E shtune, 27.04.2024, 05:26 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Një libër me vlera

E premte, 24.02.2012, 08:59 PM


Një libër me vlera

 

Nga Reshat Kripa

 

Botimi i librit “Lufta civile në Shqipëri“, është një kontribut i shquar që zoti Uran Butka i bën historiografisë së vërtetë shqiptare. Janë akoma të paktë ata historianë që janë munduar të shprehin të vërtetën mbi zhvillimin e Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë. Them të paktë se, megjithëse kanë kaluar mbi gjashtëmbëdhjetë vjet nga përmbysja e regjimit totalitar, akoma nxënësit dhe studentët shqiptarë vazhdojnë të helmohen me dogmat e vjetëruara të propagandës komuniste,  që sundoi për gjysmë shekulli në vendin tonë, nëpërmjet teksteve të shkruara nga pseudo-historianë që vazhdojnë të botojnë nën atë frymë totalitare.

Për ta ilustruar atë që thashë më lart, më lejoni të përmend disa fraza të nxjerra nga “Historia e popullit shqiptar“ Tekst për klasat e teta, shkruar nga  Prof. Dr. Myzafer Korkuti, Prof. Dr. Petrika Thëngjilli, Prof. Dr. Gazmend Shpuza, Prof.As. Dr. Fatmira Rama, Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi,  Prof. As. Dr. Ajet Shahu dhe Prof. Dr. Ana Lalaj, botimi i parë 1999, ribotuar  në vitin 2003.

Në kreun e XIII-të “Shqipëria nën pushtimin Italian“, në kapitullin 13.1 “Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste dhe qëndresa popullore“, në rezistencën e 7 prillit nuk shkruhet asnjë gërmë për kontributin e dhënë nga Abaz Kupi në atë ditë të shënuar. Ndërsa kur flitet për Konferencën e Pezës thuhet:

 

Veç Partisë Komuniste, që ishte nismëtare e saj, në konferencë morën pjesë  edhe përfaqësues të rrymave të ndryshme nacionaliste.

 

Vetëm  kaq, pa  e   përmendur  qëllimisht emrin  e Abaz Kupit, kur njihet roli i tij në atë konferencë.  Balta gjysmë shekullore  vazhdon    hidhet  ende mbi organizatën e Ballit Kombëtar dhe udhëheqësin e saj,  “Apostullin e Shqiptarizmës“,  Mithat Frashërin

Në kapitullin 13.2, lidhur me Mbledhjen e Mukjes, vazhdon komedia e shpifjeve kur shkruhet:

 

Komiteti Qëndror i PKSH dhe Këshilli i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar nuk e pranuan marrëveshjen për krijimin e Komitetit të shpëtimit të Shqipërisë, me arsyetimin se me të  Balli Kombëtar, fitonte të drejta që nuk i takonin, pasi deri atëhere ai nuk ishte hedhur në luftë. Në këtë rast, Fronti Nacional- Çlirimtar mori mbi vete përgjegjësinë e denoncimit të marëveshjes së Mukjes, kurse Balli Kombëtar nga ana e tij, nuk diti të përfitonte nga gjendja e krijuar, pasi edhe më pas vazhdoi të qëndronte në pozita të pritmërisë, duke mos i angazhuar forcat në luftë kundër pushtuesit.

 

Dua  t’i  pyes  zonjat  dhe  zotërinjtë  historianë:  Si keni kurajon të mohoni të vërtetën  në këtë mënyrë? Ku e latë kontributin e Abaz Kupit në luftën kundër pushtuesve? Po kontributin e Muharrem Bajraktarit, Gani Kryeziut, Gjon Marka Gjonit, Jup Kastratit dhe të tjerëve në këtë luftë? Po betejat e Gjormit më 29 dhjetor 1942-2 janar 1943, Voskopojës më 14 janar, Greshicës 5 shkurt, Ruzhdijes 13 mars, Selenicës 1 prill, Mogilës dhe Miricës në qershor, Krujës dhe Matit në gusht apo Drashovicës në shtator 1943, a nuk ishin beteja të përbashkëta të forcave të Ballit me ato të Frontit Nacional-Çlirimtar? Përse i mohoni? Kjo ndodh se ju nuk mund të bëheni kurrë historianë të vërtetë. Ju vetëm i shërbeni asaj klike që populli e përmbysi në fundin e vitit 1990.

Në kundërvënie me këta pseudo-historianë vjen studjuesi dhe publiçisti ynë i shquar, Uran Butka, që me librin e tij tregon të vërtetën e asaj lufte të madhe të zhvilluar në vendin tonë  që, për fatin e keq të këtij vendi, pas tradhëtisë së madhe që komunistët i bënë Konferencës së Mukjes, u kthye në një luftë të vërtetë civile midis bashkëqytetarësh.

Shfletoj faqet e librit dhe para syve më del beteja e Goskovës më 19 shtator 1943 midis forcave nacionaliste dhe atyre partizane. Luftëtarët i propozojnë komandantit Safet Butka të sulmojnë forcat komuniste.  Ai  përgjigjet:

 

- Kjo nuk do të bëhet kurrë, sa të jem unë gjallë. Vetëm po të kalohet mbi trupin tim. Në këtë mënyrë, të parin dhe të fundit shqiptar që mund të vrasë, është vetja e ime.

 

Dhe trimi e mbajti fjalën e thënë. Ai nuk mund të qëllonte kundër vëllezërve të tij, paçka se kishin bindje të kundërta me të. Përpara këtij fakti tragjik, vrau veten.

Përpara syve më del figura heroike e Hysni Toskës, pjesëmarrës i çetave të 1911—1912-ës,  shpalljes    pavarësisë,  pjesëmarrës i  luftës    Vlorës,  deputet  i  parlamentit shqiptar e të tjera kur mbetet i rrethuar nga forcat e komanduara nga Neshat Hysi, në banesën e tij  së bashku me gruan Rabijen, vajzën Ervehenë dhe djalin Skënderin. Të katër qëndrojnë duke luftuar si burrat. Në fund, për të mos u dorëzuar Hysniu vret veten, ndërsa Skënderi mundi të ikë, por kapet pas disa ditësh dhe pushkatohet. Erveheja mbetet e plagosur në shtëpi. Kriminelët i djegin edhe shtëpinë.

Një epope më  vete  është  edhe  beteja  e  Dukatit    Vlorë    30 nëntor  1943. Batalionet “Asim Zeneli“, “Halim Xhelo” dhe “Antonio Gramshi“, sulmojnë fshatin në pabesi natën. Forcat nacionaliste, të komanduara nga trimi Maliq Koshena i përgjigjen zjarrit me zjarr. Komunisti Myrto Sadiku nga tërbaçi i drejtohet dukatasit Murat Bodo:

 

- Hidhe armën, fashist i ndyrë!

 

Ndërsa Murati i përgjigjet me bejte:

 

- S’jam fashist por i dukat,

As ti rus, por i tërbaç,

Po na qenka taksirat,

Që na vjen, na vret në prak!

 

Në këtë betejë vriten njëzetetre djem, pesëmbëdhjetë partizanë dhe tetë ballistë. Partizanët detyrohen të tërhiqen, duke lënë të vrarët në fushën e betejës. Populli i Dukatit i varrosi të njëzetetre njeri pranë tjetrit dhe gratë dukatase i qanë së bashku:

 

Korba, na u vranë djemtë,

Ca këtu dhe ca në çetë,

Ca në çetë, ca në parti,

Vaj medet o Shqipëri!

 

Kam qenë i vogël në ato vite, por përpara syve të mi kanë mbetur të gjalla dy skena të paharruara. Ishte shtatori i vitit 1943. Banonim në Tiranë, në një rrugicë në rrugën e Kavajës, përballë asaj të ish Radio Tiranës. Një mëngjes, ndërsa po bëheshim gati për të shkuar në shkollë, dëgjojmë dy krisma revolveri dhe menjëherë pas saj një klithmë të tmerrshme. Dolëm me vrap përjashta dhe para portës së shtëpisë së fqinjit përballë pamë të shtrirë, të gjakosur trupin e djalit të shtëpisë dhe nënën e tij të ngratë që vajtonte mbi kufomën e të birit. Atë mbrëmje im atë u kthye vonë, i shoqëruar nga një miku i tij. Kishin qenë në familjen e të vrarit. Akoma kam parasysh fjalët e mikut që i thosh tim eti:

- Më vjen shumë keq për këto që filluan të ndodhin. Tani në vend të luftës çlirimtare do të kemi luftën vllavrasëse.

Djali kishte qenë një aktivist i Ballit Kombëtar për qytetin e Tiranës.

 

Ngjarja e dytë ka të bëjë me ditët e luftës së Tiranës, në nëntorin e vitit 1944. Atëherë banonim në Pazarin e Ri, në shtëpinë e doktor Kërçikut. Një natë trokiti porta e shtëpisë. E hapëm dhe brënda hynë një skuadër partizanësh.

- Duam doktor Kërçikun. - tha komandanti tyre

Burri i hallës që banonte së bashku me  ne,  doktor Bajram Emiri, u thotë:

- Doktor Kërçiku nuk banon këtu, por po patët nevojë edhe unë jam mjek dhe mund t’ju ndihmoj.

- Jo, jo duam doktor Kërçikun, - tha komandanti.

Doktori e kuptoi qëllimin e tyre. Dërgoi me vrap vëllan tim të madh , i cili nëpërmjet një porte që lidhte oborrin tonë me atë të doktorit, e lajmëroi atë përpara se të mbërrinin partizanët. Doktor Bajrami tha:

- E kërkonin për ta vrarë, ashtu si vranë Akil Sakiqin, ushtarakun e shquar që banon në rrugën e Pishës, siç vranë Mumtaz dhe Vesim Kokalarin, botuesit e njohur të “ Mesagjerisë Shqiptare “, ashtu si vranë gazetarin e njohur Nebil Çika te kafe Kursali. Po shyqyr që mundëm ta lajmërojmë dhe ai  shpëtoi.

Më vonë do të mësoja për  masakrën  e  kryer   ato

ditë, ku mbetën të vrarë tridhjetetetë intelektualë.

Kjo ishte tablloja e atyre viteve të tmerrshme, vite që i ka pasqyruar me vërtetësi, duke u mbështetur në dokumenta historike të nxjerra nga arshivat shtetërore Uran Butka në librin e tij që do të mbetet si një perlë e historiografisë së re shqiptare.

Së fundi më lejoni të citoj disa vargje nga poeti i njohur Ali Asllani, i cili në poezinë “Dasma e madhe“ shkruan:

 

Un’të them se jam i kuq ti më thua jam i bardhë,

un’me huq e ti me huq, pra… të zezat radhë radhë!

Nën’e zezë, motër e zezë, bab’i zi e babëzi,

Na një çap- një varrezë, ky atdheu yn’i zi.

Ky atdheu yn’i zi, na u bë skëterr i vrerit,

Varen eshtrat e shqiptarit nëpër sqepe të skifterit.

  

Mbajtur me rastin e ceremonisë së promovimit të librit të Uran Butkës “Lufta civile në Shqipëri“, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, më 13 prill 2007



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora