Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Dashuritë e mia
E premte, 27.05.2011, 06:56 PM
Reshat Kripa
DASHURITË E MIA
Dashuria ime porsi dallgë deti,
Porsi një shtërngatë, tufan dhe stuhi,
Dashuria ime porsi valë tërmeti,
Porsi val tërmeti, të djeg, të bën hi.
Dashuria ime porsi melodi,
Melodi e bukur, këngë paharruar,
Dashuria ime porsi tragjedi,
Tragjedi e shpirtit, në mjerim thërmuar.
Në një kohë jetova, kohë gënjeshtare,
Kur edhe Orfeu nuk mund të këndonte,
Në një kohë jetova, kohë mashtrimtare,
Kur edhe Feniksi s’ mund të fluturonte.
Shumë u mundova që të dashuroja,
Në kohë të tilla, mbushur plot furi,
Shpatë e Damokleut, kurrë nuk besoja,
Të më priste ëndrrën, plot me egërsi.
Porse përsëri, unë dashurova,
Nuk mund të jetoja dot pa dashuruar,
Me gaz edhe brengë, jetën e kalova,
Gëzim, uragan, mendje turbulluar.
Tani që dhe bora, mbi kokë ka rënë,
Tani që dhe këmbët, janë bërë tri,
Kujtoj atë fjalën, që dikush ka thënë:
Mos jetoni kurrë, kurrë pa dashuri!
NERIT
Sytë e tu si rreze drite,
Vezullojnë plot trishtim,
Para meje ti u ngrite,
Yll i artë në qiellin tim.
Çfarë ka zemra që më dridhet,
Dhe të qetë nuk më lë,
Kur ty të shikoj moj Neri,
Kur ta ndjej të ëmblin zë.
S’e kuptoj pse më ka mbetur,
Dhe nga mendja dot s’më shqitet
Përmbi sytë e holla vetull,
Porsi hënë e re më shndritet.
Pse kjo vetull, hark hënor,
Ma roniti zemrën time,
Ah, moj Neri, moj e gjorë,
Brengë e parë e këngës time.
IDËS
Çfarë ka deti që gjëmon,
Çfarë ka mali që ushton?
Përse fushat fëshfërijnë?
Përse pyjet uturijnë?
Nuk është deti që gjëmon,
Nuk është mali që ushton,
As dhe fushat fëshfërijnë,
As dhe pyjet uturijnë.
Është zemra ime dlirë,
Është mosha e rinisë,
Është zjarri im i lirë,
Është koha dashurisë.
Dashurova plot pasion,
Me një zjarr, zjarr të pashuar,
Zemra puth dhe fluturon,
Lart në qiellin e amshuar
S’e harroj puthjen e parë,
Thellë në zemër rregjistruar,
Goja jote plot nektarë,
Brenda meje paharruar.
Tre vjet që u dashuruam,
Plot pasion dhe plot furi,
Jetën tonë e kaluam,.
Herë me brengë, herë dashuri.
Do bërtas dhe brohoras,
Të dëgjohet gjer në qiell,
Plas, moj zemra ime, plas!
Ida, ti më je Venerë.