Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Poezi për Pavaresinë dhe Demokracinë
E shtune, 27.11.2010, 10:58 PM
Reshat Kripa
28 NËNTOR 1991
Kushtuar kremtimit te festës së pavarësisë
për herë të parë në liri
Njëzetetetë nëntori, ditë e rrallë e vendit tonë,
E ka shkruar historinë, e ka shkruar përgjithmonë.
E ka shkruar në flamurin, në flamurin kuq e zi,
E përjetshme do të mbetet, do jetë nder për Shqipëri!
Por nëntor i këtij viti, do të mbetet paharruar,
Vlora jonë e bukur trime, Vlora jonë e bekuar.
Me djemtë e saj si luanë, me bijtë e martirizuar,
Të burgosur, internuar, nga rregjimi i mallkuar.
Ky Xhemali dhe Fadili, * dy pishtarë të lirisë,
Hipur në shtiz të flamurit, grisën yllin e tradhëtisë,
Të rrethuar nga policët, policët e sigurimit,
Hoqën nga flamuri ynë, simbolin e komunizmit!
Ditën e festës së madhe, kryetari kuqalosh,**
Se ç’po ecte rëndë, rëndë, ecte fryrë si kaposh,
Po kujtonte ditëziu, kohën që kish perënduar,
Koha s’ishte më e tija, frika kishte fluturuar.
Trimat që s’ishin përulur, s’ishin trembur nga torturat,
dolën para tij si diva edhe i thanë si burrat:
Mjaft flamurin e komunizmit, lart e ngritët gjer tani,
Sot flamurin e Skënderit, do ta ngremë ne në liri!
Ky Altini *** djalë azgan, ngre flamurin arbëror,
Turmë e tërë brohoret, kënga po ushton në kor.
Rrofsh moj Vlorë, Vlora jonë,Vlora jonë e krenarisë,
Përsërite dymbëdhjetën i dhe dritë Shqipërisë!
Vlorë, dhjetor 1991
* Dy të rinj, Xhemal Mustafaraj nga Vlora, ish i burgosur politik dhe Fadil Ndreu nga Dibra, lindur dhe rritur në internim, grisën nga flamuri yllin e komunizmit dhe e dogjën në mënyrë demostrative, më 27 nëntor 1991.
** Ish Kryetari socialist i Komitetit Pluralist të Rrethit Vlorë.
*** Altin Kokoshi, djalosh shtatëmbëdhjetë vjeçar, nipi i Qazim Kokoshit, firmëtarit të aktit të pavarësisë më 28 nëntor 1912
6 JANAR 1991
Kushtuar mitingut të parë
të demokracisë në Vlorë.
Turma njerëzish valë, valë,
Plot me këngë dhe flamur,
Nga çdo rrugë kanë dalë,
Në fytyrat kanë nur.
Po për ku janë nisur vallë?
Përse janë të gëzuar?
Mos vallë Plaku * është ngjallë?
Mos vallë Gjergji ** është zgjuar?
Vlora trime, Vlorë e shquar,
Vlorë e këngës, krenarisë,
Ngjalli Plakun e lëvduar,
Zgjoi Gjergjin e lavdisë!
Si kambanë buçet kënga:
“ Eja mblidhuni këtu “,
Si dikur në kohë të rënda,
Kënga po ushton ashtu!
Dhe në mes të turmës unë,
Brohoras edhe thërras,
Lotët po më rrjedhin lumë,
Zemra gati sa s’më plas.
Krahët lart, sytë përpjetë,
Po vështroj qiellin e dlirë,
Tani ndjej veten në jetë,
Ndaj thërras: Sot jam i lirë!
Vlorë, janar 1991
* Ismail Qemali, Plaku i Vlorës.
** Gjergj Kastrioti, Skënderbeu.