Përjetësi » Kripa
Cikël poetik nga Reshat Kripa
E merkure, 04.01.2012, 07:56 PM
Reshat Kripa
KËNGË TË HARRUARA
I shkrova me zjarr,
Në vitet skëterrë,
Tani plot me mall,
Në dritë po i nxjerr.
Vlorë, janar 2011
BORGJEZ…!?
Pse ky term po më përndjek?
Jam i vogël, jam fëmi,
Kudo shkoj para e gjej,
Si demon prapa më rri.
E dëgjoj kudo në shkollë,
Dhe nga njerëzit në rrugë,
Më tmerron, cimbon në kokë,
Një mendim që s’mund ta shkul.
Pse s’e lini botën time,
Botën time shpirtërore,
M’i prishni ëndrrat rinore?
Lermëni të ëndërroj,
Të këndoj si zog i lirë,
Jetën time ta ndërtoj,
Më të bukur, më të mirë,
Sërish termi më përndjek,
Që nga mbrëmja në mëngjes,
Dhe në gjumë më thërret:
Ti s’je yni, je borgjez…!?
Vlorë, nëntor 1948
KUSHTUAR TY
Fale zemrën që s’guxoi të të thotë dy tri fjalë,
Është premtimi zemrës time, që kam dhënë e do ta mbajë,
Ia dëgjon zërin bilbilit, bukur këndon në pranverë,
Ia ndien erën trëndafiles, që lulëzon plot me erë.
Kështu foli zemra ime, nuk e di a më beson?
Të dua, seç foli zemra, e mahnitur para teje,
Vetëm ti je imja ëndërra, që s’do shuhet kurrë meje!
ROBËRIA
Në çdo anë e në çdo cep,
Moj e dashur Shqipëri!
Që nga Korça në bregdet,
Ndodhesh ti në robëri.
Nëpër burgje të tmerruar,
Njerëzit vuajnë pa mëshirë,
Janë shtypur, robëruar,
Pse kërkojnë jetën e lirë.
Nëpër kampet gjakatare,
Ndihet huri dhe dajaku,
Vuajnë zemrat shqiptare,
Porsi lum u vete gjaku.
Bujku atje tej punon,
Është këputur, lodhur shumë,
Arën me mundim lëron,
Edhe natën rri pa gjumë.
Në male ngjitet bariu,
Së bashku me dhentë e tij,
Por vuan gjithmonë i ziu,
Sepse është në robëri.
Shqipëri, o moj e mjerë,
Pse nuk ngrihesh përsëri?
Të tregosh se kësaj here,
Shpejt liria do të vijë.
Kampi Vlashukut, maj 1953
UNË DHE KANARINA
Në dritare të qelisë, kanarina
Këngë e saj kaq melodioze, ëmbëlsi e mjaltëzuar,
Unë rrija i mahnitur, këngën duke e dëgjuar,
Zemra ime njomëzake, u brengos e copëtuar..
Pse ky zog, ky zogth i bukur, nga kafazi fluturuar?
Gjithë plagë të mbuluar, trup e shpirt të sakatuar,
Ndarë nga bota e madhe, në hapsanën e mallkuar.
M’u kujtua fëminia, si e zogut sapo lindur,
Ëndërroja për lirinë, dita ditës duke pritur,
Që të ndriste, ah, një ditë, që të zbardhte një mëngjes,
Të mos ecnim jo mbi ferra, të jetonim plot me shpresë.
Porse shpresa ishte shuar, ferrat e kishin rrethuar,
Ëndrrat tona djaloshare, mjegulla i kish mbuluar,
Mua një djalosh i njomë, romantik, ëndërrimtar,
Më përplasi pa mëshirë, më futi gjallë në varr.
Po vështroja kanarinën, seç vazhdonte këngën bukur,
Nuk e di sepse dhe unë, ndjeva veten më të lumtur,
Dy, tri thërrime në dorë, ia zgjata me dashuri,
Ajo fluturoi atje, cicëroi ciu…ci...
Mbylla dorën, kapa zogzën dhe i putha bisht e ballë.
Përkëdhel puplat e saj, për çudi ndjeva një mall,
Një mall të madh për lirinë, për atë që më mungonte,
Për atë që m’dridhte zemrën, lot nga sytë më lëshonte
Ik o zog, zogëz e bukur, fluturo në qiell e lirë,
Qëndro larg nga kjo skëterrë, fluturo në botë të mirë,
Lerma mua errësirën, lermi prangat edhe lotin,
Qëndro larg nga botë e keqe, që mohoi edhe Zotin.
Kanarina fluturoi lart në qiell duke kënduar,
Unë në qelinë time po qëndroja i menduar,
Një çast nga frëngjia ime, e sodisja i gëzuar
Jam i lirë, thash me vete, prangat s’më kanë robëruar.
Kampi Bulqizës, shtator 1955