E merkure, 01.05.2024, 02:32 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Hasan Kostreci dhe romani i tij “Jetë nën diktaturë”

E hene, 11.07.2011, 07:59 PM


Hasan Kostreci dhe romani i tij “Jetë nën diktaturë”

 

Nga Reshat Kripa

 

            Ata kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por për fatin e tyre të keq, jetonin në një kohë kur nuk mund të shprehnin atë që u buronte nga zemra e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në një kohë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj, ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit, për t’ia kundërvënë mendimit të lirë formulën e të ashtuquajturit “ realizëm socialist “, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.

            Krahas atyre që talentin e vunë në shërbim të diktaturës, duke u shndërruar në lakej të neveritshëm të tij, kishte edhe të tjerë që, megjithë masat shtrënguese, gjenin mënyrën për t’u shprehur. Talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve abstrakte në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre, apo prangat e hekurta në duar, në vend të nënshtrimit apo lirisë së dhunuar. Të tjerë nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore.

Merita e tyre ishte se me këto vepra, ata mbajtën gjallë ndërgjegjen kombëtare dhe shoqërore të vendit, qoftë dhe si ushqim i ëndrrave më intime të individit se ato do të bëheshin realitet. Ato frymëzonin dashurinë për kombin, që në atë varfëri shpirtërore ku e kishte katandisur sistemi, shqiptarët të gjenin veten duke pasuruar shpirtin me ndjenjën e së bukurës, urtësisë, dijes dhe mendimit të lirë.

Por kishte edhe një kategori tjetër që donin të shkruanin. Dora e tyre donte t’i hidhte ato në letër. Autori i lexonte dhe rilexonte, pa guxuar t’ia tregonte njeriu, me përjashtim ndoshta ndonjë miku shunë të ngushtë  Këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë.

            Në rradhën e atyre që kishin dëshirë për të shkruar, por që nuk mund ta realizonin këtë ëndërr pasi nuk pranonin të shkruanin për diçka që nuk iu përshtatej bindjeve të tyre ishte edhe Hasan Kostreci.  Ai heshti për një periudhë te gjatë dhe vetëm kur u krijuan kushtet për një krijimtari të lirë u ul dhe shkruajti ashtu siç ia diktonte zemra e tij.

            Vëllimi “Jetë nën diktaturë” është një pasqyrim i gjallë i realitetit të hidhur të asaj periudhe të historisë së vendit tonë, periudhës së sundimit mesjetar komunist. Të gjitha diktaturat janë faqet më të errëta të historisë së një vendi. Por, mbi të gjitha, diktatura komuniste është më e egra,  më barbarja, para tmerreve të së cilës nuk mund të ketë një të dytë. Duke lexuar këtë vepër, nuk ka se si të mos prekesh për ndjenjat e shprehura në të. Aty secili nga ne do të gjejë diçka nga jeta e tij. Duke e lexuar secili prej nesh do të bashkëjetojë me personazhet e veprës. Dhe kjo për arsyen e vetme se autori  i ka mbijetuar ngjarjet mbi shpatullat e tij dhe i përshkruan ato ashtu siç kanë ngjarë me të vërtetë, pa zbukurime, pa shtesa boshe, ashtu siç kanë ndodhur.

            Duke lexuar librin, nëpërmjet  përshkrimeve    holla    penës    tij,  ndjen  një

dridhje në zemër. Këtë dridhje e ndjen sepse të duket sikur vazhdon të jetosh në atë botë të zymtë e mbuluar nga dimri i tmerrshëm i quajtur komunizëm. E ndjen sepse të duket sikur vazhdon të jetosh i rrethuar nga burokratë të pështirë apo individë servilë, të shndërruar në kameleonë të neveritshëm, jeta e të cilëve ishte kufizuar vetëm në brohoritjet për liderin mostër. Këta tipa, këta “Njerëz të rinj” të sistemit socialistë, nuk ishin tjetër veçse hiena që kërkonin të ushqeheshin deri edhe me kufomat e njerëzve të ndershëm. Ndërsa sot, këta “Njerëz të rinj”, janë shndërruar në vrasës,  hajdutë, trafikantë, drogmenë, duke u bërë një pengesë në ecjen përpara të vendit tonë drejt Evropës.

            Veprën e përshkron fund e krye një gjuhë dhe stil i sigurtë. Kjo tregon se autori, pas botimit të parë ”Dimër në luginën e Drinit”, na del më i plotë, më i sigurtë në vetën e tij. Përshkrimet e skenave të ndryshme janë një dëshmi e pjekurisë së tij artistike sa që të duket sikur ai ka vite që shkruan. Vërtetësia e ngjarjeve të shprehura në libër të duken të ngjashme me jetën tënde. Lexoj ngjarjen kur Hasanit i refuzohet dhënia e librezës së antarsisë në organizatën e rinisë dhe më kujtohet se edhe mua më ndodhi një skenë e tillë në vitin e parë të gjimnazit. Lexoj ngjarjen kur Kristina, pasi mori vesh lajmin e hidhur të vdekjes së të atit, ua shpërndau ushqimet që kishte prurë të tjerëve, që kishin ardhur në Burrel për të takuar të afërmit e tyre dhe më kujtohet nëna ime që u nis nga Vlora për në Bulqizë të më takonte mua dhe nuk e lejuan, pasi unë disa kohë më parë kisha lexuar nja poezi të një të burgosuri politikë që i kushtohej Luftës së Vlorës më 1920 dhe isha dënuar të mos kisha takim për tri muaj. Atëhere nëna, ashtu si Kristina, ia dha ushqimet që kishte prurë për mua një nëne dibrane. E pra, ngjarje të tilla në libër ka plot dhe ato të shkaktojnë emocione të forta.

            E si të mos emocionohesh kur shikon dy fëmijë, ende të vegjël, si Urani dhe Hasani që janë të detyruar të punojnë në mullirn e fshatit, për një copë bukë misri. Si të mos emocionohesh kur mëson se Uranit i duhej të përballonte në tmerrin e burgut dy lajmet më të hidhura, ato mbi humbjen e dy njerëzve më të shtrenjtë për të, babait dhe nënës së tij të shtrenjtë. Si të mos emocionohesh kur Uranin, pasi e kanë dënuar njëherë e dënojnë për së dyti brenda në burg dhe kur lirohet nuk vonon shumë dhe e internojnë në një fshat të shkretë, madje e arrestojnë përsëri.

            Ngjarjet si këto janë të panumurta, njëra më e rëndë se tjetra. Por krahas tyre bien në sy edhe ngjarje dhe personazhe pozitive, të përshkruara me ngrohtësi nga autori. Të tillë janë Kujtimi, Bardhylka, Safeti, Idajeti dhe plot të tjerë. Me një ngrohtësi të madhe autori përshkruan shoqërinë e shkollës apo atë të punës. Dhe këto të gërshetuara mirë e bukur me ngjarjet e kohës.

            Lexoj fjalët e autorit shkruar në krye të librit:

 

            Gjithmonë kam menduar që një ditë të shkruaj diçka kushtuar familjes time gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Të shkruaj për atë gjeneratë aq të mirë, të sinqertë dhe patriote, e cila, ashtu si dhe ne brezi pasardhës i tyre, patëm fatin e keq të pësojmë atë diskriminim të gjatë dhe të pamerituar.

 

            I dashur Hasan, ajo periudhë tashmë ka përfunduar dhe një jetë e re ka filluar. Megjithatë ne sot ende shohim pinjollët e atyre që kanë kryer krimet më të rënda të ngrenë veshët dhe të mburren me bëmat e zeza të prindërve të tyre. Por kjo nuk do të vazhdojë gjatë. Drita e së vërtetës më në fund do të sundojë mbi errësirën dhe, pamvarësisht nëse do të jetë apo jo brezi i ynë, fëmijët tanë do të dijnë ta drejtojnë këtë vend në rrugën e duhur.

            Libri ”Jetë në diktaturë” eshte një vepër  dinjitoze  e  Hasan  Kostrecit. Duke  parë

gjuhën dhe stilin e sigurtë të tij, të lind mendimi se ke të bësh me një autor të konfirmuar. 

Natyrshëm të lind edhe pyetja: Ku do të ishte vendi i këtij shkrimtari sot, në rast se bota obskurantiste totalitare, nuk do t’ia priste me shpatën e Damokleut dëshirën për të shkruar? Përgjigjen kësaj pyetje, ju lutem, jepjani juve të nderuar pjesmarrës të këtij promovimi!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora