| E marte, 15.05.2012, 06:22 PM |
Për mikun
tim Luan Çipin
Nga Reshat Kripa
Jemi
njohur qysh herët, qysh atëherë kur ishim ende fëmijë. Nuk ishim në të njëjtën
klasë. As në të njëjtën shkollë. Por kishim të njëjtin pasion., letërsinë dhe
teatrin. Ishin këto pasione që na njohën me njëri-tjetrin. Ndiqnim kurset që zhvilloheshin
në Shtëpinë e Pionierit. Kursin e letërsisë e drejtonte profesori ynë i
paharruar Eqerem Shijaku, ndërsa atë të teatrit Alipi Shtrepi., aktore e vjetër
e teatrit të Vlorës. Merrnim pjesë edhe në kursin e muzikës dhe korin që drejtoheshin
nga mjeshtri i madh i muzikës Tish Daija. Në shtëpinë e pionierit u njohëm edhe
me shokë të tjerë si Qirjako Sava që më vonë do të bëhej një aktor dhe regjizor
i teatrit të Vlorës, Fizarmoniçistët Pirro Doko dhe Nikollaq Vangjeli, Myrteza
Baboçi dhe Nikollaq Papa, vajzat e mira Zhaneta Trifoni, Bedrie Mersini,
Gugushe Gaba dhe plot shokë dhe shoqe të tjera.
Me grupin e teatrit kemi vënë në skenë dramën e Arkadi Gajdarit “Timuri dhe skuadra e tij”. Në këtë pjesë Luani kishte rolin kryesor, atë të Timurit ndërsa unë të njërit prej grupit të gangsterave. Kemi vënë në skenë edhe një komedi muzikore me subjekt sportiv me autor dhe regjizor profesor Tishin. Luani kishte rolin e çiklistit fitues ndërsa unë isha në rolin e një tifozi. Ende më vijnë ndër mend disa vargje nga një këngë që e këndonim kur në skenë mbërritën çiklistët:
Çiklisti
parë arriti,
Faqen e
bardhë na qiti,
Një herë për
të urra, urra!
Edhe një herë urra!
Endërronim
të bëheshim shkrimtarë, poetë, aktorë teatri dhe filmi apo ku e di unë se çfarë tjetër. Por shpata e Damokleut
na e preu ëndrrën në mes. Mua ajo shpatë më hodhi brigjeve dhe gërxheve prej
nga ku do të dilja shumë vonë, kur të kisha mbërritur në një moshë pothuajse të
plakur. Edhe Luani nuk do ta realizonte ëndrrën e fëminisë. Ai do të përfundonte
si një ekonomist i zoti që do të shkëlqente në fushën e tij.
Por koha
ndryshoi. Fushat e Lirisë qënkan të pakufizuara. Kështu ndodhi edhe me Luanin. Megjithëse në një moshë të thyer filloi të shkruajë.
Shkruajti proza e poezi, tregime e përkushtime. Ngriti ditirambe për miqtë e
tij. Për ata që nuk janë më, por edhe për ata që jetojnë ende. Shkruajti për
shokët e fëminisë, por edhe për ata që njohu më vonë. Shkruajti për Nexhat
Mersinin dhe Harrilla Papajorgjin, Mexhit Haxhiun dhe Niko Gjyzarin, Telemak
Xhaxhon dhe Axhem Gjonin, Robert Martikon dhe Duro Mustafanë, Petraq Palin dhe
Lame Fandin, Dhionis Qirinxidhin dhe Sadedin Gjokën. Shkruajti edhe për akademikun
Bardhyl Golemi dhe profesorin e paharruar Isuf Luzaj. Shkruajti edhe për mua
dhe për Vaso Sulin. Lista është shumë e gjatë, ndaj të më falin ata që nuk ua përmenda
emrat.
Luani shkruajti pa bërë dallime nëse janë të majtë apo të djathtë, nëse janë nga ata që shërbyen në Shqipëri apo nga ata që u detyruan të marrin rrugën e kurbetit, nga ata që u mbyllën forcërisht nëpër kafaze apo nga ata që jetuan në liri. Për të gjithë këta ai qëndis portrete. Ja si shprehet ai në një poezi:
Kam dëshirë
për një portret,
Ta “qëndis:
siç bënë piktori,
Dhe në gjumë
ai më flet,
Qetësinë shpirtit ia mori.
Në këto ditë të turbullta, kur shumica e politikanëve dhe militantëve, të majtë dhe të djathtë, e shohin njëri-tjetrin pothuajse si armik, mesazhi i veprës së Luan Çipit është i qartë:
Kështu duhet të jetë e gjithë Shqipëria. Kur do ta shohim të tillë?
Pikërisht
në këtë frymë u zhvillua ceremonia e përurimit të librave të Luan Çipit, e
zhvilluar në sallën e Universitetit “Pavarësia”, me nismën e Shoqatës së Shkrimtarëve
të Vlorës “Petro Marko”. Folën të djathtë dhe të majtë. Të gjitha kumtesat dhe
dikutimet konvergonin në një pikë të vetme: për një letërsi të pastër, të shkëputur
nga dallimet partiake. Me këtë frymë e
hapi kryetari i shoqatës, Myrteza Mara. Po kështu e vazhdoi sekretari i saj, Gëzim
Llojdia. Nuk dolën nga këto binarë lektorët e tjerë, shkrimtarët dhe poetët
Petraq Pali, Përparim Hysi, Spiro Qirinxidhi, Anila Toto, Zyba Hysa, Laureta
Petoshati, mjeshtrat e mëdhenj të futbollit vlonjat dhe atij shqiptar, “Brigadieri”
brilant i “Flamurtarit” Mexhit Haxhiu, Mbrojtësi i shkëlqyer i kombëtares
shqiptare dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Kreshnik Çipi, ushtaraku Fatos
Voshtina, ekonomisti Niko Gjyzari, aktori Qirjako Sava dhe për t’i mbyllur të gjitha
këto dorëzimi i diplomës së shoqatës “Petro
Marko” zotit Luan Çipi nga profesor doktor Bardhosh Gaçe. Në ceremoni nuk
munguan as përshëndetjet nga jashtë shtetit si ajo e kryetarit të lidhjes së shkrimtarëve
shqiptarë në Amerikë zotit Dajlan Luzaj, shkrimtarit Robert Martiko nga Greqia
si dhe zotit Pier Pandeli Simsia po nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tani nuk
më mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj mikut tim suksese të mëtejshme në karierën
e tij të letrave! Urime!