Përjetësi » Kripa
Cikël poetik nga Reshat Kripa
E hene, 11.10.2010, 09:56 PM
Reshat Kripa
LYPËSJA E BUKUR
Rrugës po kaloja,
Ecja duke u menduar,
Nuk e di çfarë doja,
Isha shumë i dëshpëruar.
Një zë tha: - Të lutem,
Më ndihmo mua në jetë,
Nuk di ku të futem,
Sot e vetme unë kam mbetë!
Nga zëri vështrova,
Para meje pashë një vashë,
Shumë u turbullova,
Ishte bukuri të rrallë.
Me flokët flori,
Me sytë që pikonin lotë,
Syri saj i zi,
Bukuri më s’ka në botë.
O moj bukuroshe,
Nga na paske zbritur vallë?
Pse rri n’ atë qoshe,
Nga parajsa mos ke ardhë?
Nuk e njoha nënën,
Nuk e njoha as babanë,
Njoha vetëm hënën.
Në atë vend ku më lanë.
Desha të kem motër,
Desha të kem një vëlla,
Nuk kam asnjë votër,
Nuk kam të pi as të ha.
Jam si një kërthi,
Së shpejti mbush dhjetë vjetë,
Dua një bari,
Të më ndriçojë në jetë.
Kështu foli vasha,
Unë qëndroja i hutuar,
Shihja shumë gjasa,
Kurrë s’i kisha menduar.
Eja vashë o hënë,
Eja shkojmë në shtëpi,
Do të gjesh një nënë,
Një baba si e do ti.
Të gjithë do të duan,
Do gjesh motër dhe vëlla,
Me ta do të luash,
Do shkosh në shkollë me ta.
Vasha hapi krahët,
Më qafoi me dashuri,
Tha me zë të lartë,
Babi im i shtrenjtë ti!
Tiranë, qershor 2004
SHITËSI I BAJAMEVE
Ulur në kafe të dy, me një mikun tim të vjetër,
Bisedonim sy për sy, për hallet e botës tjetër.
Asaj bote të panjohur, jashtë luksit dhe shkëlqimit,
Ku sundonte tragjedia, hija e rëndë e mjerimit.
Miku, mësues i njohur, nëpër rrethet arsimore,
Më tregonte pikëlluar, plagët tona shoqërore,
Plagët e brezit të ri, plagët që shumë e lëndonin,
Të ardhmen vendit tonë, zemrat tona përvëlonin.
Krejt papritmas që nga prapa, u dëgjua zëri dridhur
Doni bajame zotni, doni ndonjë gjë të kripur?
Po vështronim nga djaloshi, që bajamet na ofronte,
Ishte fare njomëzak, njomëzak që të punonte.
Porsa ne i kthyem kryet, djaloshi ngriu në vend,
Si një shtatore mermeri, as që merret dot me mend,
Dhe nga syt lotonin lotët, buzët dridheshin me dhimbje,
Gjithë bajamet që nga dora, u shpërndanë tokës shqime.
Zoti mësues, më falni! Foli djali nëpër lot,
Zëri i tij po i dridhej, ne s’ishim në këtë botë,
Kishim fluturuar tutje, në botën e dhimbjes prore,
Po përse, përse të ketë, kështu dhimbje shpirtërore?
Sa kushtojnë ato bajame? foli mësuesi urtë,
Por djaloshi s’fliste dot, kjo zemra e tij e butë,
Ishte vrarë, ishte plagosur, turpi e kishte mbuluar,
Pranë mësuesit të tij, po qëndronte turpëruar.
Mos u skuq e mos u ndro, puna gjithmonë është nder,
Je nxënës i mrekullueshëm, je simbol dhe për të tjerë.
Nxorri një grusht me monedha, e djaloshit ia drejtoi,
Ia dhuroi me dashuri dhe në dorë ia dorëzoj.
Djali gjorë turpëruar, lekët në dorë i mori,
Falemnderit për ju shumë! Dhe me vrap jashtë doli,
Ky mësuesi tronditur, foli me një zë të rëndë:
Është nxënës i shkëlqyer, ka vetëm të zezën nënë!
S’folëm më, nuk biseduam, goja na ishte bllokuar,
Po kujtonim djalin mbarë, ngjarja na kishte shokuar,
Po vështronim gjithë bajamet, shpërndarë në dysheme,
Përse kjo ngjarje e rëndë, të ndodhë këtu te ne?
Tiranë, qershor 2005
Kërkoj varr për tim atë
Përse vashë
rri e trishtuar?
Zemrën tënde
kush e lëndon?
Pse je kaq
e dëshpëruar?
Syri yt
pse po loton?
Mos vallë zemrën
ty ta therri,
flak’e zjarrtë
e dashurisë?
Mos vallë shpirtin
ty ta teri,
çapkënllëku
i rinisë?
Çfarë kërkojnë
syt’e tu,
n’ humbëtirën
e pabesë?
A mos vallë
shpirti tënd,
e ka humbur
sot çdo shpresë?
Ngriti kryet
vajz’e mirë,
loti rridhte
si ujvarë,
zemra thyer
hidhërimit,
pëshpëriti:
Kërkoj varrë.
Kërkoj varrë
për tim atë,
nuk e di
ku dergjet vallë?
E rrembyen
një ditë vjeshte,
i dhuruan
plumb në ballë.
Isha foshnje
un’aherë,
kur tiranët
e masakruan,
kur kainët
e pabesë,
dhe lirinë
e përdhunuan.
Pyes mamin
ku është babi,
pse nuk vjen
më në shtëpi?
Ajo gjegjet,
pikëlluar,
fluturoi
as vetë s’e di.
Dhe tani
që jam e rritur,
kam një brengë
një dëshirë,
nuk kërkoj
këng’e valle,
por veç varr
për një martir.
Dua dhe unë
të derdh lotët
përmbi varr
të atit tim,
të vendosë
një kurorë
me zambak
e trëndafil.
Të gjithë miqtë
më kanë thënë,
babi yt
ra për liri!
Të gjithë miqtë
më kanë thënë
donte vetëm
Shqipëri!
Po aherë
pse s’më thonë,
ku ndodhen
eshtrat e tija?
Që t’i mbledh
t’i grumbullojë
në parajsë
ato t’i shpija
Atëherë
zemra ime
do jetonte
e qetësuar,
Atëherë
syt’e mi
do pushonin
së lotuar.
Por kërkoj,
Kërkoj më kot,
të gjej vendin
ku ka rarë,
nuk e di
në ka në botë
një të vdekur
pa një varr.
Ngrji kryet
vajz’e dashur,
mbaji lart
me krenari.
Derdhi lotët
vendos lulet
në çdo skaj
në Shqipëri.
Se kudo
aty do jenë
eshtra trimash
për liri.
Se kjo tokë
e përgjakur
i shtrëngon
i mban në gji!
Tiranë, 10 tetor 2010
Kushtuar martirëve të rënë në luftën për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë dhe që Shqipëria ende nuk është kujtuar për t’i gjetur eshtrat e tyre dhe per t’i vendosur ne një varr dinjitoz.