dhe thotë:

- Djelmosha, sot po organizojmë nji konkurs letrar në prozë dhe poezi. Me këte rast do të shpërndajmë edhe dy çmime për fituesit. Prandaj  letër dhe laps dhe filloni.

Në shkollë kam qenë i shkëlqyer në hartime. Ato i zhvilloja gjithmonë në formë tregimi. Kurse atë ditë më shkrepi ideja që të bëja një poezi. Ndoshta këtu ndikoi poezia që i kisha kushtuar Nerit. Sidoqoftë, u ula dhe shkruajta poezinë e më poshtme:

 

ROBËRIA

 

Në çdo anë  e në çdo cep,

Moj e dashur Shqipëri!

Që nga Korça në bregdet

Ndodhesh ti në robëri.

 

Nëpër burgje të tmerruar,

Njerëzit vuajnë pa mëshirë.

Janë shtypur, robëruar,

Pse kërkojnë  jetën e lirë.

 

Nëpër  kampet gjakatare,

Ndihet huri dhe dajaku.

Vuajnë zemrat shqipëtare,

Porsi lum u vete gjaku.

 

Bujku atje tej punon,

Është këputur lodhur shumë

Arën me mundim lëron,

Edhe natën rri pa gjumë.

 

Nëpër male shkon  bariu,

Bashkë me dhentë e tij,

Vuan shumë gjithmonë i ziu,

Pasi  është në robëri.

 

Shqipëri o moj e mjerë!

Pse nuk ngrihesh përsëri?

Të tregosh se kësaj herë,

Liria shpejt do të vijë!

 

Për çudi Myrtezai, që kishte prirje për poezi, shkroi një tregim në prozë. Pas një jave u mblodhëm  përsëri për të bërë ndarjen e çmimeve. Gjoni shpalli si fitues në prozë një djalosh nga Korça. Ai kishte shkruar një prozë poetike shumë të bukur për lirinë. Në poezi u shpall fitues një djalë nga Dibra. Unë  dhe Myrtezai ishim ndërmjet dhjetë më të mirave që ishin paraqitur në konkurs. Kënaqësia e ime ishte e jashzakonshme. Nuk e prisja kurrë një gjë të tillë. Ndoshta ishte më shumë përmbajtja e saj, se sa vlera e vargjeve, që ndikuan në këtë drejtim. Premiot ishin dy kuti duhani te bëra prej një mjeshtri nga gaveta italiane. Në kapakun e secilës ishte gdhëndur një shqiponjë dhe poshtë saj shkruhej: RROFTË SHQIPËRIA!

Pas disa ditësh Gjoni u afrua dhe na tha:

- Djelmosha, ngulitini mirë në mendje ato qi keni shkrue, në mënyrë qi të mos i harroni dhe mandej shkyeni letrat.. Ato mund të paraqesin rrezik.

Ashtu bëmë. Poezia u ngulit në trurin tim dhe mbeti e tillë edhe pas pesëdhjetepesë  vjetësh.

 

*     *     *

 

Në korrik erdhi komisioni mjekësor nga Ministria. Ai vinte zakonisht një herë në vit. Kryesohej nga doktor Miraka.  Doktor Isufi kishte sajuar për mua një diagnozë fallso sikur vuaja nga takikardia. Komisioni, që nuk donte t’ia prishte doktorit, më nxorri me gjysmë norme. Kjo ishte një ndihmë e madhe. Formuam një skuadër ku të gjithë ishim gjysmë norme.

Një ditë doktor Isufi më tha:

- Kam menduar të bisedojë me komandantin e kampit për të të futur në guzhinë.  Atje do të jesh më mirë.

  fillim   ngurova.    gjithë  ata    punonin  atje  ishin    dënuar  ordinerë. Këmbëngulja e doktorit dhe respekti që ndieja për të, më detyroi të pranoja. Kështu fillova. Puna atje ishte e lehtë. Vetëm se ishte me turne. Në turnin tonë guzhinier kishim një djalë të mirë nga Dibra. Kishte hyrë në burg pasi kishte vrarë pa dashje një shokun e tij, kur ishin ushtarë. Me të bëja bisedë vazhdimisht, e vriste ndërgjegja për sa kishte ndodhur.Të tjerëve u qëndroja larg. Ata kishin hyrë  për vjedhje ose  përdhunime. Nga goja e tyre nuk dëgjoje veçse biseda të ndyra. Kështu që shumë shpejt fillova të mërzitem nga ajo punë. Vetëm se më vinte rëndë t’i thoja për këtë doktorit.

Një ditë erdhi për kontroll një ekip i Ministrise së Brendëshme, i kryesuar nga një kapiten i parë. Inspektuan komandën, rojet dhe gjithçka tjetër. Së fundi erdhi edhe në guzhinë. Filloi të na pyesë me rradhë:

- Përse je dënuar?

Të gjithë përgjigjeshin për ndyrësitë që kishin bërë. Kur erdhi rradha ime, u përgjigja:

- Agjitacion dhe propagandë.

Më vështroi  nga koka  tek këmbët. Diçka bisedoi me komandantin e kampit që e shoqëronte dhe pastaj m’u drejtua:

- E për kë paske bërë agjitacion zotrote, mos vallë për anglo - amerikanët?

Nuk iu përgjigja menjëherë. Po mendohesha. Së fundi, vendosa t’i them të vërtetën. Servilizmin më kishin mësuar ta urreja.

- Për Shqipërinë dhe shqiptarët!

- E për cilët shqiptarë, për ata që tradhëtuan atdheun dhe u bënë vegla të të huajve?

- Për shqiptarët e vërtetë. Për ata që ju i vratë,   i   mbyllët   nëpër   burgje   apo   i  detyruat 

arratisen jashtë shtetit.

U nxi në fytyrë dhe filloi të turfullojë si një qen i tërbuar. U kthye dhe iku pa thënë asnjë fjalë. Toger Ademi që ndodhej aty më pa me inat dhe  tha:

- Ta tregoj unë qejfin ty!

Mori një palë hekura, më lidhi duart duke m’i shtrënguar sa mundesh. Pastaj më mbylli në qelinë që ishte për këtë qëllim. Për çudi, në mbrëmje sollën  edhe Hysniun, Burimin, Kliton Dinon, Ahmetin, Myrtezanë dhe Jorgon. Ky ishte  absurditeti    i  madh    mund    ekzistonte. Përse të dënoheshin edhe ata për fajin tim? Apo pse ishin shokët e mi më të afërt? Edhe ata i lidhën si mua.

Hysniu me temperamentin e tij, nuk duronte dot kur shihte duart e mia të ejteshin nga shtrëngimi i hekurave dhe thërriste:

- Ju jeni të poshtër. A shtrëngohen ashtu hekurat në duart e një kalamaku? Shtrëngomini mua dhe lirojani atij!

- Pusho Hysni, mos u fol! - i thosha unë me zë të ulët që ta qetësoja.

Rojet futeshin në qeli dhe na i shtrëngonin më fort hekurat. Na lanë dy ditë pa ushqim.  Pas një jave na zgjidhën duart  dhe  na  nxorrën    punë. Ato  ishin  ejtur dhe nxirë nga mos qarkullimi i gjakut. Mua më hoqën gjashtë orëshin dhe më  dënuan    për gjashtë muaj të mos kem takim me familje.

 

*     *     *

 

Po ktheheshim në kamp nga puna. Para portës kishin qëndruar disa makina.

- Kanë prurë kontigjent tjetër, - tha Myrtezai

Në të vërtetë, në mes të oborrit, kishte shumë të burgosur të rinj. Midis  tyre  ishte edhe Besniku. U gëzova së tepërmi. M’u duk sikur më kishte ardhur tërë familja. Me të mund të bisedoja gjëra të cilat nuk mund t’i bëja me shokët e tjerë. Kush ka provuar mungesën e familjes, e kupton ndjenjën time në atë çast.

Pranë shtratit tim ishte një vend bosh. Një i dënuar nga Kukësi ishte liruar para disa ditësh. U mundova të vendosja Besnikun në atë vend. I thashë kapterit por ai nuk pranoi. Në vend të tij më pruri një burrë rreth të dyzetepesave, nga ata që porsa kishin ardhur. Nga pamja e jashtme ngjante me një njeri serioz dhe të civilizuar.

- Mirseardhët!  Besoj  se  do  e  kalojmë  mirë bashkë, - i fola.

- Natyrisht mbasi këtu nuk kemi çfarë të ndajmë - u përgjigj ai.

Unë isha shumë më i ri se ai dhe nuk dija se çfarë t’i thoshja. Ai po sistemonte rrobat dhe nga kujdesi që tregonte për to mund të kuptoje se kishe të bëje me një intelektual.

- Nga ju kemi? - vazhdova unë me injorancën time.

- Jam nga Korça dhe quhem Sadik Shkëmbi. Por ju mor djalë paskeni ca si tepër muhabet.

Unë   qëndrova    heshtje  i  turpëruar.  Mos kisha thënë ndonjë fjalë që nuk duhej thënë? Ai  sitemoi rrobat dhe u drejtua nga unë duke më thënë:

-  Po ju  nga jeni? Përse ju kanë futur brenda?

- Jam nga Vlora. Quhem Reshat Kripa. Jam arrestuar për agjitacion dhe propagandë, - iu përgjigja

me kënaqësi që kishte pranuar të bisedonte me mua.

- E çfarë agjitacioni paskeni bërë?

- Shpërndarje traktesh nëpër qytet.

- Me   trakte  do  e  rrëzonit  qeverinë   ju?  Po

lere, lere, mos më flisni më  se si e kanë katandisur këtë vend këta, edhe vetë Zoti nuk mund ta rregullojë.

Heshti. Unë rrija dhe nuk guxoja të flisja. Nuk

di sepse por që me prezencën e tij kishte fituar një autoritet karshi meje.. Pasi ndenji pak filloi:

- Megjithatë e di që të ka mbetur merak, prandaj po ta tregojë. Jam profesor i letërsisë. Kam mbaruar universitetin e Sorbonës në Francë. Kam qenë mësues në Liceun e Korçës. Që kur isha në universitet u njoha me Netën. Ajo studionte për psikologji. U dashuruam dhe porsa u kthyem në Shqipëri u martuam. T’iu them të drejtën nuk më pëlqente mënyra se si komunistët morën pushtetin. As edhe metodat mesjetare të përdorura prej tyre kundër inteligjencës së trashëguar nga e kaluara. Ndieja se edhe kundër meje përdorej po ajo metodë. Përfituan nga një rast fare absurd dhe më pushuan nga puna. Kisha lënë në klasë djalin e një funksionari të Komitetit të Partisë. E kundërshtova me arsyetimin tim këtë vendim. Në një çast e humba kontrollin dhe përdora një shprehje që më vonë u përdor kundër meje. Por mendoj se në të vërtetë më luftonin si intelektual që kisha studiuar në perëndim. Më arrestuan  me akuzën për agjitacion dhe propagandë dhe më dënuan me dhjetë vjet burg. Në shtëpi lashë gruan, që e pushuan dhe atë nga puna dhe tani punon në ndërmarrjen bujqësore dhe vajzën time të vetme, Vjollcën time të bukur si pranvera.

Qëndroi dhe po më vështronte me kujdes.

- Sa vjeç jeni?

- Tetëmbëdhjetë.

- Qenke një moshë me Vjollcën time. Vazhdon vitin e fundit të  gjimnazit.   Është nxënëse e shkëlqyer. Më vjen keq se u bëra unë shkaktar që ta pengojë për të vazhduar më tej.

Nuk vazhduam më gjatë. Rasti i Vjollcës më solli ndër mend klasën time. Edhe ata ishin në vitin e fundit të gjimnazit. Midis tyre ishte edhe Neri. Nuk mund të ketë çast më të vështirë se kur kujton shoqërinë tënde të mirë në momente vuajtjesh shpirtërore. Që nga ai çast, me gjithë ndryshimin që kishim në moshë, u bëmë miq të mirë me Sadikun. Në këtë drejtim ndikoi edhe opinioni i mirë që më dha Besniku për të.

Në fund të nëntorit Jorgua u lirua si rezultat i një amnistie  që u zhvillua atë vit. I falën gjashtë muaj. Unë dhe Myrtezai kishim  edhe gjysmën e dënimit për të kryer.



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora