E diele, 28.04.2024, 06:18 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Mbi administratën shtetërore

E enjte, 12.01.2012, 09:01 PM


Mbi administratën shtetërore

 

Nga Reshat Kripa

 

Mar shkas per kete shkrim nga qendrimi, aspak ne perputhje me statusin e nënpunësit, i disa prej punonjesve te administratës shtetërore. Ky status rregullon marëdhëniet që këta punomjës duhet të kenë me qytetarët. Madje, per këtë qëllim, pranë çdo institucioni, janë ngritur departamentet e marëdhënieve me publikun. Por, fatkeqësisht, në disa prej tyre vihen re shkelje flagrante të këtij parimi. Një gjë e tillë më ka rënë në sy gjatë marëdhënieve që ka patur shoqata e jonë me institucione të ndryshme, ku kam arritur në përfundimin se jo të gjitha janë të gatëshme për të zgjidhur problemet që u dalin me qytetarët. Më lejoni ta ilustroj këtë me një shembull personal. Në mbështetje të Ligjit numër 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politik të regjimit komunist”, të përndjekurit politik paraqitën pranë Ministrisë  së Drejtësisë dokumentat e kërkuara dhe filloi menjëherë shqyrtimi i tyre. Me vendimin numer 1699 datë 29.12.2008, Këshilli i Ministrave nxorri listën e parë të përfituesve. Qoftë nga mos saktësia e dokumentave të dorëzuara apo pakujdesia e organeve që i shqyrtonin, në këtë vendim ishin bërë disa gabime  që u korigjuan me Vendimin numër 852 datë 05.08.2009 po të Këshillit të Ministrave. Mirpo në shumën e caktuar për dëmshpërblim ky korigjim nuk u zbatua nga drejtoria përkatëse e Ministrisë së Financave. Përse?                                      

Për këtë qëllim iu drejtova, me letrën me dëftesën postare Kod-Bar 22703 datë 24.08.2011, Sektorit të Dëmshpërblimit të Përndjekurve Politik pranë Drejtorisë së Financave dhe Buxhetit të Ministrisë së Financave, zotit Lekë Hajdari, për zgjidhjen e këtij problemi. Meqënëse nuk mora përgjigje edhe pasi kishte kaluar një muaj mora në telefon zotin Lekë, por ai nuk më paraqiti asnjë argument për problemin e ngritur. Për këtë iu drejtova personalisht drejtoreshës së kësaj drejtorie, zonjës Roza Naumi, me letrën me dëftesën postare Kod-Bar 26131 datë 28.09.2011. Por as drejtoresha nuk denjoi të përgjigjej. I drejtova edhe një mesazh në e-mail-in e zyrës së saj, por perseri nuk mora përgjigje. Duke mos patur rrugë tjetër, i drejtova Ministrit të Financave, zotit Ridvan Bode, letrën me dëftesën postare Kod-Bar 138617 datë 20.10.2011 duke i paraqitur çështjen. Prita më kot më se një muaj por, për fat të keq, as Ministri nuk denjoi të përgjigjej.

            Mospërfillja e treguar prej këtyre zotërinjve apo zonjave të mësipërme më lëndoi së tepërmi. E ndjeva veten të fyer. Jam Kryetari i Degës së Tiranës i një shoqate dinjitoze të përndjekurish politik, anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare e të Burgosurve Politik dhe Viktimave të Komunizmit me qendër në Berlin.  Kam kryer detyra të ndryshme shtetërore dhe partiake si Drejtor i Zyrës së Punës Vlorë apo Drejtor i Departamentit të Përndjekurve Politik pranë Partisë Demokratike. Jam i detryruar t’i përmend këto pasi kur një qëndrim i tillë  mbahet me mua, që njihem personalisht me zotërinjtë e mësipërm, çfarë mund të thuhet për një kërkesë të bërë nga një qytetar i thjeshtë dhe i panjohur i këtij vendi? Përgjigjen le ta japin zotërinjtë e sipërshënuar.

            Nuk doja të bëja një krahasim me të kaluarën, por detyrohem nga mospërfillja e këtyre organeve. Në kohën e sundimit totalitar punonjësit e administratës ishin të detyruar  t’i kthenin përgjigje kujtdo që paraqiste një kërkesë. Këtë mund  ta  vërtetoj  me

këto dy shembuj:

            Porsa isha liruar nga burgu dhe dëshëroja të vazhdoja gjimnazin e Vlorës që e kisha ndërprerë në kohën e arrestimit. Drejtori i atëhershëm i gjimnazit nuk më pranonte duke kërkuar që të paraqisja dëftesën e vitit të kaluar, në një kohë që atë e kisha dorëzuar po në atë shkollë para se të arrestohesha. Iu drejtova me një letër Ministrisë së Arsimit dhe brenda dy javësh erdhi urdhëri për të filluar mësimin.

            Mbarova   shkollën  e  mesme  me  rezultate    larta.  Kisha  dëshirë    vazhdoja studimet. Kërkesa ime u refuzua. Iu drejtova Ministrit të Arsimit për takim. Nuk vonoi dhe erdhi përgjigja. Ministri kishte caktuar orën e takimit. Nuk e gjeta Ministrin por më priti Zëvendësi i tij. Nuk ma zgjidhi problemin por, sidoqoftë, më priti.

Është e vërtetë që në atë kohë këto veprime bëheshin nga frika e pushimit nga puna. Po sot, që nuk ekziston më kjo frikë, përse nuk veprohet sipas parimeve demokratike? Këtë duhet ta dinë përfaqësuesit e Ministrisë së Financave. Nuk pretendoj se duhej patjetër  të më zgjidhnin problemin që ngrija, por një përgjigje, qoftë edhe negative e meritoja. Ata duhej të më paraqisnin edhe arsyet përse nuk  ishte zbatuar vendimi numër 852 i Këshillit të Ministrave. Të mos harojnë se mospërfillja është mungesë qytetarie. Ndoshta një gjë e tillë nuk është e përgjithshme në administratën shtetërore. Nga eksperienca e jonë unë mund të them se një fenomen të tillë nuk e kemi ndeshur në marëdhëniet që kemi patur me institucione të tjera si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendëshme, Ministria e Kulturës apo të tjerë institucione

Luftëtari i shquar i të drejtave të njeriut doktor Martin Luter King, ka thënë:

 

            Ajo që është më e rrezikshme nuk është vetëm njeriu i keq, por dhe heshtja e njerëzve të mirë.

 

            M’u kujtua kjo aforizmë, pasi  vë re se edhe në ditët tona, kur demokracia mendohet se ka arritur shkallët më të larta, vihen re raste të heshtjes së pajustifikuar të  disa prej personaliteteve shtetërore karshi kërkesave të bëra, sidomos nga përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore siç është për shembull ajo e të përndjekurve politik nga regjimi totalitar.

Ndaj e ndjej veten në gjendjen e Martin Luter Kingut, kur luftonte për të drejtat e njerëzve me ngjyrë dhe protesta e tij binte në veshin shurdh të autoriteteve të bardhë. Por di gjithashtu se sot nuk jemi në gjendjen e Amerikës së atyre viteve dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.

Për sa më sipër i jam drejtuar edhe Kryeministrit Shqiptar. Jam në pritje të përgjigjes së tij. Shpresoj se ajo do të vijë.

 

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste  të Përndjekurve Politik Demokratë të Tiranës

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora