E enjte, 29.07.2021, 03:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Reshat Kripa: Për mikun tim Luan Çipin

E marte, 15.05.2012, 07:22 PM


Për mikun tim Luan Çipin

Nga Reshat Kripa

Jemi njohur qysh herët, qysh atëherë kur ishim ende fëmijë. Nuk ishim në të njëjtën klasë. As në të njëjtën shkollë. Por kishim të njëjtin pasion., letërsinë dhe teatrin. Ishin këto pasione që na njohën me njëri-tjetrin. Ndiqnim kurset që zhvilloheshin në Shtëpinë e Pionierit. Kursin e letërsisë e drejtonte profesori ynë i paharruar Eqerem Shijaku, ndërsa atë të teatrit Alipi Shtrepi., aktore e vjetër e teatrit të Vlorës. Merrnim pjesë edhe në kursin e muzikës dhe korin që drejtoheshin nga mjeshtri i madh i muzikës Tish Daija. Në shtëpinë e pionierit u njohëm edhe me shokë të tjerë si Qirjako Sava që më vonë do të bëhej një aktor dhe regjizor i teatrit të Vlorës, Fizarmoniçistët Pirro Doko dhe Nikollaq Vangjeli, Myrteza Baboçi dhe Nikollaq Papa, vajzat e mira Zhaneta Trifoni, Bedrie Mersini, Gugushe Gaba dhe plot shokë dhe shoqe të tjera.

Me grupin e teatrit kemi vënë në skenë dramën e Arkadi Gajdarit “Timuri dhe skuadra e tij”.  Në këtë pjesë Luani kishte rolin kryesor, atë të Timurit ndërsa unë të njërit prej grupit të gangsterave. Kemi  vënë në skenë edhe një komedi muzikore me subjekt sportiv me autor dhe regjizor profesor Tishin. Luani kishte rolin e çiklistit  fitues ndërsa unë isha në rolin e një tifozi. Ende më vijnë ndër mend  disa vargje nga një këngë që e këndonim kur në skenë mbërritën çiklistët:

Çiklisti parë arriti,

Faqen e bardhë na qiti,

Një herë për të urra, urra!

Edhe një herë urra!

Endërronim të bëheshim shkrimtarë, poetë, aktorë teatri dhe filmi apo ku e di  unë se çfarë tjetër. Por shpata e Damokleut na e preu ëndrrën në mes. Mua ajo shpatë më hodhi brigjeve dhe gërxheve prej nga ku do të dilja shumë vonë, kur të kisha mbërritur në një moshë pothuajse të plakur. Edhe Luani nuk do ta realizonte ëndrrën e fëminisë. Ai do të përfundonte si një ekonomist i zoti që do të shkëlqente në fushën e tij.

Por koha ndryshoi. Fushat e Lirisë qënkan të pakufizuara. Kështu ndodhi edhe me Luanin.  Megjithëse në një moshë të thyer filloi të shkruajë. Shkruajti proza e poezi, tregime e përkushtime. Ngriti ditirambe për miqtë e tij. Për ata që nuk janë më, por edhe për ata që jetojnë ende. Shkruajti për shokët e fëminisë, por edhe për ata që njohu më vonë. Shkruajti për Nexhat Mersinin dhe Harrilla Papajorgjin, Mexhit Haxhiun dhe Niko Gjyzarin, Telemak Xhaxhon dhe Axhem Gjonin, Robert Martikon dhe Duro Mustafanë, Petraq Palin dhe Lame Fandin, Dhionis Qirinxidhin dhe Sadedin Gjokën. Shkruajti edhe për akademikun Bardhyl Golemi dhe profesorin e paharruar Isuf Luzaj. Shkruajti edhe për mua dhe për Vaso Sulin. Lista është shumë e gjatë, ndaj të më falin ata që nuk ua përmenda emrat.

Luani shkruajti pa bërë dallime nëse janë të majtë apo të djathtë, nëse janë nga ata që shërbyen në Shqipëri apo nga ata që u detyruan të marrin rrugën e kurbetit, nga ata që u mbyllën forcërisht nëpër kafaze apo nga ata që jetuan në liri. Për të gjithë këta ai qëndis portrete. Ja si shprehet ai në një poezi:

Kam dëshirë për një portret,

Ta “qëndis: siç bënë piktori,

Dhe në gjumë ai më flet,

Qetësinë  shpirtit ia mori.

Në këto ditë të turbullta, kur shumica e politikanëve dhe militantëve, të majtë dhe të djathtë, e shohin njëri-tjetrin pothuajse si armik, mesazhi i  veprës    Luan  Çipit  është  i  qartë:

Kështu duhet të jetë e gjithë Shqipëria. Kur do ta shohim  të tillë?

Pikërisht në këtë frymë u zhvillua ceremonia e përurimit të librave të Luan Çipit, e zhvilluar në sallën e Universitetit “Pavarësia”, me nismën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Vlorës “Petro Marko”. Folën të djathtë dhe të majtë. Të gjitha kumtesat dhe dikutimet konvergonin në një pikë të vetme: për një letërsi të pastër, të shkëputur nga dallimet partiake.  Me këtë frymë e hapi kryetari i shoqatës, Myrteza Mara. Po kështu e vazhdoi sekretari i saj, Gëzim Llojdia. Nuk dolën nga këto binarë lektorët e tjerë, shkrimtarët dhe poetët Petraq Pali, Përparim Hysi, Spiro Qirinxidhi, Anila Toto, Zyba Hysa, Laureta Petoshati, mjeshtrat e mëdhenj të futbollit vlonjat dhe atij shqiptar, “Brigadieri” brilant i “Flamurtarit” Mexhit Haxhiu, Mbrojtësi i shkëlqyer i kombëtares shqiptare dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Kreshnik Çipi, ushtaraku Fatos Voshtina, ekonomisti Niko Gjyzari, aktori Qirjako Sava dhe për t’i mbyllur të gjitha këto dorëzimi i  diplomës së shoqatës “Petro Marko” zotit Luan Çipi nga profesor doktor Bardhosh Gaçe. Në ceremoni nuk munguan as përshëndetjet nga jashtë shtetit si ajo e kryetarit të lidhjes së shkrimtarëve shqiptarë në Amerikë zotit Dajlan Luzaj, shkrimtarit Robert Martiko nga Greqia si dhe zotit Pier Pandeli Simsia po nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj mikut tim suksese të mëtejshme në karierën e tij  të letrave! Urime!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora