E hene, 29.04.2024, 10:45 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Rini e copëtuar (XI)

E hene, 31.01.2011, 08:58 PM


RESHAT KRIPA

 

RINI E COPËTUAR

 

Kujtime

 

 

BURGU   I   VLORËS

 

Më 12 Dhjetor 1951 u transferuam në burgun e Vlorës. Rrugën nga dega    burg e bëmë në këmbë të shoqëruar nga një skuadër policësh.. Na vunë në rresht. Ne të tre na vendosën në mes, që të mos binim në sy të turmës që na shikonte me kureshtje.  Rruga kalonte nga shtëpia e Nerit dhe times.

Kur kaluam pranë shtëpisë së saj, ajo ishte në shesh pushimin e shkallëve. Kishte hedhur vështrimin në qiell dhe nuk e di se çfarë mendonte. Nuk më pa. Unë e vështroja me mall. Por ajo vazhdonte në  ëndrrën  e  saj. E  ndoqa me sy deri sa kaluam kthesën e rrugës dhe ajo u  zhduk nga vizioni im.

Para portës time Genci po luante me disa shokë të tij. Më pa dhe vrapoi brënda. Unë ikja dhe ktheja kokën prapa. Pashë nënën që doli te porta. Por kjo nuk vazhdoi  gjatë.  Godina e konsullatës më zuri pamjen. Pas pak u futëm në burg.

Burgu ishte një godinë e vjetër dy katëshe, që kishte shërbyer si i tillë me kohë. Pasi kaloje një portë të  madhe dy kanatëshe, sipër të cilës kishte një qemer në formë harku prej guri, hyje në koridor. Në të djathtë ishte një dhomë që shërbente për qëndrimin e policëve. Fill pas saj, në distancë dy metra larg njera-tjetrës, ishin dy zgara hekuri me nga një portë të vogël sejcila, nga ku qarkullonin njerëzit. Në dy anët e këtyre zgarave bëheshin takimet e të burgosurve me familjarët.

Pas tyre, majtas, ishte dhoma numër një ose infermieria ku shërbente mjeku i njohur Jani Melo, një i dënuar politik edhe ky.  Djathtas ishte dhoma numër dy, ku vendoseshin përkohësisht të burgosurit e rinj. Pas saj ishte dhoma numër tre ose dhoma e të dënuarve me vdekje. Ata i mbanin të lidhur . I nxirrnin një herë në ditë, në orën 8.oo  një nga një për të kryer nevojat personale. Akoma kam parasysh fytyrën e bukur të një djaloshi nga Dukati. Ishte sikur shikoje fytyrën e një engjëlli. Ishte dënuar pasi kishte vrarë të motrën me të dashurin e saj. Forca e zakonit e kishte shtyrë në krim. Një ditë nuk e pashë më. E kishin ekzekutuar. Ata që kishin qënë në atë dhomë, tregonin se muret e saj ishin mbushur me emrat e të dënuarve.

Në të majtë të koridorit ishin shkallët që të shpinin në katin e parë ku kishte katër dhoma me të dënuar ordinerë. Poshtë shkallëve ishte qelia e  ndëshkimit. Nëpërmjet një porte tjetër dilje në oborr që në dy anët ishte i rrethuar nga një mur i lartë në skajet e të cilit ishin truprojet ku qëndronin natë e ditë policë të armatosur. Dy anët e tjera i kishin zënë godina e burgut dhe katër dhoma të tjera, ato me numër katër, pesë, gjashtë dhe shtatë. Ngjitur me dhomën numër pesë ishte një dhomë e vogël pa numër, gati si birucë, ku qëndronte përfaqësuesi më i njohur i vllehëve sarakaçanë të Korçës, Ndini Janua. Ishte dënuar me burgim të përjetshëm të rëndë. Atë e nxirrnin vetëm një herë në ditë, sa për nevojat personale. Ishte i çalë dhe mezi ecte. Rojet silleshin shumë ashpër me të. Vdiq në burg pas disa vitesh.

Fillimisht na vendosën në dhomën numër dy. Pas tre ditësh na shpërndanë në dhomat e tjera. Mua më vendosën në dhomën numër pesë. Atje gjeta Dinon. Kjo më gëzoi. Të paktën kisha një njeri të njohur. Ishim dymbëdhjetë persona në  atë  dhomë  me  dimensione 4 X 4 metra. Secilit nga ne i takonte 60 centimetra vënd. Dy orë në ditë në mëngjes  dilnim në obor. Gjatë kësaj kohe duhej të kryenim  nevojat  personale,  të laheshim, të takonim shokët e dhomave të tjera dhe të shëtisnim duke i ardhur oborrit rrotull. Kjo ishte ritmika e ditës.

 

*     *      *

 

Ishte dita e caktuar për takim me familjarët. Prisja me padurim kush do të vinte. Përgjegjësi i të  burgosurve  foli emrin e Myrtezait. Kur u kthye, e pyeta kush  kishte ardhur

- Mamaja. - tha me një zë që  dridhej.–  Shiko ç’më ka sjellë nga Alketa.

Alketa ishte vajza e ëndrrave të tij. Më tregoi një libër. Në faqen e brendëshme ishte shkruar:

 

Nga thellësia e shpirtit tim,

Po të dërgoj këtë kujtim,

Kudo që të vesh, nga do që të shkosh,

Shoqen e dashur mos ta harosh!

 

Myrtezai fluturonte nga gëzimi. Ky shënim më kujtoi Nerin. A do të kujtohet të më dërgojë ndonjë shënim? Po përse të më dërgojë? Unë me të nuk kam patur asnjë lidhje. E doja, por prej saj, nuk kam patur asnjë premtim. A mund të quhet dashuri një gjë e tillë?

Dëgjova që thirrën emrin tim. U drejtova për te hekurat. Nga ana tjetër e tyre pashë Fatushen. Ajo më pa ashtu të zbehtë dhe të dobët dhe filloi të qajë. Nuk e mbante dot veten. Unë  u  preka tepër, por u mundova të mos e tregoj veten. Fillova t’i flas, t’i them se isha mirë dhe gjëra të tjera të tilla. Më në fund e mblodhi veten dhe filloi të më flasë për njerëzit e familjes. Më foli për babanë e nënën që kishin merak për mua, Për Agimin që kishte filluar kursin për topograf, për Besnikun që ndodhej në kampin e Urës Vajgurore dhe për motrat e martuara që më përqafonin me mall.

Takimi mbaroi. Ai kishte lënë mbresa te unë. Kur më pa Dinua, më tha:

-          U trondite? Është takimi i parë. Të gjithë e

kemi kaluar një çast të tillë.

Jorgos nuk i erdhi njeri as atë ditë dhe as gjatë gjithë kohës që ndenji në burg. I ati ishte zemëruar me të birin për veprimin e tij. Ky  qëndrim  do  të influenconte më vonë në marëdhëniet babë e bir.

Një ditë, ndërsa bënim shëtitjen e zakonshme në oborr, erdhi për kontroll një major i Ministrisë së Brendëshme. E shoqëronte Fadil Kapesyzi, Zv/Kryetari i Degës. Kur na pa ne të treve i tha Fadilit:

- Po këta fëmijë pse i keni mbajtur këtu?

Fadili u mendua pak dhe pastaj u përgjigj:

- Atë kishim ndër mend edhe ne, por këta e bënë vetë me qëndrimin e tyre.

Shprehje tipike e një sigurimsi.

Në burg ndodhej edhe një italian, inxhinier Terrasini. Kur na pa aq të vegjël, iu drejtua Vendigjar Hamzarajt:

-  Ju   shqiptarët   keni   një  fjalë     urtë  

thotë  se  burgu  ështe  për   burrat.  Këta komunistët e kthyen edhe në burg  për fëmijë. Nuk merret vesh se kush është burrë dhe kush fëmijë

 

*     *     *

 

  dhomë  Dinua  kishte  librin e parë të  metodës    gjuhës  frënge  “Première annèe“. Fillova të marr mësimet e para të asaj gjuhe, që në atë kohë njihej si gjuhë ndërkombëtare. Mësuesi im i parë u bë Dinua. Akoma i kam parasysh historitë zbavitëse të  asaj  metode,  historitë  e   “La famille Richards“  dhe  personazhet  e  saj  Roger  dhe Collete. Dinua më tregoi edhe historinë e grupit të tyre. Kishin qenë katër persona, së bashku me Lonin, një shokun  e klasës së tyre. Ai  kishte  qenë  bashkëpuntor  i sigurimit të shtetit dhe ishte ai që i kishte denoncuar. Këtë gjë ata nuk e dinin dhe kishin rënë viktimë e paditurisë së tyre.

Burgu ndryshonte shumë nga gjendja në sigurim. Por edhe atje kishte oficerë xhahilë që e rëndonin gjendjen e të burgosurve. I tillë ishte toger Nauni. Megallomania dhe arroganca e tij ishin të padurueshme. Kënaqësia e tij  ishte    torturonte  ata

që dënoheshin me izolim ne qelinë e ndëshkimit.

Një herë në ditë bëhesh kontrolli i dhomës nga ana e oficerit të rojes. Ai vinte me një hekur të rëndë dhe godiste me të dyshemenë, duke na detyruar    ngrinim   dyshekët. Kjo bëhej për të parë se mos gërmohej ndonjë tunel për arratisje. Ky kontroll zakonisht bëhej ditën. Kurse toger Nauni vinte pas mesit të natës, na zgjonte nga gjumi dhe fillonte nga kontrolli. Kjo nuk mjaftonte, por ishin edhe ironit e tij që shoqëronin këtë kontroll:

- Avash, avash se mos zgjoni zotërinjtë!

Kaluan tetë muaj. Një natë ndieva një dhimbje të fortë në fund të barkut, në krahun e djathtë. Dhimbja ishte e padurueshme. Dinua trokiti me forcë në portë. Roja i brendshëm erdhi dhe pyeti me fodullëk:

- E more, ç’dreqin keni që trokisni?

- Duam mjekun se kemi një njeri të sëmurë. -  u përgjigj Dinua.

Ai u largua , por doktorin nuk e lajmëroi. Pritëm edhe pak kohë dhe Dinua trokiti përsëri, kësaj here më me forcë. Roja erdhi mjaft i nevrikosur

- A keni ndjenja? - i tha Dinua. - Kemi një njeri shumë të sëmurë dhe duam mjekun.

Roja u largua dhe pas pak u kthye së bashku me doktor Melon dhe toger Naunin, që atë mbrëmje ishte oficer roje. Doktori më vizitoi dhe konstatoi se ishte apandesit akut. Duhej ndërhyrje e menjëhershme kirurgjikale, përndryshe rrezikohej jeta. I kërkoi toger Naunit të më shpinin në spital. Por ai me një indiferentizëm të theksuar tha:

- As mos e shkoni ndër mend. Natën nuk e lejon rregullorja lëvizjen e te dënuarve.

Doktori nguli këmbë në kërkesën e tij, por ishte njësoj sikur t’i flisje një shurdhi.

- Merre shtroje në infermieri. - tha më në fund

togeri.

Dinua me tre shokë më ngritën në krahë dhe më çuan në infermieri. Pastaj u larguan. Nuk i lejonte njeri të qëndronin. Infermieria kishte vetëm emrin të tillë. Nuk kishte të paktën një ilaç për të qetësuar dhimbjet. Doktori filloi të më bënte kompresa me ujë të ftohtë në vendin e dhimbjes. Për fatin tim, pas disa orësh dhimbja pushoi. Megjithatë, doktori më mbajti në infermieri për disa ditë që të merja veten mirë.

Në këtë kohë erdhi  urdhëri  për  trasferimin  e një pjese  të burgosurve në kampet e punës së detyruar. Në listë ishin edhe emrat tanë. Doktori nguli këmbë që unë të qëndroja, bile për këtë bisedoi edhe me komandantin e burgut. Por unë nuk doja. Shokët e mi do të iknin. Dinua gjithashtu. E ç’të bëja unë vetëm aty pa ata? Përveç kësaj shpresoja  që duke dalë në kamp, do të mund të takohesha me Besnikun, për të cilin ndjeja një mall të madh. Më në fund,  këmbëngulja  e  ime  fitoi. Të  nesërmen  do 

niseshim.

Nisja u bë afër mesditës. Kur makina kaloi pranë shtëpisë time, hodha  vështrimin dhe një herë andej, por nuk pashë njeri. Në mendje më shkoi nëse do të kisha fatin të kthehesha ndonjëherë apo jo?

  

URA    VAJGURORE

 

Rreth ores 15.oo mbërritëm    kampin  e  Urës Vajgurore. Ndërtohej aerodromi i parë ushtarak i Shqipërisë. Kampi shtrihej rreth dyqind metra në të majtë të rrugës nacionale që të shpie në Berat. Kur mbërritëm ne, të burgosurit ishin në punë. U kthyen pas tre orësh. I shikoja kur hynin në kamp duke u numëruar te porta dy nga dy. Prisja me padurim të shihja Besnikun. Kisha një mall të madh. Kishim më shumë se dy vjet që nuk ishim takuar.

Më së fundi, e pashë. I thirra dhe vrapova drejt tij. U përqafuam me një mall të jashtëzakonshëm. Një çast të tillë mund ta provoj vetëm ai që i ka përjetuar vetë ato ndjenja.. Në atë kohë m’u duk sikur isha në familje. Ai më zëvëndësonte tim atë, që nuk e kisha pranë për t’u konsultuar sa herë që kisha nevojë. Takova edhe Lavdoshin me disa shokë të tjerë. Filluam të bisedojmë. Interesoheshim për gjithçka. Për familjen dhe problemet e saj. Për arrestimin dhe qëndrimin në sigurim. Ishte ambjenti që të shtynte të interesoheshe për këto probleme.

Besniku hante bukë  me  Namik  Manxharin  dhe  Bekim  Agajn  nga  Smokthina. Punonin dhe rrinin në një kapanon. Mua më caktuan në një brigadë tjetër me  Jorgon  dhe Myrtezanë  Ishim më shumë se dymijë vetë në kamp.

Pas dy ditësh dolëm  në punë. Punonim  në betonimin e pllakave të betonit që mbulonin fushën. Furnizonim betonierën me rërë të larë, çakëll. çimento dhe ujë ose trasportonim betonin me karro dore në distancë deri në njëqind  metra. Puna  ishte  e

lodhëshme. Ajo zgjaste dhjetë orë në ditë, sidomos gjatë  verës, kur dita ishte më e gjatë.

Në Urën Vajgurore punonin edhe  disa  civilë,

kryesisht personel inxhiniero – teknik. Midis tyre ishte edhe një topograf, një djalë i moshës rreth njëzetepesë vjeç. E quanin Skënder Janina. Një ditë, ndërsa mundohesha të shtyja karron që ishte më e madhe se unë, afrohet dhe më pyet:

- Nga jeni?

- Nga Vlora.

- Si ju quajnë?

I thashë emrin. Më shikoi me habi dhe më pyeti:

- Çfarë e ke Agimin?

Unë u mendova  një  herë. T’ia  thoja  apo jo?  Kisha frikë nga ndonjë provokim. Megjithatë i thashë shkurt:

- Vëlla.

U largua pa më thënë asnjë fjalë. E pashë që u drejtua te oficeri që na shoqëronte dhe diçka bisedoi me të. Pastaj u largua. Të nesërmen erdhi me një letër që ia dha oficerit. Ai e lexoi dhe m’u drejtua :

- Do të shkosh të punosh si figurant me topografin.

Kështu shpëtova nga puna e rëndë me karro dore. Skënderi më tregoi se mezi i kishte mbushur mendjen komandantit të kampit, që i kishte dhënë shkresën.  Ai kishte mbaruar kursin e topografisë me Agimin dhe kishin punuar një kohë së bashku.  Ishte  një njeri i shkëlqyer. Atë që bëri për mua nuk do ta harroj për tërë jetën. Puna ishte e lehtë. Mbaja latën, ndërsa ai punonte me instrument. Më mësoi edhe mua përdorimin e tij. Ndonjëherë, në prezencë të tij, më linte t’i jepja unë kuotat, pastaj i kontrollonte në se   ishin  mirë.

Pas  dy  muajsh  erdhi    kamp  si   operativ   i   sigurimit   toger   Ademi,   një përbindësh i vërtetë. Edhe fytyra e tij tregonte se ç’kriminel ishte. Kur isha fëmi, kisha parë një film gjerman ku përshkruhej aktiviteti kriminal i një mjeku. Për çudinë time, ky mjek kishte një fytyrë engjëllore. Kurse fytyra e  togerit tonë ishte si ajo e një   satanai.  Një ditë, ndërsa punoja, u afrua dhe më pyeti:

- Përse je dënuar?

- Agjitacion dhe propagandë.

Më vështroi sikur do të më hante të gjallë.

- Nesër do të shkosh të punosh në brigadë, -  tha dhe u largua.

Skënderi shkoi dhe bisedoi me komandantin e kampit. Por  paradoksi i kohës ishte se fjala e togerit të sigurimit ishte më e fuqishme se ajo e komandantit të kampit. Të nesërmen fillova përsëri të shtyj karron. Në vendin tim caktuan një të dënuar ordiner për vjedhje.

 

*     *     *

 

Në kampe u njoha me shumë burra të dëgjuar. Ata ishin mendjet më të ndritura  të nacionalizmit shqiptar. Diktatura i kishte burgosur për të zhdukur çdo shenjë të tij. Kishin mbaruar studimet në universitetet më në zë të Europës, nga Roma në Paris, nga Londra në Vjenë. Influenca e tyre në formimin tim ishte shumë e madhe. Ata plotësuan edukatën qytetare, që kisha marrë në familje. Në se nëpër atë skëterrë  kalova pa u përlyer, ishte edhe meritë e këtyre burrave. Më mbronin dhe mësonin. Prej tyre mësova historinë e vërtetë të këtij vendi, të transformuar në mënyrë skandaloze nga pseudohistorianët sharlatanë dhe servilë të sistemit totalitar.

Prej  tyre  mësova  historinë  e  vërtetë      forcave nacionaliste që luftonin pushtuesit. Më kishte folur për to Halo Çanua në qelinë numër shtatë. Por ai ishte tregim i një ushtari të thjeshtë. Ndërsa tashti e dëgjoja me argumenta të plota nga goja e eksponentëve të saj. Ndjeja kënaqësi kur juristi i shquar Xhevdet Kapështica nga Korça më fliste  për dekalogun e famshëm *. Akoma tingëllojnë në veshët e mi dhjetë pikat e atij dekalogu, të shprehura me aq pasion prej tij. E, pra, ky dekalog ishte përpiluar nga Mit-hat Bej Frashëri, biri i Abdylit dhe nipi i Naimit të madh, dhe shokët e tij të tjerë. Të gjitha këto bënë që të mësoja se kishte edhe një histori tjetër që autoritetet qeveritare ishin munduar të na e fshihnin.

Më ka mbetur në mendje takimi me Mit-hat Frashërin, që i kishte ndodhur Meçan Hoxhës:

- Kisha        mbi        dy       vjet           kisha

mbaruar    studimet    për    agronomi, - tregonte ai. - Ndodhesha   në Tiranë. Kisha veshur një kostum të ri dhe të bardhë që më tregonte një djalë sqimatar  dhe që i pëlqente vetja. Doja të bleja një libër filozofik që kishte dalë ato ditë në gjuhën italishte. Aty pranë ndodhej libraria  “Lumo  Skëndo“.  Hyra  brenda.  Te

banaku qëndronte një burrë i veshur me kostum blu. I

thashë titullin e librit. Ai    vështroi  me  vëmendje

----------------------------------------------------------------

*          Programi i ardhshëm i Ballit   Kombëtar  i

hartuar në muajin Prill 1939.

dhe më pyeti:

- Nga jeni, more djalë?

- Nga Vlora - iu përgjigja unë.

- Po çfarë pune bëni?

- Jam agronom.

Bëri buzën në gaz dhe më foli me një zë gati atëror:

-          Dëgjo    more    djalë.   Hiqi     ato    rroba,

vish  kombinoshet  dhe  shko   puno   fushave          Shqipërisë. Dy janë degët ku duhet të zhvillohet vëndi i ynë, bujqësia dhe turizmi. Jeni ju brezi i ri që do  të kontribuoni në këtë drejtim.

Ato fjalë më bënë që ta ndieja veten ngushtë. Më erdhi turp që isha veshur ashtu. Para meje kisha   “Apostullin e Shqiptarizmës“, Mit-hat Bej Frashërin. E përshëndeta me respekt dhe  u  largova  duke  sjellë nëpër mend fjalët që më kishte thënë.

Kështu më tregonte Meçan Hoxha.

Lista e burrave të tillë që njoha gjatë kohës që qëndrova në burg është shumë e madhe. Por, midis tyre dua të përmend  emrat e paharruar të doktor Isuf  Hysenbegasit  nga  Pogradeci  dhe  inxhinierve   Sami    Bitincka  dhe Andrea Xega nga Korça,  avokatit  Haki  Karapici  nga Tirana, Klerikëve Patër Mëshkalla dhe Gjon Shllaku si dhe farmacistit Kol Kurti nga Shkodra, Juristve Fatosh Kokoshi,  Jani Ikonomi nga Vlora, apo Lefter Kriston, me të cilin kishim ardhur së bashku nga burgu i Vlorës, Myfit Shehu nga Borshi e plot të tjerë.

Kujtoj me respekt gjithashtu emrat  e  Avdurahman  Kreshpës,  Engjëll  Kokoshit, Tahir Hoxhës, Dushan Koçiut, Ilmi Xhaferit, Selim Rapos, Muhamet   Muratit,  Serri  Jazos,  Abdyl  Haskos  nga

Vlora, Xhafer  Butkës  dhe  Emror  Kalecit  nga  Kolonja,  Sami Repishtit nga Shkodra, Bajazit Kaloshit nga Dibra, Allaman Hysës dhe Asllan  Allamanit  nga Mati,  vëllezërve   Refik   dhe   Tefik   Çepelja   nga   Fieri,  Besim   Greshicës  nga Mallakastra, Abdulla Berberit nga Kruja, Njazi Goricës dhe Qemal Shehut nga Gjirokastra, Hasan Zamës dhe Leonidha Tarushës nga Korça, Sorkadh Çikës nga Borshi dhe plot burrave të tjerë.

Njazi Gorica, ish pronar i një librarie në Gjirokastër, mbante vazhdimisht në kokë një kapele republikë, një gjë e veçantë për atë vend.  Kur  shokët

e pyesnin se përse e mbante, ai përgjigjej:

- Unë jam republikan fanolist, ndaj e mbaj!

Por kapelja e tij shpesh i bëhej pengesë. Kur ulej për t’u shplodhur pak, rojet e dallonin menjëherë nga kapelja dhe i thërrisnin:

- Hej ti  republika çohu!

Gjatë kohës së luftës u pozicionua në rradhët e Ballit Kombëtar. Në kohën kur Italia kishte kapitulluar dhe gjermanët nuk kishin ardhur ende, në Gjirokastër zhvilloheshin mitingje në Sheshin e Çerçizit. Në këto mitingje merrnin pjesë si partizanët ashtu edhe ballistët. Në njerin prej tyre merrte pjesë Bedri Spahiu nga partizanët dhe Ali Bej Këlcyra nga ballistët. Prapa tij qëndronte Njaziu. I pari foli Bedriu. Ai nuk la gjë pa premtuar, deri edhe te luga e florinjtë me të cilën do të hanin shqiptarët pas çlirimit. Pastaj e mori fjalën Aliu:

- Këta, - tha duke iu drejtuar Bedriut - jo vetëm që nuk do t’iu japin për të ngrënë me lugë të florinjtë, por do t’iu marrin edhe ato të drunjtat, që të mbeteni fare pa ngrënë.

Një e qeshur e madhe u dëgjua nga turma. Të tërbuar një grusht provokatorësh filluan të fishkëllejnë.

-          Fishkëlleni,  fishkëlleni – u tha Aliu -  unë

nuk bie në  dorë  tuaj, por  mjerë  ju që do i hiqni në shpinën tuaj tmerret e atij sistemi.

Këtë histori e tregonte vazhdimisht Njaziu

Një vend të veçantë në jetën  time    atyre  viteve  zuri  figura  e Hysni Shabanit, mitralierit trim të Ballit Kombëtar nga Ngraçani i Mallakastrës. Ai u bë si një vëlla i dytë për mua.    donte  aq  shumë  sa  ishte  i  gatshëm    sakrifikonte  çdo  gjë  për    më ndihmuar. Nuk kishte shkollë, por kishte  shpirt  dhe  zemër    madhe.  Tregonin  se  në betejën që zhvilloi çeta e ballit me fashistët,  ai   qëllonte   flamurin   italian      valvitej  përballë  tij.  Kur  shokët  e  pyesnin  përse  nuk  qëllonte  mbi  ushtarët  por  mbi  flamurin,  ai  u përgjigjej

- Dua të thyej krenarinë e tyre.

Vazhdonte të qëllonte deri sa flamuri u rrëzua dhe bashkë me të u thyen edhe italianët. Pas lufte nuk u dorëzua, por qëndroi për më shumë se një vit në male duke luftuar për lirinë e dhunuar. E tradhëtoi një njeri i fisit të tij ku kishte shkuar për një kafshatë bukë. Në kohën që po lante kokën dhe e kishte atë të mbuluar nga shkuma ia behën forcat e mbrojtjes që e arrestuan. Një vit qëndroi në qelitë e sigurimit në Fier. Por kokën nuk e uli.

- Mbani kokat lart! - u thërriste shokëve nga qelia.

Gjykata e  dënoi  me  vdekje      vonë  iu

kthye në denim të përjetshëm.

  kamp  kishte  edhe  një  grup    rinjsh 

gjallë dhe me  një  horizont    gjërë.  Dua      veçoj   këtu  emrat  e Burim  Kokoshit, Klito  Lamajt, Filip Daulles, Agim Bimos dhe Pirro Xhindit  nga  Vlora,  Tanush Frashërit nga Korça, Viliam Hysenbegasit dhe Ylber Starovës nga Pogradeci, Ilia Tereskës nga Berati, Gjon Dedës nga Mirdita, Matish Çefës, Tonin Prosit, Ahmet Bushatit, Thabit Rusit, Etem Bakallit, Ndoc Ljarjës, Bernard Dabërdakut, Ferit Myftisë, Tom Sheldisë nga Shkodra, si dhe plot të tjerëve të cilëve u lutem të më falin  që nuk po ua përmend emrat, por koha e gjatë dhe mosha kanë bërë që mendja të errësohet dhe mjegulla që kam përpara syve të mbulojë  emrat e tyre.

Përshtypje më kishte bërë historia e Gjon Dedës nga Mirdita. Ishte i ri. Ishte i fejuar me një vajzë që e donte si i marrë. Kishte caktuar edhe ditën e dasmës. Por nuk e lanë ta gëzonte. E arrestuan disa ditë para saj. Kjo ngjarje më kujtoi Edmond Dantesin që e ndanë nga Mercedesi pak ditë para martesës, në romanin “Konti i Montekristos“ të Aleksandër Dymasit.

 

*     *     *

 

Nga puna zakonisht ktheheshim shumë të lodhur. Megjithatë, gjenim edhe çaste argëtimi. Kjo për hir të këngëve të bukura dhe zërit të mrekullueshëm që kishin Myrtezai dhe Koço Plasoti nga Korça. Këngët shoqëroheshin me një kitarë që i binte Koçua. Kënga e preferuar e Myrtezait ishte “O moj erëza  malore“. Ajo  këngë  i  kujtonte  Alketën, ndaj e këndonte me pasion:

 

O moj erëza malore

Që po fryn me shpejtësi,

Kur të mbërrish n’tokat fushore

Mos harro një porosi.

 

Atje larg edhe në Vlorë,

Rreh një zemër që më pret,

Pra të lutem në çdo orë

Të m’i japësh fal me shëndet!

 

Strofën e dytë e kishte ndërruar. Në të vërtetë ajo ishte:

 

Atje larg dhe në Tiranë,

Rreh një zemër që më pret,

Pra të lutem t’i shkosh pranë,

Dhe t’i japësh fal me shëndet.

 

- Përse e ndërron tekstin e këngës?  I thoja unë me të qeshur.

Edhe ai fillonte të qeshte me të madhe. Një gjë të tillë e bënte pasi  i dukej sikur nxirrte mallin e Alketës.

Koçua  kishte  qënë  tenor në  filarmoninë shqiptare.  Ishte  i  apasionuar  pas  muzikës klasike. E dëgjoje të fliste me pasion për  kompozitorët  e  mëdhenj  botërorë.  Në oborr kishin vendosur një altoparlant që lidhej me  radio  Tiranën.  Çdo    dielë    orën 19.30 – 20.00 ajo transmetonte muzikë klasike. Koçon e kishe atje duke dëgjuar.

Ishte një e dielë dimri. Binte një shi i akullt. Një thëllim i ftohtë kishte mbuluar të gjithë vendin. Ora po afronte 20.00, koha e ndalim qarkullimit. Shkova te krevati i tij për ta pyetur për diçka. Nuk ishte aty.

- E ke te vendi. -  tha shoku që flinte pranë tij.

E    kuptova.   Koçua  po  dëgjonte  muzikën.    Dola  jashtë  dhe  e pashë të humbur pas muzikës. Shiu i ftohtë vazhdonte të binte, por ai nuk donte t’ia dinte. Edhe pak dhe skadonte afati i  qarkullimit. U afrova dhe i fola:

- Zoti Koço, duhet të ikim. Pas pak mbaron koha e të qëndruarit jashtë.

- Pusho, është Bethoveni! - tha me një zë të lehtë, i zhytur thellë në fantazinë e tij.

Ishte uvertura Egmont. E pashë që nuk e lëvizja dot pa mbaruar muzika. Por në atë kohë ajo u ndërpre.

- Injorantët e mbyllën! - foli me një mllef të madh. U larguam dhe hymë në kapanon.

Ndjenim kënaqësi kur ai këndonte. Në mënyrë të veçantë dëgjonim këngën e bukur napolitane “ Ktheu në Sorriente “:

 

Ti  the ike lamtumirë,

ike më le zemrën time,

Këtë vend me kaq dëshirë,

Si mund t’ikësh dhe e le!

 

Mos më harro të pres,

Mos më lerë të shkretë!

Ktheu në Sorriente,

Mos më lerë të vdes!

 

Shpesh herë e pyesnim  se  përse  e  këndonte

në shqip këtë këngë dhe ai përgjigjej:

- A nuk tingëllon më bukur kështu?

Përveç muzikës së lehtë dhe asaj klasike në kamp këndoheshin edhe ato popullore.  Dy djem nga Malsia e Madhe këndonin këngë patriotike dhe dashurie nga krahinat e veriut, të shoqëruar me çifteli. Zërat e tyre më ngjasonin si një kor bilbilash. Ndërsa grupi lab shquhej midis këngëtarëve të muzikës së jugut. Kënga e tyre më dukej si një muzikë sinfonike. Në këtë grup dallohej zëri i Jorgo Beshos. Zëri i tij tingëllonte si një kambanë kushtrimi:

 

Hipe në Amerikë, dole në Shqipëri,

Papa Anastasi prift në Mellani.

Zbrite në Sarandë dhe gjete Greqi,

Shkove në Gjirokastër në mitropoli

Popullin ç’e mblodhe se ç’i fole ti,

Kush është turkoshak të shkoj në Turqi,

Kush është grekofon, të shkoj në Greqi

Kush është  shqipëtar, të vdes për liri!

 

Kështu këndonte Jorgo Beshua, minoritari nga Çatistra buzë kufirit.

Në fund të vitit u transferuam nga Ura Vajgurore për në Vlashuk. Ndjeja  një boshllëk të madh që do ndahesha nga Besniku.

Para nisjes ai më porositi:

- Për çdo gjë që të kesh nevojë, drejtoju Burimit dhe Klitos

Ata do të vinin me mua. Së bashku me ta dhe Jorgua me Myrtezanë, Dinon, Matishin dhe Hysniun.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora