Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Rini e copëtuar (XVII)
E hene, 04.04.2011, 06:57 PM
RESHAT KRIPA
RINI E COPËTUAR
Kujtime
NERI
Ditët kalonin. Ato ishin të gjitha të ngjashme. Një monotoni e përjetëshme. Si përfundonte orari i punës, ktheheshim në shtëpi dhe në mbrëmje dilnim me shokët për të bërë xhiron e zakonëshme. Ndonjëherë, kur kishim lek, shkonim në kinema. E djela ishte e futbollit. Mblidheshim dhe ndiqnim ndeshjet e kampionatit kombëtar në radio apo stadium.
Nerin kisha disa ditë që nuk e kisha parë. Nuk e dija nëse ishte e sëmurë, apo kishte ndonjë problem tjetër. Për më tepër s’guxoja të pyesja njeri. Ajo ishte diçka që më takonte vetëm mua dhe si të tiilë duhej ta zgjidhja vetë. Po si?
Një pasdite shkova për vizitë te dajo Nuriu. Ishin dy pleq që nuk kishin lindur fëmijë. Kohët e fundit kishin marë një vajzë në shtëpinë e fëmijës. Dajua e donte shumë Tatianën, kështu e quanin. Tërë ditën vetëm për të bisedonte. I shkëlqente fytyra kur fliste. Qëndrova deri në mbrëmje
Fillova të endem rrugëve të qytetit. Nuk pashë asnjë fytyrë të njohur, ose ndoshta më dukeshin mua kështu. M’u ngjall ndjenja e nostalgjisë. Ku ishin kohët e shkuara që, megjithse kishin ndonjë problem, ishin plot gjallëri? Apo mos vallë ishte mosha që e sillte atë ndjenjë? Mendoja se duke dalë nga burgu do të gjeja qetësi. Nuk do të më dilnin më para syve ngjarje të trishtuara. Por tashti që isha përjashta u ndesha me fenomene që as i shkoja ndër mend. Një botë tjetër po më rrethonte. Ndieja një boshllëk brenda vetes, të cilin nuk dija me se ta mbushja.
Nuk e di se si, por këmbët më çuan në rrugicën e Nerit. U përmenda kur e pashë veten pranë portës së saj. Ajo portë më ngjalli shumë kujtime.
Një krismë porte më zgjoi nga ky ëndërrim. Vura re se po hapej porta e saj. U largova në anën tjetër të rrugicës. E pashë që po dilte me një djalë. Më erdhi rëndë që isha aty. Ajo më pa, shtangu dhe desh u rrëzua përtokë.
Ai e mbajti për krahu dhe e pyeti:
- Çfarë pate?
- Asgjë, desh u pengova në një gur.
Në fakt rruga nuk kishte asnjë gur, por ai nuk e vuri re.
- Kthehemi brenda?
- Jo, jo ecim.
Ai i shkoi krahun dhe u larguan. Unë qëndroja duke i vështruar. Rrugica ishte e shkretë. Ktheu kokën prapa dhe më vështroi. Sytë i vezullonin Mua m’u dukën sikur ishin të përlotur. Ndoshta ishte edhe ndonjë iluzion i imi. Pas pak u zhdukën. Këmbët më dridheshin. U ula në një sofat që ishte pranë një porte. Vura kokën midis duarve dhe po mendoja. Kuptova që dashuria jonë kishte perënduar.
- Çfarë keni, mos jeni i sëmurë? - ndjeva një zë që më foli.
Ngrita kokën dhe para meje pashë babanë e saj.
- Jo, falemnderit, nuk kam gjë! - iu përgjigja
U ngrita dhe u largova. Ai bëri një shenjë sikur të isha i çmendur. I kishte rënë në kokë. Isha vërtet i çmendur nga dashuria për vajzën e tij. Ishte hera e fundit që kaloja në atë rrrugë.
U largova duke menduar për ç’ka kishte ndodhur. Fytyra më kishte marë një pamje tjetër. Dukesha që isha tronditur tepër. Kur më pa nëna, më pyeti:
- Çfarë të ka ndodhur që je prishur në fytyrë?
- Nuk kam gjë, - e gënjeva. - Më preku dajua me dashurinë për Tatianën.
U ngjita lart në dhomën e Fatushes. Nxorra poezinë që i kisha kushtuar para pesë vjetëve. E kisha ruajtur me dashuri. Letra ishte zverdhur nga koha. Aty këtu shkronjat ishin prishur. E lexova dhe rilexova. Ç’të bëja me të? Ta ruaja akoma? E kujt mund t’ia kushtoja? Ajo ishte dedikuar vetëm për Nerin. Nuk mund t’i kushtohej askujt tjetër. E grisa në copa të vogla dhe i hodha poshtë. Vargjet e saj ishin rregjistruar në mendjen time. Ndieva një dhimbje në zemër.
REPARTI I PUNES
Reparti i punës ishte një gjysmë burgu i ri. Puna, ushqimi, fjetja qenë pothuajse të njejta. Po ashtu edhe trajtimi i ushtarëve. I vetmi ndryshim ishte se nuk kishim roje që të na shoqëronin kur shkonim dhe vinim në punë dhe të drejtën e liri daljes kur i tekej komandantit. Në dy vjet ushtar më dhanë vetëm gjashtë ditë leje për të shkuar në shtëpi. Në vend të pushkës së vërtetë kishim nga një prej druri, sikur të ishim fëmijë dhe do të luanim me të.
U mobilizuam më 17 qershor 1958. Në degën ushtarake kishin dalë për të më përcjellë babai dhe Qamileja . Nëna ishte shtruar në spital në Tiranë. Me të kishte shkuar edhe Fatushja. U përqafuam. Në sytë e tim eti m’u duk sikur pashë lot. Gjashtëdhjetegjashtë vjeçarin kishte filluar ta linte zemra. I fola dhe hipa në makinë. E mblodhi veten. Makinat u nisën.
Mbërritëm në Tiranë dhe u vendosëm në repartin 5310 në gazermat e Ali Rizajt. Komandant batalioni kishim major Zyber Lloshin, një person në përgjithësi i mirë dhe i sjellshëm. Edhe komandanti i kompanisë, Nystret Veria, nuk ishte njeri i keq. Vetëm se ishte pak llafazan.
Punonim për ndërtimin e fabrikës së birrës si dhe të pallateve dykatëshe me pupulit në kombinatin e tekstilit. Skuadra e jonë bënte pjesë në këtë grupin e dytë. Ishim një skuadër karpentierësh. Në të vërtetë kishim vetëm Irfan Aliajn që merrte vesh nga zanati i karpentierit. Por në ushtri i mëson të gjitha. Kështu vepruam edhe ne.
Në repart u njoha me shumë shokë të mirë. Do përmend Petrit Çepelen nga Roskoveci, vëllanë e Tefik dhe Refik Çepeles me të cilët kisha qenë në burg, Agim Likun, babai i të cilit, Muharrem Liku, ishte vrarë në masakrën e nëntorit 1944 në Tiranë, Aleksandër Belevskin, Zyhdi Turdiun, Halit Bakallin dhe Ihsan Bankën nga Tirana, Halit Turkeshin nga Durrësi, Skënder Metën, Shaqir Elbasanin, Shemsi Bashën dhe Esat Kurtabegun nga Shkodra dhe plot të tjerë.
Pas një viti reparti ynë u transferua tek Zogu i Zi në rrugën e Durrësit. Punonim në ndërtimin e pallateve në rrugën e Kavajës, përballë kishës katolike. Teknik ndërtimi kishim një civil. E quanin Vasil Tole. Ishte djalë shumë i mirë. Kishte punuar për një kohë me Agimin. Ai më mësoi njohjen dhe zbatimin e projekteve që do të më shërbenin shumë në të ardhshmen.
Besnikun e kishin sjellë në spitalin e burgut të ri të Tiranës. Mbi dhjetë vjetët që kishte bërë burg i kishin prekur zemrën. I bleva disa ushqime me ato pak të holla që kisha, të cilave u shtova edhe ato që më dha Drita dhe një të djelë shkova ta takoja. Kur më panë policët me uniformë ushtarake, u habitën. Nuk deshën të më lejonin, por unë ngula këmbë dhe u detyruan të pranonin.
E gjeta jashtë mase të dobësuar. Kishte pësuar një rënie fizike të madhe në krahasim me atë që e kisha parë kur ishte në kampet e Çermës dhe Bubullimës. Ndjeva një dhimbje të madhe.
- Si je? - i fola duke dashur të mos i tregoja
dëshpërimin tim.
- Shumë mirë, - u përgjigj me një zë të
sigurtë. - Tashti iku e shumta dhe mbeti e pakta. Edhe dy vjet kanë mbetur dhe do bëhemi të gjithë bashkë.
- Po, vëlla, dhe nuk kemi për t’u ndarë më kurrë!
Pastaj i tregova për të gjithë pjestarët e familjes. Më dëgjonte me vëmendje. Kur u ndamë më tha:
- Përqafoji me mall të gjithë nga ana e ime!
Kur u ktheva në repart, më thirri komandanti
i batalionit.
- Ku ishe? - më pyeti.
Në fillim nuk doja t’i tregoja, por e kuptova që ishte sinjalizuar nga drejtuesit e burgut, ndaj i thashë:
- Në burg, takova vëllanë.
- Përse është dënuar?
- Agjitacion e propagandë
- Ka edhe shumë për të bërë?
- Edhe dy vjet.
- Mirë, mirë, por të këshilloj të mos shkosh më për ta takuar.
E kuptova që këshillën ma dha me gjithë zemër. Tërë atë mbrëmje kisha parasysh fytyrën e tretur të tim vëllai.
Në janar 1960 u transferuam në repartin 4300 në Durrës. Punonim në ndërtim banesash tek Ura e Dajlanit. Koha që kalova në atë repart nuk shënoi ndonjë gjë të veçantë që ia vlen të shkruhet.
Tre javët e fundit i kaluam në repartin 2200 në Dushk të Lushnjes. Atje bënim qilizëm për të mbjellë vreshta. Isha caktuar skuadërkomandant. Ishim dhjetë vetë në skuadër. Midis nesh ishte edhe një malësor, që njihej për kapadaillëkun dhe arrogancën e tij. Pothuajse nuk punonte fare. Edhe atë pak punë që bënte e kryente si mos më keq. Këtë e dinin të gjithë. Kjo bëri që një ditë të vinte për kontroll operativi i repartit. Ishte nga fshatrat e Vlorës. Emrin nuk ia mbaj mend. Mori disa ushtarë nga skuadrat e tjera dhe i urdhëroj të vështronin nëse e kishim bërë mirë qilizmën. Me paturpësinë më të madhe ata deklaruan se puna ishte bërë shumë keq nga të gjithë, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë. Operativi e rreshtoi skuadrën në mensën e repartit. Filloi të na kritikonte me zë të ashpër për punën e kryer. Në mënyrë të veçantë mua si skuadërkomandant. Unë e kundërshtova. Nuk pranova që ishte bërë punë e keqe. Ai u xhindos dhe më foli:
- Mos kërkon të sabotosh punën? Nuk është bahça e tyt eti që të bësh si të duash. Unë mund të të hedh hekurat për këtë.
E kuptova që duhej të heshtja. Që atë ditë më shkarkuan nga detyra e skuadërkomandantit. Për fat ishin ditët e fundit të ushtrisë. Më 1 qershor 1960 u lirova Më në fund e kisha kryer edhe këtë detyrë.
U ktheva përsëri në familje. Ata ishin kthyer në shtëpinë tonë. Fillova punë si murator në ndërmarrjen ushtarake. Veliu kishte mundur të më siguronte një vërtetim si murator i kategorisë së gjashtë, nga ndërmarrja “21 Dhjetori“ , për të cilën punonim kur ishim ushtar në Tiranë
Punonim në ndërtimin e shkollës së aviacionit. Më prapa kaluam në ngritjen e hotelit të oficerëve, pas hotel Adriatikut . Teknik ndërtimi ishte Andrea Bellua që kryente shërbimin ushtarak. Brigadier ishte shoku im i burgut, Filip Daullja. Andrea dhe Filipi duke parë aftësitë e mia nuk më linin të punoja si murator. Falë aftësive që kisha për të zbatuar projektin, më linin për të piketuar dhe dhënë kuota. Nisur nga këto, shokët e brigadës më kishin ngjitur nofkën “inxhinieri“. Kështu vazhdoi jeta e ime duke ngritur mure dhe duke ëndërruar për lirinë.
DASHURIA RILIND
Në shtator fillova mësimet në klasën e dytë Si zakonisht isha nxënës i shkëlqyer. Një mbrëmje erdhi një gazetar i “Zërit të Rinisë“. Kërkoi të bënte një intervistë me një nxënës të mirë. Mësuesja e kimisë i rekomandoi Elin. Ishte nxënëse e mirë, por jo e nivelit tim. Në këtë kohë Fejzi Xherahu, një shoku ynë i klasës i thotë:
- Zonja mësuese, po ne kemi një nxënës të shkëlqyer, Reshat Kripën. Përse nuk dërguat atë?
Kjo pyetje më zgjoi një krenari në veten time, por njëkohësisht më vuri në pozitë të vështirë. E dija që nuk mund të jepja intervista nëpër gazeta. Edhe Fejziu e dinte një gjë të tillë, por e bëri enkas. Mësuesja ndenji pa folur. Nuk e priste një pyetje të tillë. Pastaj tha:
- Më falni, po nuk e bëra me qëllim.
Donte mbështetjen time. U zura ngushtë. Duhej të jepja një përgjigje. I thashë shkurt:
- Për mua nuk ka rëndësi.
Kështu u mbyll kjo çështje.
Një mbrëmje vjen në klasë shoku im, Maliq Agaj që vazhdonte klasën e parë. Shoqërohej nga një vajzë rreth shtatëmbëdhjetë vjeç. U afruan pranë meje dhe më tha:
- Ida është vajza e vëllait tim, Agos. Do të vazhdojë mësimet në klasën tuaj.
E kuptova që e pruri tek unë për ta patur kujdes. Për më tepër edhe për ta shoqëruar në shtëpi. Banonte në lagjen Lirim, jo më shumë se njëqind metra larg shtëpisë tonë.
- Mos kini merak. Le të ulet në bankën time se nuk kam njeri.
Ajo që më ra në sy te kjo vajzë ishte trupi i saj i përsosur. U ul në bankë dhe filluam të bisedojmë. Në këtë kohë hyri mësuesi i matematikës dhe ne heshtëm.
- Po të kesh nevojë për gjë, eja në shtëpinë time. Mund të mësojmë bashkë dhe të zgjidhim detyrat.
- Faleminderit! Natën e mirë!
- Natën e mirë!
Ida ishte e bija e Ago Agajt, një personalitet i njohur i krahinës së Mesaplikut. Kishte mbaruar studimet e larta në Vjenë për inxhinieri agrare. Patriot i njohur, pjesëmarrës aktiv në luftën e Vlorës më 1920 dhe i aktiviteteve të tjera patriotike. Në shtator 1943 emërohet Ministër i Ekonomisë Agrare në qeverinë e drejtuar nga Rexhep Mitrovica. Më parë kishte qenë prefekt në Mitrovicë. Atje punoi me përkushtim për çështjen e Kosovës. Për këtë vendasit
e quajtën “Kosovari nga Vlora“.
Me mbarimin e luftës, si shumë patriotë të
tjerë, u detyrua të merrte rrugën e mërgimit në Itali, Egjipt dhe përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Shqipëri la gruan me pesë vajza. Kur unë u njojta me Idën, katër të parat ishin martuar. Ida ishte e vogla. Banonte së bashku me t’ëmën që punonte si puntore në fabrikën e çimentos.
Kështu u njoha me të. Ditët kalonin njëra pas tjetrës. Çdo ditë bëheshim më të afërt . Një ndjenjë tjetër po pushtonte zemrat tona. Nuk ishte ndjenja e miqësisë. Ishte diçka tjetër që i bënte zemrat tona të dridheshin. Një dashuri e re po e bënte zemrën të zgjohej përsëri. Interesant, por nuk mund të jetoja pa dashuri! Ditët e shkollës më jepnin kënaqësi të veçantë. Sidomos, kur ktheheshim në shtëpi. Qëndronim me minuta të tëra para portës së saj duke biseduar. Një gjë e tillë ra në sy të komshijve që nuk përtonin të na hidhnin edhe ndonjë romuz. Por ne bënim sikur nuk i dëgjonim.
* * *
Një të dielë vendosëm që të zhvillonim një mbrëmje vallzimi me klasën. Organizatorë ishim unë, Ymer Dogani dhe Alfred Çobani. Prenotuam orkestrën, përgatitëm një bufe të vogël dhe ftuam edhe disa mësues, kryesisht ata që ishin në moshë më të re. Vendosëm ta bënim në sallonin e katit të parë të shkollës
Morën pjesë të gjithë nxënësit e klasës. Orkestra filloi ekzekutimin e pjesëve. E filloi me melodinë e përhapur shumë në atë kohë, të këngës së njohur italiane “Marina“. Ymeri m’u drejtua:
- Të takon ty ta hapësh.
Ashtu ishte zakoni në atë kohë. Mbrëmjet hapeshin nga organizatorët. Unë u nisa. Vendosa të kërceja me Elin por, pa e kuptuar as vetë, këmbët më shpunë te Ida. Ajo u ngrit duke u skuqur pak në fytyrë, u mbështet në krahët e mi dhe filluam të rrotullohemi. Duke vallzuar me të më dukej vetja sikur fluturoja në parajsë.
Mbrëmja vazhdoi disa orë. Ishte një mbrëmje e mrekullueshme. Kërceva disa here me Idën. Kur mbaruam si zakonisht, e përcolla në shtëpi. Te porta e saj u zhvillua i njëjti ritëm. Biseda të pafundme.
Të nesërmen, së bashku me Ymerin dhe Alfredin na thirri në zyrë drejtori i shkollës së ditës. Janaq Sykua.
- Mbrëmë keni zhvilluar një mbrëmje vallzimi në shkollë, - tha duke u kthyer nga unë, - kujt i morët leje?
Në të vërtetë kishim njoftuar drejtorin e shkollës së natës, Pirro Arapin, por atij nuk i thamë gjë. Nuk donim të ngatëronim dhe atë. Ymeri më bëri shënjë që të mos flisja. E dinte pozicionin tim. Për veten e tij dhe për Alfredin e dinin se nuk u bënte dot gjë. Ishin nga familje komunistësh. Ymeri ndërhyri dhe foli:
- Menduam se nuk ishte nevoja.
- Ti ishe organizatori? - m’u drejtua përsëri mua.
- Jo, isha unë dhe Ymeri, - u përgjigj menjëherë Alfredi.
Drejtori mbeti keq. E kuptoi se nuk mund të
bënte gjë.
- Qoftë e para dhe e fundit herë që organizoni të tilla mbrëmje pa leje
Ne u larguam. Kur dolëm përjashta, u shtrëngova duart shokve të mi duke i falënderuar. Atë vit organizuam disa mbrëmje të tilla, por jo në lokalin e shkollës
* * *
24 maj 1961. Dhjetë vjetori i arrestimit tim.
- Ida, të dua! - i thashë.
Ajo nuk fliste dot, por atë që nuk e thoshte goja e thonin syt e saj që shndrisnin.
- A pranon të bëhesh gruaja ime? - vazhdova unë
- Po, - u përgjigj me ngadalë. - Edhe unë të dua.
E afrova pranë vetes dhe shkëmbyem të puthurën e parë të dashurisë në jetën time. Ishte një çast magjik.. Pas kaq vitesh të kaluara në skëterrë, po shijoja ëmbëlsirën e një puthjeje. Shija e saj mbeti në buzët e mia për tërë jetën.
Ishte dashuria e dytë e jetës time. E para ishte ajo për Nerin. Cila ishte më e fuqishme? Nuk e di. Të dyja ishin të pastra. Të dyja të sinqerta dhe të fuqishme. Të dyja i kam dashur me gjithë fuqinë e shpirtit tim. Çfarë ndryshimi kanë atëhere me njera-tjetrën? E para ishte një ëndërr shumë e bukur fëminore, që mbeti e tillë deri në fund. Kurse e dyta ishte realiteti që bëri të mundur krijimin e një familje. Ishte siç thoshte kënga e kënduar në ato kohëra nga këngëtarja italiane Gabriella Ferri:
Com’è bello il primo amore
Il secondo è piu bell’ ancore! *
Të nesërmen i shkrova Vjollcës për gjithçka. Isha vetëm njëzetepesë vjeç. Kisha kaluar një të tretën e jetës time.
----------------------------------------------------------------
* Sa e bukur dashuria e parë
Por e dyta më e bukur akoma!
EPILOGU
Sot jam në moshën e pleqërisë.. Në këtë moshë kujtoj jetën time. Kujtoj thëniet e arixhofkës në fëmijërinë time të herëshme. Çuditërisht, megjithëse nuk jam besimtar i gjërave të tilla, më duket sikur ato kanë kaluar ashtu si i parashikoi ajo. Burrëria e ime kaloi si ajo e shumë të tjerëve të shtresës time, me të përpjeta dhe të tatëpjeta. Çaste gëzimi, por edhe hidhërimi të thellë që në ndonjë rast do të më bënin të humbisja kuptimin e jetës. Për këto nuk kam dëshirë të shkruaj. Dua të mbeten brenda vetes time. Dua t’i harroj. Ato më
përkasin vetëm mua dhe askujt tjetër. Megjithatë, dua të shkruaj për disa çaste të veçanta të jetës time dhe fatin e personazheve të tjerë të këtij shkrimi.
Dashuria ime me Idën vazhdoi për tre vjet rresht. Kisha një kundërshtim nga ana e prindërve të mi. Kjo për shkakun sepse dy vëllezërit më të mëdhenj dhe motra ishin akoma të pamartuar. Kërkova ndihmën e doktor Isufit i cili edhe kësaj rradhe më doli në krah. Kishte njohur babanë e saj. Bisedoi me tim atë. Më 4 tetor të vitit 1964 u krye martesa e jonë, pas tre vjet e gjysmë dashuri.
Gëzimi im i parë i madh ishte lindja e djalit, Artanit, më 19 prill të vitit 1966. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Ditën që ai mbushi dyzet ditë, ndërsa nëna po përgatitej ta kremtonte, u godit nga një hemoragji cerebrale, e cila do i merte jetën më 10 qershor të atij viti. Kishim vite që nuk kishim provuar vdekje në familjen tonë dhe ajo na goditi atje ku na dhimbte më tepër. Babai u lidh shumë me djalin. Ai ishte idhulli i tij. Nuk guxonte njeri t’i fliste apo qortonte.
Më 18 nëntor 1971 lindi vajza e parë, Rudina, ndërsa më 6 nëntor 1978 vajza e dytë, Ersela. Ndërkohë im atë i kishte mbyllur sytë më 10 mars të vitit 1973. Mbetëm si të gjitha familjet e shtresës tonë. Ida punonte si punëtore në ndërmarrjen e serave, ndërsa unë si murator dhe ndonjë periudhë, me këmbënguljen e miqve të mi si Veli Premtaj me shokë, si brigadier i brigadës së ndërtimit në sektorin e investimeve të asaj ndërmarrje.
Nuk mund të më hiqen nga mendja disa momente të vështira, kur shihja trajtimin që u bëhej fëmijve të mi. Këto më shkaktonin dhimbje më shumë se për veten time. Kur Artani mbushi moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, kujtova femininë. Një ndjenjë frike për një ripërsëritje të së kaluarës time te ai më futi të dridhura në trup. Artani mbaroi shkollën e mesme.
Pas një viti e morën ushtar në repartin e xhenjos në Shilore të Shijakut. Ishte muaji dhjetor. U nisa pas disa ditësh ta takoja. Ishin kohë shumë të vështira. Shqipëria po shkonte drejt greminës. Gjëndja ekonomike ishte jashtëzakonisht e rëndë. Mbizotëronte sistemi i tollonave për të gjithë artikujt ushqimorë. Një kilogram mish në muaj për familje. Po ashtu edhe artikujt e tjerë ushqimorë. Atë muaj takoi që racioni të ishte mish dhie i mbuluar nga dhjami. Ç’të bënim? Tjetër nuk kishim ku gjenim. E poqëm, shtuam edhe disa gjëra të tjera dhe shkova. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Kur po largohesha, ktheva edhe një herë kokën nga reparti. Kapanonet e tij ishin njësoj si ato të kampeve ku kisha kaluar pesë vjet të jetës time. Ndjeva një dhimbje të madhe, bile shumë më të madhe nga ajo kur isha vetë brenda. Atë muaj në familje nuk hëngrëm mish.
Sot Artani ka gjetur rrugën e tij Ka mbaruar fakultetin juridik dhe atë ekonomik. Jeton së bashku me gruan, Dorinën, doktoreshë e shkencave në ekonomi dhe vajzat e bukura Nikolën dhe Noelin.
Viti 1990, viti kur komunizmi kishte marrë rrokullimën. Rudina vazhdonte vitin e fundit të shkollës së mesme. Ora e hartimit. Tema ishte e lirë. Rudina zhvilloi një temë që po të kishte qënë disa vjet më parë, ajo edhe unë do të kishim përfunduar të dy në burg. E përfytyronte veten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prej andej më dërgonte një letër mua, ku më përshkruante jetën e atjeshme, por jo me ngjyrat e zeza, siç ishte përshkruar deri atëhere. Në hartim pasqyrohej Amerika e vërtetë, ajo që shqiptarët e kishin ëndërruar prej kohësh. Kjo gjë shkaktoi një pështjellim në shkollë. Më thirrën dhe mua dhe u munduan të komplikonin më shumë çështjen. Por ujkut tani i kishin rënë dhëmbët dhe ai nuk mund të kafshonte më.
Ëndrra e Rudinës u bë realitet. Në vitin 1999 ajo fitoi me llotari të drejtën e banimit në Shtetet e Bashkuara. Atje përfundoi kolegjin për financiere me rezultate të shkëlqyera, duke u shpallur nxënëse nderi Punoi si specialiste që fuste statistikat në kompjuter në një kompani taksish. Pas një viti vendosi të punonte vullnetarisht në aerodromin e Neë Yorkut, duke ndihmuar njerëzit me moshë të thyer të shkonin të sigurtë nga avioni në makinat e tyre ose anasjelltas. Me mbarimin e kolegjit u punësua në një kompani materialesh letre, ku hidhte të dhënat në kompjuter dhe pas një viti, me punën e saj të devotshme dhe të frytshme, u ngrit në përgjegjësi duke punuar si specialiste e llogarisë kreditore.. Sot jeton e lumtur me burrin, Rafael Seranon, dhe dy djemtë si zogj parajse Rafaelin dhe Gabrielin në qytetin e Filadelfisë.
Viti 1988. Ersela kishte përfunduar shkollën fillore. Rezultati ishte i shkëlqyer. Të gjitha notat dhjeta. I pëlqente veçanërisht baleti. Ishte lider në grupin e shkollës. Me ndihmën e një të njojturi mundëm të fitonim të drejtën e konkurimit në shkollën e baletit në Tiranë. U nisa së bashku me të. Konkuroi në mënyrë të shkëlqyer, por çdo gjë ishte e kotë. Të gjitha ishin vendosur me kohë. Ishte caktuar se kush duhej të ishte në krye dhe kush në fund të ”elitës“. Megjithatë Ersela nuk u thye. Ajo vazhdoi rrugën e saj të suksesit. Gjithmonë në krye. Sot ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka mbrojtur masterin në degën e arkitekturës në universitetin e Columbias të Neë Yorkut. Edhe atje vazhdon të qëndrojë në krye. Qëllimi final që i ka vënë vetes është mbrojtja e doktoratës. Unë kam bindjen se ajo do t’ja arrijë kësaj. Një sërë medaljesh të fituara e vërtetojnë këtë. Atë që nuk mundi ta realizonte babai i saj, po e realizon e bija.
Po personazheve të tjerë të këtij libri si u
shkoi filli gjatë këtyre viteve?
Fatushja qëndroi në familje deri sa u lirua Besniku. Pastaj në vitin 1964 u martua me Xhevdetin, nipin e Plakut të Vlorës, Ismail Bej Qemalit. Si rezultat i martesës u lindën dy fëmijë, një vajzë, Ada dhe një djalë, Luli. Fatushja vazhdoi profesionin e saj të arsimtares nëpër shkolla të ndryshme të Tiranës deri në vitin 1978 kur doli në pension. Me gjithë gjendjen e vështirë ekonomike mundi të arsimonte fëmijtë e saj. Ada mbaroi fakultetin ekonomik, ndërsa Luli atë të inxhinierisë mekanike.
Në moshën e pleqërisë pati mbështetjen e fëmijve të saj që nuk i kursyen asgjë I mbylli sytë më 16 janar 2007. Sot Ada banon në Bolonja të Italisë, ndërsa Luli vazhdon në Tiranë.
Agimi mbaroi gjimnazin vitin që unë u arrestova. Nuk i dhanë të drejtë studimi. Mundi të mbaronte një kurs për topograf dhe u end për vite të tëra fushave që bonifikoheshin dhe kanaleve që hapeshin. Së fundi, u vendos në Tiranë, ku përfundoi edhe fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit.
U martua me Zakije Hoxhën nga Gjirokastra me të cilën lindi dy fëmijë, Anilën dhe Bendisin. Sot jeton i qetë i rrethuar plot dashuri nga vajzat.
Jeta e Besnikut ishte më e vështira nga të gjithë pjestarët e familjes. Gati dymbëdhjetë vjet burg nëpër kampet e egra të Nizhavecit, Gosës së Vogël, Urës Vajgurore, Vlashukut, Shtyllasit, Rinasit, Zadrimës, Thumanës, Çermës, Bubullimës si dhe burgjeve të Tiranës dhe Vlorës.
Nuk do ta harroj kurrë atë ditë dhjetori të vitit
1961 kur ai doli nga burgu. Kisha dalë për ta pritur së bashku me Qamilen dhe Fatushen në burgun e Vlorës. Kur e pamë na u duk sikur para syve kishim një hije. Ishte i dobësuar jashtë mase dhe i sëmurë. Mezi qëndronte në këmbë. Morëm një taksi dhe shkuam në shtëpi. Atje na prisnin me padurim nëna me babanë. Ishin çaste që pena nuk mund t’i përshkruajë.
Puna e vetme që e priste ishin tunelet e fabrikës së tullave, sa që kur dilte prej andej nuk njihej se kush ishte. Vazhdoi dhe mbaroi me sukses gjimnazin e mbrëmjes. Në atë punë vazhdoi për 30 vjet deri sa doli në pension. Dy fëmijët, Myneverja, e cila mori emrin e gjyshes, që kishte vetëm tre muaj që kishte mbyllur sytë dhe Ariani jetojnë në Itali.
Besniku dhe Kreshnikja i gëzoheshin fëmijve të tyre. Çdo vit ata vinin për pushime në qytetin e prindërve, ndërsa këta shkonin herë pas here në Itali për t’u çmallur me fëmijtë, nipërit dhe mbesën e tyre. Më 26 nëntor 2006, në moshën 73 vjeçare, i mbylli sytë.
Kur Myrtezai u lirua nga burgu, familja e tij ishte vendosur në Peshkopi. Babaj i tij kishte mundur të siguronte punë si drejtor i një hoteli. Duke qënë larg vendit ku kishte kryer aktivitetin “armiqësor“, Myrtezait iu krijua mundësia të mbaronte shkollën e mesme dhe të lartë pedagogjike. Për vite të tëra u end nëpër fshatrat e Dibrës duke mësuar nxënësit. Zëri i tij i bukur bëri që të bëhej edhe pjesëtar i grupit të estradës së Peshkopisë Kënga e tij e preferuar vazhdonte të ishte “O moj erëza malore“. Sot banon së bashku me gruan në Durrës. Djalin e ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa vajzën në Tiranë.
Doktor Isufin, pas lirimit nga burgu, e emëruan në Vlorë. Ishte otorinologu më i mire i gjithë Shqipërisë së jugut. Në mënyrë të veçantë u shërbente ish të burgosurve me të cilët dikur kishte ndarë kafshatën e gojës. Por kujdesi i tij ishte edhe për të gjithë qytetarët e tjerë, duke u bërë një nga njerëzit më të nderuar në qytet. U martua me zonjën Gjyltere Pipa, inxhiniere kimike dhe Zoti u fali një djalë, Einarin, i cili sot ndodhet në Itali, ku ushtron profesionin e mjekut. Doktori i mbylli sytë në vitin 1988 pa gëzuar ditën e lirisë për të cilën kishte ëndërruar dhe sakrifikuar aq shumë.
Jeta e Veliut për një kohë të gjatë vazhdoi si e të gjithë njerëzve të shtresës tonë. Me shumë mundime mundi të mbarojë fakultetin ekonomik. Punoi për një kohë nëpër fshatrat e Vlorës, deri sa u bashkuam përsëri në ndërmarrjen bujqësore “Vlora“, unë si brigadier dhe ai si teknik ndërtimi. Fati nuk i eci. Kur sapo kishte filluar të lulëzonte liria, kur priste të zinte vendin që i takonte, ndërroi jetë papritur më 25 prill 1991, në moshën pesëdhjetegjashtëvjeçare. Sot gruaja dhe djemtë jetojnë në Tiranë, ndërsa vajza ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vjollca me Kristaqin për disa vite qëndruan
në Thumanë ku kreu shkollën fillore edhe Kujtimi i vogël. Pastaj u vendosën në Mamuras Atje Kujtimi mbaroi shkollën e mesme, por dyert e shkollës së lartë për të ishin të mbyllura, megjithse ishte nxënës i shkëlqyer, ashtu si e ëma para disa viteve. Unë vazhdoja korespondencë të rregullt me ta, bile kisha shkuar disa herë t’i takoja, kur shkoja për në Laç te motra.
Sadiku doli nga burgu në vitin 1962. Por pasojat e vuajtjeve bënë që pas tre vjetësh të mbyllte sytë. Dy vjet më vonë i mbylli ato edhe e shoqja. Vjollca mbeti e vetme me burrin dhe djalin.
Në korrikun e vitit 1990 Kujtimi së bashku me të tjerë u fut në ambasadën Gjermane. Sot ndodhet në Gjermani. Ka mbaruar universitetin e Mynihut dhe ka fituar titullin doktor i shkencave politike. Ka tërhequr edhe prindërit e tij, të cilët tashmë jetojnë atje së bashku me fëmijtë e të birit.
Sa për Nerin, ajo i qëndroi besnike Vlorës. Jeton atje së bashku me të shoqin dhe fëmijtë. Gjatë kësaj periudhe pesëdhjetëvjeçare e kam takuar vetëm dy herë. Herën e parë në vitin 1979 kur kisha për të zgjidhur një problem dhe ajo më ndihmoi sinqerisht dhe herën e dytë në vitin 1992, kur erdhi dhe më kërkoi ndihmë për diçka, gjë që e kreva menjëherë. Të dy këto takime ishin miqësore, takime ndërmjet dy shokëve të vjetër të fëmijërisë. Një njeri i shquar ka thënë:
“ Miqësia në dashuri mund të kthehet, kurse dashuria në miqësi kurrë! “.
Megjithatë, në rastin tonë, dashuria ishte kthyer në miqësi. Ëndrra e vjetër tashmë ishte
harruar. Sejcili prej nesh kishte jetën e vet.
Këto ishin ngjarjet kryesore të jetës të personazheve të këtij libri. Unë me gruan vazhdojmë të jetojmë të qetë në familjen tonë në Tiranë. Përballë apartamentit kemi atë të djalit tonë të dashur që nuk na është ndarë për asnjë minutë. Kemi një mall të madh për vajzat që i kemi larg, por edhe me ato bisedojmë shpesh në telefon dhe, kur u dëgjojmë zërin, na duket sikur i kemi pranë. Megjithatë, herë pas here vijnë dhe na takojnë. Tashti jam shtatëdhjetetre vjeç. Më duket se u plotësua edhe profecia e tretë që arixhofka i kishte thënë nënës në njërën nga ditët pasi kisha shpëtuar nga mbytja:
- Djali do të kalojë një pleqëri të qetë.
Vetëm për një gjë më vjen keq. Për rininë
time të copëtuar, që kaloi e mbuluar nga hija e
pleqërisë.
Para disa kohe takova mikun tim Ylli Bora. Dikur, ishte një djalë i ri plot gaz dhe humor. Kishte dëshirë të shkruante, por veprat e tij, si shumë të tjerëve, nuk e gjetën rrugën e botimit. Kur e takova m’u duk shumë i plakur. Duart i dridheshin nga parkinsoni. Këmbët mezi mbanin peshën e trupit dhe ecte me ngadalë. U ulëm të pinim një kafe. Filluam të bisedojmë për hallet e jetës tonë. Për pengjet dhe ëndrrat tona. Më tregoi se me ato duar që i dridheshin, kishte botuar pesë libra dhe kishte ndër duar të gjashtin. Vullnetin për të shkruar e kishte akoma të gjallë.
Së fundi, kur u ndamë, më tha një shprehje të artë që nuk do ta harroj kurrë, deri sa të kalojnë edhe këto vite që më kanë mbetur:
NE MBIJETUAM, POR NUK JETUAM ?!
Tiranë, më 19 dhjetor 2008
KOMENTE
Duke lexuar librin me kujtime “Rini e copëtuar”, sërish u binda për aftësitë e tua si shkrimtar. Unë, që përpiqem të shkruajë edhe vetë, por edhe hanëmja, gruaja iome, që ka mbaruar për gjuhë-letërsi, e lexuam me shumë dëshirë dhe kureshtje, të tërhequr nga bukuria, thjeshtësia dhe çiolktërsia e paraqitjes.
Si vlonjat, bashkëmoshatar, që e kam ndjerë në vetvete, asokohe, herë pas here gjendjen poshtëryesetë imponuar të dinjitetit njerëzor, mund të të them me sinqeritet, se nuk kam patur shpresuar për rrugë dalje, e aq më pak të tentojapër kundërvënie të organizuar. Përkundrazi jam nënshtruar dhe bashkërenduar në mënyrë të pavetëdishme me padrejtësisë social-ekonomike e njerëzore të kohës. Kjo është diferenca midis nesh, supermacia e padiskutueshme dhe ky është shpjegimi i krenarisë tënde të ligjëshme.
Duke lexuar librin më ktheve në ato vite të shkuara. Ne “borgjezë të deklasuar, deri në një farë kohe, patëm disa përjetime të njëjta. Ne, ishim njeri pas tjetrit, në të njëjtën shkollë, me po ata mësues të mirë e të devotshëm, në të njëjtin grup teatral (besoj se të kujtohet që unë isha në rolin e Timurit dhe te pjesa “Biri I rregjimentit”, solist I korit me profesor Tish Dainë dhe instrumentist me Thoma Çaqçin). Edhe unë isha nxënës me nota maksimale, me prirje për letërsi, art dhe sport. U largiva për në Tiranë, në shkollën e mesme dhe nuk t’u ndodha pranë, në vitet kur u arrestove dhe vuajte ato peripecitëe kobëshme çnjerëzore. Po në Tiranë u zhgënjeva kur, megjithse e përfundova shkollën e mesmeme medalje ari, nuk m’u dha e drejta e studimeve të larta. Kështu shkova ushtar e më pas, megjithse kampion kombëtar në ngritje peshash dhe trainer i ekipit kombëtar, u ndalova i fyer të shkoja jashtë shtetit në lojnat e Ganefos. Shkollën e lartë u detyrova ta kryeja me korespondencë. Pra kisha padrejtësi të ndjera në lëkurë, por nuk protestava dhe iu nënshtrova regjimit diktatorial. Këtu dioferencohemi. Këtu ti lartësohesh në zenith dhe ke të drejtë të jesh krenar dhe i nderuar nga të gjithë ne.
Në galerinë e personazheve që ti përshkruan, së shumti unë kam takuar në njerëz që i njoh. Jam plotësisht dakord, pa përjashtim me cilësimet për ta. Edhe këtu ti paraqet zemërgjërësinë dhe fisnikërinë tëndekarakteristuike, që e ka origjinën tek origjinaintelektuale e familjesqytetare shqiptare, të lidhur mirëfilli me punën dhe me pronën.
Me ngjarjet dhe personazhet je krejt i vërtetë, duke mos përjashtuar mënyrën artistike të trajtimit të tyre, me një stil të bukur, të kuptueshëm, tërheqës, që të bën ta lexoshkrejt librin, me kureshtje deri në fund, pandërprerje. Po dhe fatin e secilit e ndjek me kujdes, duke krijuar diku keqardhje e më së shumti kënaqësi.
Vërtet ti je protagonisti kryesor i veprës, por në galeërinë e personazheve që ti ke njohur apo ke patur marrëdhënie, ne hasim me ajkën e intelektualve dhe sypatremburve shqiptarë. Duke të njohur dhe duke patur kontakte të shpeshta, sidomos në këto vitet e fundit, po edhe nëpërmjet veprës, unë gjithnjë e më shumë po kuptoj dhe mund të shpjegoj bagazhin e madhintelektual që ti ke grumbulluar, jo vetëm me punën tënde këmbëngulëse, por edhe për faktin që ke kontaktuar dhe që ke qënë nxënës i kësaj pleiade të shquar bashkëvuajtësish.Kështu shpjegoj edhe patriotizmin tënd, atë qëndrim të gjërë tolerant e bashkëveprues, në dobi të atdheut, të kombit e demokracisë, duke trajtuar e këmbëngulur për atë që na bashkon dhe jo për atë që na ndan.
Të uroj përzëmërsisht për librin, me dëshirën që të vazhdoshg të shkruash dhe jo vetëm në prozë, por edhe në poezi, sipas modelit të poezisë së mrekullueshme “Unë dhe Kanarina”.
Luan Çipi
Tiranë, më 22 shkur 2009
Dërguar me E-mail.
Një fletëz e grisur nga historia e pastër
Pasi përfundova së lexuari, mbrëmë vonë, rreth orës
“Faleminderit zotni! Faleminderit që shkrove një faqe të vërtetë të asaj jete të tjetërsuar, të shpërfytyruar e deri të përdhosur të pjesës më të shëndetshme të shoqërisë së lartë shqiptare”.
Mendova me vete: Ky libër me kujtime është një fletë e grisur nga histori e pastër honesh, rrokullimesh, shkrepave përplasur. Një fletëz e kthjellët me frymën e zemrës.
Vërtet Europa kompraçikosët e shekullit XVII-të i kishte zhdukur dhe harruar, por për dreq fara e tyre çibane, kishte zënë shtrat thellë nën lëkurë në rrënjët e thara të egërsisë së stepave muzhike që farmakosi të mirën dhe të mjerën Shqipëri për 50 vjet, gjysmë shekulli, jo pak.
19 vjet shtrirje kohore, 1942-1961, në rreth 200 faqe të botuara, janë sot autopsia e kufomës që shkaktoi këtë rini të copëtuar shqiptare. Edhe mua, që nuk kam qenë në burg, as në Bulqizë, as në Shtyllas, as në kampet e Urës Vajgurore e as në Vlashuk, më duket sikur ata të urryer kompraçikosë të kuq më kanë grryer nga shpirti, nga gjaku dhe nga jeta ime jo pak.
Në fund lexova dhe parathënien e zotit Izet Shehu dhe më pëlqyen vlerësimet e tij, aq shumë sa që do të kisha dëshirë t’i shkruaja unë ato fjalë aq të pastra dhe të vërteta.
Zoti Reshat është i kulturuar, i urtë, i heshtur e dinjitoz në jetën e tij, me kontribute modeste në shoqëri. Është nga ata njerëz që e shikon tjetrin në sy; nuk është syposhtë se është i vërtetë, nuk i ka borxh askujt, veç ç’i kanë.
Ndërkohë, gjatë leximit të librit, m’u kujtuan vargjet e Visar Zhitit:
“ Jo, jo,
nuk i lyej kurrë këpucët
te llustraxhinjtë!
S’i dua njerëzit te këmbët! „
I tillë është edhe shpirtmadhi i pabujshëm Reshat Kripa që na jep një shembull modeli për jetën. Jepet një tabllo e plotë e një segmenti kohor të kobshëm, bëhet një morfologji e plotësuar e luftës midis virtytit e vesit, midis të mirës dhe të keqes. Në fund të kësaj përshëndetje dua të veçoj se origjina me rrënjë e fisnikëron njeriun, vërtetësia i jep dinjitet dhe mirësia e mbush me mesazhe të larta e kuptimplote për jetën.
Zoti Reshat! Respekt për të vërtetën që na tregoni! Të mos i harrojmë, por të ecim përpara me dashuri e vllazëri për njeri-tjetrin.
Albert Abazi
Mbajtur në promovimin e librave “Shkallët e ferrit” dhe “Rini e copëtuar”, zhvilluar në Vlorë më 27 maj 2009.
“E , libër i zakonshëm do të jetë , si shumë nga ata , që jo pak njerëz , sot , në prag të pleqërisë apo në pleqëri , ta lenë si peng targën – libër të tyre ,që , edhe po s’qe e ndryshkur , në fund të fundit llamarinë është “ . Por , në këtë rast , s’është aspak kështu Pasi ke disa ditë që e ke mbaruar librin ( i cili edhe pse s’dallohet për veçori e ngarkesë teknikash letraro artistike lexohet jo`“me nge“,por edhe kur nge nuk ke ),ndjen detyrimin , thuajse të përditshëm , e kthimit të një borxhi apo të shkarkimit të ngarkesës emocionale të grumbulluar nga leximi që ,të paktën mua , më bëri të ngrihem nga gjumi në orën pesë të mëngjesit , për t’i shkruar këto rrjeshta ,të cilat do t’I drejtohen autorit . Vetëm se unë ende nuk jam I bindur nëse “ i miri Reshat “ do ta pranonte një mënyrë të tillë drejtimi .Sepse,nga ajo që kam përftuar prej leximit të librit të tij , më ka lindur krejt natyrshëm mendimi që,veçorinë e librit , të cilën do ta quaja thjesht “mirësi “ njeriu që na e jep me aq bujari , me siguri s’do të pranonte ta merrte për vete , qoftë dhe si cilësim për diçka që,nëpërmjet rrjeshtave të librit , ua ka falur të tjerëve . Një vlerë të tillë ,të një djali 15 vjeçar , të burgosur per t’ia shypur e zhdukur atë , jo vetëm që e zbulojmë,por e ndjejmë ta kemi tashmë brenda vetes . Mirësia , që emetohet , s’ka formë Ajo vjen te ne si një frymë që të lehtëson qënien , jo si shkarkim hallesh , po si tretëse e pazhurmë e tyre , e patjetërsueshme , e pambarim . Një mirësi e tillë s’pranon analiza apo zbërthime , që do ta shpërbënin ashtu siç shpërbëhet lënda nga trajtimet laboratorike . Ajo nuk shkakton as zili . Askush nuk do t’I vihej punës për të bërë një vepër të ngjashme , sepse do të dështonte ose , së paku s’do të mund të sillte kurrë atë që na ka sjellë Reshat Kripa me kujtimet e tij .Ai ndoshta nuk e ka menduar se ç’oksigjen do të na jepte duke e hapur kapakun e shpirtit të vet , por ç’rëndësi ka kjo ? Ai , na ka bërë më të mirë . Ta respektojmë është pak . Ta duam nuk është shumë . E vetmja gjë që besoj se do t’i mjaftonte , do të qe t’i thoshim se na ka bërë të besojmë te vazhdimësia e kësaj mirësie . Për ta shprehur këtë s’ka fjalë . Ndoshta do të ndjenim se po e shprehnim , nëse do të vendosnim disa pika në fillim dhe disa të tjera në fund të këtij shkrimi …
Harallamb Fandi
Tiranë, më 13 qershor 2009
Dërguar me E-mail
BIBLIOGRAFIA
Borgjez Poezi 1947
Kushtuar ty “ 1951
Robëria “ 1953
Unë dhe kanarina “ 1955
Për dashurinë jap jetën,
për lirinë jap dashurinë Tregim 1956
Brengat e një nëne “ 1957 Fëmija pa nënë si nata pa hënë “ 1957
Odisea e një fisi Zëri i Vlorës 1991
Historinë nuk mund ta
bëjnë fallsifikatorët e saj Liria 1992
Dhimbje dhe shpresë të
Shprehura në vargje Kumtesë 1992
Doktor Isuf Hysenbegasi RD 1992
Me më shumë dinjitet ndaj
të përndjekurve politikë Liria 1992
Vrasësit janë midis nesh RD 1992
Poeti heroizmit kombëtar Zgjimi 1993
Ju jeni turpi i kombit RD 1993 Ago Shero Agaj Zgjimi dhe Liria 1995
Ay vetëm një ishte
Kudret Kokoshi “ “ “ 1955
Libri i vuajtjeve Kumtesë 1999
Mos harroni përbindshin
Komunizëm Fjala e Lirë 2000
Ish të përndjekur lakej
të komunizmit 55 2000
Ah, të isha i vlonjat “ 2000
Parada e ish-ve “ 2000
Vota e lirë boshti i demokracisë “ 2000
Një zemër e madhe RD 2000
Nderim martirëve të demokracisë Kumtesë 2001
Unë dhe shokët e mi 55 2001
Genocidi komunist nëpër
burgje dhe kampe Kumtesë 2005
Lavdi heronjve të lirisë “ 2005
Martirët e Tepelenës “ 2006
Mbresa të një takimi Telegraf 2006
A duhet harruar e kaluara? Kumtesë 2006
Jo kështu zotërinj! Standard 2006
Kangët e pakëndueme Kumtesë 2006
Kush është fajtori? Standard 2006
Mos e harrini Bujar Kaloshin Kumtesë 2006
Krimet e komunizmit,
Shqipëria injoron Europën Telegraf 2006
Pesë martirët e demokracisë RD 2006
Rezoluta e KE-së dhe zbatimi
i saj në Shqipëri Republika 2006
Lufta kundër së keqes
është konkrete “ 2006
Kameleonët Standard 2006
Ëndrrat Telegraf 2006
Thirrja e ndërgjegjes “ 2006
Kur vijnë vandalët Telegraf 2006
Mospërfillja që vret “ 2006
Martirët e shkollës teknike Republika 2006
Homazh për martirët
e shkollës teknike RD 2006
Përshtypjet e një emisioni Telegraf 2006
Edhe një here për të
përndjekurit politikë Standard 2007 Të hapen dosjet përpara
zgjedhjeve lokale Intervistë 2007
Edip Tërshana RD dhe Telegraf 2007
Meditim në prag të zgjedhjeve Telegraf 2007
Luftëtarët e lirisë “ 2007
Ish kryebashkiaku i Vlorës
dhe plazhi nudo Standard 2007
Refleksion pas zgjedhjeve Telegraf 2007
Larg thirrjeve histerike Standard 2007
Dyshimet tona për kompesimet Intervistë 2007
Mentaliteti komunist tipar Sot, Republika,
zotërues i politikës shqiptare Standard, Telegraf 2007
E majta brenda së djathtës Telegraf, Republika 2007
Hipokritët e kohës së re Standard 2007
Një libër me vlerë Kumtesë 2007
Ligji ka nevojë për rishikim Intervistë 2007
Deri kur kështu? Telegraf 2007,
Shqipëria nën prizmin tim Standard 2007
Politikanët dhe ndarja
nga e kaluara Telegraf 2007.
Njeriu i ri Standard 2007
Kujdes për ata që janë rrëzuar! Telegraf 2007
Halil Laze dhe libri i tij Kumtesë 2007
Letër e hapur Republika, Standard, Telegraf 2007
Quo Vadis Tema 2007
Të përndjekurit politikë
dhe shoqata e tyre Republika 2007
Debat rreth një takimi Standard 2007
Dosjet e 1997-ës dhe
dosjet e politikanëve Telegraf 2007.
Papërgjegjshmëria
e kreut të shtetit “ 2007.
Historia dhe manupuluesit e saj Standard 2007.
Plumbat mbi deputetët shuan
demokracinë në Shqipëri Republika 2007.
Domosdoshmëria e ngritjes së
gjykatës ndërkombëtare Kumtesë 2007
E majta dhe e djathta Standard 2007.
A e dini kush jeni ju
zoti Bengasi “ 2007
Homazh për Piro Kuqin “ 2007.
Paradokset shqiptare “ 2008.
Genocidi komunist në botë Kumtesë 2008
Ktheni vështrimin nga të përndjekurit politikë Tema 2008.
Kudo mbretëron heshtja
për krimet e komunizmit Kumtesë 2008
Fatkeqët Telegraf 2008.
Ëndrra e shqiptarëve Kumtesë 2008.
Bllokadë televizive Tema 2008.
Poeti i heroizmit kombëtar Kumtesë 2008
Dialog me median Standard 2008.
Ligji i paligjshëm për
dëmshpërblimin Intervistë 2008.
Ago Agaj dhe libri i tij
Lufta e Vlorës Kumtesë 2008.
Meditim në ditën e genocidit
komunist. Standard 2008
Politika shqiptare
dhe të përndjekurit “ 2008
Amanet fëmijët! Kumtesë 2008.
Ktheni kokën prapa Standard 2008.
Eden Babani dhe libri i tij Kumtesë 2008.
Meditim rreth një debiti Tema 2008
Përsëri mbi të majtën
dhe të djathtën Standard 2008
Martirët e Demokracisë Kumtesë. 2008
Mësime nga një përvjetor Telegraf 2008
A do të bëhet Shqipëria Standard dhe Telegraf 2008
Mirëserdhe Mithat Bej
Frashëri Standard 2008.
Doktor Isuf Hysenbegasi Kumtesë 2008
VENDOSJA E FOTOGRAFIVE
Në Llogora, Korrik 1936 ? Ditari i pambaruar i
tim eti
Në vilën e plazhit, Gusht 1937? Kohë lufte
Në Tiranë, 1943 ? Kohë lufte
Klasa me mësues Dhimitrin, 1944 ? Kohë luftë
Agim Kripa, 1946 ? Një jetë e vështirë
Besnik Kripa, 1946 ? Një jetë e vështirë
Faksimile e traktit Nr.1 ? Vrull rinor
“ “ “ “ 2 ? Vrull rinor
“ “ “ “ 3 ? Vrull rinor
“ letrës dërguar Spiro Kokaveshit ? Vrull rinor
“ e traktit Nr. 4 ? Dashuri e ndërprerë
Faksimile e deklaratës në hetuesi ? Në sigurim
“ “ pretencës prokurorit ? Në sigurim
“ “ vendimit Gjykatës Durrësit ? Në sigurim
“ “ “ “ Lartë ? Në sigurim
Reshat Kripa, 1956 ? Rikthimi në familje
Myrteza Baboçi, 1958 ? Rikthimi në familje
Me motrën Fatushen, 1960 ? Fatushja
Veli Premtaj, 1960 ? Veliu
Klasa me mësuese Bubulinën, 1958? Kangët e
pakëndueme
Familja Kripa, 1994 ? Epilogu
Reshat Kripa, 2008 ? Në kopertinë
VEPRA TË AUTORIT
NJË TREGIM PËR MIKUN TIM Tregime 2004
SHKALLËT E FERRIT Roman 2008
RINI E COPËTUAR Kujtime 2008