Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: In memoriam Ylli Borës
E hene, 22.11.2010, 10:59 PM
In memoriam Ylli Borës
Nga Reshat Kripa
Ike Ylli i dashur! Ike dhe na le vetëm në rrugën tonë. Donim të të kishm pranë përgjithmonë. Donim sepse kishim nevojë për prezencën tënde. Por ti ike. Zoti kishte vendosur të të marrë pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët.
Çfarë të të kujtoj më parë or vëlla! Ishe ende fëmi kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Ishe ende fëmijë kur nënë Metullaja, kjo labe trime, ju mblodhi motra e vëllezër në gjirin e saj, si klloçka zogjtë, për t’ju mbrojtur nga kolera e kuqe që kishte pushtuar vendin, ndërsa xha Sadikun, babanë tuaj të nderuar, e kishte syrgjynosur në Burrelin e tmershëm.
Megjithatë ju nuk u thyet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Mbaruat studimet me rezultate të larta dhe u bëtë zotër të vetes. Nuk do ta harroj kurrë mësues Yllin që endej nga fshati në fshat për të mësuar nxënësit me dijet dhe edukaten qytetare. Për ty qyteti ishte një “mollë e ndalume”, megjithatë ti përsëri nuk u theve.
Ndryshimet demokratike të ringjallën përsëri. I kam ende parasysh ato vite të zjarrta kur të dy së bashku endeshim fshatrave të Vlorës për të ringjallur ndjenjën e demokracisë dhe lirisë së vërtetë. Dhe fjala e jote tingëllonte bindshëm në zemrat e banorve të këtyre fshatrave.
Nuk mund ta harroj takimin me ty në kohën kur në vendin tonë ishin rikthyer përsëri “gjeneralët e zinj të dosjeve”. Unë vija nga Tirana. U takuam. Të pashë shumë të rënë fizikisht. Duart të dridheshin nga parkinsoni. Këmbët mezi mbanin peshën e trupit. U ulëm dhe pimë një kafe. Filluam të bisedojmë për hallet tona, për pengjet dhe ëndrrat tona. Më treguat se me ato duar që dridheshin kishe botuar pesë libra dhe kishe në dorë të gjashtin. U habita me vullnetin tënd të hekurt. M’u kujtua se këtë vullnet e kishe që në rininë tënde, por kohët atëhere ishin mizore dhe nuk të lejuan që shkrimet e tua të botoheshin. Së fundi, para se të ndaheshim, më the një shprehje të artë që nuk do ta harroj kurrë, deri sa të kalojnë edhe këto vite që më kanë mbetur për të jetuar:
- I dashur vëlla, ne mbijetuam por nuk jetuam!
Po, Ylli i mirë, ti i mbijetove asaj kohe barbare, i mbijetove sepse në venat e
tua rridhte gjak fisniku dhe në këto çaste më kujtohet një frazë e filozofit të shquar Niçe:
Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere? Gjaku….
Ky gjak nuk të mungoi ty, i dashur vëlla!
Motër Fatimkë, Diana, Etleva, Migen, Garentina dhe Leka, shoku im i klasës, ngrijeni kokën lart! Ju humbët bashkëshortin, babanë dhe vëllanë tuaj të dashur, por edhe ne nuk kemi humbur më pak. Ndërsa deri dje kemi patur në mes tonë Yllin tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.
Qoftë i lehtë dheu që do t’i bjerë përsipër!
Mbajtur në ceremoninë e përmortëshme të mikut tim Ylli Bora.