E diele, 28.04.2024, 08:10 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Liria dhe hekurat

E merkure, 19.10.2011, 08:03 PM


Liria dhe hekurat

 

Nga Reshat Kripa

 

Nuk e di sepse por, në këto çaste, më vijnë ndër mend vargjet e pavdekshme të Ndre Mjedës: Lirinë e keni ju, na hekrat kemi! Dikush do të më thotë se  hekurat, që ndrydhën një popull të tërë për gati gjysmë shekulli, i hodhëm poshtë njëzet vjet më parë. Po, i dashur mik, keni të drejtë, por ju harroni se hekurat nuk janë vetëm ato që diktatorët i përdornin për të lidhur kundërshtarët e regjimit. Mua më duket sikur poeti nuk kishte vetëm këto lloj hekurash parasysh por, më tepër, ato që ndrydhnin ndërgjegjen e njerëzve, ato që nëpërmjet slloganeve demagogjike mundoheshin të fitonin kredibilitet në sytë e opinionit publik. Dhe këto lloj hekurash ishin më të rënda se ato që përdornin diktatorët.

Lejomëni tani të paraqes arsyet e mia për këtë temë. Ndoshta mund të ketë, pak apo shumë nuk e di, disa që nuk janë dakord me këto mendime, midis tyre edhe ndonjë nga ata që i përkasin shtresës time, por unë do t’i shpreh ato ashtu siç i ndiej.

Sot jetojmë në kohën e absurdit, ku nuk merret vesh  nëse “x-i” apo “y-i” janë nga ata që hoqën të zezat e ullirit në kohën e sundimit totalitar, apo nga ata që i gëzuan gjithë privilegjet e atij sistemi, nëse janë nga ata që iu kundërvunë atij regjimi, apo nga ata që i thurnin “Hosana”. Sot të gjithë, të bardhë dhe të zinj, të kuq edhe blu, thërrasin: Poshtë komunizmi!

Por si e ëndërroj unë Shqipërinë? Para disa ditësh më ranë në duar disa vargje të një poeti anonim;

Desha Shqipëri të mirë, desha Shqipëri krenare,

Ku të sundoj drejtësia, kudo në vatrat shqiptare!

Përfytyrimi im shkoi shumë larg, në ato vite të zjarrta të rinisë tonë kur ndesheshim me tiraninë. Kishim një parullë, një qëllim të përcaktuar. Ky qëllim ishte: Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi! Ky ishte parimi ynë. Nuk mendonim kurrë se kur të vinte dita e lirisë do të fillonim të kërkonim dëmshpërblim në të holla apo çdo lloj privilegji tjetër. Donim të ishim të barabartë me gjithë të tjerët, të ngriheshim në nivelin ku ishin të tjerët, sepse regjimi na kishte lënë në fundin e shoqërisë.

Por ç’ndodhi në të vërtetë? Me keqardhje konstatoj se u bëmë pre e politikës. Politika përdor emrin tonë, sa herë ia ka nevojën, sa herë i duhet për të arritur qëllimin e saj. Puna ka arritur deri aty sa sot jemi të përçarë në disa shoqata, një pjesë me qeverinë, një tjetër me presidentin, madje disa edhe me opozitën. Dhe të treja vazhdojnë të luajnë me ne. Opozita miratoi një ligj, që Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë, ku dëmshpërblimi i sakrificave tona ishte i barabartë me një kafe në ditë dhe ku çdo ligj që paraqitej në Kuvendin e Shqipërisë në favor tonë do ta bojkotonte. Presidentët e republikës, krahas disa figurave të shtresës tonë, do të dekoronin edhe mjaft nga vrasësit tanë, madje do të emëronin në organet e drejtësisë mjaft gjykatës, prokurorë, hetues  të regjimit komunist. Qeveria miratoi një ligj, që ne e quajtëm të arsyeshëm por, për fat të keq, zbatimi i tij ka hyrë në një zgorbull që një zot e di se kur do të dalë. Kanë kaluar tre vjet nga fillimi i zbatimit të tij dhe ende nuk ka përfunduar kësti i parë i likujdimit të dëmshpërblimit, në një kohë kur afati përfundimtar, sipas ligjit, është tetë vjet. Kur do të fillojë kësti i dytë? Kur do të përfundojë? Në ç’vit? Asnjë nuk është në gjendje të kthejë përgjigje. Megjithatë nëpër faqet e shtypit të shkruar apo viziv për gati çdo ditë dëgjojmë për numrin e atyre që kanë përfituar apo shumat maramendëse që qenkshin shpenzuar për këtë qëllim.

Por nuk është ky pretendimi ynë i vetëm. Në rast  se  do   pranonim  këtë  do  

thoshte se kemi hequr dorë nga parimi për të cilin u sakrifikuam. Mos harroni, ne kemi idealet tona, idealet e demokracisë së vërtetë, idealet perëndimore. Ne jemi të djathtë dhe do të donim që ngjarjet dhe personalitetet tona të zinin vendin që u takon në panteonin e historisë shqiptare. Por edhe kjo nuk ka ndodhur. Shkoni në vendet e tjera ish komuniste të lindjes. Do të shihni muzeume të shkëlqyera të genocidit komunist, kurse te ne edhe ai që ishte, ndonse shumë i varfër, nuk ekziston më. Flitet se do t’u hapka një i ri. Do të presim dhe do të shohim! Në vendet e lindjes do të shihni burgje të ruajtura siç kishin qenë në atë kohë, tashmë të kthyera në muze, kurse te ne nuk ekziston asnjë, a thua se nuk paska patur të tillë. Flitet se do të ngrihet një i tillë. Do të presim dhe do të shohim. Në ato vende do të shihni përmendore dhe memoriale në kujtim të ngjarjeve apo martirëve të lirisë, madje një i tillë është ngritur edhe në Washington megjithse Amerika nuk e provoi kurrë diktaturën komuniste, kurse te ne ato nuk ekzistojnë. Është premtuar se do të ngrihet një i tillë. Le të presim dhe të shohim nëse do të bëhet realitet. Në ato vende historia është rishikuar dhe nxënësit nuk helmohen më me propagandën boshe komuniste, ndërsa te ne ajo vazhdon të jetë ende e gjallë. Përsëri ne jemi në pritje. Në ato vende shumë rrugë, sheshe apo institucione të ndryshme kanë marrë emrat e martirëve të rezistencës komuniste, ndërsa te ne një gjë e tillë  as u shkon ndër mend. Presim, gjithmonë presim. Ato vende shquheshin për disidencën e tyre, kurse te ne ajo as që ka ekzistuar fare. Deri kur kështu?

Këto janë brengat e mia. Ne nuk kemi zë. Me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë, ne nuk kemi pothuajse asnjë gazetë, radio apo televizion ku të shprehim mendimet tona. Nga rradhët tona sot shumë vetë kanë krijuar biznese të fuqishme. Por a ka menduar ndonjëri të nxjerrë ndonjë gazetë apo të hap një stacion radio-televiziv? Për fat të keq asnjë. Zëri ynë është një zë në shkretëtirë.

Ndaj m’u kujtuan vargjet e Mjedës. Ndaj më duket sikur edhe liria nuk është për ne, sikur hekurat ende po shtrëngojnë shpirtërat tanë, sikur jemi ende të burgosur politik në Shqipërinë tonë. E pra, nuk dua të quhem më i përndjekur politik, pasi nuk dua të bëhem ombrellë për të tjerët. Dua të bëhem i barabartë me gjithë popullsinë e këtij kombi. A do të dalë ndonjë forcë që realisht të më bëjë të tillë? Nuk e di. Tash për tash nuk shoh asnjë. Lexojeni këtë shkrim dhe kush të mundet le të më kthejë përgjigje.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora