Përjetësi » Kripa
Poezi nga Reshat Kripa
E merkure, 14.03.2012, 07:55 PM
Reshat Kripa
Mësuesve të mi
Seç po shfaqen para syve, plot me plagë dhe tortura,
Madhërisht në mendjen time, seç po lartohen ata burra,
Që i kisha nënë e babë, që i kisha miq dhe shokë ,
Që s’më lanë në errësirë, që më dhanë dritë e forcë.
I paçmuari doktor, ky Isufi ynë * i lartë,
Mendje ndritur i nderuar, ndriçon si një yll i artë,
Gjoni dhe Patër Mëshkalla **, dy simbole të lirisë,
Dy titanë madhështorë, shërbëtor të Perëndisë.
Tahir Hoxha me Meçanë***, që përherë ishin në ballë,
Fjalë e tyre, fjalë e rëndë, ishin dy burra të rrallë,
Dhe i urti avokat****, oh, Xhevdeti orator,
Biri i qytetit plakë, një dishepull trimëror.
Por si mundem të harroj, si do mundem mos kujtoj,
Buzagazin dhe të urtin, atë burrë që më mësoi,
Gjakun dhe fisnikërinë, nderin edhe dashurinë,
Mikun tim të paharruar, Engjëllin*****zemër lirinë.
Ky vegim, vegim i rrallë, nëpër mendje më vërtitet,
Dhe imazhi shumë i lartë, kurrë nuk do të më shqitet,
Lapidar do ngrihen lart, lart në qiellin hyjnor,
Lavdi dhe nder për atdheun, për atdheun arbëror.
Tiranë, shkurt 2001
* Doktor Isuf Hysenbegasi nga Starova e Pogradecit, simbol i vetmohimit..
** Gjon Shllaku dhe Patër Mëshkalla nga Shkodra, dy klerikë dhe studiues të shquar.
*** I pari mësues nga Tragjasi, i dyti Meçan Hoxha agronom nga Velça e Vlorës.
**** Xhevdet Kapshtica nga Korça, avokat i shquar i asaj kohe.
***** Engjëll Kokoshi nga Vlora, miku im më i mirë.
Kameleoni
Për çdo ditë ligjëron,
Për çdo ditë fjalë ndërron,
Nuk pushon as ditë as natë,
Gjuhën e ke shumë të gjatë.
Llomotit dhe llomotit,
Që të gjithë i çudit,
Me ato dënglat e tua,
Gënjeshtrat i ke në thua.
Sot na mburr dhe na lëvdon,
Nesër shan dhe kritikon,
Pështyn me kënaqësi,
E lëpin ti përsëri.
As u zverdhe, as u skuqe,
Je njeri me shumë huqe,
Sipas vendit ndërron lëkurë,
Si s’u bëre njëherë burrë.
Edhe kur të shan dikush,
Ti thua s’më shau askush,
Sepse ish yti epror,
Ndenje me zemër në dorë.
Hipokrit, pellgu mjerimit,
O fatzi, pjellë e mashtrimit,
Si s’u lodhe, s’u mërzite,
Në finish kurrë s’arrite.
Kurrë s’ke për të arritur,
Kurrë s’do jesh mirëpritur,
Turpin do kesh përgjithmonë,
Nuk je veç kameleonë.
Tiranë, dhjetor 2002
Zemër e dëshpëruar
O moj zemra ime, zemër pikëlluar,
Çfarë ke pse rënkon, zemër dëshpëruar?
Unë po vajtoj, kohën e kaluar,
Kohën e rinisë, kohë hidhëruar.
Atë kohë mizore që ne e jetuam,
Kjo rini e sotme, nuk e ka menduar,
Nuk e ka menduar dhe as e mendon,
Se dikur dhe jeta, varej nga një fron.
Dhe ky fron i lartë, fron prej perandori,
Ishte nën sundimin vetëm të një horri,
Turma hipokritësh, bënin hosana,
Që të gjithë thërrisnin, rrofsh o Baraba!
Si nuk kishit turp, s’kishit as moral,
Ju, o deputetë, ju intelektualë!
Vallë a s’kishit seder, s’kishit vetëdije?
Jeta njëherë vjen dhe njëherë bie.
Por morali rron, do të rrojë për jetë,
Vetëm kjo dallon, njerëzit e vërtetë,
Atë po e humbe, humbur ke gjithçka,
Për ty më nuk mbetet, nuk mbetet asgja.
Ndaj kjo zemra ime, zemër e lënduar,
Gjithë këto kujton, ndaj rri dëshpëruar.
Rri e dëshpëruar, zemër në lëngatë,
Qan edhe vajton, Shqipërinë e ngratë!
Tiranë, korrik 2004