Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Mall...!
E shtune, 21.05.2011, 05:22 PM
Reshat Kripa
MALL…!
Strukur thellë në qoshen time, zog i mbyllur në kafaz,
Para syve shumë kujtime, zemra gati sa s’më plas.
Ç’po lëngon edhe vajton, kujton kohën e kaluar,
Ç’ke moj zemër që rënkon, ç’nostalgji të ka mbuluar?
O ju shokët fëminisë, ju shoqet si lule mali,
Ju kujton zjarri rinisë, zemra duket sikur ndali.
Dhimon, Lilin, Shezaiun, Jorgon shokun tim të parë,
Kos’e vdekjes i përpiu, qetësisht prehen në varr.
Kujtoj Duron dhe Aliun, Mihalin dhe Myrtezanë,
Këngën“Erëza malore“, përgjithmonë e kishte pranë
Me Minellën bisedoj, kujtoj kohën e kaluar,
Edhe Pipin e takoj, mendja më ka fluturuar.
Tek të mirat vajzat tona, Ana, Shazia dhe Vjoleta,
Ti, Aliqi dhe ti, Dona, ti, Zymbyle dhe ti, Vera,
Mbi të gjitha ndiej një mall, një mall që më robëron,
Oh, moj Neri, yll i rrallë, zemrën pse po ma copëton.
Qeshnim, qanim, ah, së toku, zhytur në ëndrrat qiellore,
Moshën e artë jetonim, moshën pa dallime prore.
Trrilli kohës ne na ndau, ca në jug, ca në veri
Na degdisi, na shpërndau, në kafaz dhe në liri.
Dhe tani që jam i thinjur, emrat tuaj i kujtoj,
Nuk e di pse zemra dridhur, po kërkon që t’ju takoj,
Nuk e di se çfarë besoni, nuk e di ku bëni pjesë,
Zemra ime ju kujton, po ju pret me gaz dhe shpresë.
Larg nga zhurmë e kësaj bote, le të mblidhemi tani,
Ndarjet le t’i flakim tutje, le të bëhemi fëmi,
Ejani, po ju thërras, lozim, qeshim si aherë,
Pleqëria të pëlcasë, të rinj jemi kurdoherë.
Tiranë, tetor 2008