E shtune, 27.04.2024, 04:47 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Diktator apo president?

E marte, 11.10.2011, 06:05 PM


Diktator apo president?

 

Nga Reshat Kripa

 

Vdekja e Ramiz Alisë hodhi në tavolinë shumë debate. Nostalgjikët, midis të cilëve edhe disa udhëheqës të forcave të majta politike,  ngritën në qiell “kontributin e çmuar” që paska dhënë ky dishepull i komunizmit në kohën e luftës kundër okupatorit. Të tjerë folën për kontributin e madh të tij në kohën e ndryshimeve demokratike, ku nuk paska lejuar të derdhet gjak. Disa e konsideruan si arkitektin e këtyre ndryshimeve duke e quajtur madje edhe Gorbaçovin e Shqipërisë. Në këtë numër nuk bëjnë pjesë vetëm të majtë por, çuditërisht edhe një pjesë e komentatorëve të djathtë, emrat e të cilëve më vjen të pështire t’i përmend.

Çfarë ishte në të vërtetë Ramiz Alia, diktator apo president? Sipas protokollit zyrtar rezulton si mbajtës i të dy ofiqeve. Po në memorien e këtij populli çfarë është? Le të bëjmë një analizë të jetës dhe veprimtarisë së tij politike në këto vite.

Le të kthehemi shumë vite më parë, në ditët kur sapo kishte përfunduar lufta për liri dhe kur në vend ishte vendosur diktatura komuniste. Në memorien e këtij populli, këtu kam parasysh edhe memorien e popullit shqiptar që jeton në Kosovë, nuk mund të harrohet masakra e tmerrshme e Tivarit, ku mijra shqiptarë u masakruan nga vetë shqiptarët që kishin marrë pushtetitn. Në këtë masakër është bërë i njohur edhe implikimi i zotit Alia, në atë kohë komisar politik i forcave partizane në Kosovë. Madje njihet edhe itinerari i rrugës së përshkruar nga patriotët kosovarë për t’i shpënë në Tivar. Ai do të kalonte nepër teritorin shqiptar, praktikisht nëpër Shkodër, për të arritur në Tivar ku i priste vdekja e sigurtë. Nuk e di nëse kanë patur parasysh këtë “kontribut” të zotit Alia, në kohën e luftës për liri, politikanët e majtë?

Le të analizojmë tani periudhën e  diktaturës komuniste gjatë sundimit të Enver Hoxhës. A nuk ishte ai që, si krahu i djathtë i diktatorit, me servilizëm të paparë i shërbeu tiranit në çdo aventurë të tij? A nuk ishte ai që godiste njëri pas tjetrit të ashtuquajturit kundërshtarë të regjimit, midis të cilëve edhe ata që dikur i kishte patur shokë të idealit? Pyetini ata dhe do t’ju tregojnë më mirë për këtë.

Por unë nuk do të zgjatem shumë në këto periudha. Do të përqëndrohem më tepër në kohën kur ai ishte udhëheqësi më i lartë i këtij vendi, pas vdekjes së diktatorit në vitet 1985-1991. Ngjarjet që do t’ju tregoj kanë ndodhur në një kohë kur shumë prej nesh prisnin prej tij ndryshimet e nevojshme që kishin kohë që kishin filluar në vendet e tjera të lindjes. Por koha tregoi se ky qe një iluzion i kotë. Asgjë nuk ndryshoi nga e kaluara.

Qershori i vitit 1985. Dy të rinj nga katundi Nartë i Vlorës, Jorgo Sholla dhe Sotir Nastua, tentojnë të arratisen duke notuar nga Saranda për në Korfuz. Diktohen nga forcat e sigurimit.  Arrihen nga motobarka e mbrojtjes, kur sapo kishin kaluar në ujrat ndërkombëtare dhe, në vend që t’i arrestojnë dhe dënojnë sipas ligjit në fuqi, i masakrojnë me elitën e motobarkës dhe të nesërmen, i lidhin pas një kamioni dhe i tërheqin zvarrë rrugëve të Sarandës, për të terrorizuar popullsinë vendase. Por kjo nuk përfundoi këtu. Apostol Nastua nuk guxoi të shkonte të merrte kufomën e të birit. Ndërsa Pavllo Shellua e mori parasysh këtë rrezik. Por kur mbërriti në fshat e priste një e papritur e madhe. Organizata e partisë nuk e lejoi ta varroste në varrezat e fshatit. I mjeri u detyrua ta mbulonte diku në jalli, pranë kënetës   Nartës.  Po   ish

pyetur zoti Alia do të kishte thënë se nuk kishte patur dijeni. Mos vallë Saranda bënte pjesë në ndonjë hemisferë tjetër dhe zoti Alia nuk na e paskësh marrë vesh?

15 shkurt 1988. Leandro Neranxi nga Himara shkon në punë në fabrikën  e  ekstraksionit

dhe nuk kthehet më kurrë në familje. I ati, Milto Neranxi, nuk la derë pa trokitur, nuk la të njohur

dhe të panjohur pa pyetur. Por asgjë. Askush nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej. Por ata që duhej të përgjigjeshin heshtnin. Të ngratit prind i kujtohej një tregim i të birit që i kishte rrëfyer, disa javë më parë, që operativët e sigurimit i kishin kërkuar të depononte kundër Lea Dhimojanit të arrestuar për agjitacion e propagandë. Por Leandro Neranxi nuk mund te shpifte për shokun e tij të ngushtë dhe e pagoi me jetën e tij. I ati ishte i bindur se atë e kishin mbytur në tortura dhe nuk dihej se ku e kishin  hedhur. Vallë edhe për këtë zoti Alia nuk paska patur njohuri?

Qershori i vitit 1988. Në Kukës varet një poet. Akuza, vargjet e këtij poeti dhe se gjoja paska plagosur një polic. A keni dëgjuar ndonjëherë dhe në cilin ligj ishte bazuar kur dënon me varje një njeri për një veprim të tillë? Për këtë zoti Alia nuk mund të thotë se nuk ka dijeni, pasi është ai që ka vënë firmën përfundimtare për ekzekutimin e tij, si President i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Shembujt janë të pafund, por po mjaftohem me kaq. Dua të kthehem në vitet 90-91, vite kur ai paska “shpëtuar” vendin nga gjakderdhja. Dëgjoj në ekranet e televizioneve thirrjet e tij histerike:

- Ne i vramë baballarët e tyre, ndaj do t’i vrasim edhe këta!

Apo:

- Edhe bar do të hamë, edhe gjak do të derdhim!

Vallë kështu e paska shpëtuar vendin nga gjakderdhja ky monstër, ky Ponc Pilat që lan duart pas krimit të tij? Dhe në sytë e mi më dalin të rënët që tentuan të kalojnë kufirin pas daljes së dekretit që këtë e konsideronte kalim të paligjshëm dhe ku nuk ishte nevoja të derdhej gjak.

Jo, zotërinj analistë! Ramiz Alia asnjëherë nuk ka ëndërruar ta lëshojë pushtetin pa gjak. Por, si burracak që ishte, kërkonte ti vriste qytetarët pas krahëve, ashtu siç kishte vepruar ai dhe shokët e tij gjatë luftës që edhe shokët e tyre i qëruan në të njejtën mënyrë. Është e njohur parulla e komunistëve: Pushteti fitohet me gjak dhe mbrohet po me gjak! Ai nuk mund te vepronte ndryshe, nuk mund të dilte nga vetja e vetë. Dhe në rast se nuk u bë një kasphanë e vërtetë, kjo nuk ndodhi sepse ai u tregua demokrat apo i arsyeshëm, por sepse, si një frikacak i pështirë, kishte frikë se mos pësonte fatin e Çausheskut.

Akti i fundit i hipokrizisë dhe servilizmit ishte zgjedhja, me votat e shumicës komuniste të Partisë së Punës, si president i republikës së parë pluraliste, në një kohë kur në zgjedhjet e përgjithëshme të një muaji më parë ishte mundur nga një inxhinier demokrat.

Ndaj, me të drejtë sot pyetet: A mund të quhet Presidenti i parë i Shqipërisë Demokratike një përbindësh i tillë? Deri kur Shqipëria do të vazhdojë të nderojë tiranët dhe diktatorët?

Kjo pyetje  kërkon përgjigje. Kush  mundet le ta japi!



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora