E diele, 28.04.2024, 01:51 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Mos harroni, jemi edhe ne i nderuar zoti Fevziu!

E enjte, 22.12.2011, 08:59 PM


Mos harroni, jemi edhe ne i nderuar zoti Fevziu!

 

Nga Reshat Kripa

 

Fillimisht dua t’ju përgëzoj për punën tuaj të admirueshme në mbledhjen e fakteve dhe pasqyrimin në një libër të jetës dhe veprimtarisë së diktatorit më të madh që ka njohur vendi ynë, satrapit Enver Hoxha.

Së bashku me nje mikun tim, që ka shkuar gjysmën e jetës së tij në burgun komunist, me kureshtje po ndiqnim kronikën mbi përurimin e librit tuaj. Në atë mori pjesëmarrësish dalluam shumë personazhe të njohur të politikës, ekonomisë, kulturës dhe jetës shoqërore të vendit. Pamë përfaqësues të djathtë dhe të majtë, të qendrës së djathtë dhe asaj të majtë. Madje pamë, ndërsa ju bënit paralelizmin midis vdekjes së diktatorit tonë dhe atij të Koresë veriore, disa fytyra që  ato ditë prilli të vitit 1985 i gjakosën faqet duke i çjerrë apo derdhën lumenj lotësh për “humbjen e pazëvendësueshme”. Pamë edhe ish anëtarë apo kandidatë të Byrosë Politike apo të Komitetit Qëndror të Partisë. Pamë edhe disa nga fëmijtë e tyre të rënë nga fiku.  Pamë edhe kameleonë që dikur nuk linin më lavde pa thurrrur për diktatorin dhe tani ngrinin gotat e shampanjës duke ju uruar juve për këtë vepër të shquar. T’ju them të vërtetën, mbetëm të shokuar nga këto skena. Kërkuam nëpër sallë mos gjenim ndonjë përfaqësues të atyre që e hoqën  mbi shpinën e tyre, më shumë se kushdo tjetër, tmerrin e asaj diktature të gatuar nga “heroi” i librit tuaj, si për shembull miku im, por nuk gjetëm asnjë. Ku ishte përfaqësuesi i Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politik? Ku ishin përfaqësuesit e shoqatave të përndjekurve politik? Ku ishin ata që për gati një shekulli e shkuan jetën në errësirën e qelive apo  të kampeve të tmerrshëm? A mund të kishte qytetar të këtij vendi më të interesuar për jetën dhe bëmat e këtij diktatori se sa ata? U munduam më kot por nuk gjetëm asnjë.

Nuk e di por në mënyrë të pavetëdijshme më lindi një pyetje:

- Përse...?

Miku që kisha në krah e kuptoi gjendjen time dhe pëshpëriti:

- Katovica!

Unë nuk doja t’i besoja fjalës së tij. Nuk doja, pasi e njihja fare mirë prejardhjen tuaj dhe nuk më vinte mirë të mendoja se ju ishit pjesmarrës në një maskaradë të tillë.  Më lejoni t’ju bëj një parantez të shkurtër. Kam hyrë në burg në një moshë fare të re. Deri atëherë historinë e Shqipërisë e përfytyroja si ma kishin mësuar në shkollën komuniste, ku çdo nacionalist e shikoja si Sali Protopapën e romanit “Komisari Memo” apo ballistët e filmit “Kur zbardhte një ditë”. Por pata fatin të hyja në burg, e theksoj, pata fatin të hyja në burg, ku mësova se Shqipëria kishte edhe një histori tjetër. Këtë histori ma mësuan ata burra që vështirë se do t’i vijnë më këtij kombi. Midis tyre ishin edhe tre zotërinj të nderuar nga fisi juaj. Më i shkëlqyeri, i paharruari doktor Isuf Hysenbegasi, me të cilin më lidhi fati pazgjidhmërisht. Pas tij burri i urtë dhe i mençur Namik Hysenbegasi. Por nuk mund të rri pa përmendur edhe moshatarin tim, xhaxhanë tuaj Viliam Hysenbegasi, që nuk u thye as nga torturat dhe as nga demagogjia komuniste. E pra ishin këta burra dhe të tjerë si këta që më mësuan se kush ishte nacionalizmi shqiptar. Merreni në telefon xhaxhanë tuaj dhe pyeteni. I thoni për sa po shkruaj unë dhe do ta dëgjoni përgjigjen e tij.

Nuk e di  nëse keni dëgjuar ndonjëherë ndonjërin prej tyre të flasë për sa më sipër.  I nderuari Namik dhe Viliami jetojnë ende. Mundohuni t’i pyesni dhe do të dëgjoni të vërteta që as i keni menduar ndonjë herë. Ky është nacionalizmi shqiptar. Unë do të doja që të ktheheshit në gjirin e familjes tuaj. Familja juaj është nacionalizmi. Mos e harroni atë. Ajo ka nevojë për zërin tuaj ashtu si për zërin e shqiptarve të vërtetë.

I nderuar zoti Fevziu. Ne jemi anëtarë të Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve

Politik Demokratë të Shqipërisë, anëtare prej pesëmbëdhjetë vitesh e Shoqatës Ndërkombëtare  të Burgosurve Politik dhe viktimave të Komunizmit me qendër në Berlin. Shoqata jonë lufton për integrimin e të përndjekurve politik në shoqërinë shqiptare por edhe njekohësisht për njohjen dhe popullarizimin e ideve nacionaliste të popullit tonë, ide që u shtremberuan dhe masakruan nga diktatori për të cilin ju keni shkruar atë libër.

Ndaj ju bëjmë thirrje edhe juve.  Bashohuni me ne! Ju jeni pjesë e jona! Ky është vendi juaj.  Është e drejta juaj të zgjidhni rrugën që do të ndiqni, por është edhe e drejta jonë t’ju tregojmë rrugën e drejtë. Gykoni dhe veproni!

Zyrat  tona janë në ish godinën e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës, atje ku dikur punonte ish diktatori, atje ku thurreshin intrigat më skrupuloze për të nënshtruar dhe shtypur popullin mbarë dhe në rradhë të parë nacionalistët. Ne ju presim! Mos harroni jemi edhe ne, i nderuar zoti Fevziu!

 

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politik Demokratë të Tiranës



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora